Konferenca e Përgjithshme
Zemra të Thurura në Bashkim
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Zemra të Thurura në Bashkim

Teksa ndërveproni me të tjerët me mirësi, përkujdesje e dhembshuri, ju premtoj se do t’i ngrini lart krahët që varen poshtë dhe do t’i shëroni zemrat.

Hyrje

A nuk është mahnitëse që zbulime të rëndësishme shkencore nganjëherë frymëzohen nga ngjarje aq të thjeshta sa rënia e një molle nga një pemë?

Sot, më lejoni të tregoj për një zbulim që ndodhi për shkak të një grupi kampioni lepujsh nga një studim.

Në vitet 1970, studiuesit kërkimorë krijuan një eksperiment për të shqyrtuar efektet e dietës mbi shëndetin e zemrës. Gjatë disa muajve, ata e ushqyen grupin e kontrollit të lepujve me një dietë me yndyrë të lartë dhe kontrolluan tensionin e gjakut, rrahjet e zemrës dhe kolesterinën e tyre.

Siç pritej, shumë nga lepujt shfaqën një shtim të rezervave të yndyrave në pjesën e brendshme të arterieve të tyre. Por kjo nuk ishte e gjitha! Studiuesit kërkimorë kishin zbuluar diçka që nuk kishte shumë kuptim. Ndonëse të gjithë lepujt patën një rritje të atyre rezervave, për habi një grup kishte deri në 60 përqind më pak se të tjerët. Dukej sikur po shihnin dy grupe të ndryshme lepujsh.

Rezultate si ky mund t’i bëjnë shkencëtarët të humbasin gjumin. Si ishte e mundur kjo? Lepujt ishin të gjithë të së njëjtës racë nga Zelanda e Re, nga një grup gjenetik pothuajse identik. Secili prej tyre mori sasi të barabarta të të njëjtit ushqim.

Çfarë domethënie mund të kishte kjo?

A e zhvlerësuan rezultatet studimin? A kishte të meta në projektin e eksperimentit?

Shkencëtarët u përpoqën ta kuptonin këtë përfundim të papritur!

Më së fundi, ata e kthyen vëmendjen te personeli kërkimor. A ishte e mundur që studiuesit të kishin bërë diçka për të ndikuar te rezultatet? Kur e gjurmuan këtë, ata zbuluan se çdo lepur me më pak rezerva yndyre kishte qenë nën kujdesin e një studiueseje. Ajo i ushqeu lepujt me të njëjtin ushqim si gjithkush tjetër. Por, sikurse raportoi një shkencëtar, “ajo ishte një grua jashtëzakonisht dashamirëse dhe e kujdesshme”. Kur i ushqente lepujt, “ajo u fliste, i mbante në krahë dhe i përkëdhelte. … ‘Nuk vepronte dot ndryshe. Ajo thjesht ishte e tillë.’”1

Pamja
Studiuesja dashamirëse me lepurin

Ajo bëri më shumë sesa thjesht t’u jepte ushqim lepujve. U dha dashuri!

Nga një vështrim i shpejtë, kishte pak të ngjarë që kjo mund të ishte arsyeja për ndryshimin e madh, por ekipi kërkimor nuk mund të shihte ndonjë mundësi tjetër.

Prandaj e përsëritën eksperimentin – këtë herë duke e kontrolluar ngushtësisht çdo vlerë tjetër të ndryshueshme. Kur i analizuan rezultatet, ndodhi e njëjta gjë! Lepujt nën kujdesin e studiueses që kishte dashuri, patën rezultate shumë më të larta shëndetësore.

Shkencëtarët i botuan rezultatet e këtij studimi në revistën prestigjioze Science.2

Vite më vonë, përfundimet e këtij eksperimenti ende duken ndikuese në komunitetin mjekësor. Në vitet e fundit, Dr. Kelli Harding botoi një libër të titulluar The Rabbit Effect [Efekti i Lepurit] që e merr titullin e vet nga eksperimenti. Përfundimi i saj: “Merre një lepur me një model të pashëndetshëm jete. Foli atij. Mbaje në duar. Jepi dhembshuri. … Marrëdhënia solli ndryshimin. … Më së fundi”, përfundoi ajo, “çfarë ndikon në shëndetin tonë në mënyrat më domethënëse ka të bëjë po aq shumë me mënyrën se si e trajtojmë njëri‑tjetrin, si jetojmë dhe si mendojmë rreth asaj që do të thotë të jemi njerëzorë”3.

Në një botë laike, urat që i lidhin shkencën me të vërtetat e ungjillit nganjëherë duken të pakta dhe shumë të largëta. Sidoqoftë, si të krishterë, pasues të Jezu Krishtit, shenjtorë të ditëve të mëvonshme – rezultatet e këtij studimi shkencor mund të duken më intuitive sesa të habitshme. Për mua, kjo shtron një tjetër tullë në themelin e mirësisë si një parim themeltar dhe shërues i ungjillit – një parim që mund t’i shërojë zemrat emocionalisht, shpirtërisht dhe, siç u tregua këtu, madje fizikisht.

Zemra të Thurura në Bashkim

Kur e pyetën: “Mësues, cili është urdhërimi i madh?” Shpëtimtari u përgjigj: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde”, të pasuar nga urdhërimi: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”4. Përgjigjja e Shpëtimtarit e përforcon detyrën tonë qiellore. Një profet i lashtë urdhëroi “që të mos kishi[m] grindje me njëri‑tjetrin, por që të shikoni[m] përpara … , duke [i] pasur zemrat [tona] të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri‑tjetrit”5. Më tej na mësohet se “fuqi[a] ose ndikim[i] … duhet të mbahet … nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë, … nëpërmjet mirësisë … pa mashtrim”6.

Besoj se ky parim ka një zbatim gjithëpërfshirës për tërë shenjtorët e ditëve të mëvonshme: të rritur, të rinj e të reja dhe fëmijë.

Me këtë në mendje, për një çast lejomëni t’ju flas drejtpërsëdrejti juve që jeni fëmijë të moshës së Fillores.

Ju tashmë e kuptoni se sa e rëndësishme është të jeni dashamirës. Refreni i njërës prej këngëve tuaja të Fillores, “Përpiqem t’Jem si Jezusi”, na mëson:

Doni njer’zit si ju do Jezusi.

Mir’si tregoni në gjithçka bëni.

Jini të mir’, të dashur n’mendim, n’veprim,

Se k’to na mësoi Jezusi.7

Me gjithë këtë, ndonjëherë mund ta keni të vështirë. Ja një histori që mund t’ju ndihmojë rreth një djali të Fillores, të quajtur Minkan Kim nga Koreja e Jugut. Familja e tij u bashkua me Kishën rreth gjashtë vjet më parë.

Pamja
Minkan Kimi

“Një ditë në shkollë, disa nga shokët dhe shoqet e klasës sime po e vinin në lojë një nxënës tjetër duke e thirrur me emra fyes. Dukej argëtuese, prandaj për pak javë u bashkova me ta.

Disa javë më vonë, djali më tha se, edhe pse hiqej sikur nuk i interesonte, ai ishte i lënduar nga fjalët tona dhe qante çdo natë. Gati sa nuk qava kur ma tregoi këtë. Ndjeva shumë keqardhje dhe doja ta ndihmoja. Të nesërmen, vajta tek ai, ia vendosa dorën në shpatull dhe i kërkova falje duke thënë: ‘Më vjen vërtet keq që të vura në lojë’. Ai tundi kokën nga fjalët e mia dhe sytë iu mbushën me lot.

Por fëmijët e tjerë ende po e vinin atë në lojë. Pastaj m’u kujtua ajo që mësova në klasën e Fillores: zgjidh të drejtën. Kështu që u kërkova shokëve të klasës të mos e bënin më. Shumica e tyre vendosi të mos ndryshonte dhe ishin të zemëruar me mua. Por njëri prej djemve të tjerë kërkoi falje dhe të tre ne u bëmë shokë të mirë.

Ndonëse akoma disa veta e vinin në lojë, ai ndihej më mirë pasi na kishte ne.

Unë zgjodha të drejtën duke e ndihmuar një shok në nevojë.”8

Pamja
Portret i Minkan Kimit

A nuk është ky një shembull i mirë për ju që të përpiqeni të bëheni si Jezusi?

Tani, për të rinjtë e të rejat, teksa rriteni, vënia në lojë e të tjerëve mund të shtohet në mënyrë të rrezikshme. Ankthi, depresioni dhe gjëra më të këqija janë shpesh shoqëruesit e bullizmit [mujshimit]. “Ndërkohë që bullizmi nuk është një koncept i ri, mediat shoqërore dhe teknologjia e kanë sjellë bullizmin në një nivel të ri. Ai bëhet një kërcënim më i vazhdueshëm, gjithmonë i pranishëm – bullizmi në internet.”9

Qartësisht, kundërshtari po e përdor këtë për ta lënduar brezin tuaj. Nuk ka vend për këtë në hapësirën tuaj në internet, në lagjet e banimit, shkollat, kuorumet ose klasat tuaja. Ju lutem, bëni gjithçka mundeni që t’i bëni këto vende më të mira dhe më të sigurta. Nëse vëzhgoni me plogështi ose merrni pjesë në ndonjë lloj bullizmi, unë nuk di asnjë këshillë më të mirë sesa ajo që u dha më parë nga Plaku Diter F. Uhtdorf:

“Kur është fjala për urrejtjen, thashethemnajën, injorimin, përqeshjen, mbajtjen e mërisë apo dëshirën për të bërë keq, ju lutem të ndiqni këtë udhëzim:

‘Ndalojeni atë!’”10

E dëgjuat? Ndalojeni atë! Teksa ndërveproni me të tjerët me mirësi, përkujdesje e dhembshuri, edhe me mënyra elektronike, ju premtoj se do t’i ngrini lart krahët që varen poshtë dhe do t’i shëroni zemrat.

Pasi u fola fëmijëve të Fillores dhe të rinjve e të rejave, tani ua drejtoj fjalët e mia të rriturve të Kishës. Ne kemi një përgjegjësi kryesore që të japim shembullin dhe të jemi modele të mirësisë, përfshirjes dhe qytetarisë – duke i mësuar brezit të ri sjellje si të Krishtit në atë që themi dhe mënyrën se si veprojmë. Është veçanërisht e rëndësishme ndërkohë që vëzhgojmë një zhvendosje të madhe të shoqërisë drejt përçarjes në politikë, klasa shoqërore dhe pothuajse çdo dallim tjetër të krijuar nga njeriu.

Presidenti M. Rasëll Ballard gjithashtu ka dhënë mësim se shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të jenë të mirë jo vetëm me njëri‑tjetrin, por edhe ndaj çdo njeriu përreth nesh. Ai vëzhgoi: “Me raste dëgjoj për anëtarë që i fyejnë njerëzit e besimeve të tjera fetare duke i anashkaluar dhe duke mos i përfshirë ata. Kjo mund të ndodhë veçanërisht në komunitete ku anëtarët tanë janë pjesa dërrmuese. Kam dëgjuar për prindër mendjengushtë që u thonë fëmijëve se nuk mund të luajnë me një fëmijë të caktuar në lagjen e banimit thjesht ngaqë familja e tij ose e saj nuk i përket Kishës sonë. Kjo lloj sjelljeje nuk përputhet me mësimet e Zotit Jezu Krisht. Nuk mund ta kuptoj përse ndonjë anëtar i Kishës sonë do t’i lejonte të ndodhnin këto lloj gjërash. … Asnjëherë nuk i kam dëgjuar anëtarët e kësaj Kishe të nxiten që të mos jenë përveçse të dashur, të mirë, tolerantë dhe dashamirës ndaj miqve dhe fqinjëve tanë të feve të tjera.”11

Zoti pret nga ne që të japim mësim se përfshirja është një mjet pozitiv drejt unitetit dhe se mospërfshirja çon drejt përçarjes.

Si pasues të Jezu Krishtit, ne tronditemi kur dëgjojmë se si fëmijë të Perëndisë keqtrajtohen për shkak të racës së tyre. Na është thyer zemra të dëgjojmë për sulmet e kohëve të fundit ndaj njerëzve që janë të zinj, aziatikë, latinë ose çfarëdo grupi tjetër. Paragjykimi, tensioni racial ose dhuna kurrë nuk duhet të kenë ndonjë vend në lagjet tona të banimit, në komunitetet tona ose brenda Kishës.

Le të përpiqemi fort secili prej nesh, pavarësisht nga mosha jonë, të jemi më të mirët që mundemi.

Duajeni Armikun Tuaj

Kur përpiqeni fort të ndërveproni me të tjerët me dashuri, respekt e mirësi, ju pa dyshim do të lëndoheni ose ndikoheni negativisht nga zgjedhjet e këqija të të tjerëve. Çfarë të bëjmë atëherë? Ne e ndjekim këshillën e Zotit: “T’i doni armiqtë tuaj … dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë”12.

Ne bëjmë gjithçka mundemi për ta mposhtur fatkeqësinë që është vendosur në shtegun tonë. Ne përpiqemi fort të durojmë deri në fund, duke u lutur gjatë gjithë kohës që dora e Zotit t’i ndryshojë rrethanat tona. Ne ofrojmë mirënjohje për ata që Ai i vendos në shtegun tonë për të na ndihmuar.

Pamja
Mrekullia në Kuinsi të Ilinoisit

Jam i prekur nga një shembull që lidhet me këtë gjë nga historia e hershme e Kishës sonë. Gjatë dimrit të vitit 1838, Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës ishin të burgosur në burgun e Libertisë, ndërkohë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme po dëboheshin me forcë nga shtëpitë e tyre në shtetin e Misurit. Shenjtorët ishin të mjeruar, pa miq dhe duke vuajtur shumë prej të ftohtit dhe mungesës së burimeve materiale. Banorët e Kuinsit në Ilinois e panë gjendjen e tyre të dëshpëruar dhe u shtrinë dorën e dhembshurisë dhe miqësisë.

Uandëll Mejsi, një banor i Kuinsit, më vonë kujtoi kur ai i pa fillimisht shenjtorët përgjatë lumit Misisipi në tenda të sajuara: “Disa kishin hapur çarçafë që të bënin një strehim të vogël nga era, … fëmijët po dridheshin qark një zjarri rreth të cilit frynte era, prandaj kishte shumë pak dobi për ta. Shenjtorët e varfër po vuanin tmerrësisht.”13

Duke e parë gjendjen e mjeruar të shenjtorëve, banorët e Kuinsit u mblodhën së bashku që të siguronin ndihmë, disa madje duke ndihmuar që t’i transportonin në anën tjetër të lumit miqtë e tyre të rinj. Mejsi vazhdoi: “[Ata] dhuruan bujarisht; tregtarët duke konkurruar me njëri‑tjetrin se cili mund të jepte më me bujari … mish derri, … sheqer, … çizme, këpucë e rroba, gjithçka që u nevojitej kaq shumë këtyre të dëbuarve të varfër”14. Pa kaluar shumë kohë, refugjatët ua kaluan në numër banorëve të Kuinsit, të cilët i hapën shtëpitë e tyre dhe u dhanë nga burimet e tyre të pakta duke bërë një sakrificë të madhe vetjake.15

Shumë shenjtorë i mbijetuan dimrit të ashpër vetëm për shkak të dhembshurisë dhe bujarisë së banorëve të Kuinsit. Këta engjëj tokësorë i hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre, duke u sjellë ushqim që shpëtoi jetë, ngrohtësi dhe – ndoshta më e rëndësishmja – një dorë miqësie shenjtorëve që vuanin. Ndonëse qëndrimi i tyre në Kuinsi ishte relativisht i shkurtër, shenjtorët kurrë nuk e harruan borxhin e tyre të mirënjohjes ndaj fqinjëve të tyre të dashur dhe Kuinsi u bë i njohur si “qyteti i strehimit”16.

Kur fatkeqësia dhe vështirësia shkaktohen mbi ne nga veprime kritikuese, negative, madje keqdashëse, ne mund të zgjedhim që të shpresojmë te Krishti. Kjo shpresë vjen nga ftesa dhe premtimi i Tij: “Merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës”17 dhe se Ai do t’i përkushtojë hidhërimet tuaja për të mirën tuaj.18

Bariu i Mirë

Le ta mbyllim me atë që e filluam: një kujdestare e dhembshur, duke vepruar me mirësi, me një shpirt përkujdesës dhe një rezultat të papritur – duke shëruar zemrat e kafshëve për të cilat ajo kishte kujdestari. Përse? Ngaqë ajo thjesht ishte e tillë!

Teksa i shohim gjërat nëpërmjet thjerrave të ungjillit, ne kuptojmë që edhe ne jemi nën kujdestarinë e një kujdestari të dhembshur, i cili Vetë ndërvepron me mirësi dhe një shpirt përkujdesës. Bariu i Mirë e njeh secilin prej nesh me emër dhe ka një interesim vetjak për ne19. Vetë Zoti Jezu Krisht tha: “Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia. … Dhe [do ta] lë jetën time për delet.”20

Pamja
Gjetja e deles së humbur

Këtë fundjavë të shenjtë të Pashkës, unë gjej paqe të qëndrueshme në njohurinë se “Zoti është bariu im”21 dhe në faktin që secili prej nesh njihet prej Tij dhe është nën përkujdesin e Tij dashamirës. Kur përballemi me erën dhe stuhitë, sëmundjet dhe lëndimet e jetës, Zoti – Bariu ynë, Kujdestari ynë – do të na ushqejë me dashuri e mirësi. Ai do t’i shërojë zemrat tona dhe do t’i ripërtërijë shpirtrat tanë.

Për këtë unë dëshmoj – dhe për Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tonë dhe Shëlbuesin tonë – në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Kelli Harding, The Rabbit Effect (2019), f. xxiii–xxiv.

  2. Shih Robert M. Nerem, Murina J. Levesque, dhe J. Frederick Cornhill, “Social Environment as a Factor in Diet-Induced Atherosclerosis”, Science, vëll. 208, nr. 4451 (27 qershor 1980), f. 1475–1476.

  3. Harding, The Rabbit Effect, f. xxiv, xxv.

  4. Shih Mateu 22:36–39.

  5. Mosia 18:21; theksimi i shtuar.

  6. Doktrina e Besëlidhje 121:41–42.

  7. “Përpiqem t’Jem si Jezusi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40.

  8. Përshtatur nga Minchan K., “The Apology”, Friend, janar 2020, f. 35; Liahona, janar 2020; “Falja”, f. M10.

  9. Frances Dalomba, “Social Media: The Good, the Bad, and the Ugly”, Lifespan, lifespan.org.

  10. Diter F. Uhtdorf, “Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë”, Liahona, maj 2012, f. 75.

  11. M. Russell Ballard, “Doctrine of Inclusion”, Liahona, janar 2002, f. 41.

  12. Lluka 6:27–28.

  13. Wandle Mace, autobiografi, rreth 1890, dorëshkrim i daktilografuar, f. 32–33, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  14. Wandle Mace, autobiografi, f. 33; shkrimi dhe shkronjat e mëdha të standardizuara.

  15. Shih Richard E. Bennett, “‘Quincy—the Home of Our Adoption’: A Study of the Mormons in Quincy, Illinois, 1838–40”, Mormon Historical Studies, vëll. 2, nr. 1 (pranverë 2001), f. 110–111.

  16. Shih Susan Easton Black, “Quincy–A City of Refuge”, Mormon Historical Studies, vëll. 2, nr. 1 (pranverë 2001), f. 83–94.

  17. Doktrina e Besëlidhje 78:18.

  18. Shih 2 Nefi 2:2.

  19. Shih James E. Talmage, Jesus the Christ (1916), f. 417.

  20. Gjoni 10:14, 15.

  21. Psalmeve 23:1.