2017
Shpërblimi kur Durojmë Mirë
Korrik 2017


Mesazhi i Presidencës së Parë, Korrik 2017

Shpërblimi kur Durojmë Mirë

Kur isha i ri, shërbeva në Kishë si këshilltar i një presidenti të urtë distrikti. Ai po përpiqej pareshtur të më mësonte. Më kujtohet këshilla që më dha dikur: “Kur të takosh dikë, trajtoje atë sikur të ishte në telash të madh dhe do të kesh të drejtë më shumë se gjysmën e herëve”. Në atë kohë mendova se ai ishte pesimist. Tani, më shumë se 50 vjet më vonë, mund ta shoh se sa mirë e kuptonte ai botën dhe jetën.

Ne të gjithë kemi sprova me të cilat përballemi – nganjëherë, sprova shumë të vështira. Ne e dimë se Zoti na lejon të kalojmë sprova në mënyrë që të bëhemi të ndritur e të përsosemi që të mund të jemi me Të përgjithmonë.

Zoti i mësoi Profetit Jozef Smith në burgun e Libertisë që shpërblimi për durimin mirë të sprovave të tij do ta ndihmonte për t’u kualifikuar për jetën e përjetshme:

“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;

Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart; ti do të triumfosh mbi gjithë armiqtë e tu” (DeB 121:7–8).

Na godasin kaq shumë gjëra gjatë një jete saqë mund të na duket e vështirë të durojmë mirë. Mund t’i duket ashtu një familjeje që varet nga të korrat kur nuk ka shi. Ata mund ta pyetin veten: “Për sa kohë mund të mbahemi?” Mund t’i duket ashtu një të riu/reje që po sfidohet t’i bëjë qëndresë vërshimit gjithnjë e më të madh të fëlliqësive e tundimeve. Mund t’i duket ashtu një djali të ri që po mundohet të marrë arsimimin apo përgatitjen që i nevojitet për një vend pune, për të mbajtur gruan dhe familjen. Mund t’i duket ashtu një njeriu që nuk mundet të gjejë një vend pune ose që i ka humbur vendet e punës njërin pas tjetrit pasi bizneset falimentojnë. Mund t’u duket ashtu atyre që përballen me gërryerjen e shëndetit dhe forcës fizike, gjë që mund të vijë herët a vonë në jetë për ata ose për njerëzit që ata duan.

Por një Perëndi i dashur nuk i ka vënë prova të tilla përpara nesh thjesht për të parë a mund ta durojmë vështirësinë, por përkundrazi për të parë nëse mund t’i durojmë mirë dhe kështu të bëhemi të ndritur.

Presidenca e Parë i dha mësim Plakut Parli P. Prat (1807–1857) kur ai qe një anëtar i sapothirrur i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Je rekrutuar në një kauzë që kërkon vëmendjen tënde të plotë; … bëhu një shigjetë e ndritur. … Duhet të durosh rraskapitje të madhe, punë të rëndë dhe shumë mungesa për t’u bërë përsosurisht i ndritur. … Ati yt Qiellor e kërkon atë; fusha është e Tija; vepra është e Tija dhe Ai do të të … japë zemër … dhe do të të përkrahë.”1

Në librin e Hebrenjve, Pali flet për frytet [që vijnë] kur durojmë mirë: “Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij” (Hebrenjve 12:11).

Sprovat tona dhe vështirësitë tona na japin mundësinë të mësojmë e të rritemi dhe mund edhe të na e ndryshojnë vetë natyrën tonë. Nëse mund t’i drejtohemi Shpëtimtarit në situatat tona më të skajshme, shpirtrat tanë mund të bëhen të ndritur teksa durojmë.

Prandaj, gjëja e parë për t’u mbajtur mend është të lutemi kurdoherë (shih DeB 10:5; Alma 34:19–29).

Gjëja e dytë është të përpiqemi fort vazhdimisht për t’i zbatuar urdhërimet – cilido qoftë kundërshtimi, tundimi ose trazira rreth nesh (shih Mosia 4:30).

Gjëja e tretë vendimtare për t’u bërë është t’i shërbejmë Zotit (shih DeB 4:2; 20:31).

Kur i shërbejmë Mësuesit, ne arrijmë ta njohim e ta duam Atë. Nëse ngulmojmë në lutje dhe shërbim besnik, ne do të fillojmë ta dallojmë dorën e Shpëtimtarit dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën tonë. Shumë prej nesh për një periudhë kanë dhënë një shërbim të tillë dhe e kanë ndier atë shoqërim. Nëse mendoni përsëri për atë kohë, do t’ju kujtohet se pësuat ndryshime. Tundimi për të bërë keq u duk se u zvogëlua. Dëshira për të bërë mirë u shtua. Ata që ju njihnin më mirë dhe që ju donin, mund t’ju kenë thënë: “Je bërë më i sjellshëm dhe më i duruar. Nuk dukesh si i njëjti njeri.”

Nuk ishit i njëjti njeri. Ju ndryshuat nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit për shkak se u mbështetët tek Ai në kohën e sprovës suaj.

Ju premtoj se Zoti do t’ju vijë në ndihmë në sprovat tuaja nëse e kërkoni dhe i shërbeni Atij dhe që shpirti juaj do të bëhet i ndritur gjatë këtij procesi. Ju sfidoj që ta vini mirëbesimin tuaj tek Ai në të gjitha fatkeqësitë tuaja.

Unë e di se Perëndia, Ati, jeton dhe se Ai e dëgjon dhe i përgjigjet çdo lutjeje që bëjmë. E di se Biri i Tij, Jezu Krishti, e pagoi çmimin për të gjitha mëkatet tona dhe se Ai dëshiron që ne të shkojmë tek Ai. E di se Ati dhe Biri kujdesen për ne dhe kanë përgatitur një udhë që ne të durojmë mirë e të kthehemi sërish në shtëpi.

Shënim

  1. Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1979), f. 120.