2010–2019
Ligji i Agjërimit: Një Përgjegjësi Vetjake për t’u Kujdesur për të Varfrit dhe Nevojtarët
tetor 2014


Ligji i Agjërimit: Një Përgjegjësi Vetjake për t’u Kujdesur për të Varfrit dhe Nevojtarët

Si pasues të Shpëtimtarit, ne kemi përgjegjësi vetjake për t’u kujdesur për të varfrit dhe nevojtarët.

Vëllezërit e mi të dashur, e dua priftërinë dhe më pëlqen shumë të jem me ju. Jam kaq shumë mirënjohës që ne mund të shërbejmë së bashku në këtë kauzë të madhe.

Jetojmë në kohë të jashtëzakonshme. Përparime të mrekullueshme në mjekësi, shkencë e teknologji e kanë përmirësuar cilësinë e jetës për shumë njerëz. Prapëseprapë, ka edhe tregues të vuajtjeve dhe dhembjeve të mëdha njerëzore. Përveç luftërave dhe zhurmave të luftërave, një shtim i fatkeqësive natyrore – përfshirë përmbytjet, zjarret, tërmetet dhe sëmundjet – po ndikon në jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.

Udhëheqja e Kishës është e vetëdijshme dhe syhapur lidhur me mirëqenien e fëmijëve të Perëndisë kudo. Atje ku dhe kur është e mundur, janë siguruar burimet e ndihmës së shpejtë të Kishës për t’iu përgjigjur njerëzve në nevojë. Për shembull, nëntorin e kaluar, tajfuni Haijani goditi shtetin ishullor të Filipineve.

Një tajfun shumë i fuqishëm i kategorisë 5, Haijani shkaktoi shkatërrim dhe vuajtje në shkallë të gjerë. Qytete të tëra u shkatërruan; shumë jetë u humbën; miliona shtëpi u dëmtuan rëndë apo u shkatërruan; dhe shërbimet bazë të tilla si uji, kanalizimet dhe elektriciteti ndaluan së funksionuari.

Burimet e Kishës u mundësuan që në orët e para pas kësaj katastrofe. Anëtarët e Kishës që jetonin në Filipine, u grumbulluan për të shpëtuar vëllezërit e motrat e tyre duke siguruar ushqim, ujë, veshje dhe komplete për higjienën, si për anëtarët edhe për joanëtarët.

Shtëpitë e mbledhjeve të Kishës u bënë vende strehimi për mijëra të pastrehë. Nën udhëheqjen e Presidencës së Zonës dhe të udhëheqësve vendorë të priftërisë, për shumë prej atyre që kishin humbur çdo gjë që kishin, u bënë vlerësime për sa i takon gjendjes dhe sigurisë së të gjithë anëtarëve. Plane të frymëzuara filluan të merrnin formë për t’i ndihmuar anëtarët të riktheheshin në kushte jetese të përshtatshme dhe të mbështeteshin te vetja.

U siguruan burime të thjeshta për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës që t’i rindërtonin strehët dhe shtëpitë e tyre prej druri. Kjo nuk ishte dhënie falas. Anëtarët morën trajnim dhe kryen punën e nevojshme për veten e tyre dhe pastaj për të tjerët.

Një bekim që pasoi ishte se, ndërsa anëtarët zhvilluan zdrukthëtarinë, hidraulikën dhe aftësi të tjera ndërtimi, ata ishin në gjendje të siguronin mundësi domethënëse pune teksa qytetet dhe komunitetet aty pranë filluan të rindërtoheshin.

Përkujdesja për të varfrit dhe nevojtarët është një doktrinë themelore e doktrinës së ungjillit dhe një element thelbësor në planin e përjetshëm të shpëtimit.

Përpara shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jehovai, nëpërmjet profetit të Tij, shpalli: “Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim ty dhe të them: ‘Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfërit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj’”1.

Në kohën tonë, përkujdesja për të varfrit dhe nevojtarët është një nga katër përgjegjësitë hyjnore të caktuara Kishës që i ndihmon individët dhe familjet të kualifikohen për ekzaltim.2

Përkujdesja për të varfrit dhe nevojtarët synon si shpëtimin e përkohshëm edhe atë shpirtëror. Ajo përfshin shërbimin e anëtarëve individualë të Kishës ndërsa ata kujdesen vetë për të varfrit dhe nevojtarët, si edhe [programin] zyrtar të mirëqenies në Kishë, e cila administrohet nëpërmjet autoritetit të priftërisë.

Kryesor në planin e Zotit për përkujdesjen ndaj të varfërve dhe nevojtarëve është ligji i agjërimit. “Zoti e ka krijuar ligjin e agjërimit dhe të ofertave të agjërimit për të bekuar njerëzit e Tij dhe për të siguruar një mënyrë për ta që t’u shërbejnë atyre në nevojë.”3

Si pasues të Shpëtimtarit, ne kemi përgjegjësi vetjake për t’u kujdesur për të varfrit dhe nevojtarët. Anëtarët besnikë të Kishës kudo, ndihmojnë duke agjëruar çdo muaj – duke mos ngrënë dhe pirë për 24 orë – dhe pastaj duke i dhënë Kishës një ofertë financiare agjërimi të barabartë me të paktën vlerën e ushqimit që do të kishin ngrënë.

Fjalët e Isaias duhet të merren në shqyrtim plot lutje dhe të mësohen në çdo shtëpi:

“Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërrmosh çdo zgjedhë?

A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?”4

Më pas Isaia vazhdoi të rendiste bekimet e mrekullueshme të premtuara nga Zoti atyre që i binden ligjit të agjërimit. Ai thotë:

“Drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.

Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: ‘Ja ku jam!’ …

Në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.

Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata.”5

Lidhur me këtë shkrim të shenjtë, Presidenti Harold B. Li pati këtë për të thënë: “Bekimet tepër të mëdha që vijnë [nga agjërimi], janë shqiptuar në çdo periudhë ungjillore dhe këtu Zoti po na tregon, nëpërmjet këtij profeti të madh, përse ka agjërim dhe bekimet që vijnë nga agjërimi. … Nëse e zbërtheni … kapitullin 58 të librit të Isaias, ju do të gjeni të shtjelluar përse Zoti do që ne t’i paguajmë ofertat e agjërimit, përse do Ai që ne të agjërojmë. Është për shkak se me anë të kualifikimit ne mund të thërrasim dhe Zoti mund të përgjigjet. Ne mund të lutemi dhe Zoti do të thotë: ‘Ja ku jam’.”

Presidenti Li shton: “A duam të jemi ndonjëherë në gjendje ku ne mund të thërrasim dhe ai nuk do të përgjigjet? Ne do të thërrasim në fatkeqësinë tonë dhe ai nuk do të jetë me ne? Unë mendoj se është koha që ne të mendojmë për këto parime sepse këto janë ditët që do na presin, kur bekimet e Zotit do të na nevojiten gjithnjë e më shumë, kur gjykimet të derdhen pa u zvogëluar mbi të gjithë dheun.”6

Profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson, ka dhënë dëshminë e tij për këto parime – një dëshmi të lindur nga përvoja vetjake. Ai tha: “Asnjë anëtar i kishës që ka ndihmuar të sigurojë ndihmë për njerëzit në nevojë, nuk e harron apo pendohet ndonjëherë për këtë përvojë. Zelli, kursimi, mbështetja te vetja dhe ndarja e gjërave me të tjerët nuk janë të reja për ne.”7

Vëllezër, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë një popull që bëjnë besëlidhje dhe i mbajnë urdhërimet. Nuk mund të mendoj për ndonjë ligj, ndonjë urdhërim, i cili, nëse mbahet besnikërisht, është më i lehtë për t’u zbatuar dhe i cili jep bekime më të mëdha sesa ligji i agjërimit. Kur agjërojmë dhe japim një ofertë të ndershme agjërimi, ne dhurojmë në depon e Zotit atë që do të harxhohej për shpenzimet e vakteve. Kjo nuk kërkon sakrificë monetare më të tepërt se ajo që do të ishte harxhuar normalisht. Në të njëjtën kohë, neve na janë premtuar bekime të jashtëzakonshme, siç u vu re më parë.

Ligji i agjërimit zbatohet për të gjithë anëtarët e Kishës. Edhe fëmijëve të vegjël mund t’u mësohet të agjërojnë, duke filluar me një vakt dhe pastaj dy, aq sa janë në gjendje ta kuptojnë dhe ta mbajnë fizikisht ligjin e agjërimit. Bashkëshortët e bashkëshortet, anëtarët beqarë, të rinjtë dhe fëmijët duhet ta fillojnë agjërimin me lutje, duke dhënë mirënjohje për bekimet në jetën e tyre ndërsa kërkojnë bekimet dhe forcën e Zotit nëpërmjet periudhës së agjërimit. Përmbushja e plotë e ligjit të agjërimit ndodh kur oferta e agjërimit i bëhet përfaqësuesit të Zotit, peshkopit.

Peshkopë, ju drejtoni [programin] e mirëqenies në lagje. Ju keni një urdhër hyjnor për t’i kërkuar dhe për t’u kujdesur për të varfrit. Me përkrahjen e presidentes së Shoqatës së Ndihmës dhe të udhëheqësve të kuorumit të Priftërisë Melkizedeke, synimi juaj është që t’i ndihmoni anëtarët ta ndihmojnë veten e tyre dhe të bëhen të mbështetur te vetja. Ju u shërbeni nevojave të përkohshme dhe shpirtërore të anëtarëve duke i përdorur me kujdes ofertat e agjërimit si përkrahje të përkohshme dhe si shtesë për burimet e dhëna nga familja e komuniteti. Ndërsa i ushtroni plot lutje çelësat e priftërisë dhe [dhuratën] e dallimit për ndihmën ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, ju do të arrini të dini se përdorimi i duhur i ofertave të agjërimit ka për qëllim të përkrahë jetën, jo mënyrën e jetesës.

Presidentë të kuorumit të Priftërisë Aarone, ju i mbani çelësat dhe e keni fuqinë për të administruar në ordinancat e jashtme. Punoni me peshkopin dhe udhëzojini anëtarët e kuorumit në lidhje me detyrat e tyre në priftëri dhe kërkimin e anëtarëve të Kishës për t’u dhënë atyre mundësinë që të dhurojnë për agjërimin. Ndërsa ju mbajtës të Priftërisë Aarone i lartësoni përgjegjësitë tuaja të priftërisë dhe ia jepni këtë mundësi të gjithë anëtarëve të Kishës, ju ua lehtësoni shpesh bekimet e premtuara të agjërimit atyre që mund t’ia kenë më shumë nevojën. Ju do të dëshmoni se shpirti i përkujdesjes për të varfrit e nevojtarët ka fuqinë të zbutë zemra që përndryshe janë të ngurtësuara dhe e bekon jetën e atyre që mund të mos marrin pjesë vazhdimisht në Kishë.

Presidenti Monson ka thënë: “Ata peshkopë që i organizojnë kuorumet e tyre të Priftërisë Aarone për të marrë pjesë në mbledhjen e ofertave të agjërimit, do të kenë sukses më të madh në këtë përgjegjësi të shenjtë”8.

Peshkopë, kujtoni se rrethanat ndryshojnë gjerësisht nga një zonë në tjetrën dhe nga njëri vend në tjetrin. Kontakti derë më derë nga anëtarët e kuorumit të Priftërisë Aarone mund të mos jetë i volitshëm në rajonin ku jetoni ju. Megjithatë, ne ju ftojmë ta shqyrtoni plot lutje këshillën e profetit dhe të kërkoni frymëzim mbi mënyrat e duhura me të cilat mbajtësit e priftërisë Aarone në lagjen tuaj mund ta lartësojnë priftërinë e tyre duke marrë pjesë në mbledhjen e ofertave të agjërimit.

Te kapitulli 27 i 3 Nefit, Zoti i ringjallur pyeti: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Ai u përgjigj: “Madje si jam unë”9. Ndërsa e marrim mbi vete emrin e Krishtit dhe përpiqemi ta ndjekim Atë, ne do të marrim shëmbëlltyrën e Tij në fytyrat tona dhe do të bëhemi më shumë si Ai. Përkujdesja për të varfrit dhe nevojtarët është e pandarë në shërbesën e Shpëtimtarit. Është në çdo gjë që bën Ai. Ai ua zgjat dorën të gjithëve dhe i ngre lart. Zgjedha e Tij është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë. Unë e ftoj secilin prej nesh të bëhet më shumë si Shpëtimtari duke u kujdesur për të varfrit dhe nevojtarët, duke e mbajtur besnikërisht ligjin e agjërimit dhe duke ndihmuar me një ofertë bujare agjërimi. Dëshmoj përulësisht se përkujdesja besnike për të varfrit dhe nevojtarët është pasqyrim i pjekurisë shpirtërore dhe do ta bekojë si dhënësin, ashtu edhe marrësin. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Ligji i Përtërirë 15:11.

  2. Shih Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 2.2.

  3. Manuali 2, 6.1.2.

  4. Isaia 58:6–7.

  5. Isaia 58:8–11.

  6. Harold B. Lee, “Listen, and Obey” (Welfare Agricultural Meeting, 3 prill 1971), kopje e dorëshkrimit të daktilografuar, f. 14, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  7. Tomas S. Monson, “A Jemi të Përgatitur?” Liahona, nëntor 2014, f. 4.

  8. Tomas S. Monson, në një mbledhje me Presidencën e Peshkopatës, 28 shkurt 2014.

  9. 3 Nefi 27:27