2012
Të Jetuarit e Jetës së Pasur
janar 2012


Mesazhi i Presidencës së Parë, Janar 2012

Të Jetuarit e Jetës së Pasur

Me fillimin e vitit të ri, unë i ftoj shenjtorët e ditëve të mëvonshme kudo që janë të ndërmarrin një kërkim vetjak, të zellshëm, të rëndësishëm për atë që unë e quaj jeta e pasur – një jetë e mbushur me një bollëk suksesesh, mirësie dhe bekimesh. Pikërisht ashtu siç mësuam gjërat fillestare në shkollë, unë ofroj parimet e mia themelore që të na ndihmojnë të gjithëve të fitojmë jetën e pasur.

Kini një Qëndrim Pozitiv

I pari në listën e parimeve të mia është qëndrimi. Uilliam Xhejmsi, një psikolog dhe filozof pionier amerikan, shkroi: “Revolucioni më i madh i brezit tonë është zbulimi se qeniet njerëzore, duke ndryshuar qëndrimet e brendshme të mendjes së tyre, mund të ndryshojnë tiparet e jashtme të jetës së tyre.”1

Varet aq shumë në jetë nga qëndrimi ynë. Mënyra që zgjedhim për t’i parë gjërat dhe për t’iu përgjigjur të tjerëve bën gjithë ndryshimin. Të bëjmë më të mirën që mundemi dhe pastaj të zgjedhim të jemi të lumtur për rrethanat tona, sido që mund të jenë ato, mund të sjellë paqe dhe kënaqësi.

Çarlz Suindoull – autor, edukator dhe prift i krishterë – ka thënë: “Qëndrimi, për mua, është më i rëndësishëm sesa … e kaluara, … sesa paraja, sesa rrethanat, sesa dështimet, sesa suksesi, sesa ajo çka njerëzit e tjerë mendojnë apo thonë apo bëjnë. Ai është më i rëndësishëm sesa paraqitja, talenti apo aftësia. Ai do të bëjë apo zhbëjë një shoqëri, një kishë, një shtëpi. Gjëja e mrekullueshme është se ne kemi një zgjedhje çdo ditë lidhur me qëndrimin që do të kemi për atë ditë.”2

Ne nuk mund ta drejtojmë erën, por ne mund të përshtatim velat. Për një lumturi, paqe dhe kënaqësi maksimale, le të zgjedhim një qëndrim pozitiv.

Besoni te Vetja

E dyta është besimi – te vetja, tek ata përreth jush dhe te parimet e përjetshme.

Ji i ndershëm me veten, me të tjerët dhe me Atin tënd Qiellor. Një njeri që nuk ishte i ndershëm me Perëndinë deri sa ishte tepër vonë, ishte Kardinali Uolsei që, sipas Shekspirit, shpenzoi një jetë të gjatë në shërbim të tre sovranëve dhe gëzoi pasuri dhe pushtet. Më në fund, ai u zhvesh nga pushteti dhe kamjet e tij nga një mbret i paduruar. Kardinali Uolsei klithi:

Sikur t’i kisha shërbyer Perëndisë tim me gjysmën e zellit

me të cilin i shërbeva mbretit tim, Ai në moshën time

nuk do të më kishte lënë të zhveshur përpara armiqve të mi.3

Tomas Fuller, një prift dhe historian anglez që jetoi në shekullin e 17-të, shkroi këtë të vërtetë: “Ai që nuk jeton sipas besimit të tij, nuk beson me të vërtetë.”4

Mos e kufizoni veten dhe mos i lejoni të tjerët t’ju bindin se jeni i kufizuar në atë që mund të bëni. Besoni te vetja dhe pastaj jetoni në mënyrë të tillë që të arrini mundësitë tuaja.

Ju mund të arrini atë që besoni se mundeni. Mirëbesoni dhe besoni dhe kini besim.

Përballojini Sfidat me Guxim

Guximi bëhet një virtyt me vlerë dhe kuptimplotë kur shihet jo aq si një vullnet për të vdekur burrërisht, por si një vendosmëri për të jetuar mirë.

Eseisti dhe poeti amerikan Ralf Ualdo Emerson tha: “Çfarëdo që të bëni, ju keni nevojë për guxim. Për çfarëdo drejtimi që të vendosni, do të jetë gjithnjë dikush që do t’ju thotë se e keni gabim. Ka gjithnjë vështirësi që dalin, të cilat ju tundojnë të besoni se kritikët tuaj kanë të drejtë. Për të përcaktuar një linjë veprimi dhe për ta ndjekur atë deri në fund kërkon ca nga po ai guxim që i duhet një ushtari. Paqja ka fitoret e saj, por ajo kërkon burra dhe gra të guximshme që t’i arrijnë ato.”5

Do të ketë kohëra kur ju do të jeni i trembur dhe i shkurajuar. Ju mund të ndieni se jeni mundur. Shanset e arritjes së fitores mund të duken të paarritshme. Herë herë ju mund të ndiheni si Davidi që përpiqej të luftonte Goliathin. Por kujtohuni – Davidi fitoi!

Duhet guxim për të bërë një hap fillestar drejt qëllimit të lakmuar, por nevojitet guxim akoma më i madh kur pengohesh dhe të duhet të bësh një përpjekje të dytë për t’ia dalë.

Kini vendosmërinë ta bëni përpjekjen, ta ndani mendjen për të punuar për një qëllim të vlefshëm dhe guximin që jo vetëm të përballoni sfidat që vijnë pashmangshmërisht, por gjithashtu të bëni një përpjekje të dytë, nëse do të jetë e nevojshme. “Ndonjëherë guximi është zëri i vogël në mbarim të ditës që thotë: ‘Unë do të përpiqem përsëri nesër’”.6

I kujtofshim këto parime fillestare ndërsa fillojmë udhëtimin tonë në vitin e ri, duke kultivuar një qëndrim pozitiv, një besim se ne mund t’i arrijmë qëllimet dhe vendimet tona dhe guximin për të përballuar çfarëdolloj sfidash që mund të dalin në rrugën tonë. Pastaj jeta e pasur do të jetë e jona.

Shënime

  1. William James, në Lloyd Albert Johnson, hartues, A Toolbox for Humanity: More Than 9000 Years of Thought (2003), f. 127.

  2. Charles Swindoll, në Daniel H. Johnston, Lessons for Living (2001), f. 29.

  3. William Shakespeare, King Henry the Eighth, akti 3, skena 2, rreshtat 456–458.

  4. Thomas Fuller, në botimin e H. L. Mencken, A New Dictionary of Quotations (1942), f. 96.

  5. Ralph Waldo Emerson, në Roy B. Zuck, The Speaker’s Quote Book (2009), f. 113.

  6. Mary Anne Radmacher, Courage Doesn’t Always Roar (2009).

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Mbani parasysh t’i ftoni anëtarët e familjes të ndajnë përvoja vetjake kur një qëndrim pozitiv, besimi te vetja ose guximi i ndihmoi ata. Ose ftojini ata të gjejnë shembuj të këtyre tre parimeve në shkrime e shenjta. Ju mund të përgatiteni të jepni mësim duke menduar plot lutje për shkrime të shenjta ose përvoja tuaja.