Eja, Më Ndiq
18–24 Nëntor. Jakob [Bibël]: ‘Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues’


“18–24 Nëntor. Jakob [Bibël]: ‘Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)

“18–24 Nëntor. Jakob [Bibël]”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019

Pamja
Abrahami duke u lutur jashtë tendës së vet

Abrahami në Rrafshinat e Mamresë, nga Grant Romney Clawson

18–24 Nëntor

Jakob [Bibël]

“Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues”

Letra drejtuar Jakobit përmban shumë të vërteta që mund t’i bekojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim. Ndiqeni Shpirtin që të përcaktoni cilat të vërteta do t’u tregoni atyre. Idetë në këtë përvijim gjithashtu mund të ndihmojnë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të flasin për një parim të ungjillit që e mbajnë mend nga mësimi me familjen e tyre gjatë javës së shkuar ose nga ora e tyre e mësimit në Fillore të dielën e shkuar. Pasi tregon secili fëmijë, ftojeni një fëmijë tjetër në klasë që të përmbledhë atë që u tha.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Vegjël

Jakob [Bibël] 1:5–6

Unë mund t’i kërkoj Atit Qiellor të më ndihmojë të mësoj atë që është e vërtetë.

Ndihmojini fëmijët të cilëve u jepni mësim, ta kuptojnë se ata mund të drejtohen tek Ati Qiellor për urtësi. Kjo do t’i bekojë shumë kur ata të përballen me pyetje të vështira.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë frazën: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia” (Jakob [Bibël] 1:5). Si i bëjmë pyetje Perëndisë? A na përgjigjet Ai?

  • Paraqitni një figurë të Vegimit të Parë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 90) dhe tregoni se si leximi i Jakobit [Bibël] 1:5 e nxiti Jozef Smithin që t’i kërkonte Atit Qiellor ta ndihmonte për një pyetje (shih Joseph Smith – Historia 1:1–15). Jepni dëshminë tuaj që Perëndia u përgjigjet pyetjeve dhe dëshmoni se fëmijët mund t’i luten Atij kur të kenë pyetje. Lejojini fëmijët të bëjnë vizatimet e tyre për Jozef Smithin duke lexuar Jakobin [Bibël] 1:5 dhe duke iu lutur Atit Qiellor.

Jakob [Bibël] 3:1–13

Unë mund të them gjëra të mira.

Siç dëshmoi Jakobi, kur mësojmë të themi vetëm gjëra të mira për të tjerët, kjo do të na ndihmojë të bëhemi si Jezu Krishti (shih Jakob [Bibël] 3:2).

Veprimtari të Mundshme

  • Sillni diçka të ëmbël dhe diçka të thartë që ta shijojnë fëmijët. Ndihmojini të kuptojnë se ne duhet ta përdorim gjuhën tonë që të themi gjëra të ëmbla (ose të mira) dhe të mos themi gjëra të tharta (ose jo të mira) (shih Jakob [Bibël] 3:10). Ndihmojini të mendojnë për shembuj të gjërave të mira që mund t’ua themi të tjerëve.

  • Jepini secilit fëmijë një vizatim të thjeshtë të një njeriu duke folur. Ftojini fëmijët ta ngrenë lart kur ju thoni diçka të mirë që mund ta bëjmë me gjuhën tonë (të tilla si të themi të vërtetën, të japim përgëzime dhe t’i ofrojmë ndihmë dikujt) dhe ta ulin poshtë kur ju thoni diçka që nuk duhet ta bëjmë me gjuhën tonë (të tilla si të themi gënjeshtra, të përdorim fjalë fyese për njerëzit e tjerë dhe të mos pranojmë që t’i bindemi një prindi).

  • Përforcojeni mesazhin e Jakobit [Bibël] 3:1–13 duke kënduar së bashku një këngë rreth të qenit të mirë, të tillë si “Kindness Begins with Me” [“Mir’sia Fillon tek Ti”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 145). Sugjeroni që fëmijët të bëjnë një “enë mirësie” që mund ta mbushin me guralecë ose sende të tjera të vogla sa herë që thonë diçka të mirë për dikë.

Jakob [Bibël] 5:7–11

Disa nga bekimet e Perëndisë kërkojnë durim.

Durimi nuk vjen gjithmonë në mënyrë të natyrshme, veçanërisht për fëmijët. Merreni parasysh se si mund ta përdorni këshillën e Jakobit që t’i ndihmoni të mësojnë të kenë durim fëmijët të cilëve u jepni mësim.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për raste kur iu është dashur të presin për diçka që vërtet e dëshironin. Shpjegoni se pritja pa u ankuar për diçka që e dëshirojmë, do të thotë që ne jemi të durueshëm.

  • Përmblidhni me fjalët tuaja Jakobin [Bibël] 5:7 dhe paraqitni një figurë të një fare ose një filizi. Përse na nevojitet durim kur rritim bimë? Çfarë do të ndodhte nëse do të përpiqeshim ta tërhiqnim filizin që ta bënim të rritej më shpejt? Dëshmoni se Perëndia ka shumë bekime për ne, por disa prej tyre kërkojnë durim.

  • Tregoni historinë e Jobit, i cili përmendet te Jakobi [Bibël] 5:11 si shembull durimi (shih “Kapitulli 46: Jobi” Old Testament Stories [Tregime nga Dhiata e Vjetër], f. 165–169 ose materialin filmik përkatës te LDS.org). Si u bekua Jobi ngaqë ishte i duruar?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Mëdhenj

Jakob [Bibël] 1:5–6

Ati Qiellor do të më ndihmojë ta mësoj të vërtetën nëse e kërkoj ndihmën e Tij.

Edhe pse mund të duken të vegjël fëmijët të cilëve u jepni mësim, ata janë vetëm pak vite më të vegjël nga ç’ishte Jozef Smithi kur lexoi Jakobin [Bibël] 1:5 dhe u frymëzua që t’i drejtohej Atit Qiellor në lutje. Merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta formojnë besimin e tyre se Perëndia do t’i ndihmojë kur u mungon urtësia.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë historinë e Vegimit të Parë të Jozef Smithit me fjalët e veta (shih Joseph Smith – Historia 1:5–19; shihni edhe materialin filmik “Joseph Smith’s First Vision” [“Vegimi i Parë i Jozef Smithit”] te LDS.org). Si e ndihmoi Jozefin vargu te Jakobi [Bibël] 1:5? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për shembuj të njerëzve të tjerë në shkrimet e shenjta të cilët morën përgjigje për lutjet e tyre (të tillë si Nefi [1 Nefi 11:1–6] dhe vëllai i Jaredit [Ethëri 2:18–3:9]). Cilat janë disa gjëra që mund t’ia kërkojmë Atit Qiellor në lutje?

  • Lexoni me fëmijët Joseph Smith – Historinë 1:10–14. Ftojini fëmijët të gjejnë gjëra që i bëri Jozefi që të merrte përgjigje për pyetjet e tij. Si mund ta ndjekim shembullin e Jozef Smithit kur kemi pyetje?

Jakob [Bibël] 1:22–27; 2:14–26

“Besimi pa vepra është i vdekur.”

Si do t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë lidhjen midis asaj që besojnë dhe asaj që bëjnë?

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqituni fëmijëve një elektrik dore pa bateri, një laps pa majën që shkruan, ose diçka tjetër që është e papërdorshme ose e “vdekur”. Vërini fëmijët të lexojnë Jakobin [Bibël] 2:14–17. Si e ilustrojnë këto sende të vërtetën në këto vargje?

  • Ftojini fëmijët të lexojnë në heshtje Jakobin [Bibël] 1:22–27; 2:14–26. Më pas ftojini të tregojnë se çfarë do të bënin që të tregonin se janë bërës të fjalës. Për shembull, a njohin dikë që është i sëmurë apo i vetmuar që mund ta vizitojnë, ose a mund të marrin zotim që t’u shërbejnë më shumë familjeve të tyre? Ju mund t’u kujtoni gjithashtu fjalë që mund t’i kenë dëgjuar në mbledhjen e sakramentit sot. Si mund të jemi bërës të këtyre fjalëve?

Jakob [Bibël] 3:1–13

Unë mund t’i kontrolloj fjalët që them.

Fjalët që i themi njëri‑tjetrit mund të mos duken të rëndësishme, por, sikurse dëshmoi Jakobi, ato mund të kenë ndikim të fuqishëm, për mirë ose për keq.

Veprimtari të Mundshme

  • A ka ndonjë njeri në lagjen tuaj të kishës, ndoshta njëri prej fëmijëve të cilëve u jepni mësim, që ka punuar me kuaj ose di diçka për anijet? Ju mund ta ftoni atë që të japë ide rreth mësimeve të Jakobit te Jakobi [Bibël] 3:3–4 për përdorimin e fjalëve të mira ose jepni disa prej vetë ideve tuaja. Çfarë mësojmë rreth kontrollit të gjuhës sonë nga këta shembuj?

  • Ftojini fëmijët ta lexojnë Jakobin [Bibël] 3:1–13 dhe të bëjnë një vizatim të diçkaje që e gjejnë, e cila u mëson rreth kontrollimit të gjuhës së tyre. Jepuni kohë për figurat e tyre dhe për atë që mësuan.

  • Pas shqyrtimit së bashku të Jakobit [Bibël] 3:1–13, rishikoni standardet për gjuhën te broshura Për Forcën e Rinisë (f. 20–21). Ndihmojini fëmijët të mendojnë për diçka që mund të bëjnë për ta përmirësuar mënyrën se si flasin për të tjerët dhe nxitini të caktojnë synime vetjake.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’i luten Atit Qiellor me një pyetje ose të përpiqen që të jenë më të duruar gjatë javës së ardhshme. Kërkojuni ta tregojnë përvojën e tyre në orën e ardhshme mësimore.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët të jenë aktivë. “Teksa u jepni mësim fëmijëve, lejojini të ndërtojnë, vizatojnë, ngjyrosin, shkruajnë dhe krijojnë. Këto gjëra janë më shumë sesa veprimtari argëtuese – ato janë thelbësore për të mësuarin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).