2011
Por Nuk Ka Kishë Këtu
Prill 2011


Por Nuk Ka Kishë Këtu

Xhuli Ismail, Australia Perëndimore, Australi

Gjatë një udhëtimi për në Mesdhe, unë merrja pjesë me zell në mbledhjet e Kishës kurdo që mundesha. Në Sevilje të Spanjës, unë pata ndihmën e një recepsionisti hoteli, të një numeratori telefonik vendor dhe një harte të qytetit për të gjetur shtëpinë vendore të mbledhjeve të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Unë shkrova adresën dhe emrin e Kishës në spanjisht. Të shtunën në mbrëmje, unë u luta për të ditur se kur fillonin mbledhjet dhe ndjeva një përshtypje të fortë se unë duhej të isha atje në orën 10:00 paradite.

Pikërisht para se të nisesha për në kishë në orën 9:30 të dielën në mëngjes, unë u luta përsëri që të isha në gjendje ta gjeja shtëpinë e mbledhjeve. Duke ndjekur hartën time, unë fillova të orientohem nëpër një labirint rrugësh të ngushta. Ishte një mëngjes i këndshëm. Unë kalova kafenë dhe një treg zogjsh plot me zogj që këlthisnin.

Unë arrita tek adresa e caktuar vetëm për të mos gjetur asgjë që t’i ngjante sadopak një kishe. Unë eca lart e poshtë rrugës duke parë më kot. Isha i turbulluar dhe në ankth dhe ishte thuajse 10:00 paradite.

Më në fund, unë iu luta Atit tim në Qiell: “Ti më ke urdhëruar të shkoj në kishë dhe ja ku jam, por këtu nuk ka kishë”.

Pikërisht atëherë një burrë i veshur mirë me një kostum erdhi rreth kthesës. Ai dukej si anëtar i Kishës dhe unë ndjeva se duhej ta ndalja. Në një mënyrë të ngatërruar, unë i thashë se po kërkoja për një kishë. Ai tha diçka që nuk e kuptova dhe po shihja me mëdyshje. Kështu ai hapi çantën e tij dhe unë pashë dy libra me kapak lëkure që ngjanin si shkrime të shenjta. Unë i dhashë atij copën e letrës ku kisha shkruar “La Iglesia de Jesucristo” (Kisha e Jezu Krishtit). Ai buzëqeshi dhe tregoi prapa përgjatë rrugës nga pata ardhur dhe së bashku ne shkuam në kishë. Ndërtesa gjendej në një adresë të ndryshme vetëm pak minuta më tutje dhe ishte e lehtë ta kaloje nëse nuk e dije se ishte atje. Ajo ishte vendosur prapa në një shesh të vogël, prapa portash të mëdha.

Në shtëpinë e mbledhjeve shpejt unë pashë se burri që më pati ndihmuar nuk ishte tjetër veç peshkopi i lagjes dhe se mbledhjet fillonin në 10:30 paradite. Unë pata arritur me rezervë kohe.

Gjatë mbledhjes së agjërimit dhe dëshmive të lagjes, unë ndjeva se duhej të jepja dëshminë time. Me një misionar që përkthente fjalët e mia nga anglishtja në spanjisht, unë dhashë dëshminë time dhe përshkrova se si Zoti pati siguruar një mënyrë për mua që të vija në kishë. Peshkopi pastaj dha dëshminë e tij dhe shpjegoi se atij i qe dashur të parkonte më larg atë mëngjes, kështu që ishte më vonë nga zakonisht. Kur më pa mua, ai mendoi se unë ngjaja me një anëtar të Kishës, kështu që ndaloi të më ndihmonte. Ai pastaj foli për anëtarë që janë humbur shpirtërisht dhe tha se ne duhet t’i ndihmojmë ta gjejnë Kishën.

Ndër vite kujtimet e mia të pamjeve të Seviljes janë fashitur, por jo kujtimi im për gjetjen e kishës atje. Ai kujtim është një dëshmi tek unë për dashurinë e madhe që Ati ynë në Qiell ka për ne dhe se dora e Tij është e dukshme në jetën time, nëse unë thjesht shoh për të gjitha gjërat që “bashkëveprojnë për të mirë për [mua]” (Romakëve 8:28).