Eja, Më Ndiq
24–30 Qershor. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21: ‘U Ringjall’


“24–30 Qershor. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21: ‘U Ringjall’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“24–30 Qershor. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Jezusi duke folur me Pjetrin

Ushqeji Delet e Mia, nga Kamille Corry

24–30 Qershor

Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21

“U Ringjall”

Përpara se t’i shqyrtoni idetë e mësimdhënies në këtë përvijim të mësimit, lexoni Mateun 28; Markun 16; Llukën 24 dhe Gjonin 20–21, si dhe përsiatni se si mund të përdoren këta kapituj për ta forcuar besimin e atyre të cilëve u jepni mësim.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të tregojnë atë që e mësuan në studimin e tyre vetjak dhe familjar, kërkojuni të shkruajnë një të vërtetë nga pjesa e caktuar për lexim e kësaj jave, për të cilën mendojnë se duhet t’ia tregojnë “mbarë botë[s]” (shih Marku 16:15). Në fund të orës mësimore, pyetini nëse gjetën ndonjë të vërtetë shtesë të cilën do të donin ta tregonin.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20

Ngaqë Jezusi u ringjall, edhe ne do të ringjallemi.

  • Për t’u dhënë mundësinë sa më shumë njerëzve që është e mundur për të treguar çfarë kanë mësuar rreth Ringjalljes, ju mund t’u jepni anëtarëve të klasës disa minuta që ta rishikojnë detyrën e caktuar për lexim këtë javë dhe pjesën “Ringjallje” në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta dhe të shkruajnë të vërteta që i mësuan rreth Ringjalljes. Lejojini të tregojnë atë që shkruan dhe nxitini anëtarët e klasës që të ngrenë duart kur dëgjojnë se dikush po thotë një të vërtetë që është e ngjashme me atë që shkruan ata. Përse janë këto të vërteta të rëndësishme për ne? Në ç’mënyrë dija se ne do të ringjallemi, i ndikon ndjenjat tona ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Shfaqja e materialit filmik muzikor “He Is Risen” [“U Ringjall”] (LDS.org) mund të ndihmojë që ta ftojmë Shpirtin në këtë diskutim.

Lluka 24:13–35

Ne mund ta ftojmë Shpëtimtarin që të “rri[jë] me ne”.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të kuptojnë lidhjet midis përvojave të tyre dhe përvojës së dishepujve në udhën për në Emaus, vizatoni një rrugë në tabelë dhe ftojini anëtarët e klasës të shkruajnë hollësi nga tregimi te Lluka 24:13–35 në njërën anë të rrugës. Më pas, në anën tjetër të rrugës, ata mund të shkruajnë ngjashmëri që i shohin në vetë përvojat e tyre si pasues të Jezu Krishtit. Për shembull, ata mund të shkruajnë Sytë e tyre ishin të penguar (Lluka 24:16) në njërën anë të rrugës dhe Ne nganjëherë nuk e kuptojmë ndikimin e Zotit në jetën tonë në anën tjetër.

  • Ka dy himne që bazohen te Lluka 24:13–35: “Me Mua Rri; Ësht’ Muzg Tani” dhe “Me Mua Rri!” Himne, nr. 93, 94. Si mund t’i përdorni këto himne për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të gjejnë domethënie më të madhe te rrëfimi i shkrimit të shenjtë?

Mateu 28:16–20; Marku 16:14–20; Lluka 24:44–53

Ne urdhërohemi që t’ia predikojnë ungjillin të gjithë botës.

  • Urdhërimi që Shpëtimtari i ringjallur ua dha Apostujve të Tij për ta predikuar ungjillin e Tij, mund të gjejë zbatim edhe te ne sot. Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që ta kuptojnë rolin e tyre në predikimin e ungjillit? Ndoshta ju mund t’i ftoni ata të përfytyrojnë se po i jepnin këshillë një pjesëtari të familjes ose një shoku apo shoqeje që është gati të largohet për një mision kohëplotë. Çfarë do t’i thoshim prej fjalëve të Shpëtimtarit të thëna Apostujve të Tij? Si mund t’i zbatojmë po të njëjtat fjalë në përpjekjet tona për ta shpërndarë ungjillin tek të tjerët?

Gjoni 20:19–28

“Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!”

  • Ju mund të keni anëtarë të klasës që ndihen si Thomai, të cilët dëshiruan ta shihnin Zotin e ringjallur përpara se të besonin. Klasa juaj e Shkollës të së Dielës mund të jetë një vend për anëtarët e klasës që ta forcojnë besimin e njëri-tjetrit në gjëra që nuk mund t’i shohin. Ndoshta ju mund ta filloni duke i kërkuar dikujt që ta përmbledhë përvojën e Thomait te Gjoni 20:19–28. Ju gjithashtu mund të shihni materialin filmik “Blessed Are They That Have Not Seen, and Yet Have Believed” [“Lum Ata që Nuk Kanë Parë dhe Kanë Besuar”] (LDS.org). Anëtarët e klasës mund të renditin në tabelë disa gjëra që Perëndia na i kërkon t’i besojmë pa i parë. Më pas ju mund t’u kërkoni atyre që të tregojnë përvoja të cilat i kanë forcuar dëshmitë e tyre për këto gjëra. Çfarë bekimesh u kanë ardhur anëtarëve të klasës teksa kanë ushtruar besim?

Pamja
Krishti u shfaqet Apostujve

Jezusi e mësoi Thomanë: “Mos ji mosbesues, por besues!” (Gjoni 20:27)

Gjoni 21:3–17

Shpëtimtari na fton t’i ushqejmë delet e Tij.

  • Çfarë mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj për ta pranuar ftesën e Shpëtimtarit që t’i “kulloti[n] delet e [Tij]”? Ju mund të filloni duke i ftuar ta lexojnë në heshtje Gjonin 21:15–17, duke e zëvendësuar emrin e Simonit me vetë emrin e tyre dhe “qengjat e mi” dhe “delet e mia” me emrat e njerëzve që e ndiejnë se Zoti dëshiron që ata t’u shërbejnë – për shembull, njerëzve që u bëjnë mësimin e shtëpisë ose vizitat mësimore, fqinjëve apo njerëzve që i njohin nga puna ose shkolla. Pas disa minutash, anëtarët e klasës mund të tregojnë mbresat që patën. Çfarë do të thotë të ushqesh qengjat dhe delet e Shpëtimtarit? Thëniet nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Plaku Marvin J. Ashton te pjesa “Burime Shtesë” mund të ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që këtë javë të lexojnë Veprat e Apostujve 1–5, kërkojuni që t’i kushtojnë vëmendje mënyrës se si një peshkatar i pashkolluar u bë udhëheqësi i fuqishëm i Kishës së Krishtit ndërkohë që ajo përhapej anembanë botës. Ndërkohë që i studiojnë këta kapituj, ata do të shohin se si ndodhi ky shndërrim.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21

Çfarë do të thotë të ushqesh delet e Shpëtimtarit?

Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi për këto ide nga teksti i vjetër grek i Gjonit 21:

“Te [Gjoni 21:15], fjala kulloti vjen nga fjala greke bosko, që do të thotë ‘të ushqesh ose t’i japësh të hajë’. Fjala qengj vjen nga fjala zvogëluese arnion, që do të thotë ‘qengj i vogël’. …

Te [Gjoni 21:16], fjala ki kujdes vjen nga një fjalë e ndryshme, poimaino, që do të thotë ‘të kullotësh, të ruash ose të kujdesesh’. Fjala delet vjen nga fjala probaton, që do të thotë ‘dele e rritur’. …

Te [Gjoni 21:17], fjala kulloti vjen nga fjala greke bosko, që i drejtohet të ushqyerit. Fjala delet përsëri u përkthye nga fjala greke probaton, që i drejtohet deles së rritur.

Këto tri vargje, që duken kaq të ngjashme në gjuhën angleze, në të vërtetë përmbajnë tri mesazhe të dallueshme në greqisht:

  • Qengjat e vegjël kanë nevojë të ushqehen me qëllim që të rriten;

  • Delet kanë nevojë që për to të tregohet kujdes;

  • Delet kanë nevojë të ushqehen” (“Shepherds, Lambs, and Home Teachers”, Ensign, gusht 1994, f. 16).

Si mund të “k[emi] kujdes për delet e [Tij]”?

Plaku Marvin J. Ashton shpjegoi se si ne mund ta përmbushim urdhërimin e Zotit për të pasur kujdes për delet e Tij :

“Jezusi tha: ‘Ki kujdes për delet e mia’. (Gjoni 21:16.) Nuk mund të kesh kujdes për to nëse nuk e di se ku janë. Nuk mund të kesh kujdes për to nëse u jep arsye që të të kundërshtojnë. Nuk mund të kesh kujdes për to nëse nuk e ke ushqimin. Nuk mund të kesh kujdes për to nëse nuk ke dashuri hyjnore. Nuk mund të kesh kujdes për to nëse nuk je i gatshëm të punosh e të japësh. …

Ata që kanë nevojë për ndihmë vijnë nga të gjitha grupmoshat. Disa prej deleve të Tij janë të reja, të vetmuara dhe të humbura. Disa janë të lodhura, të mjeruara dhe të vjetërsuara. Disa janë në vetë familjen tonë, në vetë lagjen ku banojmë, ose në cepat e largët të botës ku mund të ndihmojmë me ofertat e agjërimit. Disa po vuajnë nga mungesa e ushqimit. Disa po vuajnë nga mungesa e dashurisë dhe përkujdesit.

Nëse u japim deleve arsye që të na kundërshtojnë, procesi i të kujdesurit bëhet i vështirë, në mos i pamundur. Askush nuk mund të japë mësim ose ndihmojë me sarkazëm apo përqeshje. Diktatura ose ‘unë kam të drejtë dhe ti e ke gabim’ do t’i mohojë të gjitha përpjekjet për të pasur kujdes për një dele endacake. Do të ndërtohet një mur kundërshtimi dhe askush nuk do të përfitojë. …

Nëpërmjet veprimeve tona ne tregojmë dashurinë tonë. Shprehjet e dashamirësisë janë të kota nëse nuk përputhen me veprimet. Të gjitha delet e Tij kanë nevojë për prekjen e një bariu që ka kujdes” (“Give with Wisdom That They May Receive with Dignity”, Ensign, nëntor 1981, f. 91).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Lejoni kohë për ata që po mësojnë që të tregojnë. “Kur nxënësit tregojnë atë që po mësojnë, ata jo vetëm që e ndiejnë Shpirtin dhe i forcojnë vetë dëshmitë e tyre, por gjithashtu i nxitin anëtarë të tjerë të klasës për të zbuluar të vërteta për veten e tyre. … Ruani kohë që studentët të tregojnë në çdo mësim – në disa raste, ju mund të shihni se këto diskutime janë mësimi” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 30).