Seminari
Galatasve 5


Galatasve 5

“Ecni sipas Frymës”

Pamja
Një grup të rinjsh e të rejash duke ecur drejt Tempullit të Seint-Xhorxhit në Jutë.

A je ndier ndonjëherë i dyzuar ndërmjet dëshirës për t’iu dhënë tundimit dhe dëshirës për të ndjekur nxitjet e Frymës së Shenjtë për të jetuar me drejtësi? Apostulli Pal përshkroi betejën që mund të ndodhë ndërmjet dëshirave të trupave tanë të papërsosur e të vdekshëm dhe Shpirtit të Perëndisë, që na bind të bëjmë mirë. Ky mësim synon të të ndihmojë të bëhesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin, duke të të dhënë mundësi për të përcaktuar mënyra se si mund të “ec[ësh] sipas Frymës” më plotësisht (Galatasve 5:16).

Tërheqje litari

Pamja
Katër burra që tërheqin një litar në një lojë me tërheqje litari.
  • Në çfarë mënyrash është jeta jote si një tërheqje litari?

Në letrën e tij drejtuar galatasve, Apostulli Pal përshkroi dy forca konkurruese që mund të na tërheqin në drejtime të ndryshme. Lexo te Galatasve 5:16–17, duke kërkuar këshillën e Palit në lidhje me këto forca.

  • Cilat forca konkurruese përcaktove nga këto vargje?

“Dëshirat e mishit” (vargu 16) janë tundimet që përjetojmë.

  • Cilat janë disa nga tundimet fizike (dëshirat e mishit) që përjetojnë të rinjtë?

Krahasoji përgjigjet e tua me listën e Palit te Galatasve 5:19–21.

Gjej një çast për të menduar në heshtje se si kjo “tërheqje litari” e Frymës kundër dëshirave të mishit mund të ndodhë në jetën tënde. Në çfarë mënyrash mund të luftosh kundër dëshirave të mishit? Si bekohesh ndërsa ndjek udhërrëfimin e Frymës? Ndërsa vazhdon të studiosh, kushtoju vëmendje nxitjeve shpirtërore që mund të të ndihmojnë të dish çdo rregullim që mund të bësh, që do të të ndihmonte t’i mposhtje tundimet me të cilat përballesh.

Shmangia e veprave të mishit

Lexo te Galatasve 5:21, duke kërkuar arsyen përse është e rëndësishme t’i shmangim dëshirat e mishit.

  • Çfarë mësove rreth arsyes përse duhet t’i shmangim këto veprime?

  • Çfarë mund ta bëjë të vështirë shmangien e dëshirave të mishit, edhe nëse e dimë se ato janë të gabuara?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2020.

“Si bij dhe bija të Perëndisë, ne kemi trashëguar aftësi hyjnore prej Tij. Por tani ne jetojmë në një botë të rënë. Vetë elementet me të cilat trupat tanë u krijuan, janë për nga natyra të rëna dhe gjithmonë të ndjeshëm ndaj ndikimit të mëkatit, korrupsionit dhe vdekjes. Si rrjedhojë, Rënia e Adamit dhe pasojat e saj shpirtërore dhe trupore na prekin më drejtpërdrejt te trupat tanë fizikë. …

Për shkak se një trup fizik është kaq qendror për planin e Atit për lumturinë dhe zhvillimin tonë shpirtëror, Luciferi kërkon ta prishë përparimin tonë duke na tunduar t’i përdorim në mënyrë të gabuar trupat tanë. Një nga ironitë bazë të përjetësisë është që kundërshtari, i cili është i mjeruar pikërisht ngaqë nuk ka trup fizik, na josh që ta ndajmë mjerimin e tij me të me anë të përdorimit të gabuar të trupave tanë. Vetë mjeti që ai nuk e ka, është kështu objekti parësor i orvatjeve të tij që të na tërheqë drejt shkatërrimit shpirtëror.”

(Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 43)

  • Çfarë fjalësh apo frazash të bënë përshtypje nga ky pohim? Pse?

Zgjedhja për të ecur sipas Frymës

Lexo përsëri te Galatasve 5:16 duke kërkuar mësimet e Palit rreth mënyrës se si mund t’i mposhtësh tundimet e mishit.

Një parim që mund të mësojmë nga Galatasve 5:16 është se ndërsa ecim sipas Frymës, do të jemi më në gjendje t’i mposhtim tundimet e mishit. 

  • Si mendon, çfarë do të thotë të “ec[ësh] sipas Frymës”?

  • Si mendon se ecja sipas Frymës mund të të ndihmojë t’i mposhtësh tundimet e mishit?

Lexoji vargjet te Mosia 3:19 dhe Doktrina e Besëlidhje 11:12 duke kërkuar mësime që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë rëndësinë e ecjes sipas Frymës.

1. Përgjigju për të paktën dy prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë mendimesh apo mbresash pate teksa i studiove këto vargje?

  • Çfarë mësove rreth mënyrës se si Jezu Krishti mund të të ndihmojë t’i mposhtësh tundimet me të cilat përballesh?

  • Cilat janë disa gjëra specifike që mund t’i bësh për t’u siguruar që Fryma të jetë më plotësisht me ty?

  • Çfarë përvojash ke pasur në të cilat ndjekja e Frymës të ka ndihmuar ta mposhtësh tundimin? (Sigurohu që të mos tregosh hollësi që janë tepër personale.)

Frytet e Frymës

Pamja
Vizatim i një peme që jep fryt të mirë

Pali përcaktoi shumë nga bekimet që mund të ndodhin në jetën tonë ndërsa e dëgjojmë dhe e ndjekim Frymën e Shenjtë. Ai i quajti këto bekime “fryti i Frymës” (Galatasve 5:22).

Lexo te Galatasve 5:22–23, duke kërkuar frytin e Frymës që përcaktoi Pali.

2. Përgjigju për njërën apo të dyja pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Cilat nga këto bekime apo ndjenja nga Fryma ke përjetuar në jetën tënde?

  • Çfarë të ndihmojnë këto bekime të kuptosh për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? (Nëse nevojitet, shih vargjet te Psalmeve 25:8–10; Mosia 2:41.)

Zbatoje atë që mësove

Jezu Krishti, i cili bëri gjithmonë vullnetin e Atit Qiellor (shih tek 3 Nefi 27:13) është shembulli i përsosur i të jetuarit në mënyrë të tillë që ta mposhtësh tundimin për të mëkatuar. Ndonëse vuajti çdo lloj tundimi të mishit (shih te Hebrenjve 4:15; Alma 7:11), Ai “nuk ua vuri veshin atyre” (Doktrina e Besëlidhje 20:22).

Merre parasysh për një çast se si ti do të përpiqesh ta ndjekësh shembullin e Jezu Krishtit dhe t’i zbatosh të vërtetat që studiove sot. Mendo për çdo nxitje që tashmë e ke marrë dhe bëj një plan në lidhje me atë që do të bësh për të ecur më plotësisht sipas Frymës dhe për ta mposhtur tundimin. Mbaje shënim planin tënd në ditarin tënd të studimit.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si mund të më ndihmojë ndjekja e Frymës së Shenjtë që t’i bëj ballë tundimit dhe ta mposht atë?

Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti i fundit zyrtar i Plakut Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2000. Ndërroi jetë më 3 korrik 2015.

“Nuk pritet që ju të shkoni nëpër jetë pa bërë gabime, por ju nuk do të bëni gabime të mëdha pa qenë të paralajmëruar më parë nga nxitjet e Frymës së Shenjtë. Ky premtim vlen për të gjithë anëtarët e Kishës. …

Nëse ju po përfshiheni në gjëra që nuk duhet, ose nëse ju po shoqëroheni me njerëz që po ju tërheqin në drejtim të gabuar, ajo është koha që të ushtroni pavarësinë tuaj, lirinë tuaj të zgjedhjes. Mbani vesh zërin e Shpirtit dhe ju nuk do të udhëhiqeni shtrembër.

Unë them përsëri se rinia sot po rritet në territor armik me një standard në rënie të moralitetit. Por si shërbëtor i Zotit, unë ju premtoj se ju do të jeni të mbrojtur dhe të ruajtur nga sulmet e kundërshtarit nëse ju do t’u vini veshin nxitjeve që vijnë nga Fryma e Shenjtë.”

(Bojd K. Paker, “Këshillë për Rininë”, Liahona, nëntor 2011, f. 18)

Për të parë një ilustrim të rezultateve të përmbushjes së dëshirave të mishit dhe ecjen sipas Frymës, shiko materialin filmik “LDS Addiction Recovery Program: Meet Sidreis” [“Programi SHDM i Riaftësimit nga Varësitë: Njihuni me Sidreisën”] (3:06), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.