Liahona
Lënia pas e Kulturës së Përditshme për të Gjetur “Mendjen e Krishtit”
Shkurt 2024


Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Lënia pas e Kulturës së Përditshme për të Gjetur “Mendjen e Krishtit”

Pavarësisht nga ditët e mrekullive dhe mësimdhënia e përshtatur, Jezusi i gjen dishepujt e Tij duke bërë fjalë. Jo shumë kohë më parë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni e pranuan ftesën e Jezusit për t’u bashkuar me Të në një mal të lartë ku së bashku ata shohin Moisiun dhe Elian ndërkohë që Jezusi shpërfytyrohet përpara tyre. Jezusi dhe këta nxënës të zgjedhur zbresin nga mali dhe gjejnë kaos, duke zbuluar se dishepujt e tjerë nuk kanë qenë në gjendje t’ia plotësojnë përgjërimin një babai plot ankth për ta shëruar birin e tij i cili është duke dhënë shpirt. Pasi e siguroi babanë, Jezusi shëron djalin e vogël dhe më pas, më vonë, veçmas i siguron dishepujt e Tij se ata mund të jenë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë, në qoftë se ia përkushtojnë më tërësisht vetveten “lutje[s] dhe agjërim[it]”1.

Pas gjithë kësaj, pasi kishin udhëtuar së bashku në Galile dhe mbërritën në Kapernaum, Jezusi i pyet nxënësit e Tij: “Për çfarë diskutonit ndërmjet jush rrugës?”2 Të këputur nga grindjet e parëndësishme që të përballeshin me Birin e mrekullueshëm të Njeriut, dishepujt e mbetur pa fjalë nuk arrijnë as të jenë në gjendje të pëshpëritin temën e debatit të tyre përgjatë udhës, domethënë se “cili ndër ta ishte më i madhi”3.

Ndonëse janë me Jezusin, këta dishepuj nuk arrijnë t’i përjetojnë mendimet e Tij apo t’i pasqyrojnë veprimet e Tij. Pa i qortuar, Jezusi ulet me qetësi, i thërret të dymbëdhjetët pranë Tij dhe shpjegon: “Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve”4. Atje në udhë, ajo që kualifikohej si “më i madhi” ishte dukur e qartë ose të paktën mjaft e qartë për t’i tërhequr dishepujt besnikë dhe ndjekës të Jezusit, në të njëjtin debat për të drejtën për të sunduar që i mundoi vëllezërit e Jozefit, Lamanin e Lemuelin dhe shumë të tjerë në shkrimet e shenjta dhe në jetën e përditshme5. Por teksa Jezusi e përqendron dritën e Tij në kontekstin e tyre, kushtet ndryshojnë. Ajo që u duk e rëndësishme, tashmë nuk ka më rëndësi dhe ajo që kishte qenë e padukshme, tashmë shkëlqen.

Duke u folur korintasve Pali pohon: “Besimi juaj të mos qëndrojë mbi … diturinë e kësaj [bote] dhe as të pushtetarëve të kësaj [bote], që nuk arri[jnë] asgjë … po mbi fuqinë e Perëndisë”6. Si përkrahës të Ungjillit të Rivendosur të Jezu Krishtit, ne e kuptojmë se “bot[a]” nuk është problemi në vetvete. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme përqafojnë “të gjithë të vërtetën që Perëndia ua përçon fëmijëve të Tij, qoftë e mësuar në një laborator shkencor ose e marrë nëpërmjet zbulesës së drejtpërdrejtë prej Tij”7. Sipas Nenit të 13-të të Besimit dhe këshillës së Palit, ne i besojmë si edhe i shpresojmë “të gjitha gjërat”.

Gjithsesi, ndërveprimi i Jezusit me dishepujt e Tij tregon se ne duhet ta shkëputim veten tonë nga hamendësimet e natyrshme që ta lejojmë Atë të na mësojë mënyra të reja të të qenit, të na mësojë një kulturë të re. “Njeriu natyror”, shpjegon Pali, “nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së [Perëndisë]; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë sepse ato gjykohen frymërisht. … Sepse kush e ka njohur mendjen e Zotit që [të] mund t[a] mësojë atë? Por ne kemi mendjen e Krishtit.”8

Në secilin brez, ne kemi profetë të gjallë që na udhërrëfejnë dhe na mësojnë se si ta shkëputim mendjen tonë nga e përditshmja dhe të “kemi mendjen e Krishtit”. Profeti ynë i gjallë sot, Presidenti Rasëll M. Nelson, bën pikërisht këtë gjë. Njerëzit që e dëgjojnë atë dhe e zbatojnë këshillën e tij, do të zbulojnë se ata i zhveshin sjelljet kufizuese dhe zhvillojnë mendjen e Krishtit teksa bëjnë paqe9, ruajnë hovin shpirtëror10, gjejnë kohë për Zotin11, frekuentojnë tempullin12, e lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre13, e dëgjojnë Atë14, pendohen15, kërkojnë dhe marrin zbulesë16, si dhe “mendojnë çelestialisht” (që në fakt “do të thotë të jenë mendjekontrolluar nga shpirti”)17. Ne gjejmë ripërtëritje të vetes dhe mendjes kur përfshihemi në punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit duke arritur ta njohim dhe ta duam Jezu Krishtin, të kujdesemi për nevojat e të tjerëve, t’i ftojmë të gjithë që ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit dhe të bëjmë punën për t’i bashkuar të gjithë fëmijët e Perëndisë për përjetësinë.

Shënime

  1. Marku 9:2–29.

  2. Marku 9:33.

  3. Marku 9:34.

  4. Marku 9:35.

  5. Shihni, p.sh., te Zanafilla 37; 2 Nefi 5:3.

  6. 1 Korintasve 2:5–6.

  7. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Çfarë Është e Vërtetë?”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2022 (theksimi i shtuar).

  8. 1 Korintasve 2:14, 16.

  9. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, konferenca e përgjithshme e prillit 2023.

  10. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, konferenca e përgjithshme e prillit 2022.

  11. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Gjeni Kohë për Zotin”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2021.

  12. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2021.

  13. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2020.

  14. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, konferenca e përgjithshme e prillit 2020.

  15. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, konferenca e përgjithshme e prillit 2019.

  16. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, konferenca e përgjithshme e prillit 2018.

  17. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Mendoni Çelestialisht!”, konferenca e përgjithshme e tetorit 2023.