2021
“Kështu Do të Quhet Kisha Ime”
Shtator/Tetor 2021


“Kështu Do të Quhet Kisha Ime”

Kur e përdorim emrin e plotë të Kishës, bekohemi dhe i bekojmë të tjerët.

Pamja
various people walk by a Church sign in Korean

Në Afrikë, individët që po kërkonin një kishë së cilës t’i bashkoheshin, raportuan se kishin parë ëndrra. Në ëndrrat e tyre, ata morën udhëzimin që të kërkonin një kishë që quhej me emrin e Jezu Krishtit. Kur kërkuan, ata gjetën vetëm një kishë në të cilën emri i Shpëtimtarit është qendror – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Në Amerikën Latine, disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme raportuan se ftesat e tyre drejtuar miqve për të frekuentuar “Kishën mormone” u pritën me acarim. Kjo ndryshoi kur ata u bënë një ftesë për te Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. “Nëse kisha juaj quhet Kisha e Jezu Krishtit”, u përgjigjën miqtë e tyre, “do të na pëlqente të vinim e ta shihnim”.

Në Shtetet e Bashkuara, një djalë në Fillore i ftoi fqinjët në pagëzimin e vet. Një shërbestar i një besimi tjetër tha se nuk do të kishte shkuar kurrë në një pagëzim të “Kishës mormone”. Për shkak se mund ta dallonte që kisha e djalit qe e përqendruar te Jezu Krishti, shërbestari mori pjesë me bashkëshorten e tij.

Kur një agjent për rezervimet e biletave të avionit i kërkoi një anëtari të Kishës një adresë të postës elektronike, anëtari u përgjigj: “ldschurch.org”.

“Cila kishë është kjo?” pyeti agjenti.

“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, u përgjigj anëtari.

“Kam kaq kohë që shkoj në punë dhe nuk kam qenë kurrë në gjendje të flas rreth Zotit”, tha agjenti. “Të di se po i flas një të krishteri tjetër, më gëzon shumë.”

Anëtari i Kishës e përditësoi me të shpejtë profilin e tij te faqja e linjës ajrore me adresën e re të postës elektronike të Kishës: ChurchofJesusChrist.org.1

Një Premtim i Përmbushur

Pamja
family walking in front of a Church building

Këto histori të mrekullueshme përfaqësojnë përmbushjen e një premtimi që Presidenti Rasëll M. Nelson u bëri shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në tetor 2018 dhe përsëri në prill 2020.

“Ju premtoj që, nëse ne do të bëjmë më të mirën tonë për ta rivendosur emrin e saktë të Kishës së Zotit, Ai, Kisha e të cilit është kjo, do të derdhë fuqinë dhe bekimet e Tij mbi kokat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, në mënyra të cilat ne nuk i kemi parë kurrë”, tha Presidenti Nelson. “Ne do të kemi njohurinë dhe fuqinë e Perëndisë që të na ndihmojnë për t’i çuar bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit te çdo komb, fis, gjuhë e popull dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit.”2

Kohët e fundit, nëpërmjet llogarive të mia në mediat shoqërore, i ftova anëtarët e Kishës të më tregonin rreth bekimeve që kanë marrë nga përdorimi i emrit të saktë të Kishës. U preka kur mora më shumë se 2 600 përgjigje.

Do të doja t’ju tregoja disa prej tyre. Ato do t’ju tingëllojnë të njohura sepse ju keni marrë bekime të ngjashme ndërsa e keni ndjekur këshillën e Presidentit Nelson.

Më Pranë Jezu Krishtit

U mallëngjeva nga dëshmia e Jakobit rreth mënyrës se si emri i plotë i Kishës e ka ndihmuar atë të përqendrohej te Shpëtimtari: “Kam vënë re se përqendrimi im te Jezu Krishti ka depërtuar në çdo aspekt të jetës sime”, më tregoi ai. “Kur marr sakramentin, mendoj për Të dhe sakrificën e Tij shlyese. Kur lexoj shkrimet e shenjta, u kushtoj më tepër vëmendje fjalëve të Tij dhe përmendjeve të tjera të Tij. Kjo më ka sjellë më pranë Tij dhe më ka ndihmuar ta kuptoj më mirë rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im.”

U ndjeva i bekuar që mësova se çfarë domethënie ka emri i Shpëtimtarit për të dy, Bethin dhe Brajsin. “Kam ndier një lidhje më të afërt me Shpëtimtarin tim”, tha Bethi. “Kur më pyetin se në cilën kishë shkoj dhe përgjigjem që i përkas Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kam një ndjesi të vërtetë përkatësie. Unë i përkas popullit të Tij. I përkas familjes së Tij. I përkas Atij.”

Brajsi më tha se emri i saktë i Kishës e ndihmon atë të “mbaj[ë] mend kujt i shërbe[n] dhe kujt kërko[n] t’i ngjaj[ë] më shumë. Kjo më kujton se Shpëtimtari është Ai që i jep këto mësime dhe se ato nuk vijnë nga njerëzit.”

“Emri i Shpëtimtarit Ka Fuqi”

Pamja
Christus statue

Hejli, një misionare kohëplotë, tha: “Përdorimi i emrit të saktë të Kishës së Zotit sjell më shumë fuqi dhe autoritet kur u japim mësim të tjerëve rreth ungjillit të Tij të rivendosur. Kur them ‘Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’, Shpirti i Zotit e pohon dhe dëshmon se kjo është Kisha e Zotit e rivendosur në tokë sot. Më pëlqen shumë ta përdor emrin e saktë për shkak se po i shtoj asaj të vërtete dëshminë time të gjallë!”

Dhe Nikola më tha: “Më parë, nëse thoja ‘mormon’ shpesh kisha një shprehi pasigurie me ata që nuk janë të besimit tonë. Mundesha thuajse të dëgjoja një vërshim kujtimesh të të gjitha gjërave që ata kishin dëgjuar ndonjëherë rreth ‘mormonëve’. Kurse tani ka paqe, pranim më të shpeshtë. Emri i Shpëtimtarit ka fuqi. Ai sjell paqe. Dëshmia ime për vërtetësinë e ungjillit është rritur vetëm duke thënë emrin e saktë të Kishës. E ndiej Shpirtin sa herë që e them. Nganjëherë vetëm aq më jepet mundësia të them rreth asaj që besojmë, por është e mjaftueshme.”

Sqarimi i Koncepteve të Gabuara

Haroldi, një pedagog në Shtetet e Bashkuara, tha se përdorimi i emrit të plotë të Kishës e ka ndihmuar atë të sqarojë konceptet e gabuara. Ai më tha se një student, duke u orvatur të përmblidhte një diskutim mbi fenë, pohoi: “Mendoj se të gjitha fetë janë të krishtera, përveç mormonëve”.

Duke e parë si çast të artë për ta sqaruar atë koncept të gabuar, Haroldi tha: “U thashë studentëve se ‘mormon’ ishte një nofkë që iu vu anëtarëve të Kishës për shkak të bindjes sonë te Bibla dhe te Libri i Mormonit si dy shkrime të shenjta që janë dëshmi të lashta për Jezu Krishtin”.

Meri më hapi zemrën, duke më treguar se si e kishte bekuar emri i plotë i Kishës për t’u dhënë mësim fëmijëve të saj: “Fëmijët e mi tani ngatërrohen më pak kur u mësoj se jemi shenjtorë të Kishës së Jezu Krishtit në këto ditë të mëvonshme sesa kur e quanim veten ‘mormonë’. Ata ngatërroheshin dhe pyetnin: ‘Pse mormonë? A do të thotë kjo që nuk jemi të krishterë?’ Ndiej se ky ndryshim i ka ndihmuar ata kur flasin me fëmijë të tjerë në shkollë që nuk janë besimtarë.”

“Unë Jam një Misionare për Jezu Krishtin”

Presidenti Nelson ka premtuar se, teksa e përdorim emrin e saktë të Kishës, “do të kemi njohurinë dhe fuqinë e Perëndisë” për ta përhapur ungjillin. Tereza më frymëzoi me historinë e saj rreth asaj që ndodhi kur një shok në punë e pyeti rreth Kishës. Duke zbatuar këshillën e Presidentit Nelson, Tereza filloi të thoshte emrin e plotë të Kishës.

“Ai qe i interesuar për Kishën”, më tregoi ajo. “Ai qe kërkues për disa muaj dhe pastaj, mrekullisht, u pagëzua nga biri im, peshkopi. Sa e lumtur u ndjeva atë ditë; po ashtu edhe familja ime. Premtimet janë të vërteta.”

Xhordani tha se shumë njerëz nuk e njohin ende emrin e Kishës. “Përdorimi i emrit të plotë të Kishës”, tha ai, “më jep një rast për të shpjeguar se si Kisha ka Jezu Krishtin në qendër dhe arsyen përse ne e quajmë veten shenjtorë të ditëve të mëvonshme.”

Kur një burrë e pyeti Kloin a ishte “misionare mormone”, ajo dëshmoi fuqimisht: “Jo, unë jam një misionare për Jezu Krishtin”. Kloi më tha se burri shprehu dëshirën për ta ndjekur Shpëtimtarin, ndaj ajo i mësoi atij se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme udhëhiqet nga Shpëtimtari. Pastaj ajo i dha atij informacion rreth Kishës së Tij.

“Ta Quani Kishën në Emrin Tim”

Pamja
sister missionaries talking to a family in front of a Church building

Kur ia zbuloi emrin e Kishës së Tij Profetit Jozef Smith, Shpëtimtari deklaroi: “Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (Doktrina e Besëlidhje 115:4). Dhe nefitëve, Ai u tha: “Ju do ta quani kishën në emrin tim”, pasi “si do të ishte kisha ime nëse nuk do të quhej me emrin tim?” (3 Nefi 27:7, 8.)

Dëshmoj për një shenjtor të ditëve të mëvonshme që quhet Tomi, se kur e përdorim emrin e plotë të Kishës, bekohemi dhe i bekojmë të tjerët. Tomi më tha: “Teksa i ndaj me të tjerët bekimet e të qenit një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, në një kohë kur zënkat dhe frika mbizotërojnë, e kuptoj se po i ndihmoj të tjerët ta dinë se ka një strehë nga stuhia me dishepujt e Jezu Krishtit, të cilët kujdesen për ta dhe e ndjekin Atë”.

Shënime

  1. E falënderoj Plakun Gerit W. Gong, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që m’i tregoi këto histori.

  2. Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 89; shih edhe “Hapja e Qiejve për Ndihmë”, Liahona, maj 2020, f. 73.