2022
Çfarë Ndodh në Mbledhjet e Kishës në Ditën e Diel?
Qershor 2022


“Çfarë Ndodh në Mbledhjet e Kishës në Ditën e Diel?”, Liahona, Qershor 2022.

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Qershor 2022

Çfarë Ndodh në Mbledhjet e Kishës në Ditën e Diel?

Pamja
dy gra duke u përqafuar

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mblidhen çdo të diel për të adhuruar Perëndinë dhe për t’ia mësuar njëri‑tjetrit ungjillin e Jezu Krishtit. Të gjithë njerëzit janë të ftuar të marrin pjesë dhe anëtarët do të kenë mundësinë për t’u lutur, për të dhënë biseda dhe për të dhënë mësime, në qoftë se dëshirojnë t’i bëjnë këto gjëra. Këto mbledhje i ndihmojnë anëtarët ta forcojnë njëri‑tjetrin në besim dhe t’i kenë “zemrat e tyre të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri-tjetrit” (Mosia 18:21).

Pamja
djalë në një karrige me rrota duke shpërndarë sakramentin

Mbledhja e Sakramentit

Anëtarët e lagjes ose të degës mblidhen çdo të diel për mbledhjen e sakramentit. (Edhe njerëz jo të besimit tonë janë të mirëpritur të marrin pjesë.) Sakramenti u jepet anëtarëve gjatë kësaj mbledhjeje për t’i ndihmuar që të kujtojnë Jezu Krishtin (shih artikullin mbi Bazat e Ungjillit të prillit 2022 për më shumë informacion rreth sakramentit). Mbledhja gjithashtu përfshin lutje, muzikë adhurimi dhe biseda që jepen nga anëtarët rreth ungjillit të Jezu Krishtit.

Pamja
dy vajza duke buzëqeshur në kishë

Mbledhje të Tjera

Pas mbledhjes së sakramentit anëtarët ndahen në klasa dhe kuorume. Fëmijët e moshës 18 muajsh deri në 11 vjeç frekuentojnë Filloren. Në të dielën e parë dhe të tretë të çdo muaji të gjithë anëtarët e tjerë frekuentojnë Shkollën e së Dielës. Në të dielën e dytë dhe të katërt frekuentojnë mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave ose të kuorumeve të priftërisë.

Lutjet

Lutjet në mbledhjet e Kishës bëhen nga anëtarët. Lutjet janë të thjeshta dhe drejtohen nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Anëtarët luten duke përdorur fjalë që shprehin dashuri e respekt për Atin Qiellor. Kjo përfshin përdorimin e përemrave Ty, Tënd, Tënde dhe Ti kur i lutemi Atij.

Bisedat

Një anëtar i peshkopatës ose presidencës së degës u kërkon anëtarëve të japin biseda në mbledhjen e sakramentit. Këto biseda përqendrohen tek ungjilli i Jezu Krishtit. Folësit përdorin shkrimet e shenjta dhe fjalët e udhëheqësve të Kishës teksa përgatitin bisedat e tyre. Ata gjithashtu japin dëshmi për bekimet e parimeve të ungjillit në jetën e tyre.

Mësimet

Pas mbledhjes së sakramentit, anëtarët mësojnë rreth ungjillit në klasa më të vogla. Mësimet mund të jenë rreth shkrimeve të shenjta, mësimeve nga konferenca e përgjithshme ose tema të tjera. Edhe pse mësuesi/ja do të drejtojë mësimin, ky nuk është një leksion. Të gjithë anëtarët e klasës mund të shprehin mendimet e tyre rreth temës.

Pamja
burrë duke folur te foltorja në kishë

Dëshmia

Një herë në muaj, mbledhja e sakramentit përfshin një mbledhje dëshmish. Zakonisht kjo është në të dielën e parë të muajit. Gjatë kësaj mbledhjeje anëtarët mund të japin dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Të japësh dëshmi do të thotë të shpallësh të vërtetat e ungjillit siç frymëzohesh nga Fryma e Shenjtë.

Përgatitja

Anëtarët përgatiten për mbledhjet e së dielës duke u lutur, duke studiuar shkrimet e shenjta dhe duke u bërë gati për të marrë frymëzim nga Fryma e Shenjtë. Nëse ju kërkohet të jepni një bisedë ose të jepni një mësim, me lutje mendoni rreth mënyrës se si mund t’i jepni mësim parimet e ungjillit. Përdorini shkrimet e shenjta. Jepni dëshmi për të vërtetën. Udhëheqësit tuaj të Kishës mund t’ju ndihmojnë të përgatiteni, nëse është e nevojshme.