Konferenca e Përgjithshme
Të Gjorët Njerëz
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Të Gjorët Njerëz

Në secilën lagje dhe degë kemi nevojë për çdo njeri – ata që mund të jenë të fortë dhe ata që ndoshta po hasin vështirësi. Të gjithë janë të nevojshëm.

Kur isha djalosh, më kujtohet kur isha në makinë me babanë tim dhe shihja individë anash rrugës që gjendeshin në rrethana të vështira ose që kishin nevojë për ndihmë. Im atë gjithnjë do të bënte komentin “Pobrecito”, që do të thotë “i gjori njeri”.

Me raste, vështroja me interes kur babai i ndihmonte shumë prej këtyre njerëzve, veçanërisht kur udhëtonim drejt Meksikës për të vizituar gjyshërit e mi. Ai zakonisht gjente një njeri nevojtar dhe më pas shkonte privatisht dhe i jepte ndihmën që i nevojitej. Më vonë zbulova se ai po i ndihmonte ata që të regjistroheshin në shkollë, u blinte ca ushqim ose kujdesej në njëfarë mënyre apo në një tjetër për mirëqenien e tyre. Ai po i jepte shërbesë një “njeriu të gjorë” që e ndeshi përgjatë shtegut të tij. Në fakt, gjatë viteve të rritjes sime, unë nuk mund të kujtoj asnjë rast kur të mos kishim dikë që të jetonte me ne, i cili kishte nevojë për një vend ku të qëndronte ndërsa bëhej i mbështetur te vetja. Vëzhgimi i këtyre përvojave krijoi brenda meje një shpirt dhembshurie kundrejt burrave dhe grave bashkënjerëz të mi dhe njerëzve nevojtarë.

Tek udhëzuesi Predikoni Ungjillin Tim thuhet: “Ju jeni të rrethuar nga njerëz. Ju i ndeshni rrugës, i vizitoni në shtëpitë e tyre dhe udhëtoni mes tyre. Të gjithë ata janë fëmijë të Perëndisë, vëllezërit dhe motrat tuaja. … Shumë nga këta njerëz po kërkojnë qëllim në jetë. Ata janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre dhe familjet e tyre” (Preach My Gospel: A Guide to Missionary Service [2018], f. 1).

Gjatë viteve, ndërsa shërbeja në Kishë, jam përpjekur të kërkoj njerëz që kishin nevojë për ndihmë në jetën e tyre, si materialisht edhe shpirtërisht. Shpesh dëgjoja zërin e babait tim që thoshte: “Pobrecito”, i gjori njeri.

Në Bibël ne gjejmë një shembull të mrekullueshëm për përkujdesjen ndaj një njeriu të gjorë:

“Por Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin bashkë për në tempull, rreth orës së nëntë, në orën e lutjes.

Dhe aty ishte një njeri i çalë që prej lindjes, të cilin e sillnin çdo ditë dhe e linin afër derës së tempullit, e quajtur ‘E bukura’, për t’u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull.

Ai, kur pa se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, u kërkoi lëmoshë.

Atëherë Pjetri, me Gjonin, duke i ngulur sytë mbi të, i tha: ‘Na shiko’.

Dhe ai po i shikonte me kujdes, duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë prej tyre.

Por Pjetri tha: ‘Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!’

Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë; dhe në atë çast iu forcuan këmbët dhe nyjet” (Veprat e Apostujve 3:1–7; theksimi i shtuar).

Gjatë leximit të këtij rrëfimi, më ngjalli kureshtje përdorimi i shprehjes ngul sytë. Shprehja ngul sytë do të thotë t’ia drejtosh vështrimin apo mendimet dikujt ose të shohësh qëllimisht dikë (shih “fasten”, Dictionary.com). Kur Pjetri e pa këtë njeri, ai e vështroi atë ndryshe nga të tjerët. Ai pa përtej paaftësisë së tij për të ecur dhe dobësive të tij dhe mundi të dallonte se besimi i tij mjaftonte që ai të shërohej dhe të hynte në tempull për të marrë bekimet që po kërkonte.

Vura re se ai e kapi nga dora e djathtë dhe e ngriti në këmbë. Ndërsa i dha ndihmë atij burri në këtë mënyrë, Zoti e shëroi atë mrekullisht dhe atij “iu forcuan këmbët dhe nyjet” (Veprat e Apostujve 3:7). Dashuria e tij për këtë njeri dhe dëshira për ta ndihmuar atë sollën një rritje të mundësisë dhe aftësisë te ky burrë që ishte i dobët.

Ndërsa shërbeja si I Shtatëdhjetë Zonal, unë e rezervoja çdo mbrëmje të marte për të bërë vizita për dhënie shërbese me presidentët e kunjeve në zonën ku isha përgjegjës. I ftoja të linin takime me njerëz që ishin në nevojë për një ordinancë të ungjillit të Jezu Krishtit ose me ata që nuk po i mbanin aktualisht besëlidhjet që kishin bërë. Nëpërmjet shërbesës sonë të vazhdueshme dhe të qëllimshme, Zoti na i lartësoi përpjekjet dhe ne ishim në gjendje të gjenim individë dhe familje që ishin nevojtarë. Këta ishin “njerëzit e gjorë” që jetonin në kunjet e ndryshme ku shërbyem.

Në një rast, unë e shoqërova Presidentin Bill Uituërth, presidentin e Kunjit Keniën Vju në Sendi të Jutës, për të bërë vizita për dhënie shërbese. Ai bënte lutje për të ditur se kë duhej të vizitonim, duke u përpjekur që të kishim të njëjtën përvojë si Nefi, i cili “ish[te] i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që [ai] duhet të bë[nte]” (1 Nefi 4:6). Ai demonstroi se, kur japim shërbesë, ne duhet të udhëhiqemi me anë të zbulesës tek ata që kanë më shumë nevojë, në vend që thjesht të ndjekim radhën e listës ose të vizitojmë individë në një mënyrë sistematike. Ne duhet të udhëhiqemi me anë të fuqisë së frymëzimit.

Më kujtohet që shkova në shtëpinë e një çifti të ri, Xhefit dhe Hedhërit dhe djalit të tyre të vogël, Kait. Xhefi u rrit si anëtar aktiv i Kishës. Ishte atlet shumë i talentuar dhe kishte një karrierë premtuese. Ai filloi të shkëputej ngadalë nga Kisha gjatë viteve të tij të adoleshencës. Më vonë, ai pësoi një aksident automobilistik, gjë e cila ia ndryshoi rrjedhën e jetës. Kur hymë në shtëpinë e tij dhe u njohëm, Xhefi na pyeti se pse erdhëm që ta vizitonim familjen e tij. Ne u përgjigjëm se kishim rreth 3000 anëtarë të cilët jetonin brenda kufijve të kunjit. Më pas e pyeta unë: “Xhef, nga të gjitha shtëpitë që mund të kishim vizituar sonte, na thuaj se përse na dërgoi Zoti këtu”.

Nga kjo, Xhefi u emocionua dhe filloi të na tregonte disa nga shqetësimet e tij dhe disa probleme me të cilat po përballeshin si familje. Ne filluam të flisnim për parime të ndryshme të ungjillit të Jezu Krishtit. I ftuam që të bënin disa gjëra të caktuara që mund të dukeshin si sfiduese në fillim, por me kalimin e kohës do të sillnin lumturi dhe gëzim të madh. Më pas, Presidenti Uituërth i dha Xhefit një bekim priftërie për ta ndihmuar që t’i kapërcente sfidat e tij. Xhefi dhe Hedhëri ranë dakord të bënin atë që i ftuam të bënin.

Rreth një vit më vonë, ishte privilegji im ta shihja Xhefin të pagëzonte bashkëshorten e tij, Hedhërin, anëtare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Tani ata po përgatiten të hyjnë në tempull që të vulosen si familje për kohën dhe gjithë përjetësinë. Vizita jonë e ndryshoi rrjedhën e jetës të tyre si materialisht edhe shpirtërisht.

Zoti ka shpallur:

“Prandaj ji besnik; qëndro në detyrën që të kam caktuar; ndihmo të dobëtit, ngri duart që varen poshtë dhe forco gjunjët e këputur” (Doktrina e Besëlidhje 81:5).

“Dhe duke i bërë këto gjëra, ti do t’u bësh të mirën më të madhe bashkëqenieve të tua dhe do të nxisësh lavdinë e atij që është Zoti yt” (Doktrina e Besëlidhje 81:4).

Vëllezër e motra, Apostulli Pal na mësoi një element kyç në dhënien e shërbesës sonë. Ai na mësoi se ne jemi të gjithë “trupi i Krishti[t] dhe gjymtyrët e tij, veç e veç” (1 Korintasve 12:27) dhe se çdo gjymtyrë e trupit është e nevojshme, me qëllim që të bëjë të mundur që i gjithë trupi të lartësohet. Më pas ai dha mësim një të vërtetë të fuqishme që më hyri thellësisht në zemër kur e lexova. Ai tha: “Gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat; dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim” (1 Korintasve 12:22–23; theksimi i shtuar).

Si rrjedhim, në secilën lagje dhe degë kemi nevojë për çdo njeri – ata që mund të jenë të fortë dhe ata që ndoshta po hasin vështirësi. Të gjithë janë të nevojshëm për lartësimin jetik të të gjithë “trupi[t të] Krishti[t]”. Shpesh pyes veten se kush na mungon në bashkësitë tona të ndryshme, që do të na forconte dhe do të na bënte të plotë.

Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Në Kishë jo vetëm që mësojmë doktrinën hyjnore; ne gjithashtu përjetojmë vënien e saj në jetë. Si trupi i Krishtit, anëtarët e Kishës i japin shërbesë njëri-tjetrit në realitetin e jetës së përditshme. Të gjithë ne jemi të papërkryer. … Në trupin e Krishtit, ne duhet të shkojmë përtej koncepteve dhe fjalëve të bukura dhe të kemi një njohuri të vërtetë nga përvoja ndërsa mësojmë të ‘jeto[jmë] së bashku në dashuri’ [Doktrina e Besëlidhje 42:45]” (“Përse Kisha”, Liahona, nëntor 2015, f. 108–109).

Pamja
Ëndrra e Brigam Jangut

Në vitin 1849, Brigam Jangu pa një ëndërr ku Profeti Jozef Smith po udhëhiqte një kope të madhe me dele dhe cjep. Disa nga këto kafshë ishin të mëdha dhe të bukura; të tjerat ishin të vogla dhe të ndotura. Brigam Jangut iu kujtua se e pa Profetin Jozef Smith në sy dhe i tha: “Jozef, ti paske tufën më të pazakontë … që kam parë ndonjëherë në jetë; çfarë do të bësh me të?” Profeti që dukej i pashqetësuar me këtë tufë të pashtruar, thjesht u përgjigj: “[Brigam], të gjithë janë mirë aty ku janë”.

Kur Presidenti Jang u zgjua, ai e kuptoi se ndërsa Kisha do të mblidhte një larmi “dele[sh] dhe cjep[sh]”, ishte përgjegjësia e tij t’i sillte të gjithë brenda [saj] dhe ta lejonte secilin prej tyre që ta kuptonte potencialin e vet të plotë teksa zinte vendin e vet në Kishë. (Përshtatur nga Ronald W. Walker, “Brigham Young: Student of the Prophet”, Ensign, shkurt 1998, f. 56–57.)

Vëllezër e motra, zanafilla e bisedës sime erdhi pasi po mendoja thellë për një individ që nuk është aktualisht i përfshirë në Kishën e Jezu Krishtit. Për një çast do të dëshiroja t’i flisja secilit prej tyre. Plaku Nil A. Maksuell, ka dhënë mësim se “individë të tillë shpesh qëndrojnë pranë Kishës, por nuk marrin pjesë plotësisht në Kishë. Ata nuk do të hyjnë brenda në godinën kishtare, por as edhe nuk largohen nga pragu i saj. Këta janë ata që kanë nevojë për Kishën dhe nevojiten në Kishë, por të cilët, pjesërisht ‘jetojnë pa Perëndi në botë’ [Mosia 27:31]” (“Why Not Now?”, Ensign, nëntor 1974, f. 12).

Unë do t’i bëja jehonë ftesës së Presidentit tonë të dashur, Rasëll M. Nelsonit, kur i foli për herë të parë anëtarësisë së Kishës. Ai tha: “Tani, secilit anëtar të Kishës unë i them, vazhdoni në shtegun e besëlidhjeve. Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo.”

Më pas ai me përgjërim kërkoi: “Tani, nëse jeni larguar nga shtegu, më lejoni t’ju ftoj me gjithë shpresën në zemrën time që, ju lutemi, të ktheheni. Cilatdo qofshin shqetësimet tuaja, cilatdo qofshin sfidat tuaja, ka vend për ju në këtë, Kishën e Zotit. Ju dhe brezat ende të palindur do të bekoheni nga veprimet tuaja tani për t’u kthyer në shtegun e besëlidhjeve” (“Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7; theksimi i shtuar).

Unë jap dëshmi për Të, madje Jezu Krishtin, Shërbestarin Mjeshtër dhe Shpëtimtarin e neve të gjithëve. Unë e ftoj secilin prej nesh që të kërkojë “pobrecitos”, “njerëzit e gjorë” mes nesh që janë në nevojë. Kjo është shpresa dhe lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.