Konferenca e Përgjithshme
Kujtoje Rrugën e Kthimit për në Shtëpi
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


Kujtoje Rrugën e Kthimit për në Shtëpi

Ne kemi shembullin e përsosur të Jezu Krishtit për të ndjekur dhe udhëtimi drejt shtëpisë sonë të përjetshme është i mundur vetëm për shkak të mësimeve të Tij, jetës së Tij dhe flijimit të Tij shlyes.

Në vitin 1946, studiuesi i ri, Arthër Hazler, ishte duke u ngjitur përgjatë një rrëkeje malore afër shtëpisë së tij të fëmijërisë kur pati një përvojë që çoi në një zbulim të rëndësishëm rreth mënyrës se si peshqit e gjejnë rrugën e kthimit te rrëketë në të cilat kanë lindur.

Duke u ngjitur në mal, por ende pa e parë dot ujëvarën e tij të parapëlqyer të fëmijërisë, Hazlerit papritur iu rikthye në mendje një kujtim i harruar. Ai tha: “Teksa një fllad i freskët, që mbartte aromën e myshqeve dhe lulekëmborave, fryu përreth grykës shkëmbore, më shkrepën në mendje hollësitë e kësaj ujëvare dhe vendndodhja e saj në faqen e malit papritmas”1.

Këto aroma i rindezën kujtimet e tij të fëmijërisë dhe i kujtuan shtëpinë.

Nëse aromat mund të shkaktonin të tilla kujtime për të, ai arsyetoi se mbase aromat mund të ishin po aq ndjellëse për salmonin i cili, pasi kishte qenë prej vitesh në oqean të hapur, rikthehet tek e njëjta rrëke ku ka lindur për të lëshuar vezët.

Bazuar mbi këtë përvojë, Hazleri, së bashku me studiues të tjerë, studiuan më tej dhe treguan se si salmoni i mban mend pikërisht aromat që e ndihmojnë të udhëtojë përgjatë mijëra kilometrave për të gjetur rrugën e kthimit nga deti në shtëpi.

Ky rrëfim më bëri të mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë në këtë jetë, është të njohim dhe kujtojmë shtegun e kthimit për tek Ati ynë Qiellor dhe të qëndrojmë të vendosur me besnikëri dhe gëzim përgjatë udhëtimit.

Mendova për katër gjëra që duhet të kujtojmë të cilat, kur përdoren dhe vihen në zbatim vazhdimisht në jetën tonë, mund të rindezin ndjenja për shtëpinë tonë qiellore.

Së Pari, Ne Mund të Kujtojmë se Jemi Fëmijë të Perëndisë

Ne kemi një trashëgimi hyjnore. Njohuria se jemi fëmijë të Perëndisë dhe se Ai do që të kthehemi sërish në praninë e Tij, është një nga hapat e parë në udhëtimin e kthimit për në shtëpinë tonë qiellore.

Kujtojeni veten për këtë trashëgimi. Gjeni kohë vazhdimisht për të forcuar imunitetin tuaj shpirtëror duke kujtuar bekimet që keni marrë nga Zoti. Mirëbesojuni udhërrëfimeve që ju janë dhënë nga Ai, në vend që t’i ktheheni botës vetëm për të matur vlerën tuaj vetjake dhe për të gjetur udhën tuaj.

Kohët e fundit vizitova një person të dashur pasi ajo kishte qenë në spital. Ajo më tha me emocion se gjatë kohës që rrinte shtrirë në shtratin e spitalit, e vetmja gjë që donte ishte që dikush t’i këndonte këngën “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”. Ai mendim i vetëm, tha ajo, i dha asaj paqen që i nevojitej në atë orë pikëllimi.

Njohuria se kush jeni e ndryshon atë që ndieni dhe atë që bëni.

Të kuptuarit se kush jeni në të vërtetë, ju përgatit më mirë për të dalluar dhe kujtuar udhën e kthimit për në shtëpinë tuaj qiellore dhe ju bën të etur për të qenë atje.

Së Dyti, Ne Mund të Kujtojmë Themelin që na Mbron

Neve na vjen forca kur qëndrojmë të drejtë, të vërtetë dhe besnikë ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, edhe kur të tjerët i shpërfillin jashtëzakonisht urdhërimet dhe parimet e shpëtimit.2

Në Librin e Mormonit, Helamani u mësoi bijve të tij që të kujtonin se ata duhet t’i ndërtonin themelet e tyre mbi Jezu Krishtin në mënyrë që të kishin forcë për t’iu bërë ballë tundimeve të kundërshtarit. Erërat dhe stuhitë e fuqishme të Satanit po na godasin, por ato nuk do të kenë fuqi për të na tërhequr poshtë nëse e vendosim mirëbesimin tonë te vendi më i sigurt – te Shëlbuesi ynë.3

Unë e di nga përvoja vetjake që, ndërsa zgjedhim ta dëgjojmë zërin e Tij dhe ta ndjekim Atë, ne do ta marrim ndihmën e Tij. Ne do të marrim një këndvështrim më të gjerë për rrethanat tona dhe një kuptueshmëri më të thellë për qëllimin e jetës. Ne do të ndiejmë nxitjet shpirtërore që do të na udhërrëfejnë për në shtëpinë tonë qiellore.

Së Treti, Ne Mund të Kujtojmë që të Jemi Plot Lutje

Jetojmë në një kohë kur me një prekje apo komandë zanore të vetme, mund të fillojmë të kërkojmë përgjigje për pothuajse çfarëdo teme në pafundësinë e të dhënave të ruajtura dhe organizuara në një rrjet të gjerë dhe të ndërlikuar kompjuterësh.

Nga ana tjetër, ne kemi thjeshtësinë e ftesës për të filluar kërkimin e përgjigjeve nga qielli. “Lutu gjithmonë e unë do të derdh Shpirtin tim mbi ty.” Më pas Zoti premton: “Dhe i madh do të jetë bekimi yt—po, madje më shumë se nëse ti do të fitoje thesare të tokës”4.

Perëndia është plotësisht në dijeni për secilin prej nesh dhe gati t’i dëgjojë lutjet tona. Kur kujtohemi që të lutemi, ne gjejmë dashurinë e Tij mbështetëse dhe sa më shumë t’i lutemi Atit tonë në Qiell në emrin e Krishtit, aq më shumë e sjellim Shpëtimtarin në jetën tonë dhe aq më mirë do ta dallojmë shtegun që Ai ka shënuar për në shtëpinë tonë qiellore.

Së Katërti, Ne Mund të Kujtojmë që t’u Shërbejmë të Tjerëve

Teksa përpiqemi fort ta ndjekim Jezu Krishtin duke u shërbyer dhe duke treguar mirësi ndaj të tjerëve, ne e bëjmë botën një vend më të mirë.

Veprimet tona mund t’ia bekojnë në mënyrë domethënëse jetën njerëzve rreth nesh dhe vetë jetën tonë gjithashtu. Shërbimi me dashuri i shton kuptim jetës së dhënësit ashtu edhe të marrësit.

Mos e nënvlerësoni potencialin që keni për të ndikuar tek të tjerët për mirë, edhe nëpërmjet shërbimit me veprat tuaja, edhe nëpërmjet shërbimit me shembullin tuaj.

Shërbimi me dashuri ndaj të tjerëve na udhërrëfen përgjatë shtegut për në shtëpinë tonë qiellore – shtegun e të bërit si Shpëtimtari ynë.

Në vitin 1975, si rezultat i një lufte civile, Arnaldos dhe Euxhenia Teles Grilosit dhe fëmijëve të tyre iu desh ta linin pas shtëpinë e tyre dhe gjithçka që kishin ndërtuar gjatë dekadave me punë të palodhur. Kur u kthyen në atdheun e tyre, në Portugali, vëllai dhe motra Teles Grilo u përballën me sfidën e nisjes sërish nga e para. Por vite më vonë, pasi u bashkuan me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ata thanë: “Ne humbëm gjithçka që kishim, por ishte një gjë e mirë sepse na detyroi të merrnim parasysh rëndësinë e bekimeve të përjetshme”5.

Ata e humbën shtëpinë e tyre tokësore, por gjetën udhën e kthimit për në shtëpinë e tyre qiellore.

Çfarëdo gjëje që duhet të lini pas për të ndjekur shtegun për në shtëpinë tuaj qiellore, një ditë nuk do t’ju duket fare si sakrificë.

Ne kemi shembullin e përsosur të Jezu Krishtit për të ndjekur dhe udhëtimi drejt shtëpisë sonë të përjetshme është i mundur vetëm për shkak të mësimeve të Tij, jetës së Tij dhe flijimit të Tij shlyes – duke përfshirë vdekjen e Tij dhe ringjalljen e Tij të lavdishme.

Unë ju ftoj të përjetoni gëzimin e të kujtuarit që jemi fëmijë të Perëndisë dhe që Ai e deshi kaq shumë botën sa ka dërguar Birin e Tij6 për të na treguar shtegun. Ju ftoj të kujtoni që të jeni besnikë, ta drejtoni jetën nga Shpëtimtari dhe të ndërtoni themelin tuaj në Të. Kujtoni që të jeni plot lutje në udhëtimin tuaj dhe t’u shërbeni të tjerëve përgjatë udhës.

Të dashur vëllezër dhe motra, këtë të diel Pashke, unë jap dëshmi që Jezu Krishti është Shëlbuesi dhe Shpëtimtari i botës. Ai është i vetmi që mund të na shoqërojë për te sofra e një jete të gëzueshme dhe të na udhërrëfejë në udhëtimin tonë. E kujtofshim dhe e ndjekshim Atë për në shtëpi! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Arthur Davis Hasler, në Gene E. Likens, “Arthur Davis Hasler: January 5, 1908–March 23, 2001”, në Akademinë Kombëtare te Shkencave, Biographical Memoirs, vëll. 82 (2003), f. 174–175.

  2. Shih Book of Mormon Student Manual (2009), f. 268–273.

  3. Shih Helamani 5:6–12.

  4. Doktrina e Besëlidhje 19:38.

  5. Shih Don L. Searle, “Discovering Gospel Riches in Portugal”, Ensign, tetor 1987, f. 15.

  6. Shih Gjoni 3:16.