Seminari
Hebrenjve 12


Hebrenjve 12

“Perëndia Ndreq Atë që Do”

Pamja
Familje e re në Zelandën e Re duke luajtur dhe duke qeshur me fëmijët e tyre jashtë shtëpisë së vet. Ata po luajnë basketboll, po mbajnë fëmijët në duar, po qeshin dhe po shohin një djalë të vogël të ngasë një biçikletë me tri rrota.

Kur ishte hera e fundit që dikush të qortoi ose korrigjoi? Si u përgjigje? A ke qenë ndonjëherë mirënjohës për korrigjimin që të është bërë? Pali u shkroi shenjtorëve hebrenj dhe u shpjegoi se Ati ynë Qiellor shpesh e tregon dashurinë e Tij duke na korrigjuar. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh se si nënshtrimi ndaj korrigjimit nga Ati Qiellor me përulësi mund të të ndihmojë të kesh paqe dhe të bëhesh më i ngjashëm me Të.

Vrapimi i jetës

Pamja
vrapues
Pamja
Pista atletike ose pista vrapimi me një pamje të këndshme në sfond

Në ditarin tënd të studimit, bëj një listë me mënyrat sipas të cilave jeta jote në vdekshmëri ngjan si një vrapim i gjatë. Për shembull, mund të përgjigjesh për pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë po të bën të ndihesh i lodhur ose i këputur?

  • Në çfarë aspektesh po ia del mirë në vrapim dhe në ç’aspekte mund t’ia dalësh më mirë?

  • Cila është vendmbërritja drejt së cilës po vrapon? Përse është e dëshirueshme ajo?

  • Pse ke nevojë për ndihmë për ta përfunduar vrapimin e jetës?

“Rendim me durim”

Apostulli Pal e krahasoi jetën tonë me një vrapim. Lexo te Hebrenjve 12:1–2, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth mënyrës se si ne mund të rendim me sukses në vrapimin e jetës. Vini re se fraza “re … dëshmimtarësh” e përmendur te vargu 1 u referohet shembujve të besimit të shënuar te Hebrenjve 11.

  • Çfarë të bëri përshtypje në këto vargje?

  • Si do të na ndihmonte ndjekja e këshillës së Palit për të rendur me sukses në vrapimin e jetës?

Pali shënoi te vargu 2 që Shpëtimtari e duroi sfidën e kryqëzimit duke u përqendruar në “gëzimin që ishte përpara tij” (Hebrenjve 12:2). Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit Rasëll M. Nelson, i bërë në janar 2018

“Cili qe gëzimi që ishte përpara Tij? Me siguri ai përfshiu gëzimin e pastrimit, shërimit dhe forcimit tonë; gëzimin e pagimit për mëkatet e të gjithë atyre që do të pendoheshin; gëzimin e bërjes së mundshme për mua dhe ju që të kthehemi në shtëpi – të pastër dhe të denjë – për të jetuar me Prindërit tanë Qiellorë dhe me familjet tona.”

(Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 83)

  • Çfarë të mëson pika e përqendrimit të Shpëtimtarit gjatë Kryqëzimit të Tij rreth asaj që Ai ndien për ty?

  • Si mund të të ndihmojë fakti që e di këtë rreth Jezu Krishtit, për të përjetuar gëzim edhe gjatë kohëve të vështira?

  • Cilat janë disa gëzime ku mund të përqendrohesh gjatë kohëve të vështira në jetën tënde?

Të durojmë qortimin nga Zoti

Mendo për një rast kur dikush të korrigjoi dhe si reagove ndaj atij korrigjimi.

  • Cilat janë disa arsye për të cilat të kanë korrigjuar njerëzit?

  • Përse ndonjëherë është e vështirë të të korrigjojnë të tjerët?

  • Kur ke qenë mirënjohës për disa nga korrigjimet që ke marrë? Përse?

Lexo te Hebrenjve 12:5–7, 9–11, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth qortimit ose korrigjimit.

Hebrenjve 12:9 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merre parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi. Do të mësosh më shumë për këtë fragment të zotërimit doktrinor në mësimin e ardhshëm.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth qëllimeve që ka Ati Qiellor kur na qorton?

Rishikoji vargjet te Hebrenjve 12:10–11 përsëri, duke kërkuar se si mund ta plotësosh të vërtetën vijuese:

  • Nëse i nënshtrohemi qortimit të Atit Qiellor …

Ja ku është një mënyrë se si mund ta plotësosh këtë të vërtetë: Nëse i nënshtrohemi qortimit të Atit Qiellor, ne do të bëhemi më shumë si Ai dhe do të kemi paqen që vjen nga drejtësia.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha pikëpamjet në vijim rreth qortimit që marrim nga Zoti:

Pamja
Portreti i Plakut D. Tod Kristoferson. Fotografuar në mars 2020.

“Ndëshkimi hyjnor ka të paktën tre qëllime: 1) të na mbushë mendjen që të pendohemi, 2) të na pastrojë e shenjtërojë ne dhe 3) nganjëherë ta ridrejtojë orientimin e jetës sonë në atë që Perëndia e di se është një shteg më i mirë. …

… Nëse jemi të gatshëm ndaj tij, korrigjimi i nevojshëm do të vijë në shumë forma dhe nga shumë burime. Ai mund të vijë gjatë lutjeve tona sepse Perëndia i flet mendjes dhe zemrës sonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë [shih te Doktrina e Besëlidhje 8:2]. Ai mund të vijë në formën e lutjeve që marrin përgjigjen ‘Jo’, ose ndryshe nga ç’e kemi pritur ne. Ndëshkimi mund të vijë kur studiojmë shkrimet e shenjta dhe kujtohemi për mungesat, mosbindjen, apo thjesht çështje që i kemi lënë pas dore.”

(D. Tod Kristoferson, “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Liahona, maj 2011, f. 98, 99)

  • Në bazë të thënies së Plakut Kristoferson, cilat janë disa mënyra në të cilat Ati Qiellor mund të na qortojë ose korrigjojë?

Nëse është e mundur, shih materialin filmik “The Will of God” [“Vullneti i Perëndisë”] (3:01) për të parë se si Presidenti Hju B. Braun (1883–1975), i Presidencës së Parë, u ndihmua nga qortimi i Perëndisë. Ky material filmik mund të gjendet te ChurchofJesusChrist.org.

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash pate ndërsa e pe këtë material filmik, që mund të të ndihmojnë në jetën tënde?

  • Si mund të të sjellë paqe nënshtrimi ndaj qortimit të Atit Qiellor dhe të të ndihmojë të bëhesh më shumë si Ai?

  • Çfarë përvojash ke pasur në të cilat qortimi i Atit Qiellor të ka ndihmuar të gjesh paqe ose të bëhesh më shumë si Ai?

  • Si ndikoi kjo përvojë te ndjenjat e tua për Të?

1. Bëje këtë që vijon me tri deri në pesë fjali në ditarin tënd të studimit:

Reflekto mbi atë që ke mësuar dhe ndier sot, që mund të të ndihmojë në jetën tënde. Mbaji shënim mendimet dhe mbresat e tua, përfshirë çdo veprim që planifikon të ndërmarrësh në bazë të asaj që mësove dhe ndjeve.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Po sikur të ndiej se po mbetem prapa të tjerëve në vrapimin e jetës?

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Ne nuk jemi në një garë kundër njëri-tjetrit, që të shohim se cili është më i pasuri, ose më i talentuari, ose më i bukuri apo madje më i bekuari. Gara në të cilën jemi me të vërtetë, është ajo kundër mëkatit.”

(Xhefri R. Holland, “Punëtorët në Vresht”, Liahona, maj 2012, f. 31, 32)

Si e tregon qortimi i Atit Qiellor dashurinë e Tij për ne?

Plaku Taniela B. Uakolo, i Të Shtatëdhjetëve, përshkruan shembuj nga vetë jeta e tij dhe nga jeta e Jozef Smithit që treguan dashurinë e Perëndisë te qortimi.

Shiko “Perëndia i Do Fëmijët e Tij” nga kodi kohor 5:23 në 8:04 për t’i parë këta shembuj.

Shkrimet e shenjta dëshmojnë për qëllimet e shumta pse qorton Zoti. Te Hebrenjve 12:10, Pali na mësoi se Zoti na ndreq “për të mirën tonë që të bëhemi pjes[ë]tarë të shenjtërisë së tij”. Ndreqja e Tij “u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij” (Hebrenjve 12:11). Korrigjimi i Zotit mund të marrë shumë trajta dhe ai gjithmonë ndihmon për t’u dhënë një mësim individëve si dhe për të siguruar ndreqjen e nevojshme. Qortimi i ndihmon njerëzit ta kujtojnë Zotin, të pendohen, të marrin falje dhe çlirim, të mësojnë bindjen dhe të bëhen të rafinuar si ari (shih te Helamani 12:3; Doktrina e Besëlidhje 1:27; 95:1; 105:6; Jobit 23:10).

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha për qortimin e Zotit:

Pamja
Portreti i Plakut D. Tod Kristoferson. Fotografuar në mars 2020.

“Korrigjimi është jetik nëse do ta përshtasim jetën tonë ‘[me] një njeri [të] përsosur, [që është] në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit’ (Efesianëve 4:13). Pali tha për korrigjimin ose ndëshkimin hyjnor: ‘Sepse Perëndia ndreq atë që do’ (Hebrenjve 12:6). Edhe pse shpesh është e vështirë të durojmë, vërtet, ne duhet të gëzohemi që Perëndia konsideron se ia vlen koha dhe mundimi që të na korrigjojë.”

(D. Tod Kristoferson, “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Liahona, maj 2011, f. 98)