2021
Ndihmë nga Ana Tjetër e Velit
Shtator/Tetor 2021


Ndihmë nga Ana Tjetër e Velit

Teksa dergjesha nga dhembjet në spital, u ndjeva e vetmuar derisa m’u kujtuan paraardhësit e mi të dashur.

Pamja
translucent fabric

Fotografia nga Getty Images

Në vitin 2017, mbeta shtatzënë me fëmijën tonë të parë. Bashkëshorti im, Lukasi dhe unë ishim të emocionuar por të trembur nga mbërritja e vogëlushit tonë Huan Lionelit.

Një natë vonë, në fillim të shkurtit 2018, më filluan dhembjet. Isha vetëm tetë muajshe shtatzënë, por dukej sikur foshnja jonë do të vinte më herët nga sa prisnim. Rrëmbimthi morëm disa gjëra dhe u nisëm me shpejtësi drejt klinikës. Nuk ndihesha gati për të lindur, por u luta duke i kërkuar Perëndisë që të bëhej vullneti i Tij pavarësisht nga frika jonë.

Kur mbërritëm në klinikë, e njoftuan gjinekologun tim, por tha se do të vinte më vonë. Bashkëshorti im i mori në telefon dhe u dërgoi mesazh prindërve dhe motrave e vëllezërve tanë, por asnjëri prej tyre nuk ishte zgjuar nga gjumi. Ai vazhdoi të telefononte dhe të dërgonte mesazhe gjatë gjithë natës, por askush nuk u përgjigj. Kjo më bëri të ndihem shumë e vetmuar.

Teksa dhembja nga shtrëngimet shtohej, ndihesha gjithnjë e më e vetmuar. Megjithatë, papritur, diçka e mrekullueshme ndodhi. Fillova të mendoja për paraardhësit e mi – veçanërisht për gjyshen nga mamaja, Roza Merkadon dhe të ëmën e saj, Haviera Balmasedën.

Ndërsa i kujtoja ato, ndjeva në zemër dhe mendje se të dyja ishin me mua në atë çast. E ndjeva praninë e tyre në një mënyrë aq të fortë e të ëmbël saqë nuk mund ta shpreh plotësisht me fjalë atë që përjetova. Nuk i shihja, por i ndjeva pranë duke më dhënë kurajë, përkrahje dhe dashuri si nënat e mia dhe si pjesë e familjes sime. E ndjeva se ato ishin engjëj që po më jepnin shërbesë në kohën time të nevojës.

Vite më parë në tempull, nëna, babai, motrat dhe vëllezërit e mi, bashkëshorti dhe unë bëmë punë mëkëmbëse për to dhe për paraardhës të tjerë. Ndiej se kuraja që mora dhe ndjesia që pata se paraardhëset e mia ishin pranë, qe një dhuratë nëpërmjet fuqisë dhe autoritetit të Perëndisë.

Qysh atëherë, e kam ndier shpirtin e paraardhësve të mi në raste të tjera, duke më ndihmuar dhe duke më udhërrëfyer si nënë dhe si bashkëshorte dhe në aspekte të tjera të rëndësishme të jetës sime.

Unë dëshmoj që Perëndia nuk do të na lërë kurrë vetëm në shtegun e jetës sonë. Nëse e bëjmë punën e Tij, do të na jepet ndihmë nga ana tjetër e velit. Do të marrim dashuri, njohuri, forcë dhe paqe “që ia tejkalon çdo zgjuarësie” (Filipianëve 4:7).