2011
Një Besëlidhje Është Përgjithmonë
Prill 2011


Një Besëlidhje Është Përgjithmonë

Kur bëhet fjalë për vendime që i kam marrë si pjesë të një besëlidhjeje me një Atë Qiellor të dashur, nuk ka rëndësi se çfarë thotë bota.

Kur isha adoleshente, presidentja jonë e Të Rejave i dha çdo të reje një dhuratë: një fotografi të tempullit. Ajo na foli neve rreth besëlidhjeve dhe të jetuarit të një jete të pastër. Pastaj ajo na nxiti të vendosnim një objektiv për të shkuar një ditë në tempull.

Unë e mora seriozisht këtë këshillë të motrës dhe vendosa ta bëj përgatitjen përparësi. Nuk kishte tempull në Kosta-Rikë asaj kohe, por unë e dija nga pagëzimi im i kohëve të fundit çfarë ishte një besëlidhje dhe unë mezi prisja për mundësinë që të bëja besëlidhje të tjera me Zotin.

Askush tjetër në familjen time nuk ishte anëtar i Kishës atëherë, kështu që ungjilli nuk mësohej në shtëpinë tonë. Përsëri, unë vendosa se mund të mësoja rreth standardeve të ungjillit vetë dhe t’i zbatoj ato. Përgatitja ime përfshinte pjesëmarrjen në seminare, madje edhe pse mbaheshin shumë herët në mëngjes. Ajo përfshinte të mos bëja takime deri sa të arrija moshën 16. Dhe ajo do të thoshte të jetoje ligjin e dëlirësisë—sigurisht jo ndonjë gjë e njohur apo madje e zakonshme midis shumicës së moshatarëve të mi, por diçka që unë e dija se mund ta bëja sepse unë pata besëlidhje me Zotin që do ta bëja.

Studimi i shkrimeve të shenjta, edhe në seminar edhe vetë, forcuan vendosmërinë time që të jetoja një jetë të dëlirë, të pastër. Unë mbaj mend që isha veçanërisht e frymëzuar nga 2.000 luftëtarët e rinj. Siç thuhet në Alma 53:20–21, këta djem të rinj “ishin jashtëzakonisht trima, përsa i përket guximit dhe gjithashtu fuqisë dhe energjisë; por vini re, kjo nuk ishte e gjitha – ata qenë njerëz të besuar në çdo kohë, në çdo gjë që u besohej… Ata ishin njerëz që i përmbaheshin së vërtetës dhe njerëz seriozë të cilëve u ishte mësuar t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë dhe të ecnin drejtësisht para tij.” Unë gjithashtu doja të isha besnike në gjërat që më ishin besuar, përfshirë besëlidhjet e mija të pagëzimit.

Një kuptim shtesë i besëlidhjeve erdhi kur unë u thirra të shërbej në El Salvador në Misionin e Salvadorit Lindor. Kur mora indaumentin tim në tempull, Doktrina e Besëlidhje 82:10 më erdhi ndër mend: “Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim.” Gjatë gjithë misionit tim, ajo ide e besëlidhjeve – për ne që të bëjmë pjesën tonë dhe Zoti të Tijën – më shtynte të bëja më të mirën. Ndërsa veproja kështu, shokët e mi dhe unë bekoheshim në punën tonë.

Misioni im ishte shumë vite përpara, por unë vazhdoj të gjej forcë nga mbajtja e besëlidhjeve të mia. Unë jam bekuar qysh atëherë për të shërbyer për shtatë vite në tempullin e San Hozesë në Kosta-Rikë. Shërbimi si punonjëse tempulli më dha mundësi të rregullta të kujtoj besëlidhjet që pata bërë. Unë kam gjetur kujtesa të ngjashme në shërbimin tek organizata e Të Rejave, ku unë jam përpjekur të jap mësim për rëndësinë e besëlidhjeve pikërisht ashtu siç udhëheqësit e mi më mësonin mua.

Mbajtja e besëlidhjeve tona nuk është gjithmonë e lehtë. Për shembull, shumë njerëz e shohin ligjin e dëlirësisë (ose, në disa raste, sjelljen fetare në përgjithësi) si të vjetëruar. Fatmirësisht, unë nuk ndiej presion të shtuar nga ata që nuk kanë besimet e mia apo nga kalimi i kohës. Unë shoh prapa në atë çka ndieja si e re kur udhëheqësi ynë na nxiste ne të përgatiteshim dhe të jetonim për besëlidhje tempulli. Vendimi që mora atëherë është një nga ato që unë e kam ndjekur deri kësaj dite.

Unë mund të qëndroj e vendosur në vendimet e mia sepse ato nuk ishin vendime që i mora vetë, për vete. Më shumë, ato janë vendime që unë i kam marrë si pjesë e një besëlidhjeje me një Atë Qiellor të dashur. Nuk ka rëndësi çfarë thotë bota. Unë i premtova Zotit se unë do t’u bindem urdhërimeve të Tij. Kjo është një çështje nderi. Besëlidhjet që bëra në pagëzim dhe besëlidhjet që bëra në tempull janë po aq të vlefshme sot si në ditën që i mora. Një besëlidhje me Perëndinë është përgjithmonë.

Të jetuarit sipas mënyrës që Perëndia na ka kërkuar të jetojmë nuk është gjithmonë e lehtë, por unë dëshmoj se ajo është e mundur. Ne mund të fitojmë besim dhe fuqi nga të jetuarit e besëlidhjeve tona dhe ne mund të jemi të sigurt se Ati Qiellor kurrë nuk do të na lërë vetëm. Me Të në krahun tonë, ne mund t’i bëjmë të gjitha gjërat (shih Moroni 7:33).

Besëlidhjet që bëra në pagëzim dhe besëlidhjet që bëra në tempull janë po aq të vlefshme sot si në ditën që i mora.

Ilustrime nga Scott Geer