2010–2019
Ejani dhe Shikoni
tetor 2014


Ejani dhe Shikoni

Kisha e Jezu Krishtit gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë një kishë misionare.

Mesazhi im iu drejtohet veçanërisht individëve të cilët nuk janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë do të flas për një pyetje themelore që shumë prej jush mund ta keni: “Përse shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë kaq të zellshëm për të më folur rreth asaj që besojnë dhe për të më ftuar të mësoj rreth kishës së tyre?”

Unë lutem që Shpirti i Zotit do të më ndihmojë të komunikoj në mënyrë frytdhënëse, dhe që ju të kuptoni me qartësi përgjigjen time për këtë pyetje të rëndësishme.

Një Mision Hyjnor

Dishepujt e përkushtuar të Jezu Krishtit gjithmonë kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë misionarë të guximshëm. Një misionar është një pasues i Krishtit, i cili dëshmon për Të se Ai është Shëlbuesi dhe shpall të vërtetat e ungjillit të Tij.

Kisha e Jezu Krishtit gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë një kishë misionare. Anëtarët individualë të Kishës së Shpëtimtarit kanë pranuar detyrimin solemn që të ndihmojnë në përmbushjen e misionit hyjnor, të dhënë nga Zoti Apostujve të Tij, siç shënohet në Dhiatën e Re:

“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:19–20).

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e marrin me seriozitet këtë përgjegjësi për t’u mësuar gjithë njerëzve në mbarë kombet rreth Zotit Jezu Krisht dhe ungjillit të Tij të rivendosur. Ne besojmë se e njëjta Kishë, e themeluar nga Shpëtimtari në lashtësi, është rikrijuar në tokë prej Tij në ditët e mëvonshme. Doktrina, parimet, autoriteti i priftërisë, ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit të Tij gjenden sot në Kishën e Tij.

Kur ju ftojmë të vini në kishë me ne ose të mësoni me misionarët kohëplotë, ne nuk po mundohemi t’ju shesim një produkt. Si anëtarë të Kishës, ne nuk marrim çmime apo shpërblime në një konkurrim hyjnor. Ne nuk kërkojmë thjesht që të shtojmë madhësinë numerike të Kishës. Dhe më e rëndësishmja, nuk po përpiqemi t’ju detyrojmë të besoni atë që besojmë vetë. Ne po ju ftojmë të dëgjoni të vërtetat e rivendosura të ungjillit të Jezu Krishtit, me qëllim që të mund të studioni, përsiatni, luteni dhe arrini të dini për veten tuaj nëse gjërat që po ju tregojmë janë të vërteta.

Disa prej jush mund të përgjigjen: “Por unë tashmë besoj te Jezusi dhe i ndjek mësimet e Tij” ose “Nuk jam i sigurt nëse Perëndia ekziston me të vërtetë”. Ftesat tona për ju nuk janë një përpjekje për t’ia pakësuar vlerën traditës suaj fetare ose përvojës suaj jetësore. Sillni me vete gjithçka që e dini se është e vërtetë, e mirë dhe e denjë për t’u lavdëruar – dhe vëreni në provë mesazhin tonë. Po ashtu si Jezusi u bëri ftesë dy prej dishepujve të Tij “ejani dhe shikoni” (Gjoni 1:39), ne ju nxitim të vini dhe të shihni nëse ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit e zgjeron dhe e pasuron atë që ju tashmë e besoni të jetë e vërtetë.

Me të vërtetë, ne ndiejmë një përgjegjësi solemne për t’ia çuar këtë mesazh çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli. Dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë me një forcë tashmë prej më shumë se 88.000 misionarësh kohëplotë duke punuar në më shumë se 150 shtete sovrane nëpër botë. Këta burra dhe gra të mrekullueshme i ndihmojnë anëtarët e Kishës sonë që të përmbushin përgjegjësinë e caktuar në mënyrë hyjnore dhe individuale që secili prej nesh ka, për ta shpallur ungjillin e përjetshëm të Jezu Krishtit (shih DeB 68:1).

Më Shumë se Një Detyrë Shpirtërore

Por zelli ynë për ta shpallur këtë mesazh nuk është thjesht pasoja e një ndjenje të detyrës shpirtërore. Përkundrazi, dëshira jonë për ta shpërndarë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit me ju është shprehje se sa të rëndësishme janë këto të vërteta për ne. Besoj se mund ta përshkruaj në mënyrën më të mirë se përse jemi kaq zemërhapur kur kërkojmë t’i shpjegojmë gjërat që besojmë, nëpërmjet një përvoje që gruaja ime dhe unë patëm shumë vite më parë me dy prej bijve tanë.

Një mbrëmje, Suzana dhe unë qëndruam pranë një dritareje në shtëpinë tonë dhe vështruam dy prej djemve tanë të vegjël duke luajtur përjashta. Gjatë kohës së aventurave të tyre, më i vogli i dy djemve u vra pak në një aksident të vogël. E kuptuam me të shpejtë se nuk ishte lënduar rëndë dhe vendosëm që të mos jepnim ndihmesë të menjëhershme. Donim të vëzhgonim e të shihnim nëse u ishte ngulitur ndonjë prej diskutimeve tona familjare lidhur me mirësinë vëllazërore. Çfarë ndodhi më pas ishte si interesante, ashtu edhe udhëzuese.

Vëllai më i madh e ngushëlloi dhe e ndihmoi me përkujdesje të hynte në shtëpi vëllanë më të vogël. Suzana dhe unë ishim vendosur pranë kuzhinës që të mund të shihnim atë që ndodhi më pas dhe u përgatitëm të ndërhynim menjëherë nëse dëmtimi i mëtejshëm trupor do të dukej i mundshëm apo një aksident i rëndë të ishte kërcënues.

Vëllai më i madh tërhoqi një karrige drejt lavamanit të kuzhinës. Ai u ngjit mbi karrige, e ndihmoi vëllanë e tij të hipte në karrige, hapi ujin dhe vazhdoi të hidhte një sasi të madhe sapuni të lëngshëm, për larjen e enëve, mbi krahun e gërvishtur të vëllait të tij të vogël. Ai bëri më të mirën që me butësi t’ia largonte dheun. Reagimi i vëllait të vogël ndaj kësaj procedure mund të përshkruhet saktësisht vetëm duke përdorur mënyrën e shprehur në shkrimet e shenjta: “Dhe ata do të kenë shkak të ulërijnë, dhe të qajnë, të vajtojnë dhe të kërcëllojnë dhëmbët e tyre” (Mosia 16:2). Dhe sa ulëriu ai djalë i vogël!

Pasi mbaroi së fërkuari, plot kujdes ia thau krahun me një peshqir. Më së fundi ulërima mbaroi. Vëllai më i madh u ngjit mbi banakun e kuzhinës, hapi një dollap dhe gjeti një tubet të ri me pomadë mjekësore. Edhe pse gërvishtjet e vëllait të tij të vogël nuk ishin të mëdha apo të stërgjata, vëllai i madh ia vuri pothuajse tërë pomadën në tubet të gjithë krahut të dëmtuar. Ulërima nuk filloi përsëri, ngaqë vëllai i vogël e pëlqeu dukshëm ndikimin qetësues të pomadës, shumë më tepër nga ç’kishte vlerësuar ndikimin pastrues të sapunit larës.

Vëllai më i madh u kthye sërish te dollapi në të cilin kishte gjetur pomadën dhe gjeti një kuti të pahapur të fashave sterile. Më pas ua hoqi mbështjellëset fashave dhe i vuri ato poshtë e lart tërë krahut të vëllait të tij – që nga kyçi deri te bërryli. Me urgjencën të përfunduar dhe me flluskat e sapunit, pomadën e mbështjellëset kudo nëpër kuzhinë, të dy djemtë e vegjël u hodhën nga karrigia me buzëqeshje të gëzuara dhe fytyra të lumtura.

Ajo që ndodhi më pas është më e rëndësishmja. Vëllai i dëmtuar i mblodhi fashat e mbetura dhe tubetën pothuajse të boshatisur të pomadës dhe doli përsëri jashtë. Me të shpejtë i kërkoi miqtë e tij dhe filloi t’u vinte pomadë dhe fasha nëpër krahë. Suzana dhe unë, që të dy, u befasuam nga çiltërsia, entuziazmi dhe shpejtësia e përgjigjes së tij.

Përse e bëri ai djalë i vogël atë që bëri? Ju lutem vini re se ai, në mënyrë të menjëhershme dhe intuitive, dëshironte t’iu jepte shokëve të tij pikërisht gjënë që e kishte ndihmuar kur ishte i lënduar. Atij djali të vogël nuk iu desh të nxitej, sfidohej, shtyhej apo detyrohej për të vepruar. Dëshira e tij për të dhënë ishte pasojë e natyrshme e një përvoje vetjake tepër ndihmuese dhe dobiprurëse.

Shumë prej nesh si të rritur veprojmë pikërisht në të njëjtën mënyrë kur gjejmë një trajtim mjekësor apo një mjekim që e lehtëson dhembjen me të cilën kemi vuajtur për një kohë të gjatë, ose kur ne marrim këshillë që na bën të aftë t’u vihemi përballë sfidave me kurajë dhe pështjellimeve me durim. Ndarja e gjërave që janë më domethënëset për ne ose që na kanë ndihmuar, me të tjerët nuk është aspak e pazakontë.

Ky model i njëjtë është veçanërisht i dukshëm në çështje të rëndësisë dhe pasojave të mëdha shpirtërore. Për shembull, një rrëfim në një vëllim të shkrimit të shenjtë, të njohur si Libri i Mormonit, vë në dukje një ëndërr të parë nga një udhëheqës-profet i lashtë, i quajtur Lehi. Veçoria thelbësore e ëndrrës së Lehit është pema e jetës – që është një përfaqësim i “dashuri[së së] Perëndisë”, që është “më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat” dhe “më e gëzueshmja për shpirtin” (1 Nefi 11:22–23; shih edhe 1 Nefi 8:12, 15).

Lehi shpjegoi:

“Dhe ndodhi që unë shkova përpara dhe hëngra nga fruti i saj, dhe vura re se ishte më i ëmbël se gjithçka që kisha shijuar ndonjëherë më parë. Po, dhe vura re se fruti i saj ishte i bardhë, mbi çdo bardhësi që kisha parë ndonjëherë.

Dhe ndërsa po haja frutin e saj, ai ma mbushi shpirtin tim me një gëzim jashtëzakonisht të madh; prandaj fillova të dëshiroja që familja ime të hante nga ai gjithashtu” (1 Nefi 8:11–12; theksimi i shtuar).

Shfaqja më e madhërishme e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij është shërbesa në vdekshmëri, flijimi shlyes dhe Ringjallja e Zotit Jezu Krisht. Fruta në pemë mund të shihet si një simbol për bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Përgjigjja e menjëhershme e Lehit ndaj marrjes së frutës së pemës dhe përjetimit të gëzimit të madh ishte një dëshirë e shtuar për ta ndarë me familjen e tij dhe për t’i shërbyer asaj. Kështu, teksa u kthye te Krishti, ai u kthye edhe te njerëzit e tjerë nëpërmjet dashurisë dhe shërbimit.

Një ngjarje tjetër e rëndësishme në Librin e Mormonit përshkruan se çfarë i ndodhi një burri të quajtur Enos pasi lutja e tij e zellshme dhe përgjëruese u dëgjua nga Perëndia dhe mori përgjigje prej Tij.

Ai tha:

“Dhe shpirti im ishte i uritur; dhe unë u gjunjëzova para Krijuesit tim dhe iu përgjërova atij në lutje të fuqishme dhe kërkesë të sinqertë për shpirtin tim; dhe gjithë ditën unë iu përgjërova atij; po, dhe kur ra nata, unë e ngrita akoma zërin tim lart, saqë ai arriti qiejt.

Dhe erdhi një zë tek unë duke thënë: Enos, mëkatet e tua të janë falur dhe ti do të jesh i bekuar.

Dhe unë, Enosi, e dija se Perëndia nuk mund të gënjente, prandaj fajësia ime u fshi.

Dhe unë thashë: Zot, si u bë ajo?

Dhe ai më tha: Për shkak të besimit tënd në Krishtin, të cilin ti kurrë më parë as e ke dëgjuar, as e ke parë. … Prandaj shko, besimi yt të ka bërë ty të shëruar.

Tani, ndodhi që kur dëgjova këto fjalë, unë fillova të ndjeja dëshirë për mirëqenien e vëllezërve të mi, Nefitëve; prandaj unë derdha te Perëndia tërë shpirtin tim për ta” (Enosi 1:4–9; theksimi i shtuar).

Teksa Enosi u kthye te Zoti “me qëllim të plotë të zemrës” (2 Nefi 31:13), shqetësimi i tij për mirëqenien e familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij u rrit njëkohësisht.

Mësimi i përhershëm që mësojmë nga këto dy ngjarje, është rëndësia e të përjetuarit në jetën tonë vetjake të bekimeve të Shlyerjes së Jezu Krishtit si kusht paraprak për shërbimin e përzemërt dhe të mirëfilltë, i cili shtrihet përtej thjesht “të vepruarit në mënyrë mekanike”. Në mënyrë mjaft të ngjashme me Lehin, Enosin dhe djalin tonë të vogël në historinë që tregova, ne, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e kemi ndier ankthin që i shoqëron pasigurinë shpirtërore dhe mëkatin. Ne gjithashtu e kemi përjetuar pastrimin, paqen e ndërgjegjes, shërimin dhe ripërtëritjen shpirtërore dhe udhërrëfimin që fitohen vetëm nëpërmjet të mësuarit dhe të vënies në jetë të parimeve të ungjillit të Shpëtimtarit.

Shlyerja e Jezu Krishtit siguron pastruesin e nevojshëm për të na bërë të dëlirë dhe të pastër, balsamin qetësues për të na shëruar plagët shpirtërore e për të na e hequr fajin dhe mbrojtjen që na aftëson për të qenë besnikë në kohë si të mira ashtu edhe të këqija.

E Vërteta Absolute Ekziston

Juve, anëtarëve të familjeve dhe miqve që nuk jeni anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, unë jam përpjekur t’ju shpjegoj arsyet thelbësore përse ne jemi misionarë.

E vërteta absolute ekziston në një botë që gjithnjë e më shumë e shpërfill dhe e mohon konceptin e absolutes. Në një ditë të ardhshme, “[do] të përkulet çdo gju” dhe “çdo gjuhë [do] të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë At[it]” (Filipianëve 2:10–11). Jezusi, Krishti, në mënyrë absolute është Biri i Vetëmlindur i Atit të Amshuar. Si anëtarë të Kishës së Tij, ne dëshmojmë se Ai jeton dhe Kisha e Tij është rivendosur në plotësinë e saj në këto ditë të mëvonshme.

Ftesat që ju drejtojmë për të mësuar rreth mesazhit tonë dhe për ta vënë atë në provë, janë si rrjedhim i ndikimeve pozitive që ungjilli i Jezu Krishtit ka pasur në jetët tona. Nganjëherë mund të jemi të sikletshëm ose të vrazhdë apo këmbëngulës në përpjekjet tona. Dëshira jonë e thjeshtë është të ndajmë me ju të vërtetat që kanë vlerën më të madhe për ne.

Si një prej Apostujve të Zotit dhe me tërë energjinë e shpirtit tim, jap dëshmi për qenien hyjnore dhe realitetin e Tij. Dhe ju ftoj “ejani e shikoni” (Gjoni 1:39), në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.