2015
Tiparet Hyjnore të Jezu Krishtit: I Fuqishëm dhe Plot Lavdi
shtator 2015


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Shtator 2015

Tiparet Hyjnore të Jezu Krishtit: I Fuqishëm dhe Plot Lavdi

Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni të dini se çfarë të tregoni. Në ç’mënyrë të kuptuarit e tipareve hyjnore të Shpëtimtarit do ta rritë besimin tuaj tek Ai dhe do t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni nëpërmjet vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.

Pamja
Logoja e Shoqatës së Ndihmës

Besim, Familje, Ndihmë

Shkrimet e shenjta na mësojnë se Jezu Krishti “mori gjithë fuqinë, si në qiell, edhe në tokë, dhe lavdia e Atit ishe me të, sepse ai banoi në të” (DeB 93:17). Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se me anë të kësaj fuqie Shpëtimtari ynë krijoi qiejt dhe tokën, kreu mrekulli dhe duroi dhembjen e Gjetsemanit dhe të Kalvarit.1 Ndërsa arrijmë ta kuptojmë këtë, besimi ynë në Krisht do të rritet dhe do të bëhet më i fortë.

Teksa i bëjmë e i mbajmë besëlidhjet e tempullit, Zoti na bekon me fuqinë e Tij. Linda K. Barton, presidentja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tha: “Mbajtja e besëlidhjeve forcon, fuqizon dhe mbron. … Kohët e fundit takova një mikeshë të re të dashur. Ajo dëshmoi se, pasi kishte marrë indaumentin [dhurimin] e saj në tempull, u ndje e forcuar me fuqinë për t’iu bërë ballë tundimeve me të cilat kishte luftuar më parë.”2

Nefi jep dëshmi për fuqinë besëlidhëse: “Unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti … mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit, … dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe” (1 Nefi 14:14).

Shkrime të Shenjta Shtesë

Jeremia 51:15; Zbulesa 1:6; Jakobi [LiM] 4:6–7; Mosia 3:17

Nga Shkrimet e Shenjta

Duke qenë i mbushur me dhembshuri të madhe për Martën dhe Marien, Jezu Krishti e ngriti nga vdekja vëllanë e tyre, Llazarin, me anë të fuqisë së Perëndisë që Ai zotëronte.

Jezusi mbërriti në shtëpinë e Martës dhe Maries pasi Llazari kishte qenë në varr për katër ditë. Ata shkuan në varrin e Llazarit dhe Jezusi urdhëroi që guri që e mbulonte hyrjen të hiqej. Jezusi i tha Martës: “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?” Ai pastaj iu lut Perëndisë, Atit, dhe “thirri me zë të lartë: ‘Llazar, eja jashtë!’.

Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë.” (Shih Gjoni 11:1–45.) Shpëtimtari e përdor fuqinë e Tij për të na shëlbuar e fuqizuar. Besimi ynë tek Ai do të rritet ndërsa kujtohemi se Ai është plot fuqi e lavdi.

Shënime

  1. Shih M. Rasëll Ballard, “Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime”, Liahona, maj 2013, f. 18.

  2. Linda K. Burton, “Fuqia, Gëzimi dhe Dashuria e Mbajtjes së Besëlidhjeve”, Liahona, nëntor 2013, f. 111.

Merreni Parasysh Këtë

Si na armatos fuqia e Perëndisë me fuqi e lavdi?