2011
Çelësi tek Bekimi Im
Prill 2011


Nga Fusha e Misionit

Çelësi tek Bekimi Im

Shërbeva si plak spanjishtfolës në Misionin e Hjustonit Jugor në Teksas. Një ditë unë dhe shoku im po trokisnim nëpër dyer, duke u përpjekur që të gjenim dikë për ta mësuar. Mbërritëm tek një shtëpi që kishte një të çarë të madhe në verandën e drunjtë e të konsumuar.

Një grua më e rritur na hapi derën dhe na ftoi brenda. Nuk jam i sigurt në e dinte vërtet se cilët ishim dhe çfarë bënim, por ishte shumë e sjellshme. Ne filluam t’i mësonim mësimin e parë dhe dukej sikur gjërat po shkonin shkëlqyeshëm. Pas pak erdhi radha ime që t’i mësoja në lidhje me Jozef Smithin dhe Vegimin e Parë. Pashë që shprehja e fytyrës së gruas dukej sikur po shfaqte hutim në rritje. Kuptohej që ajo nuk po e ndiqte shumë atë që po përpiqesha t’i shpjegoja.

Pasi bëra ca pyetje mbi atë që kishim zhvilluar deri atë çast dhe sa kishte kuptuar ajo prej saj, ndjeva se po ligështohesha që ajo nuk po e kuptonte konceptin e Vegimit të Parë. Dita kishte qenë e gjatë dhe gjëja që misionari nuk e dëshiron aspak, është që dikush të mos kuptojë atë gjë të cilën ai dëshiron aq fort që njerëzit ta dinë se është e vërtetë.

Në pjesëzën e sekondës kur ndjeva se emocionet e mia po fillonin të rrëshqisnin drejt zemërimit, më erdhi në mendje një pjesë e vogël e bekimit tim patriarkal. Ishte një pjesë rreth familjes sime të ardhshme, e cila më këshillonte që t’u mësoja fëmijëve të mi të ardhshëm konceptet e ungjillit. Teksa ai paragraf përshkoi kokën time, e dija se Shpirti po më thonte që ta mësoja këtë grua të përulur në po atë mënyrë që do të mësoja një fëmijë.

Fillova ta mësoj me një trajtim më të thjeshtë e më të dashur. Përfytyroja vetë fëmijët e mi të ulur përreth dhomës së ndenjjes duke parë nga unë, babai i tyre, ndërsa u mësoja në lidhje me Profetin Jozef Smith. Ishte mahnitëse të shihje ndryshimin e saj në fytyrë. Vetullat e saj u ngritën shpejt dhe sytë e saj filluan të shkëlqenin. Pamja e saj e hutuar u kthye në pamje interesimi dhe habie. Ndërsa i tregoja asaj ngjarjen që Ati Qiellor dhe Jezu Krishtit iu shfaqën Jozef Smithit, lotët ia mbushën sytë dhe i rrodhën në faqe. Shpirti e mbushi dhomën dhe ligështia ime u kthye në gëzim të madh.

Nuk do ta harroj kurrë këtë përvojë. Tani mua nuk më pritet që një ditë t’u mësoj të njëjtat parime fëmijëve të mi dhe ta ndiej sërish atë gëzim të madh.

Ilustrim nga Brian Call