Seminari
2 Korintasve 11–12


2 Korintasve 11–12

Durimi i Sprovave me Besim te Krishti

Pamja
Një e re e ulur. Një grua (ndoshta nëna e saj) e ka dorën te shpatulla e vajzës. Vajza ka një shprehje të trishtuar në fytyrën e saj.

Edhe dishepujt më besnikë të Jezu Krishtit durojnë vështirësi në jetën e tyre. Pali tregoi disa nga vuajtjet që duroi dhe se si pati mundësi të gjente gëzim në ato përvoja nëpërmjet ndihmës së Shpëtimtarit. Ky mësim mund të të ndihmojë të mbështetesh te Zoti ndërsa përpiqesh t’i durosh me besnikëri sfidat e tua.

Sprovat e jetës

Pamja
Gjembat e shkurres së trëndafilit pranveror.
  • Si mendon, cili është qëllimi i gjembave në një shkurre trëndafili?

Në jetë kemi shumë përvoja të mrekullueshme që mund të krahasohen me një trëndafil. Megjithatë, ne përballemi edhe me sprova dhe sfida që mund të krahasohen me gjembat.

  • Cilat janë disa sprova dhe sfida me të cilat njerëzit mund të përballen në jetë?

  • Çfarë mendimesh dhe pyetjesh mund të bëjnë njerëzit rreth Perëndisë ndërsa përjetojnë sprova? Çfarë pyetjesh mund të bëjnë ata për veten?

Ndërsa studion sot, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë t’i durosh me besnikëri sprovat që Perëndia, me dashurinë dhe urtësinë e Tij, zgjedh të mos i largojë. Përsiat se përse ke nevojë për ndihmën e Perëndisë ndërsa i duron ato.

Sprovat e Palit

Lexo te 2 Korintasve 11:24–28, duke kërkuar disa nga sprovat që duroi Pali gjatë shërbesës së tij.

  • Çfarë shembujsh të tjerë të vijnë në mendje nga shkrimet e shenjta ose nga historia e Kishës që tregojnë se edhe të drejtët përjetojnë vështirësi? Si e vërteton jeta e Shpëtimtarit këtë?

  • Si mendon, përse Ati Qiellor i lejon dishepujt besnikë të Jezu Krishtit të durojnë kaq shumë?

Ndonëse Perëndia e bekoi Palin me zbulesa të mrekullueshme, duke përfshirë një vegim të mbretërisë çelestiale (shih te 2 Korintasve 12:1–4), Palit iu desh gjithsesi të duronte sprova dhe prova të besimit të tij. Lexo te 2 Korintasve 12:7 për të parë se me çfarë e krahasoi Pali një nga sprovat e tij të vazhdueshme.

  • Si mund të jetë “një gjëmb në mish” një përshkrim i mirë i disa sprovave vetjake?

  • Çfarë krahasimi mund të përdorësh për të përshkruar një sprovë specifike që ti ose të afërmit e tu keni duruar? Përse?

Lexo te 2 Korintasve 12:8–10 për të parë përvojën e Palit që lutej që t’i hiqej “gjëmb[i] në mish”. Ndërsa lexon, kujto që fjala hir do të thotë “ndihmë ose forcë … hyjnore [që] jepet nëpërmjet mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Hir”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe tek Ethëri 12:27).

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga përvoja e Palit, është se Zoti mund të mos i largojë gjithmonë sfidat tona, por ne mund të forcohemi me anë të hirit të Tij ndërsa i durojmë ato me besnikëri.

  • Si e sheh këtë të vërtetë të shfaqet në jetën e Shpëtimtarit? (Shih te Lluka 22:41–44.)

Gjej dhe lexo të paktën një ndodhi nga shkrimet e shenjta që tregon se si Zoti mund t’i bekojë ata që i durojnë sprovat me besim tek Ai. (Në vijim jepen sugjerime ndodhish nga të cilat mund të zgjedhësh.)

1. Përgjigju për të paktën tri prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë mësove për Zotin dhe atë që Ai u ofron atyre që i durojnë sprovat me besnikëri?

  • Cili nga bekimet e Tij të nevojitet më shumë ndërsa duron sprovat e tua? Përse?

  • Kë njeh ti personalisht që e ka duruar një sfidë me besnikëri? Çfarë ka bërë për ta duruar me besnikëri? Si e ke parë hirin e Zotit ta ndihmojë atë?

  • Si mendon, çfarë do Shpëtimtari që ti të bësh për t’i duruar sprovat e tua me besnikëri?

Shiko materialin filmik “Mountains to Climb” [“Male për t’i Ngjitur”] (5:05), në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, duke kërkuar atë që mund të bëjmë për t’i duruar sprovat me besnikëri.

  • Çfarë mësuat për durimin e sprovave me besim te Jezu Krishti?

2. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Nisur nga ajo që mësove dhe ndjeve teksa studiove sot vargjet te 2 Korintasve 12, shtoje ose rishkruaje pohimin vijues për ta bërë atë më të saktë.

“Nëse lutemi me besim të mjaftueshëm te Jezu Krishti, Ati Qiellor do ta largojë çdo sprovë që po kalojmë.”

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Në ç’mënyrë ishte Shpëtimtari një shembull i të vërtetave të dhëna në këtë mësim?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, tregoi sa vijon rreth vargjeve te Lluka 22:41–44:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Këtu shohim besimin dhe mirëbesimin absolut të Shpëtimtarit tek Ati. ‘Megjithatë’, – tha ai, ‘mos u bëftë vullneti im, por yti.’ Përgjigjja e Atit ishte të mohonte përgjërimin e Birit të Tij të Vetëmlindur. Shlyerja duhej kryer nga ai qengj pa të meta. Por, ndonëse kërkesa e Birit nuk u pranua, lutja e Tij mori përgjigje. Në shkrimin e shenjtë shenjohet: ‘Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë’ (JST, Luke 22:43).”

(Dallin H. Oaks, “Faith in the Lord Jesus Christ”, Ensign, maj 1994, f. 100)

Çfarë na ofron Shpëtimtari gjatë sprovave tona?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, tregoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Fuqia shëruese e Zotit Jezu Krisht – qoftë kur na i heq barrët ose kur na forcon që t’i durojmë ato dhe të jetojmë me to sikurse Apostulli Pal – është në dispozicion për çdo vuajtje në vdekshmëri”.

(Dallin H. Ouks, “Ai e Shëron të Rënduarin”, Liahona, nëntor 2006, f. 8; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 6–9)

Si mund të na ndihmojnë shqetësimet tona që t’i bekojmë ata që na rrethojnë?

Motra Reina I. Aburto, ish‑Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha mësim:

Pamja
Portreti Zyrtar i Motrës Reina Aburto. Fotografuar në vitin 2017.

“Shqetësimet tuaja nuk ju përcaktojnë, por mund t’ju rafinojnë. Për shkak të një ‘gjemb[i] në mish’, ju mund të keni aftësinë që të ndieni më shumë dhembshuri kundrejt të tjerëve.”

(Reina I. Aburto, “N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!”, Liahona, nëntor 2019, f. 58)

A mund t’i shërojnë ata që mbajnë priftërinë, të gjithë ata që kanë besim për t’u shëruar?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, shpjegoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Edhe pse Shpëtimtari mund t’i shëronte të gjithë ata që do të shëronte, kjo nuk është e vërtetë për ata që kanë autoritetin e Tij priftëror. Ushtrimet në vdekshmëri të këtij autoriteti kufizohen nga vullneti i Atij e të cilit është kjo priftëri. Si pasojë, na thuhet se disa të cilët bekohen nga pleqtë e Kishës, nuk shërohen sepse janë ‘cakt[uar] për vdekjen’ [Doktrina e Besëlidhje 42:48]. Në mënyrë të ngjashme, kur Apostulli Pal kërkoi të shërohej nga ‘gjëmb[i] në mish’ që e goditi (2 Korintasve 12:7), Zoti nuk pranoi ta shëronte atë.”

(Dallin H. Ouks, “Ai e Shëron të Rënduarin”, Liahona, nëntor 2006, f. 7; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 6–9)