2015
Familjet dhe Lutja
shtator 2015


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shtator 2015

Familjet dhe Lutja

Një herë, ndërsa ulesha në anë të shtratit të babait tim gjatë natës, ai më foli rreth fëmijërisë së tij. Ai foli për dashurinë e prindërve të tij në kohë të vështira dhe për dashurinë e Atit të tij Qiellor dhe Shpëtimtarit. E dija se ai po vdiste nga kanceri, ndaj nuk befasohesha që ndonjëherë ai i ngatërronte ndjenjat e veta për Atin e tij Qiellor me dashurinë dhe dashamirësinë e babait të tij tokësor. Babai im kishte thënë shpesh kur lutej se mendonte që mund ta shihte me mendje buzëqeshjen e Atit Qiellor.

Prindërit e tij e kishin mësuar nëpërmjet shembullit që të lutej sikur po i fliste Perëndisë dhe se Perëndia do t’i përgjigjej atij me dashuri. Ai pati nevojë për atë shembull deri në fund. Kur dhembja u bë e fortë, ne e gjetëm atë në mëngjes të gjunjëzuar pranë shtratit. Ai kishte qenë tepër i pafuqishëm për t’u kthyer në shtrat. Na tha se kishte qenë duke u lutur për ta pyetur Atin Qiellor se përse duhej të vuante kaq shumë kur ishte përpjekur gjithnjë të ishte i mirë. Ai tha se i erdhi një përgjigje dashamirëse: “Perëndisë i duhen bij trima”.

Dhe kështu ai luftoi deri në fund, duke mirëbesuar se Perëndia e donte, e dëgjonte dhe do ta lartësonte. Ai ishte i bekuar që e kishte ditur që herët e që nuk e kishte harruar kurrë se një Perëndi i dashur është aq afër sa një lutje.

Kjo është arsyeja pse Zoti u mësoi prindërve: “Dhe ata gjithashtu duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit” [DeB 68:28].

Ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur – me Librin e Mormonit dhe të gjithë çelësat e priftërisë që mund t’i lidhin familjet – për shkak se Jozef Smithi u lut me besim kur qe djalosh. Ai e mori atë besim në një familje të dashur e besnike.

Njëzet vjet më parë, Zoti u dha familjeve këtë këshillë te “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve: “Martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese”1.

Ne i detyrohemi një borxh të pamasë mirënjohjeje familjes së Jozef Smithit, Profetit, për rritjen e tij. Familja e tij i dha shembull jo vetëm për besimin dhe lutjen, por edhe për pendimin, faljen, respektin, dashurinë, dhembshurinë, punën dhe aktivitetet e shëndosha argëtuese.

Brezat që vijnë pas jush, mund t’ju quajnë të bekuar për shembullin tuaj të lutjes në familjen tuaj. Ju mund të mos rritni një shërbëtor të madh të Perëndisë, por ju mund ta ndihmoni Zotin Jezu Krisht nëpërmjet lutjeve dhe shembullit tuaj të besnikërisë që të rritë dishepuj të mirë e të dashur.

Nga të gjitha gjërat prej të cilave mund të zgjidhni të bëni për ta ndihmuar Zotin, lutja do të jetë në zemër të tyre. Ka njerëz në dukje të zakonshëm që, kur luten, i frymëzojnë të tjerët që t’i hapin sytë për të parë se kush është atje. Ju mund të bëheni një njeri i tillë.

Mendoni rreth asaj që mund të nënkuptojë për ata që gjunjëzohen me ju në lutjen familjare. Kur ata e ndiejnë se ju i flisni Perëndisë me besim, besimi i tyre do të rritet që dhe ata të flasin me Perëndinë. Kur luteni për ta falënderuar Perëndinë për bekimet që ata e dinë se kanë ardhur, besimi i tyre do të rritet për faktin që Perëndia i do dhe se Ai u përgjigjet lutjeve tuaja e do t’u përgjigjet dhe të tyreve. Ajo mund të ndodhë në një lutje familjare vetëm kur ju e keni pasur atë përvojë në lutje vetjake, herë pas here.

Unë ende po bekohem nga një baba e një nënë që folën me Perëndinë. Shembulli i tyre për fuqinë e lutjes në familje është ende duke i bekuar brezat që erdhën pas tyre.

Fëmijët dhe nipërit e mi bekohen çdo ditë nga shembulli i prindërve të mi. Besimi se një Perëndi i dashur i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve është kaluar tek ata. Ju mund ta krijoni një trashëgimi të tillë në familjen tuaj. Unë lutem që ju ta bëni.

Shënim

  1. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

Kremtoni Përvjetorin e 20-të të Proklamatës së Familjes

“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” na mëson parime që janë po aq aktuale sot saç ishin kur ajo u paraqit për herë të parë më 23 shtator 1995. Merrni parasysh t’i ftoni individët ose familjet të cilave u jepni mësim, që ta kremtojnë përvjetorin e 20-të të proklamatës me anë të:

  1. Renditjes së parimeve që ajo përmban, që kanë domethënie të veçantë për ta. (Shikoni se si Presidenti Ajring e bën këtë me lutjen në mesazhin e mësipërm.)

  2. Diskutimit se si çdo parim mund t’i bekojë ata sot e në të ardhmen.

  3. Vendosjes së synimeve të posaçme për t’i përfshirë ato parime në jetën e tyre dhe për t’i ndarë ato me të tjerët.