Seminari
Veprat e Apostujve 27–28


Veprat e Apostujve 27–28

Ndiqeni Profetin

Pamja
stuhi në detin e errët me shkreptima dhe dallgë gjatë natës

Pasi u përndoq, u keqtrajtua dhe u burgos pa të drejtë në Jerusalem dhe Cezare, Apostulli Pal kërkoi që ta apelonte çështjen e tij përpara Cezarit në Romë. Rrugës për në Romë, Pali dhe ata që ishin me të, u përballën me stuhi të fuqishme, mbytje të anijes dhe vështirësi të tjera. Në këto rrethana, Pali dha këshilla të frymëzuara dhe paralajmërime për t’i mbrojtur të gjithë. Ky mësim ka për të qëllim të të ndihmojë të ndiesh rëndësinë e ndjekjes së këshillave të profetit.

Ndjekja e profetit

Lexoji thëniet vijuese të këshillave apo paralajmërimit profetik të marra nga broshura Për Forcën e Rinisë (2011).

“Tregoni dashuri për pjesëtarët tuaj të familjes çdo ditë” (faqe 14).

“Arsimi është një pjesë e rëndësishme e planit të Atit Qiellor për t’ju ndihmuar të bëheni më shumë si Ai. … Arsimi që fitoni, do të jetë me vlerë për ju gjatë vdekshmërisë dhe në jetën e përjetshme” (faqe 9).

“Mos ndiqni, shikoni apo merrni pjesë në asgjë që është vulgare, imorale, e dhunshme ose pornografike në çfarëdolloj mënyre” (faqe 11).

“Nëse miqtë tuaj ju nxisin të bëni gjëra që janë të gabuara, jini ai që me besim bën atë që është e drejtë, edhe nëse jeni i vetmi” (faqe 16).

  • Çfarë qëndrimesh të ndryshme ke parë të shfaqin njerëzit rreth ndjekjes së këshillave të profetëve?

  • Përse disa të rinj mund të zgjedhin të mos ua vënë veshin këshillave të profetëve?

  • Cilat mund të jenë disa nga pasojat e mosndjekjes së këshillave të profetëve?

Përsiat se si ti vetë iu përgjigjesh këshillave dhe udhëzimit të profetit. Ndërsa studion kapitullin te Veprat e Apostujve 27, kërko frymëzim nga Ati Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të marrë mbresa që do të të ndihmojnë ta forcosh zotimin tënd për të ndjekur këshillat e profetit të Zotit.

Këshilla profetike e Palit

Rrugës për në Romë për të apeluar çështjen e tij përpara Cezarit, Pali dha këshilla dhe paralajmërime për t’i mbrojtur udhëtarët gjatë udhëtimit të tyre.

1. Bëj sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Plotësoje veprimtarinë vijuese duke lexuar në fillim informacionin në krye të çdo katrori. Më pas, lexoji vargjet shoqëruese te Veprat e Apostujve 27. Përmblidhe ndodhinë në qendër të çdo kutie duke vizatuar një figurë të thjeshtë ose duke shkruar një përmbledhje të fjalëve dhe veprimeve të Palit. Sigurohu që të përfshish gjithashtu reagimin e njerëzve ndaj këshillës së Palit.

Udhëtimi i Palit për në Romë

Ushtarët romakë i hipën Palin dhe të burgosurit e tjerë në një anije me rreth 300 njerëz. Udhëtimi i tyre ishte i ngadaltë, i vështirë dhe i rrezikshëm për shkak se ishte nga fundi i vjeshtës, kohë kur ndodhnin shpesh stuhi të fuqishme.

Lexo te Veprat e Apostujve 27:9–13.

Gjatë një stuhie të tmerrshme, u bënë përpjekje për ta riparuar anijen dhe për të lehtësuar ngarkesën.

Lexo te Veprat e Apostujve 27:20–26.

Pas 14 ditësh stuhie të tmerrshme, ata provuan një afrim të rrezikshëm me tokën. Detarët e lëshuan spirancën dhe donin ta braktisnin anijen për shkak se menduan se do të përplasej me shkëmbinjtë.

Lexo te Veprat e Apostujve 27:30–36.

Pasi e lehtësuan anijen edhe më shumë, ata u përpoqën ta nxirrnin në tokë.

Lexo te Veprat e Apostujve 27:41–44.

  • Si mendon se do të kishe reaguar ndaj mësimeve të Palit nëse do të kishe qenë në anije? Përse?

  • Çfarë të vërtetash mëson nga ajo që studiove?

  • Çfarë di ti rreth profetëve që të jep siguri për këshillat dhe mësimet e tyre?

Zoti ka dhënë mësim që nëpërmjet profetit ne do të dëgjojmë zërin e Tij (shih te Doktrina e Besëlidhje 1:37–38) dhe që paralajmërimet e Tij shpesh do të vijnë nëpërmjet profetëve të Tij të zgjedhur (shih te Doktrina e Besëlidhje 1:1–4). Në kohën tonë, ne i mbështetim të gjithë anëtarët e Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues dhe zbulues. Gjej një çast për të përsiatur përse Zoti na ndihmon nëpërmjet profetëve dhe asaj që kjo tregon rreth ndjenjave të Tij ndaj nesh.

  • Çfarë mëson rreth Zotit nga këshillat dhe paralajmërimet që Ai jep nëpërmjet profetëve të Tij?

  • Çfarë përvojash ke pasur ti ose të tjerë që i njeh, me zgjedhjen për t’i ndjekur ose shpërfillur këshillat nga profeti?

Gjej disa minuta për të gjetur dhe studiuar këshillat ose paralajmërimet e fundit që Zoti na ka dhënë nëpërmjet profetëve të Tij. Disa vende për të kërkuar mund të përfshijnë biseda të konferencave të përgjithshme të fundit, revistën Për Forcën e Rinisë ose broshurën Për Forcën e Rinisë. Ti mund të përfshish thëniet nga profetët që u dhanë në fillim të mësimit.

2. Shkruaj një përmbledhje të shkurtër të asaj që gjete dhe përgjigju për pyetjet në vijim:

  • Në ç’mënyrë është provë e kujdesit, shqetësimit dhe mëshirës së Zotit për ty kjo këshillë nga profeti i Zotit?

  • Nëse e ke ndjekur këtë këshillë në jetën tënde, si të ka bekuar Ati Qiellor për bindjen tënde?

  • Nëse ka ndonjë mënyrë që ti e ke shpërfillur ose nuk i je bindur kësaj këshille, përse mund të të ftonte një Shpëtimtar i dashur të fillosh ta ndjekësh këtë këshillë? Si mund ta përmirësojë ajo jetën tënde?

Ndjekja e këshillave profetike në jetën tënde

  • Cilat janë disa nga arsyet që ti je mirënjohës për këshillat profetike dhe paralajmërimet në jetën tënde?

Kërko frymëzim nga Ati Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar të kuptosh mënyrat se si Zoti e tregon që Ai është i kënaqur me bindjen tënde ndaj profetëve të Tij, si edhe mënyrat se si Ai mund të të nxitë të përmirësohesh. Shkruaji mendimet dhe mbresat që të vijnë në mendje dhe zotohu t’i ndjekësh ato. Mund të jetë e dobishme t’ia tregosh mbresat e tua një pjesëtari të afërt të familjes ose udhëheqësi të besuar të Kishës dhe ta ftosh atë të të ndihmojë t’i ndjekësh ato mbresa.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si ndikon tek unë ndjekja e këshillave të profetëve?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim sa vijon:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Henri B. Ajring, i bërë në mars 2018.

“Zgjedhja për të mos e zbatuar këshillën profetike e ndryshon vetë terrenin mbi të cilin qëndrojmë. Ai bëhet më i rrezikshëm. Mospranimi i këshillës profetike e zvogëlon fuqinë tonë për të marrë këshillë të frymëzuar në të ardhmen. Çasti më i mirë i vendimmarrjes për ta ndihmuar Noeun për ndërtimin e arkës ishte qëkurse ai e kërkoi për herë të parë. Çdo herë që ai e kërkoi më pas, çdo dështim për t’iu përgjigjur [kërkesës], e zvogëlonte ndjeshmërinë ndaj Shpirtit. Si rrjedhim, kërkesa e tij çdo herë do të jetë dukur edhe më marrëzi, derisa erdhi shiu. Por atëherë ishte tepër vonë.

Çdo herë në jetën time kur kam zgjedhur ta vonoj ndjekjen e këshillës së frymëzuar apo kur kam përcaktuar se bëja përjashtim, arrita të kuptoj se e kisha vënë veten në rrezik. Çdo herë që e kam dëgjuar këshillën e profetëve, e kam ndier të pohuar në lutje dhe pastaj e kam zbatuar, kam mësuar se kisha lëvizur në drejtim të sigurisë.”

(Henry B. Eyring, “Finding Safety in Counsel”, Ensign, maj 1997, f. 25)

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Henri B. Ajring, i bërë në mars 2018.

“Ngaqë Zoti është dashamirës, Ai thërret shërbëtorë për t’i paralajmëruar njerëzit për rrezikun. Ajo thirrje për të paralajmëruar është bërë më e fortë dhe më e rëndësishme për faktin se paralajmërimet me vlerë më të madhe janë mbi rreziqet që njerëzit ende nuk mendojnë se janë të vërteta.”

(Henry B. Eyring, “A Voice of Warning”, Ensign, nëntor 1998, f. 32)

Veprat e Apostujve 27:9. Çfarë do të thotë që “agjërimi tashmë kishte kaluar”?

“Agjërimi” ndoshta i drejtohet ditës së shenjtë judease, të quajtur Dita e Shlyerjes, e cila shënonte fillimin e periudhës gjatë së cilës në përgjithësi mendohej si e pasigurt të udhëtoje në detin Mesdhe për shkak të stuhive të forta. Dita e Shlyerjes zakonisht ndodhte nga fundi i shtatorit ose në fillim të tetorit.

Veprat e Apostujve 27:28. Sa është një “pashë”?

Një pashë është largësia nga gishti më i gjatë i njërës dorë deri te gishti më i gjatë i dorës tjetër kur krahët janë të shtrirë plotësisht. Një pashë ishte rreth katër kubitë.