Seminari
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 7


Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 7

Veprat e Apostujve 1–28

Pamja
Të reja duke u kënaqur në Ganë.

Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i vlerësosh synimet që ke vendosur, si dhe të mësuarit dhe rritjen që ke përjetuar gjatë studimit të Dhiatës së Re.

A mund të ndryshojnë njerëzit?

Përfytyro sikur shoku yt të thotë se ka gjëra që ai dëshiron t’i ndryshojë te vetja, por nuk mendon se mund t’i bëjë ato ndryshime.

  • Si do të përgjigjeshe?

  • Si ndikon në jetën tënde njohuria se mund të ndryshosh nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Reflekto për histori nga libri Veprat e Apostujve që e ilustrojnë mënyrën se si njerëzit mund të ndryshojnë për mirë ndërsa vijnë te Krishti dhe bëhen dishepujt e Tij.

Nëse nevojitet, merre parasysh të shqyrtosh një ose më shumë nga shembujt vijues.

  1. Njerëzit që u bashkuan me Kishën: Veprat e Apostujve 2:14, 36–47

  2. Eunuku etiopas: Veprat e Apostujve 8:26–40

  3. Sauli (që u bë Pali): Veprat e Apostujve 9:1–22

  4. Korneli: Veprat e Apostujve 10:1–8, 24–25, 44–48

  5. Gardiani që ruante Palin dhe Silan: Veprat e Apostujve 16:25–36

1. Bëj sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Duke përdorur një prej këtyre shembujve ose një tjetër nga libri Veprat e Apostujve, përgatit një përgjigje për shokun tënd, i cili nuk beson se mund të ndryshojë. Përfshi sa vijon:

  • Provën e një personi ose njerëzve që ndryshojnë me ndihmën e Shpëtimtarit.

  • Mënyrën se si Shpëtimtari dhe shërbëtorët që Ai dërgoi, ndihmuan në kthimin në besim.

  • Atë që personi ose njerëzit bënë për t’iu mirëbesuar Zotit dhe shërbëtorëve të Tij.

Kthimi yt në besimin te Jezu Krishti

Përsiat për kthimin tënd në besim te Jezu Krishti. Mendo për ftesat për të ndryshuar ose për t’u përmirësuar që ti ke ndier nga Zoti teksa ke studiuar librin Veprat e Apostujve. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit.

  • Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit që të shtyn ta duash dhe ta ndjekësh Atë më plotësisht?

  • Gjatë muajit të fundit apo më tej, çfarë ndryshimesh ke patur nxitjen nga Fryma e Shenjtë që të bësh? Si u përgjigje?

  • Si të ka bekuar Ati Qiellor për përpjekjet e tua? Çfarë bëre që solli ndryshimin më të madh?

  • Çfarë, nëse ka ndonjë gjë, ta ka bërë të vështirë t’i pranosh ftesat për të ndryshuar dhe për t’u përmirësuar? Si mund të kërkosh ndihmë të mëtejshme nga Ati Qiellor?

Vazhdo të kërkosh frymëzim nga Ati Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë ndërsa e studion këtë mësim. Përpiqu të përcaktosh atë që Ai dëshiron që ti ta bësh për të ndryshuar dhe për t’u bërë i kthyer më shumë në besimin te Jezu Krishti. Zgjidh një nga veprimtaritë vijuese për ta përfunduar ndërsa reflekton mbi mënyrën se si të afrohesh më pranë Krishtit.

2. Plotëso Veprimtarinë A ose B në ditarin tënd të studimit.

Veprimtaria A: Parimet dhe ordinancat e para të ungjillit të Jezu Krishtit

Te Veprat e Apostujve, shumë njerëz morën ndihmë qiellore për të ndryshuar dhe për t’u bërë të kthyer më shumë në besimin te Jezu Krishti nëpërmjet marrjes së parimeve dhe ordinancave të para të ungjillit.

Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta shpjegon mënyrën se si këto parime dhe ordinanca na ndihmojnë të kthehemi në besim te Jezu Krishti.

“Pendimi, pagëzimi për heqjen e mëkateve, marrja e Frymës së Shenjtë nëpërmjet vënies së duarve dhe besimi i vazhdueshëm në Zotin Jezu Krisht e bëjnë kthimin në besim të plotë. Një njeri i natyrshëm do të shndërrohet në një njeri të ri, i cili është i shenjtëruar dhe i pastër, i lindur përsëri në Jezu Krishtin (2 Kor. 5:17; Mosia 3:19).”

(Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kthim, Kthyer (i)”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org)

Reflekto mbi ndodhinë që zgjodhe, e cila ilustroi dikë që ndryshoi me ndihmën e Zotit.

Mendo për përgjigjet e tua për pyetjet vijuese:

  • Çfarë roli luajtën parimet dhe ordinancat e para të ungjillit në kthimin e tij në besim?

  • Si të kanë ndihmuar parimet dhe ordinancat e para të ungjillit ty ose të tjerët të bëheni më shumë të kthyer në besimin te Shpëtimtari?

Përfytyro sikur misionarët vendorë të kërkojnë ndihmë për dikë që po i japin mësim. Ata duan që ti të tregosh mënyrën se si parimet dhe ordinancat e para të ungjillit mund të ndihmojnë për të forcuar kthimin në besim te Jezu Krishti dhe të ftojnë ndihmën e Tij për të bërë ndryshimet e nevojshme në jetën tonë. Shkruaj një shpjegim për këtë person sikur të flisje drejtpërdrejt me të. Përdor të paktën një shembull nga libri Veprat e Apostujve dhe ndonjë përvojë vetjake që ti e ndien se do të ishte e dobishme.

Veprimtaria B: Studimi i shkrimeve të shenjta dhe kthimi në besim

Një veprim i rëndësishëm që mund të ndërmarrim për ta forcuar kthimin tonë në besim te Jezu Krishti, është t’i studiojmë vazhdimisht shkrimet e shenjta. Mendo për mënyrën se si ndodhitë vijuese nga libri Veprat e Apostujve tregojnë rëndësinë e studimit të shkrimeve të shenjta për kthimin në besim.

Përsiat për mënyrën se si studimi i shkrimeve të shenjta të ka ndihmuar në kthimin tënd në besim te Shpëtimtari.

Përfytyro sikur udhëheqësi i Të Rinjve ose udhëheqësja e Të Rejave të kërkon t’i ndihmosh të rinjtë në lagjen ose degën tënde të studiojnë shkrimet e shenjta dhe ta forcojnë kthimin e tyre në besim te Jezu Krishti. Çfarë burimi mund të krijosh për t’i shtyrë ata? Gjej disa minuta për ta përvijuar burimin tënd në ditarin tënd të studimit. Mund të jetë një material filmik, një artikull, një bisedë, një faqe interneti ose një burim tjetër.

Burimi yt mund të përfshijë cilindo nga burimet vijuese:

  • Një shembull nga libri Veprat e Apostujve ose një libër tjetër i shkrimit të shenjtë që tregon rëndësinë e studimit të shkrimeve të shenjta.

  • Një shembull ose model të një aftësie nga shkrimet e shenjta që ti e përdor, që të ndihmon ose një përshkrim të mënyrës se si ti studion.

  • Një përshkrim të një përvoje ku studimi i shkrimeve të shenjta të ndihmoi ty ose dikë që ti njeh të bëheni më shumë të kthyer në besimin te Shpëtimtari.

  • Dëshminë tënde vetjake për fuqinë e studimit të shkrimeve të shenjta.

Kërko ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë ndërsa shkruan ndonjë veprim që ti e ndien se duhet të ndërmarrësh për t’u bërë më shumë i/e kthyer në besimin te Jezu Krishti. Shpëtimtari do të të ndihmojë teksa ti përpiqesh t’i ndjekësh këto mbresa. Merre parasysh t’ia tregosh mbresat e tua një prindi ose një udhëheqësi të besuar të Kishës. Kërkoju atyre të të ndihmojnë t’i ndjekësh këto mbresa.