Eja, Më Ndiq 2024
3–9 Qershor: “Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm”. Mosia 29 – Alma 4


“3–9 Qershor: ‘Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm’. Mosia 29 – Alma 4”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“3–9 Qershor. Mosia 29 – Alma 4”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Pamja
Alma i Riu duke predikuar

Alma the Younger Preaching [Alma i Riu Duke Predikuar], nga Gary L. Kapp

3–9 Qershor: “Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm”

Mosia 29Alma 4

Disa njerëz mund ta shohin sugjerimin e mbretit Mosia për t’i zëvendësuar mbretërit me gjykatës të zgjedhur thjesht si një reformë të zgjuar politike. Por për nefitët, veçanërisht për ata që jetuan nën sundimin e mbretit të lig Noe, ky ndryshim kishte gjithashtu domethënie shpirtërore. Ata e kishin parë se si një mbret i padrejtë kishte ndikuar te populli i tij dhe ata po “pritnin me padurim” të ishin të lirë nga një ndikim i tillë. Ky ndryshim do t’i lejonte ata të ishin përgjegjës për drejtësinë e tyre vetjake dhe të “përgjigje[shin] për mëkatet e [tyre]” (Mosia 29:38).

Sigurisht, mbarimi i sundimit të mbretërve nuk do të thoshte mbarimi i problemeve në shoqërinë nefite. Njerëz dinakë si Nehori dhe Amlici përhapën ide të rreme, jobesimtarët i përndoqën shenjtorët dhe shumë anëtarë të Kishës u bënë krenarë dhe u larguan nga Kisha. Prapëseprapë, “pasues[it e] përulur të Perëndisë” mbetën “të paepur dhe të palëvizshëm” pavarësisht nga ajo që ndodhte përreth tyre (Alma 4:15; 1:25).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Mosia 29:26–27; Alma 2:1–7

Unë mund të kem një ndikim pozitiv në komunitetin tim.

Vetëm pas pesë vjetësh në mbretërimin e gjykatësve, nisi një krizë që do ta vinte në provë deklaratën e Mosias që zëri i popullit zakonisht do të zgjidhte atë që ishte e drejtë (shihni te Mosia 29:26). Studiojini vargjet tek Alma 2:1–7 për të zbuluar se cila ishte çështja dhe çfarë bënë nefitët në lidhje me të. Çfarë mund të kishte ndodhur nëse “njerëzit e kishës” nuk do të kishin bërë që zërat e tyre të dëgjoheshin? Çfarë tjetër mësoni nga ky rrëfim rreth mënyrës se si Zoti do që të përfshiheni në komunitetin tuaj? (Shihni edhe te Mosia 29:26–27.)

Cilat janë çështjet e rëndësishme me të cilat po përballet komuniteti juaj? Merreni parasysh se si vetë ju, ashtu si nefitët, mund të siguroheni që zëri juaj të përfshihet në “zëri[n e] popullit”. Në çfarë mënyrash të tjera ju, si pasues i Jezu Krishtit, mund të ndikoni për mirë në komunitetin tuaj?

Shihni edhe te Dallin H. Ouks, “Duajini Armiqtë Tuaj”, Liahona, nëntor 2020, f. 26–29.

Alma 1

Fjala e Perëndisë mund të më ndihmojë ta dalloj doktrinën e rreme.

Ndonëse Nehori përfundimisht rrëfeu se ajo që dha mësim ishte e rreme, mësimet e tij vazhduan të kishin ndikim te nefitët për shumë vjet. Si mendoni, pse njerëzve u pëlqeu ajo që dha mësim Nehori? Tek Alma 1:2–6, kërkojini gënjeshtrat te mësimet e Nehorit dhe të vërtetat që ai përdori për t’i fshehur ato gënjeshtra.

Gideoni iu kundërvu Nehorit “me fjalët e Perëndisë” (Alma 1:7, 9). Ja disa shkrime të shenjta që i përgënjeshtrojnë të pavërtetat e Nehorit: Mateu 7:21–23; 2 Nefi 26:29–31; Mosia 18:24–26 dhe Helamani 12:25–26. Përpiquni ta përmblidhni secilin fragment të shkrimeve të shenjta. Çfarë keni mësuar nga profetët e gjallë që i përgënjeshtrojnë mësimet e rreme në kohën tonë?

Alma 1:19–31; 4:6–15

Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë “pasues të përulur të Perëndisë”.

Kapitujt 1 dhe 4 të Almës përshkruajnë periudha kohore kur Kisha përparoi, por anëtarët e Kishës, në secilin rast, reaguan ndryshe ndaj asaj begatie. Për shembull, krahasojini vargjet tek Alma 1:19–30 me ato tek Alma 4:6–15 për të parë se si ndryshuan anëtarët e Kishës veç për pak vjet. Bazuar tek ajo që keni lexuar, si ndihen pasuesit e vërtetë të Jezu Krishtit rreth njerëzve që kanë bindje të ndryshme? Çfarë qëndrimi kanë pasuesit e vërtetë të Krishtit kundrejt pasurive dhe begatisë? Çfarë ndiheni të frymëzuar të ndryshoni në vetë qëndrimin tuaj?

Përshtatini shkrimet e shenjta për veten tuaj. Merreni parasysh mënyrën se si historitë dhe mësimet e shkrimeve të shenjta gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, mund të gjeni ngjashmëri ndërmjet problemeve që vini re sot dhe problemeve me të cilat u përballën nefitët tek Alma 1–4.

Alma 4:6–20

Pamja
ikona e seminarit
Shembulli dhe dëshmia ime mund të ndryshojnë zemrat.

Ndoshta mund ta gjeni veten tek trishtimi që ndjeu Alma kur pa atë që po ndodhte mes popullit të tij. Kërkojini problemet që pa ai tek Alma 4:6–15. A keni vënë re ndonjë problem të ngjashëm? Ndoshta shqetësoheni për një njeri të dashur që lufton me këto probleme. A e keni pyetur veten se çfarë mundeni të bëni për të ndihmuar?

Disa mund të thonë se Alma, si kryegjykatësi, ishte personi më i duhur për t’i zgjidhur këto probleme. Por Alma mendoi se kishte një mënyrë më të mirë. Teksa i lexoni vargjet 16–20, çfarë ju bën përshtypje nga qasja e tij për ta ndihmuar popullin e vet?

Alma kishte besim të madh në fjalën e Perëndisë dhe “dëshmi të kulluar” (vargu 19). Çfarë shembujsh keni parë për fuqinë e dëshmisë së kulluar? Ndërsa përsiatni mënyra të ndryshme se si mund ta jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, mund të rilexoni vargjet tek Alma 4:6–14. Çfarë nxjerrin në pah veprimet e anëtarëve të Kishës në këto vargje rreth dëshmive të tyre për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij? Çfarë vini re për rrjedhojën e veprimeve të tyre te vetja dhe tek të tjerët? Mund të mendoni edhe për mënyrat se si jeni bekuar nga dëshmia e kulluar e njerëzve të tjerë, qoftë nëse ajo u dha nëpërmjet fjalëve apo veprimeve.

Mendoni për mënyrat se si mund ta jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin me fjalë ose veprime. Kush do të kishte dobi nga dëshmia juaj?

Shihni edhe te Geri E. Stivenson, “Të Ushqyerit e Dëshmisë Suaj dhe Dhënia e Dëshmisë Suaj”, Liahona, nëntor 2022, f. 111–114; “Dëshmia”, Himne, nr. 75; “Alma the Younger Steps Down as Chief Judge” [“Alma i Riu Jep Dorëheqjen si Kryegjykatës”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Revelation” [“Zbulesë”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Alma 1:2–9

Zoti mund të më ndihmojë t’i dalloj mësimet e rreme.

  • Një mënyrë për t’i studiuar vargjet tek Alma 1:2–4 me fëmijët tuaj është t’i ndihmoni ata të krijojnë një pyetësor “E vërtetë apo e rreme” duke përdorur pohimet e dhëna mësim nga Nehori, një mësues i rremë. Më pas mund të bisedoni me ta rreth arsyes pse Satani shpesh i ndërthur të vërtetat me të pavërtetat. Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë disa shembuj. Në vargjet 7–9, si u bëri ballë Gideoni gënjeshtrave të Nehorit? (Shihni edhe te “Kapitulli 20: Alma dhe Nehori”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 54–55.)

Alma 1:19–25

Si anëtar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit, unë i dua të tjerët dhe u shërbej atyre.

  • Disa anëtarë të Kishës së Zotit në kohën e Almës ishin bujarë e zemërgjerë dhe disa të tjerë ishin të pasjellshëm e krenarë. Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mësojnë nga këto përvoja, mund të lexoni së bashku tek Alma 1:27, 30 dhe të bëni një listë me llojet e njerëzve që i ndihmuan anëtarët e Kishës së Zotit. Kë njohim që mund të “[jetë] në nevojë” (Alma 1:30) për dashurinë dhe ndihmën tonë? Mund edhe të këndoni së bashku një këngë rreth dashurisë dhe shërbimit, të tillë si “Mir’sia Fillon tek Ti” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 83), dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për veprime që mund të përshtaten me këngën.

  • Çfarë duhet të bëjmë kur njerëzit janë të pasjellshëm me ne? Merreni parasysh të lexoni me fëmijët tuaj se si trajtoheshin pasuesit e Krishtit tek Alma 1:19–20. Bisedoni rreth mënyrës se si reaguan ata në vargjet 22 dhe 25. Ndoshta ju mund të ushtroni mënyra se si të përgjigjeni kur të tjerët janë të pasjellshëm.

Alma 4:8–20

Dëshmia ime mund t’i forcojë të tjerët.

  • Shpesh “dëshmi[a e] kulluar” (Alma 4:19) e një fëmije mund të ketë ndikim të fuqishëm tek të tjerët. Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta zbulojnë këtë, mund të lexoni me ta tek Alma 4:8–12, 15, duke i ndihmuar të përcaktojnë problemet që po ndodhnin në Kishë. Çfarë mund të bënte Alma për t’i zgjidhur këto probleme? Ndihmojini ata të zbulojnë atë që vendosi të bënte Alma tek Alma 4:16–20. Ndoshta mund t’i tregoni njëri-tjetrit se si ju ka forcuar dëshmia e dikujt tjetër për Krishtin.

  • Nëse fëmijët tuaj kanë nevojë për shembuj se çfarë është një dëshmi, merreni parasysh të shfaqni një pjesë filmike të një folësi në konferencën e përgjithshme duke dhënë dëshmi. Mund të përdorni gjithashtu faqen e veprimtarisë së kësaj jave ose të këndoni së bashku një këngë si “Dëshmia” (Himne, nr. 75). Çfarë mësojmë rreth dëshmive nga këto burime? Lërini fëmijët tuaj të ushtrohen për të dhënë dëshminë e tyre.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
nefitët duke luftuar me amlicitët

Alma and Amlici [Alma dhe Amlici], nga Scott M. Snow