Seminari
Veprat e Apostujve 22–23, 26–28


Veprat e Apostujve 22–23, 26–28

Zoti Është me Palin

Pamja
Krishti i ringjallur i shfaqet Palit ndërkohë që ai është në burg.

Ndërkohë që ishte i prangosur dhe i rrethuar nga judenjtë që donin ta vrisnin atë, Pali qëndroi te shkallaret e Fortesës Antonia në Jerusalem dhe dëshmoi me guxim për kthimin e tij në besim te Jezu Krishti. Pasi Pali u burgos, Shpëtimtari e vizitoi atë dhe premtoi që Pali do të dëshmonte për Të në Romë. Më vonë Pali përjetoi shumë sprova që e bënë këtë premtim të dukej paksa i pamundur për t’u përmbushur. Ky mësim jep një vështrim të përgjithshëm mbi kapitujt te Veprat e Apostujve 22–23, 26–28 dhe synohet ta rritë besimin tënd që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i përmbushin premtimet e Tyre ndërsa ti përpiqesh t’u shërbesh Atyre. 

Kujt i mirëbesoni?

Kujt do t’i mirëbesoje për të bërë sa vijon dhe përse?

  • Të zgjedhë veshjen tënde

  • Të zgjedhë vendbanimin tënd

  • Të mbajë gjithnjë premtimet e tij

  • Të qëndrojë me ty në kohë të vështira

Përgjigju për pyetjet vijuese:

  • Cila prej këtyre ka më shumë rëndësi për ty? Përse?

  • Si të ndihmon ty të kesh njerëz në jetën tënde të cilëve mund t’u mirëbesosh?

Gjej një çast për të menduar se sa shumë ti i mirëbeson Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. A beson se Ata do t’i mbajnë premtimet e Tyre ndaj teje? A beson se Ata do të jenë me ty gjatë kohëve të vështira? A do t’u mirëbesoje Atyre aq sa t’i lejoje të të udhërrëfejnë çdo ditë? Përse po ose përse jo? Teksa e studion këtë mësim, kërko ndodhi që mund të të ndihmojnë ta rritësh besimin tënd se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i përmbushin premtimet e Tyre ndërsa ti përpiqesh t’u shërbesh Atyre.

Pali kthehet në Jerusalem

Pas udhëtimit të tij të tretë misionar, Pali u kthye në Jerusalem për të dëshmuar për Krishtin. Atë e tërhoqën zvarrë nga tempulli një grup judenjsh që donin ta vrisnin, por e shpëtuan ushtarët romakë. Atë e çuan në shkallaret e Fortesës Antonia dhe e lejuan të fliste (shih te Veprat e Apostujve 21). Pali dëshmoi për kthimin e tij në besim te Jezu Krishti dhe për udhëzimet e Shpëtimtarit për t’u predikuar johebrenjve. Judenjtë u zemëruan sërish dhe Palin e kthyen në fortesë për sigurinë e tij (shih te Veprat e Apostujve 22; 23:1–10).

Lexo te Veprat e Apostujve 23:11 dhe kërko atë që Shpëtimtari tha dhe bëri për Palin. Përveç këtyre, mund të shohësh edhe materialin filmik “Be of Good Cheer” [“Kurajë”] (1:32), që mund të gjendet në ChurchofJesusChrist.org.

  • Çfarë mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nga ajo që Ai tha dhe bëri në këtë varg?

  • Kur e ka demonstruar Shpëtimtari një nga këto të vërteta në jetën tënde ose në jetën e dikujt që ti njeh?

Premtimet e Shpëtimtarit

Përvoja e Palit është një shembull i Shpëtimtarit që përmbush premtimin e Tij për të qenë me Apostujt ndërsa ata predikonin ungjillin (shih te Mateu 28:19–20).

1. Bëj sa më poshtë:

Në ditarin tënd të studimit, krijo një tabelë si ajo më poshtë. Gjatë gjithë këtij mësimi, renditi premtimet e Zotit në anën e majtë të tabelës dhe përmbushjen e atyre premtimeve në të djathtë.

Premtimet

Përmbushja e premtimeve

Premtimet

Jezusi do të ishte me Apostujt ndërsa ata predikonin ungjillin (shih te Mateu 28:19–20).

Pali do të dëshmonte në Romë (shih te Veprat e Apostujve 23:11).

Përmbushja e premtimeve

Jezusi erdhi te Pali në fortesë pasi Pali kishte predikuar (shih te Veprat e Apostujve 23:11).

Shpëtimtari u bëri premtime të tjera Apostujve të Tij.

Lexo te Mateu 10:18–20 dhe Marku 16:17–18. Përcakto premtimet e Shpëtimtarit dhe shkruaji ato në kolonën majtas të tabelës tënde.

  • Çfarë të mësojnë këto premtime rreth Jezu Krishtit?

Pali vazhdon të dëshmojë për Krishtin

Lexoji përmbledhjet vijuese dhe përsiat mënyrën se si do të ndiheshe po të ishe në vendin e Palit. Më pas lexoji vargjet e renditura pas çdo situate për të parë se si veproi Pali dhe se si premtimet e Zotit u përmbushën. Shtoji premtimet e përmbushura që gjen, në anën e djathtë të tabelës në ditarin tënd të studimit.

  1. Pali u nxor në gjyq përpara qeveritarëve romakë dhe mbretërve; Veprat e Apostujve 26:1–2, 22–23.

  2. Pali u dërgua me anije në Romë, por u gjend në një stuhi të tmerrshme që kërcënoi t’i fundoste ata; Veprat e Apostujve 27:22, 25, 41, 44.

  3. Pali ngeci në një ishull ku e pickoi një gjarpër; Veprat e Apostujve 28:4–6.

  4. Pali arriti më në fund në Romë; Veprat e Apostujve 28:16, 30–31.

Ti do të mësosh më shumë rreth këtyre ndodhive në mësimet e ardhshme.

  • Çfarë premtimesh pe të përmbushen?

  • Përse është me rëndësi për ty që Jezu Krishti i përmbush premtimet e Tij?

  • Si ndikon dijenia që Shpëtimtari i mban premtimet e Tij në ndjenjat e tua kundrejt Atij dhe në dëshirën tënde për ta dëgjuar dhe ndjekur Atë?

Edhe pse Perëndia na fton të përpiqemi t’i shërbejmë Atij, Ai nuk pret që ne të bëhemi të përsosur përpara se Ai t’i përmbushë premtimet e Tij ndaj nesh. Ndonëse Pali përjetoi shumë sfida (shih te 2 Korintasve 11:23–27) dhe nuk ishte i përsosur (shih te 1 Timoteut 1:15), Perëndia gjithsesi i përmbushi premtimet e Tij ndaj Palit.

Premtimet e përmbushura në jetën tënde

Mendo për premtimet që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të kanë bërë.

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2020.

“Të gjitha premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha që Ati Qiellor u ofron fëmijëve të Tij, nuk mund të llogariten apo të përshkruhen tërësisht. Megjithatë, edhe [një] list[ë] e pjesshme e bekimeve … duhet ta bëjë secilin prej nesh të ‘qëndroj[ë] plot habi’ dhe ‘të b[jerë] përtokë dhe … ta adhuro[jë] Atin’ në emrin e Jezu Krishtit.”

(Dejvid A. Bednar, “Premtimet e Çmueshme dhe Shumë të Mëdha”, Liahona, nëntor 2017, f. 91)

Burimet vijuese përmbajnë premtimet që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na kanë bërë.

Zgjidh disa nga këto burime për t’i studiuar. Ndërsa i përcakton premtimet, shtoji ato në anën e majtë të tabelës në ditarin tënd të studimit.

  • Çfarë të mësojnë këto premtime rreth dëshirave të Shpëtimtarit për ty?

Shiko listën e premtimeve që përcaktove. Kërko ndikimin e Frymës së Shenjtë ndërsa përsiat se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund t’i kenë përmbushur këto premtime në jetën tënde. Në kolonën djathtas të tabelës në ditarin tënd të studimit, shto një përshkrim të shkurtër të mënyrës se si Ata e përmbushën një nga ato premtime ose ndonjë premtim tjetër që të vjen në mendje. Për shembull, të ndierit e ndikimit të Frymës së Shenjtë mund të jetë një përmbushje e premtimeve të bëra në lutjet e sakramentit (shih te Moroni 4:3; 5:2). Ti mund të shkruash gjithashtu se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i përmbushën premtimet e Tyre ndaj dikujt që ti njeh.

Përsiat se si këta shembuj mund ta rritin besimin tënd që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i përmbushin premtimet e Tyre në të ardhmen.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Përse duhet ta vendosim mirëbesimin tonë te Zoti?

Plaku Stenli G. Ellis, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Stenli G. Ellis. Fotografuar në mars 2017.

“Vëllezër dhe motra, ne mund ta kemi besimin për t’i mirëbesuar Atij! Ai do më të mirën për ne (shih [te] Moisiu 1:39). Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona (shih [te] Doktrina e Besëlidhje 112:10). Ai do t’i mbajë premtimet e Tij (shih [te] Doktrina e Besëlidhje 1:38). Ai ka fuqinë t’i mbajë ato premtime (shih [tek] Alma 37:16). Ai di gjithçka! Dhe më e rëndësishmja, Ai e di se cila është më e mira (shih [tek] Isaia 55:8–9).”

(Stenli G. Ellis, “A i Mirëbesojmë Atij? Vështirësia Është e Mirë” (Liahona, nëntor 2017, f. 114)

Përse do të dëshiroja të përpiqesha t’i shërbeja Perëndisë?

Motra Elein L. Xhek, ish-Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, shpjegoi:

Pamja
Portreti i Elein L. Xhekut, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës nga 1990–1997.

“Si nënë e re më kujtohet që i thashë djalit tim më të vogël, Gordonit, kur ai u rrëzua nga biçikleta e tij dhe u përball jo vetëm me gjunjët e rrjepur, por edhe me humbjen e vetëbesimit: ‘Unë jam këtu’. Unë i thosha ndërsa i hidhja krahët për ta ngushëlluar: ‘Unë jam këtu’. A nuk na kujton kjo Zotin që është me ne gjithmonë? (Shih [te] Mateu 28:20.) Ai nuk është vetëm në kishë, në tempull ose kur ne gjunjëzohemi te shtrati ynë. Ai është ‘këtu’ kur ne jetojmë sipas mësimeve të Tij.”

(Elaine L. Jack, “Ponder the Path of Thy Feet”, Liahona, nëntor 1993, f. 100)

Veprat e Apostujve 23:11. Zoti i dinte sakrificat dhe sprovat e Palit dhe ishte me Të. A do të bëjë Ai të njëjtën gjë për mua?

Motra Sheron Iubank, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha mësim:

Pamja
Portreti Zyrtar i Motrës Sheron Iubank. Fotografuar në vitin 2017.

“Unë dëshmoj se ju jeni shumë të dashur [për Të]. Zoti e di se sa shumë po përpiqeni. Ju po përparoni. Mos u ndalni! Ai i sheh të gjitha sakrificat tuaja të patreguara dhe i llogarit ato për dobinë tuaj e për dobinë e atyre që ju i doni. Puna juaj nuk është e pavlerë. Ju nuk jeni vetëm. Vetë emri i Tij, Emanuel, do të thotë ‘Zoti me ne’. Sigurisht që Ai është me ju.”

(Sheron Iubank, “Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë”, Liahona, maj 2019, f. 76)

Si mund t’i kuptoj më mirë ngjarjet te Veprat e Apostujve 22–23, 26–28?

Shikoni materialin filmik “Chapter 63: Paul Finishes His Mission” [“Kapitulli 63: Pali Mbaron Misionin e Tij”] (2:32), i cili mund të gjendet në ChurchofJesusChrist.org.