Eja, Më Ndiq 2024
27 Maj – 2 Qershor: “Ata u Quajtën Populli i Perëndisë”. Mosia 25–28


“27 Maj – 2 Qershor: ‘Ata u Quajtën Populli i Perëndisë’. Mosia 25–28”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“27 Maj – 2 Qershor. Mosia 25–28”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Pamja
engjëlli u shfaqet Almës dhe bijve të Mosias

Conversion of Alma the Younger [Kthimi në Besim i Alma të Riut], nga Gary L. Kapp

27 Maj – 2 Qershor: “Ata u Quajtën Populli i Perëndisë”

Mosia 25–28

Pasi jetuan për gati tri breza në toka të veçuara, nefitët ishin sërish një popull i bashkuar. Populli i Limhit, populli i Almës dhe populli i Mosias, madje edhe populli i Zarahemlës, të cilët nuk ishin me prejardhje nga Nefi, të gjithë tani u “numër[uan] me [n]efitët” (Mosia 25:13). Shumë prej tyre gjithashtu donin të bëheshin anëtarë të Kishës së Zotit, sikurse ishte bërë populli i Almës. Kështu që, të gjithë ata që “kishin dëshirë të merrnin mbi vete emrin e Krishtit”, u pagëzuan “dhe ata u quajtën populli i Perëndisë” (Mosia 25:23–24). Pas vitesh konflikti dhe robërie, dukej se nefitët më në fund do të gëzonin një periudhë paqeje.

Por pa kaluar shumë kohë, jobesimtarët filluan t’i përndiqnin shenjtorët. Ajo çfarë e bëri këtë gjë veçanërisht copëtuese për zemrën, ishte që shumë prej këtyre jobesimtarëve ishin vetë fëmijët e besimtarëve, “brezi i ri” (Mosia 26:1), përfshirë bijtë e Mosias dhe njërin bir të Almës. Rrëfimi tregon për një vizitë të mrekullueshme nga një engjëll. Por mrekullia e vërtetë e kësaj ndodhie nuk është vetëm shfaqja e engjëjve para bijve që kishin shkuar në udhë të gabuar. Kthimi në besim është një mrekulli që, në një mënyrë apo një tjetër, është e nevojshme të ndodhë brenda të gjithëve ne.

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Mosia 26:1–6

Unë mund t’i ndihmoj të tjerët të vijnë te Jezu Krishti.

Kthimi në besim është vetjak, ai nuk mund të kalohet si një trashëgimi te fëmijët e dikujt. Teksa lexoni te Mosia 26:1–6, përsiatni arsye të mundshme pse “brezi i ri” u largua dhe vërini re pasojat e mosbesimit të tyre. Gjithashtu mund të mendoni rreth njerëzve të cilët dëshironi që të mund t’i sillnit te Krishti. Gjatë gjithë studimit tuaj të kapitujve te Mosia 25–28, Shpirti mund t’ju pëshpëritë gjëra që mund t’i bëni për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë besim te Jezu Krishti.

Mosia 26:6–39

Shërbëtorët besnikë të Perëndisë përpiqen të bëjnë vullnetin e Tij.

Ndonjëherë mund të mendojmë se një udhëheqës i Kishës si Alma e di përherë me saktësi se çfarë duhet bërë. Te Mosia 26 lexojmë për një problem në Kishë me të cilin Alma nuk qe përballur asnjëherë. Çfarë bëri Alma në këtë situatë? (Shihni te Mosia 26:13–14, 33–34, 38–39.) Çfarë ju sugjeron përvoja e Almës rreth mënyrës se si mund t’i trajtoni problemet e vështira në familjen tuaj apo në shërbimin tuaj në Kishë?

Çfarë i mësoi Zoti Almës te Mosia 26:15–32? Vini re se disa prej përgjigjeve të Zotit nuk ishin përgjigje të drejtpërdrejta ndaj pyetjes së Almës. Çfarë sugjeron kjo rreth lutjes dhe marrjes së zbulesës vetjake?

Parimet janë të përjetshme. Merreni parasysh se si historitë dhe mësimet në shkrimet e shenjta gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, ju mund ta pyetni veten: “Çfarë përvojash kam pasur që janë të ngjashme me të Almës?” ose “Çfarë të vërtetash, nga ato që dha mësim Alma, mund të më ndihmojnë?”

Mosia 26:15–31

Perëndia më fal lirisht kur pendohem dhe i fal të tjerët.

Pendimi dhe falja janë tema të përsëritura te Mosia 26–27. Kërkoni fjalë dhe fraza që na mësojnë rreth pendimit dhe faljes te Mosia 26:22–24, 29–31; 27:23–37.

Disa njerëz mund të pyetin veten a i fal Perëndia me të vërtetë ata. Si e imagjinoni se do ta këshillonte Alma Plaku një anëtar të Kishës në Zarahemla që e kishte atë shqetësim? Çfarë mësoi Alma nga Zoti te Mosia 26:15–31 që mund ta ndihmonte këtë anëtar të Kishës? (Shihni edhe te Moroni 6:8; Doktrina e Besëlidhje 19:16–18; 58:42–43).

Mosia 27:8–37; 28:1–4

Pamja
ikona e seminarit
Nëpërmjet Jezu Krishtit, mund të ndryshoj për mirë.

Ishte e dukshme që Alma i Riu kishte nevojë për një rilindje shpirtërore. Ai dhe bijtë e Mosias qenë “mëkatarët më të urryer” (Mosia 28:4). Por shpejt pas kthimit të tij në besim, Alma dëshmoi se kthimi në besim është thelbësor për gjithkënd: “Mos u mrekullo”, – tha ai “se i gjithë njerëzimi … duhet të lind[ë] rishtas” (Mosia 27:25; theksimi i shtuar).

Teksa lexoni rreth përvojës së Almës te Mosia 27:8–37, merrni parasysh ta vendosni veten tuaj në këtë tregim. A mund të mendoni për gjërat te vetja që nevojitet t’i ndryshoni? Kush, ashtu sikurse ati i Almës, mund të jetë duke u lutur për ju “me besim të madh”? Cilat përvoja kanë qenë të dobishme për t’ju “bind[ur] … për fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë”? (Mosia 27:14.) Çfarë “gjëra[sh] të mëdha” ka bërë Zoti për ju ose familjen tuaj që ju duhet t’i “kujto[ni]”? (Mosia 27:16.) Çfarë mësoni nga fjalët dhe veprimet e Alma të Riut për kuptimin e lindjes rishtas? Çfarë shembujsh keni parë?

Ndaluni një çast për të shënuar disa nga mënyrat se si Shpëtimtari po ju ndihmon të ndryshoni ose të lindeni rishtas, edhe nëse përvojat tuaja nuk janë aq dramatike ose të befta sa të Almës. A ka një himn që mund ta këndoni ose ta dëgjoni që i shpreh ndjenjat tuaja, si “Qëndroj Plot Habi”? (Himne, nr. 113.) Kush mund të ketë dobi nga të dëgjuarit e përvojave tuaja?

Plaku Dejvid A. Bednar e krahasoi lindjen rishtas me procesin e kthimit të trangullit në turshi (shihni “Duhet të Lindni Sërish”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 19–23). Çfarë ju mëson ky krahasim për kthimin në besim?

Shihni edhe Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Become like Jesus Christ” [“Të Bërit si Jezu Krishti”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Alma Testifies He Has Been Born of God” [“Alma Dëshmon që Ka Lindur nga Perëndia”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Mosia 27:8–24

Perëndia i dëgjon lutjet e mia dhe do t’u përgjigjet atyre sipas vullnetit dhe kohës së Tij.

Ndoshta ju keni qenë në situatën e Alma Plakut me një pjesëtar të familjes që po bën zgjedhje shkatërruese. Çfarë gjeni te Mosia 27:8–24 që ju jep shpresë? Si mund të ndikojnë këto vargje te lutjet tuaja në emër të të tjerëve?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Mosia 26:30–31

Zoti do që unë të fal.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të zbulojnë atë që i mësoi Zoti Almës për faljen, mund t’i ftoni ata të lexojnë te Mosia 26:29–31 dhe të numërojnë sa herë shfaqen fjalët falësh/fal/falni. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth faljes së të tjerëve? (Shihni edhe “Ndihmom’, At’ i Dashur”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 52.)

  • Për të theksuar shembullin e Shpëtimtarit për faljen, mund t’u tregoni një figurë të Tijën në kryq dhe të lexoni së bashku te Lluka 23:33–34. Çfarë i kërkoi Jezusi Atit Qiellor që të bënte për njerëzit që e vunë Atë në kryq? Pas këtij diskutimi, fëmijët tuaj mund të interpretojnë me role faljen e njëri-tjetrit.

  • Nganjëherë është e vështirë ta falim veten kur bëjmë gabime. Si mund të ndihmojnë fjalët e Perëndisë drejtuar Almës? Fëmijët tuaj mund të bëjnë sikur po flasin me dikë i cili apo e cila nuk mendon se Perëndia do ta falë ndonjëherë. Ftojini fëmijët tuaj të gjejnë diçka te Mosia 26:22–23, 29–30 që mund ta ndihmojë atë person.

Mosia 27:8–37

Jezu Krishti më ndihmon të bëhem më shumë si Ai.

  • Kthimi në besim i Alma të Riut dhe i bijve të Mosias mund t’u tregojë fëmijëve tuaj që, me fuqinë e Shpëtimtarit, çdokush mund të ndryshojë. Ju ose fëmijët tuaj mund të përdorin pikturat në këtë përvijim, faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe disa shkrime të shenjta kyç nga Mosia 27:8–37 për të treguar historinë (shihni edhe pjesën “Kapitulli 18: Alma i Riu Pendohet”, tek Tregime të Librit të Mormonit, f. 49–52). Jepini theks të veçantë vargut 24, për të dhënë mësim se Alma u pendua dhe Jezu Krishti e ndihmoi atë të ndryshonte. Lërini fëmijët ta luajnë me role historinë nëse u pëlqen.

Pamja
Alma i Riu të cilin po e mbajnë në krahë deri në shtëpinë e atit të tij

His Father Rejoiced [Ati i Tij u Gëzua], nga Walter Rane

Mosia 27:8–24

Unë mund të lutem dhe të agjëroj që Perëndia t’i bekojë njerëzit që dua.

  • Lexoni së bashku te Mosia 27:8–24 dhe kërkojuni fëmijëve tuaj të përcaktojnë se çfarë bënë Alma dhe populli i tij për ta ndihmuar Alma të Riun. A keni agjëruar dhe a jeni lutur ndonjëherë për dikë? Tregojuani përvojën fëmijëve tuaj dhe lërini ata të tregojnë të veten.

  • A njihni ju ose fëmijët tuaj dikë që ka nevojë për ndihmën e Perëndisë? Duke ndjekur shembullin e Almës, mbase mund të luteni së bashku për atë person dhe, nëse fëmijët tuaj janë në gjendje, edhe të agjëroni për të.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
engjëlli i shfaqet Alma të Riut

Ilustrim i një engjëlli teksa i shfaqet Alma të Riut, nga Kevin Keele