Seminari
Lluka 23:33–46; Gjoni 19:26–30


Lluka 23:33–46; Gjoni 19:26–30

Dhembshuria e Shpëtimtarit në Kryq

Pamja
gra poshtë kryqit të Jezu Krishtit

Gjërat që Jezusi tha ndërsa ishte mbi kryq, tregojnë karakterin dhe cilësitë hyjnore të Tij. Teksa studion, mundohu ta rritësh dëshirën tënde për të qenë më i ngjashëm me Jezu Krishtin ndërsa mëson nga shembulli i Tij kur u kryqëzua.

Kujdesi për të tjerët

Përsiat pyetjet vijuese: A tregon shpesh dhembshuri ndaj të tjerëve? Përse po ose përse jo?

1. Në ditarin tënd të studimit, rendit situata ku mund të jetë e vështirë për ty të interesohesh për shqetësimet dhe mirëqenien e të tjerëve. Shpjego se përse ato situata e bëjnë të vështirë që ti ta bësh këtë gjë.

Merre parasysh t’i përgjigjesh pyetjes vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si mund të jetë jeta jote më e mirë po të tregoje dhembshuri ndaj të tjerëve edhe kur ke qenë në rrethana të vështira?

Në këtë mësim ti do kesh mundësinë të studiosh shembullin e Shpëtimtarit të dhënies së ndihmës ndaj të tjerëve edhe gjatë përvojës së Tij të dhimbshme në kryq. Ndërsa studion shembullin e Shpëtimtarit, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që të të ndihmojë të dëshirosh të jesh më i ngjashëm me Të.

Përvojat përpara dhe gjatë Kryqëzimit

Kujto përvojat e Shpëtimtarit përpara dhe gjatë Kryqëzimit të Tij:

  • Ai vuajti për mëkatet e botës në Gjetseman (shih te Lluka 22:39–44).

  • Ai u tradhtua nga Juda dhe u braktis nga Apostujt e Tij (shih te Marku 14:43–50).

  • Ai u gjykua, u rrah dhe u pështy nga udhëheqësit judeas (shih te Mateu 26:57–68).

  • Ai u mor në pyetje nga Pilati si dhe nga Herodi dhe u përqesh nga Herodi dhe ushtarët e Tij (Lluka 23:1–24).

  • Ai u rrah brutalisht dhe u fshikullua nga ushtarët romakë (shih te Mateu 27:26–31).

  • Ai e mbajti kryqin e Tij të paktën në një pjesë të rrugës për në Golgotë (shih te Gjoni 19:16–17).

  • Në duart dhe këmbët e Tij u ngulën gozhdë dhe Ai u kryqëzua në mes të dy vjedhësve (shih te Lluka 23:33; shih edhe te Gjoni 20:25).

  • Ai u var në kryq (shih te Mateu 27:45–50; Marku 15:25).

Mendo se si këto ngjarje ndikojnë te mënyra se si ti ndihesh kundrejt Shpëtimtarit dhe asaj që Ai duroi për ty. Lexo fragmentet vijuese të cilat përmbajnë thënie që Shpëtimtari i tha ndërkohë që ishte mbi kryq. Përcaktoji të vërtetat për Jezu Krishtin nga thëniet e Tij dhe renditi ato në ditarin tënd të studimit.

  • Lluka 23:33–34. Shpëtimtari tha këto fjalë për ushtarët që e kryqëzuan Atë (shih te Përkthimi prej Joseph Smith-it për vargun te Lluka 23:34 në kombinimin tresh të shkrimeve të shenjta).

  • Lluka 23:39–43. Këto vargje shënojnë atë që thanë hajdutët që u kryqëzuan me Shpëtimtarin, dhe mënyrën se si u përgjigj Shpëtimtari. (Vër re që Profeti Jozef Smith dha mësim që kur Shpëtimtari iu referua këtij hajduti se do të ishte me të në parajsë, Ai po jepte mësim që “Unë do të jem me ty në botën e shpirtrave & dhe do të të mësoj ose do t’u përgjigjem pyetjeve të tua” [“Discourse, 11 qershor 1843–A, siç raportohet nga Wilford Woodruff”, f. 44 josephsmithpapers.org]).

  • Gjoni 19:26–27. Këto vargje shënojnë atë që Shpëtimtari i tha nënës së Vet, Maries dhe Apostullit Gjon.

2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë mësove për Jezu Krishtin që ka qenë më kuptimplotë për ty? Përse?

  • Në çfarë mënyrash dëshiron të jesh si Shpëtimtari? Përse?

Shpëtimtari nuk mendoi vetëm për ushtarët romakë, hajdutët dhe nënën e Tij ndërkohë që ishte në kryq. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim një mënyrë tjetër se si Shpëtimtari u përqendrua tek të tjerët ndërkohë që ishte në agoni.

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Si në të gjitha gjërat, Jezu Krishti është shembulli ynë më i lartë, ‘i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin’ [Hebrenjve 12:2]. Merreni me mend! Në mënyrë që të duronte përvojën më torturuese të duruar ndonjëherë në tokë, Shpëtimtari ynë u përqendrua te gëzimi!

Dhe cili qe gëzimi që ishte përpara Tij? Me siguri ai përfshiu gëzimin e pastrimit, shërimit dhe forcimit tonë; gëzimin e pagimit për mëkatet e të gjithë atyre që do të pendoheshin; gëzimin e bërjes së mundshme për mua dhe ju që të kthehemi në shtëpi – të pastër dhe të denjë – për të jetuar me Prindërit tanë Qiellorë dhe me familjet tona.”

(Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 83)

  • Ku u përqendrua Shpëtimtari ndërkohë që vuajti për ne?

  • Çfarë të mësoi Presidenti Nelson rreth dëshirave të Shpëtimtarit për ty?

Përsiat për një çast për të vërtetën që, ndërkohë që Shpëtimtari ishte në kryq, Ai u përqendrua tek ti dhe te gëzimi i ndihmës që të të kthente ty tek Ati Qiellor.

  • Çfarë ndryshimi mund të sjellë në jetën tënde po ta kuptosh këtë të vërtetë? Përse kjo njohuri do të sillte një ndryshim të tillë për ty?

3. Përgjigju për pyetjen vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Kur e ke ndihmuar dikë ndërkohë që po përjetoje një sfidë, ose kur e ka bërë dikush këtë për ty?

Nëse do të të ndihmonte të shihje një shembull, shih “Ta Duam Njëri-Tjetrin sikurse Ai na Ka Dashur”, që gjendet në ChurchofJesusChrist.org nga kodi kohor 3:22 deri në 7:54.Ta Duam Njëri-Tjetrin sikurse Ai na Ka Dashur

Kërko frymëzimin e Frymës së Shenjtë duke përsiatur për shembullin e Shpëtimtarit dhe atë që ti ke ndier sot. Përcakto mënyra se si ti mund të jesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin duke treguar dashuri dhe dhembshuri ndaj të tjerëve edhe gjatë sfidave të tua. Më pas mbaji shënim këto mënyra në ditarin tënd të studimit. Rishikoje listën që bëre dhe me lutje zgjidh një nga mënyrat se si ti mund të jesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin. Përcaktoje atë te shënimi në ditarin tënd. Lutu dhe kërko mundësi për ta realizuar këtë veprim.

“U krye”

Pasi vuajti disa orë mbi kryq, Shpëtimtari shqiptoi fjalët e Tij të fundit.

Lexo te Gjoni 19:28–30 dhe Lluka 23:46. Shëno thëniet e fundit të Shpëtimtarit në vdekshmëri.

  • Çfarë mund të na ndihmojnë të kuptojmë këto thënie rreth Shpëtimtarit dhe misionit të Tij?

Ashtu si Shpëtimtari, ne mund të kryejmë atë që Ati dëshiron që ne të bëjmë në jetën tonë. Mos e harro këtë ndërsa kërkon që të vijosh me atë që vendose të zbatosh sot.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Gjoni 19:27. Çfarë mund të mësojmë nga thënia e Shpëtimtarit “Ja nëna jote”?

Ne mund të ndjekim shembullin e Jezu Krishtit ndërsa përpiqemi fort t’i vlerësojmë, t’i duam dhe të kujdesemi për nënat tona. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i nderoi nënat e drejta dhe e krahasoi dashurinë e tyre me dashurinë e Shpëtimtarit.

Shih “Ja Nëna Jote”, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:20 deri në 2:53.

Si ndikon ndihma ndaj të tjerëve kur jemi vetë në vështirësi, që të bëhemi ata që po bëhemi?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Karakteri zbulohet … në fuqinë për të dalluar vuajtjen e njerëzve të tjerë kur ne vetë po vuajmë; në aftësinë për të dalluar urinë e të tjerëve kur ne jemi të uritur; dhe në fuqinë për të ndihmuar dhe treguar dhembshuri për agoninë shpirtërore të të tjerëve kur ne jemi në mes të vetë ankthit tonë shpirtëror. Kështu, karakteri shfaqet duke kërkuar dhe duke u drejtuar jashtë vetes, kur përgjigjja e natyrshme dhe instinktive është që të jemi të përqendruar te vetja dhe të kthehemi drejt vetes sonë. Nëse një zotësi e tillë është me të vërtetë kriteri përfundimtar i karakterit moral, atëherë Shpëtimtari i botës është shembulli i përsosur i një karakteri të tillë, të qëndrueshëm dhe bamirës.”

(David A. Bednar, “The Character of Christ” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho, 25 janar 2003], byui.edu)

Çfarë bekimesh mund të vijnë ndërsa u shërbejmë të tjerëve kur gjërat janë të vështira për ne?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Ne duhet të vëmë re mundimin e të tjerëve dhe të përpiqemi që t’i ndihmojmë. Ajo do të jetë veçanërisht e vështirë kur ne po vihemi rëndë në provë vetë. Por do të zbulojmë se kur ngremë barrën e dikujt tjetër, qoftë edhe pak, shpinat tona forcohen dhe ne ndiejmë dritë në errësirë.”

(Henri B. Ajring, “Të Vënë në Provë, të Provuar dhe të Lëmuar”, Liahona, nëntor 2020, f. 98)