Seminari
Galatasve 6


Galatasve 6

“Ç’të Mbjellë Njeriu, Atë Edhe Do të Korrë”

Pamja
Grua dhe vajzë që mbledhin të korrat dhe merren me kopshtari në Ekuador.

A e pyet veten ndonjëherë nëse përpjekjet e tua për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit do të çojnë drejt synimeve të përjetshme? Pali u shkroi shenjtorëve në Galati për t’i ndihmuar ata të dallonin se mënyra se si ne e jetojmë çdo ditë jetën tonë ndikon në faktin nëse Shpëtimtari do të na bekojë me “jetë të përjetshme” (Galatasve 6:8). Ky mësim mund të të ndihmojë të dallosh veprimet që duhet të ndërmarrësh për të realizuar synimet e tua të përjetshme.

Synimet e përjetshme

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një bashkëbisedim të paharrueshëm që pati dikur me një të ri.

Shiko materialin filmik “Choose Wisely” [“Zgjidhni me Mençuri”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 3:03 deri në 4:52, ose lexoje thënien vijuese. Kërko synimet që kishte ky i ri dhe keqkuptimet që mund të ketë pasur për arritjen e tyre.

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Kuentin L. Kuk. U thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve më 6 tetor 2007.

“Kohët e fundit takova një të ri adoleshent të hijshëm. Synimet e tij ishin të shkonte në mision, të merrte arsimim, të martohej në tempull dhe të kishte një familje besnike e të lumtur. Isha shumë i kënaqur me synimet e tij. Por gjatë bisedës së mëtejshme, u bë e qartë se sjellja e tij dhe zgjedhjet që po bënte, nuk ishin në përputhje me synimet e tij. Ndjeva se ai sinqerisht donte të shkonte në mision dhe po shmangte shkelje të rënda që do ta ndalonin nga një mision, por sjellja e tij ditë pas dite nuk po e përgatiste për sfidat fizike, emocionale, shoqërore, intelektuale dhe shpirtërore që ai do të haste. Ai nuk kishte mësuar të punonte fort. Ai nuk ishte serioz me shkollën apo seminarin. Ai merrte pjesë në kishë, por nuk e kishte lexuar Librin e Mormonit. Ai po harxhonte një sasi të madhe kohe me videolojëra dhe mjete të komunikimit shoqëror. Dukej se mendonte që thjesht të shkuarit në mision do të mjaftonte.”

(Kuentin L. Kuk, “Zgjidhni me Mençuri”, Liahona, nëntor 2014, f. 47)

  • Çfarë mund të ketë keqkuptuar ky i ri lidhur me arritjen e synimeve të tij?

Në ditarin tënd të studimit, bëj një listë të shkurtër të synimeve që ke që do t’i konsideroje me rëndësi të përjetshme. Mendo se përse ti dëshiron t’i arrish këto synime. Përsiat se si sjellja jote ditë pas dite mund të të drejtojë drejt ose larg nga këto synime me rëndësi të përjetshme. Ndërsa studion, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë t’i përputhësh më mirë veprimet e tua të përditshme me rezultatet me rëndësi të përjetshme që dëshiron.

Ligji i të korrave

Shenjtorët në Galati ishin ekspozuar ndaj mësimeve të rreme që bënë që shumë vetë të udhëhiqeshin shtrembër (shih te Galatasve 1:6–9). Disa besuan dhe dhanë mësim doktrinën e rreme që johebrenjtë e kthyer në besim duhej të rrethpriteshin që të shpëtoheshin (shih te Galatasve 6:12; Veprat e Apostujve 15:1). Të tjerët besonin në mënyrë të rreme se hiri i Krishtit u dha atyre liri për të mëkatuar (shih te Galatasve 5:13). Pasi i trajtoi këto bindje të rreme dhe i nxiti shenjtorët t’i ndihmonin ata që kishin humbur rrugën shpirtërore, Pali dha mësim një të vërtetë të rëndësishme për t’i ndihmuar njerëzit të kuptonin ndikimin e veprimeve të tyre.

Lexo te Galatasve 6:7–8. Kërko një të vërtetë që Pali e dha mësim që mund të ndikojë në veprimet tona të përditshme. Vër re fjalët mbjellja dhe korrja që përmenden në këto vargje.

  • Si do t’i shpjegoje mësimet e Palit me fjalët e tua?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Galatasve 6:7 është se çfarëdo të mbjellë një person, atë edhe do të korrë. Kjo ide zakonisht i referohet ligjit të të korrave.

  • Çfarë shembujsh të kësaj të vërtete ke parë në jetën tënde ose në jetën e të tjerëve?

  • Si mund të ndikojë të kuptuarit e kësaj të vërtete në vendimet që ti merr në jetën tënde?

Mësimet e Almës për birin e tij, Koriantonin, te Libri i Mormonit mund të na ndihmojnë t’i kuptojmë më mirë nënkuptimet e përjetshme të ligjit të të korrave ose atij që Alma iu referua si “plani i rivendosjes”. Lexo tek Alma 41:3–6, 10–15, duke kërkuar të vërtetat që e përmirësojnë kuptueshmërinë tënde rreth mësimeve të Palit.

  • Cilat fjalë ose fraza t’u dukën domethënëse nga këto vargje? Përse?

  • Pasi e shqyrtove atë që Alma i mësoi Koriantonit, si zbatohet ky mësim në fjalët e Palit që “ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë”? (Galatasve 6:7.)

  • Çfarë të ndihmojnë të kuptosh mësimet që ke studiuar deri më sot për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Ftesa e Palit drejtuar galatasve

Pali i përmbylli mësimet e tij për ligjin e të korrave me një ftesë. Lexo te Galatasve 6:9–10, duke kërkuar atë që Pali i ftoi shenjtorët të bënin.

  • Si mendon, çfarë do të thotë “të mos lodhemi duke bërë të mirën”? (Galatasve 6:9.)

  • Në ç’mënyrë është Jezu Krishti shembulli i përsosur i kësaj?

  • Si mendon, çfarë nënkuptoi Pali kur tha se ne do të korrim “në kohën e vet” (Galatasve 6:9) ndërsa përpiqemi t’u bëjmë mirë të tjerëve? Përse është e rëndësishme kjo për t’u kuptuar?

Zbatimi i asaj që mësove

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, na nxiti të mendojmë se ku do të na drejtojë secila prej zgjedhjeve tona (shih “Ku do të na Çojë Kjo?”, Liahona, maj 2019, f. 60–62).

Për ta zbatuar këtë këshillë nga Presidenti Ouks, kryej veprimtarinë vijuese.

1. Për ta zbatuar këtë këshillë nga Presidenti Ouks, kryeje veprimtarinë vijuese në ditarin tënd të studimit. Përfshi vetëm pjesët e tabelës tënde që nuk janë shumë personale për t’u treguar.

Krijo një tabelë të ngjashme me sa vijon:

Çfarë po mbjell (veprimet që kryen rregullisht)

Çfarë po korr ose mund të presësh të korrësh në të ardhmen (ku të çojnë këto veprime)

Në anën e majtë bëj një listë të disa prej gjërave që harxhon pjesën më të madhe të kohës tënde duke i bërë ose do të doje të filloje t’i bëje rregullisht.

Në anën e djathtë, shkruaj se cilat ndien se do të jenë rezultatet e bërjes së atyre gjërave rregullisht. Mendo për rezultatet që mund të presësh po t’i përsëritje këto veprime rregullisht për një javë, një muaj, një vit, pesë vite ose edhe për gjithë jetën tënde.

Përsiat për çdo nxitje që ke marrë nga Fryma e Shenjtë teksa studiove sot. Poshtë tabelës tënde shkruaj çdo rregullim që je ndierë i nxitur të bësh në jetën tënde që do të të ndihmojë të kualifikohesh më mirë për të marrë bekimet që dëshiron. Perëndia do të të ndihmojë ndërsa bën përpjekjet e tua më të mira (shih te Doktrina e Besëlidhje 123:17).

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë? 

Galatasve 6:8. Çfarë do të thotë nëse një person “mbjell për Frymë” ose “mbjell për mish të tij”?

Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

“Të mbjellësh në Frymë do të thotë se të gjitha mendimet, fjalët dhe veprimet tona duhet të na ngrenë në nivelin e hyjnueshmërisë së prindërve tanë qiellorë. Megjithatë, shkrimet e shenjta i referohen mishit si natyra fizike apo trupore e njeriut të natyrshëm, që i lejon njerëzit të ndikohen nga pasioni, dëshirat, orekset dhe shtytjet e mishit, në vend të kërkimit për frymëzim nga Fryma e Shenjtë. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ato ndikime të ndërthurura me presionin e së keqes në botë, mund të na nxisin të praktikojmë sjellje të vrazhdë dhe të pamatur, që mund të bëhet pjesë e karakterit tonë. Në mënyrë që t’i shmangim ato ndikime të pahijshme, ne duhet të ndjekim atë për të cilën Zoti e udhëzoi Profetin Jozef Smith rreth mbjelljes vazhdimisht në Frymë: ‘Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe’ (Doktrina e Besëlidhje 64:33).”

(Ulises Soares, “Qëndroni në Territorin e Zotit!”, Liahona, maj 2012, f. 39)

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Nëse kënaqemi me drogë ose pornografi apo ligësi të tjera që Apostulli [Pal] i quajti mbjellje për mishin, ligji i përjetshëm dikton që do të korrim prishje në vend të jetës së përjetshme. Kjo është drejtësia e Perëndisë dhe mëshira nuk mund ta grabitë drejtësinë. Nëse shkelet një ligj i përjetshëm, duhet vuajtur dënimi i parashikuar në atë ligj. Një pjesë e kësaj mund të shfajësohet me anë të Shlyerjes së Shpëtimtarit, por pastrimi i mëshirshëm i një mëkatari të ndotur vjen vetëm pas pendimit (shih tek Alma 42:22–25), që për disa mëkate është një proces i zgjatur dhe i dhembshëm.”

(Dallin H. Oaks, “Be Not Deceived”, Liahona, nëntor 2004, f. 45)

Si mund ta ndryshojnë përpjekjet e vogla jetën time dhe jetën e të tjerëve?

Shiko materialin filmik “Of Seeds and Soils” [“Për Farat dhe Tokat”] nga kodi kohor 7:06 deri në 9:11 për të parë një shembull të veprimeve të vogla që ndryshojnë jetën e qindra njerëzve. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.