2012
Përkujdesja dhe Shërbesa nëpërmjet Vizitës Mësimore
janar 2012


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Janar 2012

Përkujdesja dhe Shërbesa nëpërmjet Vizitës Mësimore

Studiojeni këtë material dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.

Besim, Familje, Ndihmë

“Dashuri hyjnore [do të thotë] … shumë më tepër sesa ndjenjë mirëdashjeje”, na mëson Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë. “Dashuria hyjnore lind nga besimi tek Zoti Jezu Krisht dhe është ndikimi i Shlyerjes së Tij.”1 Për motrat e Shoqatës së Ndihmës, vizita mësimore mund të jetë dashuri hyjnore në veprim, një mënyrë e rëndësishme për të ushtruar besimin tonë te Shpëtimtari.

Nëpërmjet vizitës mësimore, ne sigurojmë përkujdesje duke komunikuar me çdo motër, duke ndarë një mesazh të ungjillit dhe duke kërkuar të dimë nevojat e saj dhe të familjes së vet. “Vizita mësimore bëhet puna e Zotit kur përqendrimi ynë është tek njerëzit dhe jo te përqindjet”, shpjegon Xhuli B. Bek, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës. “Në të vërtetë, vizita mësimore nuk mbaron kurrë. Është më tepër një mënyrë jetese se një detyrë. Shërbimi me besnikëri si një mësuese vizitash është tregues i të qenurit dishepuj.”2

Ndërsa japim përkujdesje të përhershme dhe plot lutje, ne mësojmë si t’i shërbejmë dhe t’u përgjigjemi më mirë nevojave të çdo motre dhe familjes së saj. Shërbimi mund të marrë shumë forma – disa të mëdha dhe disa jo aq të mëdha. “Shpesh vepra të vogla shërbimi janë gjithçka që kërkohet për të frymëzuar dhe bekuar dikë: një pyetje mbi familjen e dikujt, fjalë të shpejta inkurajimi, një përgëzim i sinqertë, një shënim i vogël falënderimi, një telefonatë e shkurtër”, na mëson Presidenti Tomas S. Monson. “Nëse jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm dhe nëse veprojmë sipas nxitjeve që na vijnë, ne mund të përmbushim mjaft vepra mirësie. … Të panumërta janë veprat e shërbimit të siguruara nga moria e mësueseve vizitore të Shoqatës së Ndihmës.”3

Nga Shkrimet e Shenjta

Gjoni 13:15, 34–35; 21:15; Mosia 2:17; Doktrina e Besëlidhje 81:5; Moisiu 1:39

Nga Historia Jonë

Në 1843-shin, anëtarët e Kishës në Nauvu, Ilinois, ishin të ndarë në katër lagje. Në korrik të atij viti, udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës caktuan një komitet vizitash prej katër motrash për çdo lagje. Përgjegjësitë e komiteteve të vizitave përfshinin vlerësimin e ndihmave dhe mbledhjen e dhurimeve. Shoqata e Ndihmës i përdori këto dhurime për të siguruar për nevojtaret.4

Ndërsa mësueset vizitore nuk mbledhin më dhurime, ato e mbajnë përgjegjësinë për të vlerësuar nevojat – shpirtërore dhe materiale – dhe për të punuar që t’i plotësojnë ato nevoja. Eliza R. Snou (1804–1887), presidentja e dytë e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, shpjegoi: “Një mësuese … duhet sigurisht, të ketë aq shumë nga Shpirti i Zotit, ndërsa hyn në një shtëpi për të ditur çfarë shpirti takon ajo atje brenda. … Lutuni përpara Perëndisë dhe Frymës së Shenjtë për të marrë [Shpirtin] në mënyrë që të jeni në gjendje të takoni atë shpirt që mbizotëron në atë shtëpi … dhe ju mund të ndieni që të thoni fjalë paqeje dhe ngushëllimi, dhe nëse gjeni një motër që ndien të ftohtë, merreni në zemrën tuaj si një fëmijë në kraharor dhe ngroheni [atë].”5

Shënime

  1. Henry B. Ajring, “Trashëgimia e Qëndrueshme e Shoqatës së Ndihmës”, Liahona, nëntor 2009, f. 121.

  2. Xhuli B. Bek, “Shoqata e Ndihmës: Një Punë e Shenjtë”, Liahona, nëntor 2009, f. 114.

  3. Tomas S. Monson, “Tre Qëllime Për t’Ju Udhëhequr”, Liahona, nëntor 2007, f. 120–121.

  4. Shih Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 105.

  5. Eliza R. Snow, në Daughters in My Kingdom, f. 108.

Çfarë Mund të Bëj Unë?

  1. Çfarë po bëj unë për të ndihmuar motrat e mia që të ndiejnë se unë jam një mikeshë që i do dhe kujdeset për to?

  2. Si mund të bëhem më e mirë në mbikëqyrjen dhe kujdesjen për të tjerët?