2011
Vuajtja e Tij Lehtëson Tonën
Prill 2011


Vuajtja e Tij Lehtëson Tonën

Barbara Uinter, Arizona, SHBA

Si infermiere në një njësi reanimacioni për të porsalindurit, unë kujdesesha për të sëmurët, ndonjëherë foshnja shumë të vogla. Një natë unë isha caktuar te një fëmijë i vogël i lindur 17 javë më herët dhe me peshë paksa mbi gjysmë kilogram. Duart e tij ishin të imta, këmbët e tij rreth trashësisë së gishtit tim dhe këmbët poshtë rreth madhësisë së gishtit tim të madh. Për shkak të problemeve të rënda të frymëmarrjes së tij, mjekët nuk prisnin që ai ta kalonte natën.

Një heshtje e qetë bie mbi gjithë njësinë kur një i porsalindur lufton për jetën. Ka një stres të rritur te secili, veçanërisht tek infermierja e foshnjës dhe sonte ajo isha unë. Prindërit e tij patën qenë me të në të shumtën e ditës, por ata ishin rraskapitur. Nëna e tij u rikthye në dhomën e saj për pak pushim shumë të nevojshëm.

Dhoma e veçantë e fëmijës kishte një inkubator, monitorë, ajrosës dhe pompa IV, që e mbanin atë gjallë. Ngaqë ai ishte aq i sëmurë dhe kishte nevojë për një kujdes të tillë intensiv, mua nuk më ishin ngarkuar pacientë të tjerë atë natë. Unë do të isha pranë tij gjithë natën, e zënë me mjekime, monitorim, trajtim dhe teste.

Kur ra nata, unë mundohesha të përfytyroja si do të ndihesha nëse do të isha nëna e tij. Dhembja e zemrës do të ishte e padurueshme.

Unë lava butësisht fytyrën e tij, preka duart dhe këmbët e tij të vogla, me shumë kujdes e ndërrova dhe e vura në një batanije të re të butë. Unë pyesja veten çfarë tjetër mund të bëja për pacientin tim të vogël. Çfarë do të bënte nëna e tij? Çfarë do të donte Ati Qiellor që unë të bëja?

Ky shpirt i çmuar, i pafajshëm i vogël do të jetë shpejt duke u kthyer tek Ati i Tij në Qiell. Unë pyesja veten nëse ai ishte i trembur. Unë mendoja për fëmijët e mi. Kur ata ishin të vegjël dhe të trembur, unë u këndoja atyre. “Fëmi i Per’ndis’ Jam” ishte e parapëlqyera e tyre. Duke përmbajtur lotët, unë i këndoja fëmijës.

Si infermiere unë shihja tubat dhe gjakun, numëroja ngritjen dhe rënien e gjoksit të fëmijës, mbaja vesh rrahjen e zemrës së tij dhe vrojtoja shifrat te monitorët. Si shenjtore e ditëve të mëvonshme unë shihja një shpirt celestial dhe mrekullohesha me planin e shpëtimit.

Ndërsa nata kalonte, shëndeti i tij përkeqësohej. Ai më në fund pati një gjendje që i shkaktoi hemorragji në mushkëritë e tij.

Në mëngjes pacienti im i vogël rrëshqiti qetësisht nëpër vel. Ai i la duart e nënës së tij dhe u “[çua] në shtëpi tek ai Perëndi që [i] dha [atij] jetë” (Alma 40:11).

Unë u afrova më shumë te Shpëtimtari dhe tek Ati Qiellor atë natë. Unë krijova një kuptim më të madh për dashurinë e Zotit për njerëzimin – dhe dashurinë e Tij për mua. Unë u kujtova, madje u befasova, nga thellësia e dashurisë që ndjeva për Të. Dhe unë ndieja një dëshirë që të isha më e mirë, më e sjellshme, më falëse, më e dhembshur – më shumë si Ai – në çdo ditë dhe rrahje zemre.