Eja, Më Ndiq
29 Korrik–4 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28: ‘Shërbyes dhe Dëshmues’


“29 Korrik–4 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28: ‘Shërbyes dhe Dëshmues’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“29 Korrik–4 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Pali në burg

29 Korrik–4 Gusht

Veprat e Apostujve 22–28

“Shërbyes dhe Dëshmues”

Lexojini Veprat e Apostujve 22–28 me një lutje në zemrën tuaj që Fryma e Shenjtë do t’ju frymëzojë ta dini se në çfarë të përqendroheni që do t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj. Shënoni ndonjë ide që ju vjen në mendje; ky mund të jetë fillimi i planit tuaj mësimor.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni anëtarëve të klasës të shkruajnë një referencë të shkrimit të shenjtë nga Veprat e Apostujve 22–28 e cila u la mbresa këtë javë. Mblidhni përgjigjet e tyre dhe lexojini disa prej vargjeve. Ftoni disa anëtarë të klasës të tregojnë përse këto vargje janë domethënëse për ta.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Veprat e Apostujve 22:1–21; 26:1–29

Një dëshmi është një deklaratë e së vërtetës, e bazuar te njohuria apo besimi personal.

  • Dëshmia e Palit drejtuar Festit dhe mbretit Agripa mund të jenë një mundësi për të diskutuar se çfarë do të thotë të japësh dëshmi. Ju mund të filloni duke u kërkuar anëtarëve të klasës që t’i shqyrtojnë Veprat e Apostujve 22:1–21 dhe 26:1–29. Çfarë mësojmë nga shembulli i Palit rreth dhënies së dëshmisë? Çfarë parimesh shtesë rreth dhënies së dëshmisë mësojmë nga thënia e Plakut M. Rasëll Ballard te “Burimet Shtesë”? Mund ta këndoni apo luani me vegla muzikore [në piano] himnin “Dëshmia” (Himne, nr. 75), kjo mund të ndihmojë për ta sjellë Shpirtin në diskutimin tuaj.

  • Anëtarët e klasës mund të kenë fituar ide vetjake kur e studiuan dëshminë e Palit për Festin dhe mbretin Agripa. Ftojini që të tregojnë. Çfarë paralajmërimesh mund të ketë për ne sot përgjigjja e mbretit Agripa ndaj dëshmisë së Palit? (Shih Veprat e Apostujve 26:28.) Anëtarët e klasës mund të jenë në gjendje gjithashtu të mendojnë për dëshmi të tjera nga shkrimet e shenjta që i kanë frymëzuar ata. (Disa shembuj përfshijnë Jobin 19:25–27; 2 Nefin 33:10–15; Almën 5:45–48 dhe DeB 76:22–24.) Ose ndoshta ata mund të tregojnë përvoja kur u ndikuan nga dëshmia e dikujt tjetër.

  • Profeti Jozef Smith i krahasoi përvojat e tij të të dëshmuarit për Vegimin e Parë me përvojën e Palit përpara mbretit Agripa (shih Joseph Smith—Historia 1:24–25). Ndoshta anëtarët e klasës mund të punojnë në dyshe për të krijuar një listë me ngjashmëritë ndërmjet këtyre dy shërbëtorëve të Perëndisë. Si na ndihmon kjo veprimtari që ta kuptojmë se si ta japim dëshminë tonë edhe kur është e vështirë ta bëjmë atë?

  • Ndonëse Pali nuk po e kërkonte dëshminë shpirtërore që mori rrugës për në Damask, ai e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke punuar për ta mbështetur e mbrojtur dëshminë e tij (shih Veprat e Apostujve 22:10, 14–16; 26:19). Shembulli i Palit mund ta ndihmojë klasën tuaj të kuptojë që një dëshmi kërkon punë dhe sakrificë. Për të nisur një diskutim rreth kësaj, ndoshta një anëtar i klasës mund të përshkruajë përpjekjen e tij apo të saj për t’u bërë një muzikant, artist apo atlet i aftë. Si është zhvillimi i një aftësie të tillë i ngjashëm me fitimin dhe forcimin e një dëshmie? Çfarë përpjekjesh duhet të bëjmë që ta fitojmë e ta forcojmë një dëshmi? (Shih edhe Alma 5:46.)

Veprat e Apostujve 26:9–23

Ne kemi përgjegjësi t’u japim shërbesë të tjerëve.

  • Zoti e thirri Palin për të qenë “shërbyes” (Veprat e Apostujve 26:16), por çfarë do të thotë kjo fjalë? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta shqyrtojnë mënyrën se si mund t’u japin shërbesë të tjerëve, ju mund të shkruani në tabelë një pyetje të këtillë: Çfarë do të thotë të japësh shërbesë? Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë përgjigje te burimet në vijim: Mateu 20:25–28; Veprat e Apostujve 26:16–18; 3 Nefi 18:29–32; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shërbej”, [f. 175–176], scriptures.lds.org. Ndërsa e tregojnë atë që gjejnë, nxitini të diskutojnë për mënyrat se si ne të gjithë mund t’u japim shërbesë të tjerëve, duke përfshirë [edhe] në thirrjet tona në Kishë.

  • Vëllai Dejvid L. Bek foli rreth përgjegjësive të mbajtësve të priftërisë për t’u dhënë shërbesë të tjerëve; dhe shumë prej ideve të tij mund të gjejnë zbatim për të gjithë ata që shërbejnë në Kishë (shih “Detyra Juaj e Shenjtë për të Shërbyer”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 55–57). Për shembull, çfarë na mëson historia e Shai Xhonsonit për shërbesën ndaj të tjerëve? Materiali filmik “The Miracle of the Roof” [“Mrekullia e Çatisë”] (LDS.org) është gjithashtu një shembull i mirë shërbese. Çfarë shembujsh të tjerë mund të tregojnë anëtarët e klasës? Jepuni anëtarëve të klasës kohë që të mendojnë për dikë të cilit ata mund t’i japin shërbesë këtë javë dhe për mënyrën se si do ta bëjnë atë.

Veprat e Apostujve 27

Nëse ua vëmë veshin profetëve të Zotit, Ai do të na udhëheqë e mbrojë nga e liga.

  • Anëtarët e klasës suaj mund të kenë pasur përvoja kur e ndoqën udhëzimin e profetëve edhe kur nuk pajtohej me këshillën e ekspertëve të kësaj bote apo me opinionet e njerëzve përreth tyre. Ftojini disa anëtarë të klasës të vijnë në orën mësimore të përgatitur për t’i treguar përvoja të tilla. Më pas, ftoni anëtarë të klasës të tregojnë se si reaguan njerëzit në anije kur Pali profetizoi që anija do të pësonte “rrezik dhe … dëm të madh” (Veprat e Apostujve 27:10). Si janë të ngjashme në kohën tonë disa reagime të njerëzve ndaj këshillës profetike?

  • Çfarë mësojmë nga Veprat e Apostujve 27 rreth ndjekjes së profetëve të Zotit? Citati nga Plaku Ronald A. Rasband te “Burimet Shtesë” përmban pyetje për t’u përsiatur dhe një listë me rreziqe, ndaj të cilave na kanë paralajmëruar profetët e kohëve të sotme. Si jemi bekuar nga ndjekja e këshillës së profetëve të gjallë?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për të ndihmuar që t’i frymëzoni anëtarët e klasës të fillojnë t’i lexojnë letrat e Palit, kërkojuni të përfytyrojnë sikur një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve i shkroi një letër vetjake lagjes suaj. Si do të ndiheshim për atë letër? Çfarë mund të na thoshte ai neve? Ftojini anëtarët e klasës t’i mbajnë në mendje këto pyetje ndërsa e lexojnë letrën e Palit drejtuar shenjtorëve romakë.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Veprat e Apostujve 22–28

Dhënia e dëshmisë.

Plaku M. Rasëll Ballard foli për dëshminë e Palit para mbretit Agripa dhe na mësoi se ç’kuptim ka për ne të japim dëshmi:

“Mbledhjet tona të dëshmive duhet të jenë më të përqendruara përreth Shpëtimtarit, doktrinave të ungjillit, bekimeve të Rivendosjes dhe mësimeve të shkrimeve të shenjta. Ne duhet t’i zëvendësojmë historitë, tregimet për udhëtimet dhe leksionet me dëshmi të kulluara. Ata, të cilëve u është besuar të flasin dhe të japin mësim në mbledhjet tona, duhet ta bëjnë këtë me fuqi doktrinore që do të dëgjohet dhe do të ndihet, duke lartësuar kështu shpirtrat dhe duke ngritur moralisht njerëzit tanë. …

… Ndërsa është gjithmonë një gjë e mirë të shprehësh dashuri e mirënjohje, shprehje të tilla nuk përbëjnë atë lloj dëshmie që do të ndezë një zjarr besimi në jetën e të tjerëve. Të dëshmosh do të thotë ‘të japësh dëshmi me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë; të bësh një deklaratë solemne të së vërtetës të bazuar mbi njohurinë ose besimin personal’ [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dëshmoj”, (f. 29), scriptures.lds.org]. Deklarata e qartë e së vërtetës sjell një ndryshim në jetën e njerëzve. Është pikërisht kjo ajo që i ndryshon zemrat. Kjo është ajo që Fryma e Shenjtë mund të konfirmojë në zemrat e fëmijëve të Perëndisë” (“Pure Testimony”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 41; [“Dëshmi e Kulluar”, Konferenca e Përgjithshme tetor 2004, f. 58, 59]).

Duke qëndruar me udhëheqësit e Kishës.

Plaku Ronald A. Rasband dha mësim:

“[Udhëheqësit tanë], nëpërmjet frymëzimit hyjnor, janë thirrur për të na mësuar e udhërrëfyer dhe … janë duke na bërë thirrje që të ruhemi nga rreziqet që hasim çdo ditë – nga respektimi i shkujdesur i ditës së Shabatit, deri te kërcënimet ndaj familjes, ndaj sulmeve për lirinë fetare dhe madje deri ndaj debatit për zbulesën e ditëve të mëvonshme. Vëllezër dhe motra, a jemi duke e dëgjuar këshillën e tyre? …

Teksa ecim përpara, duke zgjedhur që të ndjekim këshillën dhe paralajmërimet e udhëheqësve tanë, ne zgjedhim të ndjekim Zotin ndërsa bota po shkon në drejtim tjetër. Ne zgjedhim të mbahemi fort te shufra e hekurt, të jemi shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të jemi në detyrën e Zotit dhe të mbushemi ‘me një gëzim jashtëzakonisht të madh’ [1 Nefi 8:12].

Pyetja që ngrihet në ditët e sotme është e qartë: ‘A jeni duke qëndruar me udhëheqësit e Kishës në një botë të errët në mënyrë që ju të mund ta përhapni Dritën e Krishtit?’” (“Duke Qëndruar me Udhëheqësit e Kishës”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 47–48).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përgatituni që më parë. “Teksa përsiatni se si parimet e ungjillit që po i jepni mësim, do t’i bekojnë anëtarët e klasës suaj, ide dhe mbresa do të vijnë gjatë jetës suaj të përditshme – teksa udhëtoni për në punë, bëni punët e shtëpisë ose ndërveproni me familjen dhe miqtë. Mos mendoni për përgatitjen shpirtërore si diçka për të cilën krijoni kohë, por si diçka që ju po e bëni gjithmonë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 12).