Seminari
Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 2


Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 2

Shqyrtimi i Koncepteve dhe Pyetjeve me një Këndvështrim të Përjetshëm

Pamja
Duke parë me syze, fokusi te tempulli dhe familja

Njëri prej qëllimeve të zotërimit doktrinor është të të ndihmojë të mësosh dhe zbatosh parimet për marrjen e njohurisë shpirtërore për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh t’i shqyrtosh problemet me një këndvështrim të përjetshëm për t’i kuptuar ato më qartë.

Pyetje dhe sfida

Ndonjëherë përjetojmë sfida ose sprova që mund të na e vënë në provë besimin. Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi një sprovë të tillë që përjetoi nusja e nipit të tij.

Shih materialin filmik “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë” nga kodi kohor 5:50 deri në 6:39, ose lexo tekstin e mëposhtëm:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Jo shumë kohë më parë, bashkëshortja e njërit prej nipërve tanë po haste vështirësi nga ana shpirtërore. Do ta quaj ‘Xhill’. Pavarësisht nga agjërimi, lutja dhe bekimet e priftërisë, babai i Xhillit po vdiste. Ajo u pushtua nga frika se do të humbiste si babanë ashtu edhe dëshminë e saj.

Një mbrëmje vonë, bashkëshortja ime, Motra Uendi Nelson, më tregoi për gjendjen e Xhillit. Të nesërmen në mëngjes Uendi pati mbresën që t’i tregonte Xhillit se përgjigjja ime për ndeshjen e saj shpirtërore ishte një fjalë. Fjala ishte miopi.”

(Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 93)

Fjala miopi do të thotë shikim nga afër ose dritëshkurtër.

  • Cilat janë disa të vërteta për Perëndinë dhe planin e Tij që mund ta kenë ndihmuar Xhillin që të mos ketë aq frikë për atë që mund të ndodhë në të ardhmen?

Mendo për një sfidë ose pyetje që po has aktualisht. Kjo mund të jetë e njëjtë me atë që përcaktove te mësimi “Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 1”.

  • Pse do ndihmë dhe ke nevojë për ndihmë me këtë pyetje apo sfidë?

Mos harro se nuk ka gjë nëse përjeton pikëllim dhe dhembje. Edhe Jezusi u pikëllua për ata që i donte (shih te Gjoni 11:32–36). Kur i shohim rrethanat tona me një këndvështrim të përjetshëm, Zoti mund të na ndihmojë t’i përballojmë ato ndjenja. Kërko të vërtetat në këtë mësim që mund të të ndihmojnë ta bësh këtë për pyetjet dhe sfidat e tua.

Parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore

Kur përjetojmë sfidat e jetës ose përballemi me pyetje që nuk marrin përgjigje, mund të na ndihmojnë parimet e mëposhtme të marrjes së njohurisë shpirtërore:

  1. Vepro me besim.

  2. Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.

  3. Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.

Në këtë mësim do të përqendrohemi në të vërtetën se ndërsa i shqyrtojmë çështjet me një këndvështrim të përjetshëm, Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë t’i kuptojmë ato më qartë.

Studio paragrafin 8 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor dhe të paktën një nga fragmentet e mëposhtme të shkrimeve të shenjta. Shënoji fjalët ose frazat që mund ta ndihmojnë Xhillin t’i shohë sprovat e saj me një këndvështrim të përjetshëm.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Bazuar në atë që lexon, çfarë do të doje të dinte Xhilli për pasjen e një këndvështrimi të përjetshëm?

  • Çfarë përvojash me pasjen e një këndvështrimi të përjetshëm ke pasur ti (ose të tjerët) që mund t’ia tregosh Xhillit?

Si t’i shqyrtosh pyetjet ose shqetësimet me një këndvështrim të përjetshëm

Kur kemi pyetje apo shqetësime, një proces që mund të ndjekim për të na ndihmuar t’i shohim gjërat me një këndvështrim të përjetshëm është:

  1. Të përcaktojmë çdo hamendësim që po bëjmë që mund të çojë në keqkuptim ndaj Atit Qiellor ose planit të Tij.

  2. Të përcaktojmë të vërtetat për Atin Qiellor ose planin e Tij që i korrigjojnë këto hamendësime.

  3. Ta riformulojmë pyetjen duke e marrë parasysh me një këndvështrim të përjetshëm ose duke e rishkruar pyetjen që të pasqyrojë të vërtetat e ungjillit.

Shih materialin filmik “Shqyrtimi i Pyetjeve me një Këndvështrim të Përjetshëm” (02:56), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org, për të parë se si një e re me emrin Lorena e përdori këtë proces për të ndihmuar miken e saj.

  • Çfarë të ndihmoi ky material filmik të kuptoje për shqyrtimin e koncepteve dhe pyetjeve me një këndvështrim të përjetshëm?

  • Si i përdori Lorena tre hapat që sapo përcaktuam?

Mendo se si ky proces mund ta ndihmojë Xhillin, nusen e nipit nga historia që tregoi Presidenti Nelson.

2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë hamendësimesh mund të ketë Xhilli që mund ta çojnë në dyshime apo frikë?

Shpeshherë bërja e hamendësimeve të ngjashme mund të na shkaktojë pikëllim apo dhimbje të mëtejshme përtej asaj që po përjetojmë tashmë. Përcaktimi i të vërtetave për Atin Qiellor dhe planin e Tij mund të ndihmojë.

  • Çfarë të vërtetash di për Atin Qiellor dhe planin e Tij që mund të ndihmojnë?

  • Cilat janë disa mënyra se si mund t’i riformulosh me një këndvështrim të përjetshëm shqetësimet e mundshme të dikujt në situatën e Xhillit? (Për shembull, mund të bësh pyetje që pasqyrojnë një këndvështrim të përjetshëm, të tillë si: “Si mund ta ndiej dashurinë e Perëndisë ndërsa përjetoj këtë humbje të dhimbshme edhe pse e di se nga aspekti i përjetësisë kjo është vetëm e përkohshme?” ose “Si mund të mbështetem në besimin tim te Shpëtimtari për të besuar se do ta shoh përsëri njeriun tim të dashur?”)

Presidenti Nelson tregoi se Xhilli ishte bekuar duke zhvilluar një këndvështrim të përjetshëm përmes sprovës së saj. Shih materialin filmik “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, që gjendet në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 6:58 deri në 8:24 ose lexo pohimin më poshtë:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Pasi ndërroi jetë i ati i Xhillit, fjala miopi vazhdoi t’i vinte në mendje. Ajo e hapi zemrën e saj që të kuptonte edhe më thellësisht se miopi do të thotë ‘dritëshkurtër’. Dhe të menduarit e saj filloi të ndryshonte. Më pas Xhilli tha: ‘Miopia më bëri të ndalem, të mendoj dhe të shërohem. Ajo fjalë tani më mbush me paqe. Më kujton që ta zgjeroj këndvështrimin tim dhe të kërkoj të përjetshmen. Më kujton se ka një plan hyjnor dhe se babi im ende jeton, më do dhe kujdeset për mua. Miopia më ka çuar drejt Perëndisë.’

Jam shumë krenar për nusen e shtrenjtë të nipit tonë. Gjatë kësaj kohe zemërndrydhëse në jetën e saj, e dashura Xhill po mëson që ta përqafojë vullnetin e Perëndisë për babin e saj, me një këndvështrim të përjetshëm për vetë jetën e saj. Duke zgjedhur që ta lejojë Perëndinë të triumfojë, ajo po gjen paqe.”

(Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, f. 93)

  • Si u bekua Xhilli ndërsa mbajti një këndvështrim të përjetshëm?

Reflekto mbi sfidën ose pyetjen që përcaktove në fillim të këtij mësimi. Puno me pyetjen ose sfidën tënde në ditarin tënd të studimit duke përdorur tre hapat që sapo mësove.

3. Shkruaj në ditarin tënd të studimit se si të ndihmoi përdorimi i këtyre hapave. Përfshi çdo pyetje që mund të kesh ende mbi atë se si t’i shqyrtosh pyetjet ose shqetësimet me një këndvështrim të përjetshëm.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si mund të më ndihmojë mbajtja e një këndvështrimi të përjetshëm kur përjetoj pikëllim apo humbje?

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi se si mbajtja e një këndvështrimi të përjetshëm e ndihmoi atë kur gruaja e tij Denzel vdiq papritmas dhe kur vajza e tij Uendi ndërroi jetë pas një beteje të gjatë me kancerin:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Në vitin 2005, pas gati 60 vjet martese, Denzeli im e dashur u thirr papritur në shtëpi. Për njëfarë kohe, pikëllimi im ishte pothuajse paralizues. Por mesazhi i Pashkës dhe premtimi i ringjalljes më mbështetën.”

(Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 94)

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Na merr malli shumë për bijën tonë. Sidoqoftë, për shkak të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, ne nuk shqetësohemi për të. Teksa vazhdojmë t’i nderojmë besëlidhjet tona me Perëndinë, ne jetojmë me pritshmërinë që do të jemi me të përsëri. Ndërkohë, ne po i shërbejmë Zotit këtu dhe ajo po i shërben Atij atje – në parajsë.”

(Rasëll M. Nelson, “Eja, Më Ndiq”, Liahona, maj 2019, f. 88)

Pse kanë rëndësi hamendësimet tona?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, tregoi:

Pamja
Presidenti Dallin H. Ouks

“Duke qenë se shenjtorët e ditëve të mëvonshme e dinë planin e Atit tonë Qiellor për fëmijët e Tij, ne e dimë se kjo jetë në vdekshmëri nuk është një dramë me një akt që ndodh midis një të shkuare të panjohur dhe një të ardhmeje të pasigurt. Kjo jetë është si akti i dytë në një dramë me tri akte. Qëllimi i saj përcaktohet nga ajo që zbulohet për ekzistencën tonë shpirtërore në Aktin e 1-rë dhe vendmbërritjen tonë të përjetshme në Aktin e 3-të. Për shkak të njohurisë sonë për këtë plan dhe të vërtetave të tjera që Perëndia i ka zbuluar, ne fillojmë me hamendësime të ndryshme nga ata që nuk kanë të njëjtën njohuri si ne. Si rrjedhim, ne arrijmë në përfundime të ndryshme për shumë çështje të rëndësishme që të tjerët i gjykojnë vetëm sipas opinioneve të tyre rreth jetës në vdekshmëri.”

(Dallin H. Oaks, “As He Thinketh in His Heart” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 8 shkurt 2013], f. 3–4)

Si mund t’i riformuloj pyetjet dhe shqetësimet e mia për t’i parë me një këndvështrim të përjetshëm?

Vëllai Çad H Ueb, administrator i Seminareve dhe Instituteve të Fesë, tha:

Pamja
Çad H Ueb

“Nëse fillojmë me një këndvështrim të përjetshëm, do të arrijmë në përfundime që pasqyrojnë të vërtetën e përjetshme. Por nëse fillojmë me hamendësime sipas botës, ka të ngjarë të arrijmë në përfundime sipas botës. Kështu që mund të na duhet t’i riformulojmë disa pyetje, sepse thjesht nuk pranojmë premisat në të cilat janë bazuar.

Për shembull, ndoshta ju kanë pyetur: ‘A nuk duhet që dy njerëz që e duan njëri-tjetrin të kenë mundësi të martohen?’ Nga këndvështrimi i shumicës së botës, përgjigjja duket se do të ishte ‘po’. Por mendoni se çfarë dini për planin e shpëtimit dhe për qëllimin e Atit Qiellor për martesën. Plani i shpëtimit ofron një këndvështrim të përjetshëm dhe një premisë të ungjillit që e riformulon pyetjen. Disa pyetje që mund të merrni parasysh janë: ‘Pse familja shugurohet nga Perëndia?’ ose ‘Pse Zoti ka krijuar martesën midis një burri dhe një gruaje?’ Mendoni për atë që dini për fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor – nga vijnë dhe çfarë dëshiron Ai për ta tani dhe në përjetësi. Mendoni se pse Ai na ka bekuar me fuqinë për t’i vulosur familjet në tempuj. Si e riformulon pyetjen kuptimi juaj për këto parime dhe si ju lejon ta shihni çështjen përmes dritës së ungjillit?”

(Chad H Webb, “That They May Know How to Come unto Him and Be Saved” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” – Havai, 22 mars 2016], byuh.edu)