Liahona
Gëzimi Afatgjatë i të Jetuarit të Ungjillit
Shkurt 2024


“Gëzimi Afatgjatë i të Jetuarit të Ungjillit”, Liahona, Shkurt 2024.

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Shkurt 2024

Gëzimi Afatgjatë i të Jetuarit të Ungjillit

Gëzimi jetëgjatë vjen duke duruar në ungjillin e Jezu Krishtit dhe duke i ndihmuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Pamja
Adami dhe Eva, me Kopshtin e Edenit në sfond

The Garden of Eden [Kopshti i Edenit], nga Grant Romney Clawson; Leaving the Garden of Eden [Largimi nga Kopshti i Edenit], nga Joseph Brickey

Një shprehje e përmbledhur e qëllimit të jetës sonë mund të gjendet te mësimet profetike të Lehit rreth fillimit të jetës njerëzore në tokë. Në Kopshtin e Edenit, Adami dhe Eva jetuan në një gjendje pafajësie. Po të qëndronin në atë gjendje, ata nuk do të “[kishin] patur gëzim, pasi ata nuk njihnin mjerim; duke mos bërë të mirë, pasi ata nuk njihnin mëkat” (2 Nefi 2:23). Pra, siç shpjegoi Lehi: “Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25; shihni edhe te Moisiu 5:10–11).

Ndërsa rritemi në një botë të rënë, e mësojmë ndryshimin midis së mirës dhe së keqes nga ajo që na mësohet dhe nga ajo që përjetojmë. Ne e “provoj[m]ë hidhësinë, që të mund të di[m]ë ta çmoj[m]ë të mirën” (Moisiu 6:55). Gëzimi vjen teksa e flakim tej hidhësinë dhe gjithnjë e më shumë e çmojmë dhe mbahemi fort pas të mirës.

Gjetja e Gëzimit

Për shkak të dashurisë së Tij të përsosur ndaj nesh, Ati ynë Qiellor mezi pret ta ndajë gëzimin e Tij të përsosur me ne, si tani edhe në përjetësi. Kjo ka qenë shtysa e Tij në çdo gjë qysh prej fillimit, duke përfshirë planin e Tij të lavdishëm për lumturinë dhe flijimin e Birit të Tij të Vetëmlindur për të na shëlbuar.

Perëndia nuk përpiqet të na e imponojë gëzimin ose lumturinë, por Ai na mëson si ta gjejmë atë. Ai na tregon edhe se ku nuk mund të gjendet gëzimi – “ligësia [nuk është dhe] kurrë nuk ka qenë lumturi” (Alma 41:10). Pikërisht nëpërmjet urdhërimeve të Tij, Ati ynë Qiellor na zbulon shtegun drejt gëzimit.

Presidenti Rasëll M. Nelson e shprehu atë në këtë mënyrë:

“Por ja tek është e vërteta madhështore: Ndërkohë që bota këmbëngul se pushteti, pasuritë, popullariteti dhe kënaqësitë e mishit të sjellin lumturi, ato nuk ta sjellin! Nuk munden ta sjellin. Ajo që ato shkaktojnë, nuk është veçse një zëvendësuese e zbrazët për ‘gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë’ [Mosia 2:41].

E vërteta është se është shumë më rraskapitëse që ta kërkoni lumturinë atje ku nuk mund ta gjeni kurrë! Sidoqoftë, kur viheni nën zgjedhë me Jezu Krishtin dhe bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta mundur botën, Ai dhe vetëm Ai, e ka fuqinë t’ju ngrejë mbi ndikimin e kësaj bote.”1

Ndaj, gëzimi afatgjatë gjendet te zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë dhe urdhërimet e Perëndisë gjenden në ungjillin e Jezu Krishtit. Por është zgjedhja jonë. Nëse në dobësinë tonë nuk arrijmë për njëfarë kohe t’i zbatojmë urdhërimet, ne prapë mund të bëjmë kthesë, ta flakim tej hidhësinë dhe të rendim edhe një herë pas të mirës. Dashuria e Perëndisë nuk e justifikon mëkatin – kjo do të ishte mëshira që grabit drejtësinë – por nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti ofron shëlbim nga mëkati:

“Amuleku … tha … se Zoti do të vijë patjetër për të shëlbuar popullin e tij, porse ai nuk do të vijë që t[’i] shëlbojë ata mëkatet e tyre, por, për t’i shëlbuar ata nga mëkatet e tyre.

Dhe se ai ka fuqi, që i është dhënë nga Ati, për t’i shëlbuar ata nga mëkatet e tyre për shkak të pendimit; prandaj ai dërgoi engjëjt e tij për të shpallur lajmet e kushteve të pendimit, që çojnë në fuqinë e Shëlbuesit, në shpëtimin e shpirtrave të tyre” (Helamani 5:10–11; theksimi i shtuar).

Jezusi tha:

“Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.

Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjoni 15:10–11).

Kjo është ajo që ndjeu Lehi në ëndrrën e tij ndërsa shijoi frutën e pemës së jetës – e cila përfaqëson dashurinë e Perëndisë. Ai tha: “Ndërsa po haja frutin e saj, ai ma mbushi shpirtin tim me një gëzim jashtëzakonisht të madh” (1 Nefi 8:12; shihni edhe te 11:21–23).

Lehi zbuloi gjithashtu një mënyrë tjetër se si mund të sjellim gëzim në jetën tonë kur tha: “Fillova të dëshiroja që familja ime të hante nga [fruta] gjithashtu” (1 Nefi 8:12).

Pamja
njëra dorë që ia kalon frutën dorës tjetër, me pemë në sfond

Tree of Life [Pema e Jetës], nga Kazuto Uota

Të Ndihmuarit e të Tjerëve që të Gjejnë Gëzim

Ashtu si populli i mbretit Beniamin, ne “mbush[emi] me gëzim” kur marrim një heqje të mëkateve tona dhe përjetojmë “paqe të ndërgjegjes” (Mosia 4:3). E ndiejmë atë përsëri kur shohim jashtë vetvetes dhe përpiqemi t’i ndihmojmë pjesëtarët e familjes dhe të tjerët të marrin po atë gëzim dhe paqe.

Kur ishte i ri, Alma kërkoi lumturi në çdo gjë që ishte në kundërshtim me ungjillin e Jezu Krishtit. Pasi u qortua nga një engjëll, ai bëri një rrugë të gjatë nga “hidhësi[a]” tek “[e] mir[a]” nëpërmjet pendimit “deri në vdekje” (Mosia 27:28) dhe hirit të bollshëm të Shpëtimtarit. Vite më vonë, Alma i deklaroi me ngazëllim të birit, Helamanit:

“Dhe oh, çfarë gëzimi dhe çfarë drite të mrekullueshme pashë; po, shpirti im më ishte mbushur me një gëzim po aq të madh, sa kishte qenë dhembja ime! …

Po, dhe që atëherë madje deri tani, unë kam punuar pa pushim që të sjell shpirtra në pendim; që të mund t’i sjell të shijojnë prej gëzimit të jashtëzakonshëm të cilin unë shijova. …

Po, dhe tani vër re, O biri im, Zoti më jep një gëzim jashtëzakonisht të madh në frytin e punëve të mia;

Pasi për shkak të fjalës [ungjillit të Jezu Krishtit] që ai më dha, vër re, shumë kanë lindur nga Perëndia dhe kanë shijuar, sikurse kam shijuar unë” (Alma 36:20, 24–26).

Në një rast tjetër, Alma dëshmoi:

“Kjo është lavdia ime se ndoshta unë mund të jem një mjet në duart e Perëndisë, që të sjell ndonjë shpirt në pendim dhe ky është gëzimi im.

Dhe vini re, kur unë shoh shumë nga vëllezërit e mi me të vërtetë të penduar dhe duke ardhur te Zoti, Perëndia i tyre, atëherë është shpirti im i mbushur me gëzim” (Alma 29:9–10).

Alma vazhdoi të shpallte gëzimin e tejskajshëm që ndjeu kur të tjerët patën sukses në sjelljen e shpirtrave te Krishti:

“Por unë nuk gëzohem vetëm për suksesin tim, por gëzimi im është më i plotë, për shkak të suksesit të vëllezërve të mi [bijve të Mosias] që shkuan në tokën e Nefit.

Vini re, ata punuan jashtëzakonisht dhe sollën shumë fryte; dhe sa i madh do të jetë shpërblimi i tyre!

Tani, kur unë mendoj për suksesin e këtyre vëllezërve të mi, shpirti im rrëmbehet, madje aq shumë, sikurse të ishte i ndarë nga trupi, aq i madh është gëzimi im” (Alma 29:14–16).

Ne mund të gjejmë të njëjtin gëzim ndërsa i duam të tjerët me “dashuri[në] e pastër [të] Krishtit” (Moroni 7:47; shihni edhe vargun 48), ua tregojmë atyre të vërtetën e rivendosur dhe i ftojmë të mblidhen me popullin e besëlidhjes.

Pamja
Shpëtimtari në Gjetseman

O My Father [O Ati Im], nga Simon Dewey

Gëzim mes Fatkeqësisë

Nuk duhet të frikësohemi se sprovat dhe sfidat që hasim në mënyrë të pashmangshme në vdekshmëri do të na e pengojnë ose shkatërrojnë gëzimin tonë. Alma ishte një nga ata të cilët shërbimi vetëmohues për të tjerët i kushtoi shtrenjtë. Ai vuajti burgim, periudha të zgjatura urie dhe etje, rrahje, kërcënime për jetën dhe tallje e refuzim të përsëritur. E megjithatë, gjithçka u “përfshi … në gëzimin për Krishtin” (Alma 31:38). Ndoshta vuajtjet e Almës e bënë edhe më të madh gëzimin që pasoi.

Presidenti Nelson na kujton se ai gëzim luajti një rol në vuajtjen e Shpëtimtarit – pasi “për gëzimin që ishte përpara tij, [Ai] duroi kryqin” (Hebrenjve 12:2).

“Merreni me mend! Në mënyrë që të duronte përvojën më torturuese të duruar ndonjëherë në tokë, Shpëtimtari ynë u përqendrua te gëzimi!

Dhe cili qe gëzimi që ishte përpara Tij? Me siguri ai përfshiu gëzimin e pastrimit, shërimit dhe forcimit tonë; gëzimin e pagimit për mëkatet e të gjithë atyre që do të pendoheshin; gëzimin e bërjes së mundshme për mua dhe ju që të kthehemi në shtëpi – të pastër dhe të denjë – për të jetuar me Prindërit tanë Qiellorë dhe me familjet tona.

Nëse përqendrohemi te gëzimi që do të na vijë neve ose atyre që ne duam, çfarë mund të durojmë ne që tani për tani duket dërrmuese, e dhimbshme, e frikshme, e padrejtë ose thjesht e pamundshme?”2

Gëzimi jetëgjatë vjen duke duruar në ungjillin e Jezu Krishtit dhe duke i ndihmuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Gëzimi afatgjatë vjen ndërsa qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, u bindemi urdhërimeve të Tij dhe e marrim hirin e Shpëtimtarit. Në shtegun e ungjillit, ka gëzim përgjatë udhëtimit si dhe gëzim në fund. Ungjilli i Jezu Krishtit është shtegu i gëzimit të përditshëm.