Eja, Më Ndiq
22–28 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21: ‘Zoti na Kishte Thirrur që t[a] Shpallim … Ungjillin’


“22–28 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21: ‘Zoti na Kishte Thirrur që t[a] Shpallim … Ungjillin’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“22–28 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Pali predikon në Areopag

22–28 Korrik

Veprat e Apostujve 16–21

“Zoti na Kishte Thirrur që t[a] Shpallim … Ungjillin”

Përpara se ta shihni këtë përvijim të mësimit, lexojini me lutje Veprat e Apostujve 16–21 duke pasur anëtarët e klasës në mendje. Idetë vijuese mund ta plotësojnë frymëzimin që merrni nga Shpirti.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë një fragment nga Veprat e Apostujve 16–21 që u kujtoi atyre një përvojë që kanë pasur me shpërndarjen e ungjillit.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Veprat e Apostujve 16–21

Si anëtarë të Kishës, ne dëshmojmë për Jezu Krishtin dhe e shpërndajmë ungjillin e Tij.

  • Ngaqë te Veprat e Apostujve 16–21 përshkruhen dy prej udhëtimeve misionare të Palit, anëtarët e klasës mund të jenë në gjendje të mësojnë nga këta kapituj se si të dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe ta shpërndajnë ungjillin e Tij me efektshmëri. Për të frymëzuar një diskutim për këtë temë, ndoshta ju mund të ftoni disa anëtarë të vijnë të përgatitur në klasë për të treguar ide që morën nga Veprat e Apostujve 16–21 rreth shpërndarjes së ungjillit. Për ta thelluar diskutimin, ata gjithashtu mund të tregojnë thënie nga një konferencë e fundit e përgjithshme rreth punës misionare. Ata mund të gjejnë vetë një thënie ose ju mund të sugjeroni një prej mesazheve te “Burimet Shtesë”.

  • Një mesazh i spikatur në këta kapituj është roli i rëndësishëm i Frymës së Shenjtë në shpërndarjen e ungjillit. Për shembull, anëtarët e klasës mund të zbulojnë mënyrën se si Fryma e Shenjtë e ndihmoi Palin dhe Silën te Veprat e Apostujve 16:6–15. Ata gjithashtu mund të lexojnë 2 Nefin 33:1 dhe Doktrinën e Besëlidhjen 42:14 dhe të tregojnë të vërtetat që gjejnë, rreth rëndësisë së pasjes së Shpirtit kur shpërndajmë ungjillin (shih edhe thënien nga Plaku Dallin H. Ouks te “Burimet Shtesë”). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë përvoja kur Fryma e Shenjtë i udhërrëfeu përpjekjet e tyre për ta shpërndarë ungjillin. Cilat janë disa përvoja që kemi pasur në lidhje me të folurin për ungjillin me një person që Zoti e ka vendosur në shtegun tonë? (Shih edhe Predikoni Ungjillin Tim, f. 3–4.)

  • Si mund t’i përdorni përvojat e Palit për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kenë kurajë kur nxiten të flasin për dëshmitë e tyre? Merrni parasysh të shqyrtoni së bashku rrëfime nga shkrime të shenjta që e përshkruajnë Palin duke dëshmuar, të tilla si përvojat e tij në Maqedoni (shih Veprat e Apostujve 16:19–34), në Athinë (shih Veprat e Apostujve 17:16–34) dhe në Korint (shih Veprat e Apostujve 18:1–11). Çfarë provash gjejmë për kurajën dhe guximin e Palit? Cilat doktrina dha mësim (dhe i kuptoi) Pali që i dhanë vetëbesim në mesazhin e tij? Përse ndonjëherë kemi frikë ta shpërndajmë ungjillin dhe si mund ta mposhtim këtë frikë? Ndoshta misionarët kohëplotë mund ta vizitojnë klasën tuaj dhe të tregojnë mënyra se si e kanë marrë kurajën për të dëshmuar. Nxitini anëtarët e klasës të mendojnë një mënyrë se si mund ta ndjekin shembullin e Palit dhe të jenë më të guximshëm për të folur për dëshminë e tyre për Krishtin.

Veprat e Apostujve 17:16–34

Ne jemi pasardhës të Perëndisë.

  • Në Areopag, Pali i dha mësim një grupi njerëzish për Atin Qiellor, të cilët dinin pak për natyrën e vërtetë të Perëndisë. Për t’i analizuar këto mësime, anëtarët e klasës mund t’i lexojnë Veprat e Apostujve 17:24–31 dhe t’i shkruajnë në tabelë të vërtetat që gjejnë rreth Atit Qiellor, marrëdhënies sonë me Të dhe marrëdhënieve tona me njëri-tjetrin. Çfarë përvojash mund të tregojnë anëtarët e klasës në të cilat ata e kanë ndier të vërtetën e thënies së Palit që Perëndia “nuk është larg nga secili prej nesh”? (Vargu 27.)

  • Teksa i analizoni këto vargje së bashku, merrni parasysh të diskutoni për të vërtetën e dhënë mësim te vargu 29: “Ne jemi pasardhës të Perëndisë”, që do të thotë se Ati Qiellor është ati i drejtpërdrejtë i shpirtrave tanë. Për ta bërë këtë, ju mund të shkruani në tabelë: Ngaqë jemi fëmijë të Perëndisë dhe Nëse nuk do ta dinim që jemi fëmijë të Perëndisë. Ftojini anëtarët e klasës të sugjerojnë mënyra se si t’i plotësojnë këto fjali. Për shembull, çfarë na mëson fakti që jemi fëmijë të Perëndisë rreth Perëndisë? Po rreth vetes? Po rreth mënyrës se si duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin? Si do të ishte jeta jonë e ndryshme nëse nuk do të kishim dijeni për marrëdhënien tonë të vërtetë me Perëndinë? Kjo mund të çojë në një diskutim për mënyrën se si mund t’i ndihmojmë të tjerët ta kuptojnë që ata janë fëmijë të Perëndisë. Thënia nga Plaku Dallin H. Ouks te “Burimet Shtesë” mund të kontribuojë në këtë diskutim.

Veprat e Apostujve 19:1–7

Pagëzimi duhet të pasohet nga marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë.

  • Veprat e Apostujve 19 është vend i mirë për të theksuar atë se sa e rëndësishme është që të konfirmohemi pasi pagëzohemi. Merrni parasysh të tregoni këtë thënie nga Profeti Jozef Smith: “Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 99). Si e pohojnë mësimet e Palit te Veprat e Apostujve 19:1–7 thënien nga Jozef Smithi? Anëtarët e klasës mund të kenë dobi gjithashtu nga shqyrtimi i pjesës “Frymë e Shenjtë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [f. 51–52] për të mësuar më shumë rreth bekimeve të marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës t’i lexojnë Veprat e Apostujve 22–28 gjatë javës në vijim, pyetini për diçka të tillë: “Nëse do ta kishit mundësinë t’i tregonit udhëheqësit të kombit tonë për ungjillin, çfarë do t’i thoshit?” Tregojuni atyre se te Veprat e Apostujve 22–28, ata do të zbulojnë atë çfarë i tha Pali disa prej udhëheqësve më të fuqishëm të kohës së tij.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Veprat e Apostujve 16–21

Mesazhe rreth punës misionare.

Ne të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë.

“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” tregon të vërteta të përjetshme për marrëdhënien tonë me Perëndinë: “Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj e femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor” (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për rëndësinë që ka, të shikuarit e vetes sonë së pari dhe mbi të gjitha si fëmijë shpirtërorë të Perëndisë:

“Jini të kujdesshëm se si e karakterizoni veten tuaj. Mos e karakterizoni ose përcaktoni veten tuaj nëpërmjet ndonjë cilësie tokësore. Cilësia e vetme unike që duhet të na karakterizojë është se ne jemi një bir ose një bijë e Perëndisë. Ai fakt i tejkalon të gjitha karakteristikat e tjera, përfshirë racën, punësimin, karakteristikat fizike, nderet apo madje dhe përkatësinë fetare. …

Ne kemi lirinë tonë të zgjedhjes dhe mund të zgjedhim cilëndo karakteristikë për ta përkufizuar veten tonë. Por ne kemi nevojë të dimë që kur zgjedhim ta përkufizojmë veten apo ta paraqesim veten nëpërmjet ndonjë karakteristike që është e përkohshme apo jo e rëndësishme në kuptimin e përjetshëm, ne ia heqim theksin asaj që është më e rëndësishmja rreth vetes, dhe e mbitheksojmë atë që është relativisht e parëndësishme. Kjo mund të na çojë drejt shtegut të gabuar dhe ta pengojë përparimin tonë të përjetshëm” (“Be Wise”, [takim shpirtëror në Universitetin Brigam Jang në Ajdaho, 7 nëntor 2006], byui.edu).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ftojeni rininë të jetë pjesë e mësimit tuaj. Nëse i jepni mësim rinisë, kujtoni që ata shpesh janë në gjendje t’i kuptojnë gjërat që po kalojnë bashkëmoshatarët e tyre. Kur një i ri përcjell dëshmi apo jep mësim doktrinën, të rinjtë e të rejat e tjera mund të preken në një mënyrë që ju nuk mund ta riprodhoni. Jepini rinisë mundësi për t’i dhënë mësim njëri-tjetrit. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 28.)