Seminari
Mateu 27:50–66; Lluka 23:55–56; Gjoni 19:39–40


Mateu 27:50–66; Lluka 23:55–56; Gjoni 19:39–40

Nderimi dhe Shfaqja e Dashurisë për Shpëtimtarin

Pamja
trupi i Krishtit të kryqëzuar, duke e mbështjellë me një pëlhurë të bardhë varrimi

Kur Jezusi vdiq, “toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë” (Mateu 27:51), por ndodhi diçka edhe më e rëndësishme në tempull: veli i Shenjtërores së Shenjtëroreve u shqye në dy pjesë. Pas vdekjes së Shpëtimtarit, dishepujt e Tij bënë përpjekje të madhe për të marrë trupin e Tij dhe për ta përgatitur me kujdes për varrosje. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të kuptosh dhe të reflektosh mbi atë që Jezu Krishti ka bërë për ty dhe atë që ti mund të bësh për të treguar nder dhe vlerësim për Të.

Nderimi i atyre që kanë ndërruar jetë

Njerëzit e kulturave të ndryshme kanë mënyra të ndryshme për ta kujtuar dhe nderuar dikë që ka vdekur. Mendo për dikë që ti e do, i cili ka ndërruar jetë, ose përsiat se si mund të ishte nëse një njeri i afërt për ty do të ndërronte jetë.

  • Çfarë dëshiron (ose do të dëshiroje) të kujtoje gjithmonë rreth atij njeriu të dashur?

  • Çfarë bën për ta nderuar apo për të treguar dashuri për ata që kanë ndërruar jetë?

Fragmentet e shkrimeve të shenjta në këtë mësim përshkruajnë vdekjen e Shpëtimtarit në kryq dhe ngjarjet që ndodhën menjëherë pas saj. Gjej një çast për të përsiatur për pyetjet vijuese:

  • Si do të ishe ndier nëse do të kishe dëshmuar vdekjen e Jezusit?

  • Si ndihesh për vdekjen e Tij tani?

  • Si mund të duash ta kujtosh dhe ta nderosh Atë?

Ndërsa studion sot, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që të të ndihmojë të dish se si mund ta kujtosh, nderosh dhe të tregosh dashuri për Shpëtimtarin.

Simbolizmi i velit të tempullit

Në kohën e vdekjes së Jezusit, pati një tërmet dhe shfaqje të tjera fizike, duke përfshirë dëmtimin e tempullit. Lexo te Mateu 27:50–51 dhe merr parasysh të shenjosh hollësinë për tempullin që shënoi Mateu.

Pamja
vizatim i thjeshtë i pamjes së planit të tempullit me velin

Tempulli i lashtë kishte dy dhoma të ndara me një vel ose një perde. Një herë në vit, Ditën e Shlyerjes së Mëkateve, prifti i lartë kalonte nga Vendi i Shenjtë përtej velit të tempullit dhe hynte te Shenjtërorja e Shenjtëroreve. Kjo dhomë përfaqësonte praninë e Perëndisë. Në këtë dhomë, kryeprifti spërkaste gjakun në altar nga një flijim për mëkatin për të shlyer për mëkatet e Izraelit (shih te Levitiku 16).

  • Çfarë mund të simbolizojë çarja e velit në Shenjtëroren e Shenjtëroreve?

Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rëndësinë simbolike të kësaj ngjarjeje:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Shenjtërorja e Shenjtëroreve është tashmë e hapur për të gjithë dhe të gjithë, nëpërmjet gjakut shlyes të Qengjit, tanimë mund të hyjnë në më të lartin dhe më të shenjtin e të gjitha vendeve, në atë mbretëri ku gjendet jeta e përjetshme. … [Të gjithë njerëzve] u jepet e drejta për të kaluar përtej velit në praninë e Zotit për të trashëguar ekzaltimin e plotë.”

(Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:830)

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ato që ndodhën te Mateu 27:51, është që Jezu Krishti e ka bërë të mundur që ne të gjithë të kthehemi në praninë e Atit Qiellor dhe të bëhemi si Ai. Gjithashtu Apostulli Pal dha mësim që çarja e velit e ilustroi këtë të vërtetë (shih te Hebrenjve 10:19–20).

Përsiat çmimin që Shpëtimtari yt pagoi për ta hapur velin dhe për ta bërë të mundur që ti të kthehesh në mbretërinë e Atit të Tij.

1. Shëno sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Shkruaj disa mënyra se si Shpëtimtari të ka ndihmuar ty personalisht të rritesh e të përmirësohesh dhe të bëhesh më i ngjashëm me Atin tënd Qiellor në mënyrë që të mund të kthehesh përfundimisht në praninë e Tij.

Jezusi nderohet nga dishepujt e Tij

Kur Jezusi vdiq, dishepujt e Tij kërkuan ta kujtonin dhe ta nderonin Atë. Lexo për atë se si disa nga dishepujt treguan dashurinë e tyre për Jezusin.

  • Mateu 27:57–60: Jozefi nga Arimatea, një dishepull i pasur dhe një anëtar i sinedrit, këshilli drejtues më i lartë judeas

  • Gjoni 19:39–40: Nikodemi, një farise dhe anëtar i sinedrit

  • Lluka 23:55–56: Maria Magdalena dhe gra të tjera

Informacioni vijues mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë veprimet e këtyre dishepujve.

Pamja
Varri i kopshtit në Jerusalem të Izraelit

Jozefi nga Arimatea, megjithëse jo një ndjekës i hapur i Krishtit, tregoi dhembshuri dhe guxim duke kërkuar trupin e Jezusit. Varri që Jozefi siguroi për trupin e Shpëtimtarit, ishte i gërmuar në gur, me gjasa me një kosto të lartë.

Pamja
mirrë

Mirra është një rrëshirë erëmirë e thatë që përdorej për përgatitjen e trupit të të vdekurit. Sasia e mirrës dhe aloes së sjellë nga Nikodemi për të vajosur trupin e Shpëtimtarit ishte e ngjashme me atë të përdorur në varrimet mbretërore.

Pamja
trupi i Krishtit vendoset në një varr

Gratë kishin përgatitur erëra të mira dhe vajra për të përfunduar përgatitjen e trupit të Jezusit për shkak se varrimi i Tij ishte bërë me nxitim.

  • Çfarë tregojnë veprimet e këtyre njerëzve për ndjenjat e tyre për Shpëtimtarin?

Shfaqja e dashurisë tënde për Shpëtimtarin

Ndonëse Shpëtimtari nuk është fizikisht i pranishëm me ne, ne mund të gjejmë gjithsesi mënyra për ta treguar dashurinë tonë për Të.

2. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Shkruaj ose vizato një ose më shumë gjëra që ti e ndien se duhet të bësh për të nderuar dhe për të treguar dashuri për Shpëtimtarin. Ashtu siç ndodhi për Jozefin nga Arimatea, Nikodemin dhe Maria Magdalenën dhe gratë e tjera, kjo mund të kërkojë sakrificë.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Çfarë ka bërë Shpëtimtari për mua?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, përmblodhi disa nga ato që Shpëtimtari ka bërë për secilin prej nesh:

Pamja
Presidenti Dallin H. Ouks

“Nën planin e Atit tonë Qiellor, Ai ‘krijoi qiejt dhe tokën’ (Doktrina e Besëlidhje 14:9), që secili prej nesh të mund të kishte përvojën në vdekshmëri, të nevojshme për ta kërkuar fatin tonë hyjnor. Si pjesë e planit të Atit, Ringjallja e Jezu Krishtit e mposhti vdekjen për t’i siguruar secilit prej nesh pavdekësinë. Flijimi shlyes i Jezu Krishtit i jep secilit prej nesh mundësinë që të pendohet për mëkatet e veta dhe të kthehet i/e pastruar në shtëpinë e tij/saj qiellore. Urdhërimet dhe besëlidhjet e Tij na tregojnë udhën dhe priftëria e Tij na jep autoritetin për të kryer ordinancat që janë thelbësore për ta arritur atë fat dhe Shpëtimtari ynë me gatishmëri i përjetoi të gjitha dhembjet dhe dobësitë e vdekshmërisë, që Ai të dinte se si të na forconte në hidhërimet tona.”

(Dallin H. Ouks, “Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?”, Liahona, maj 2021, f. 77)

Cilat janë disa mënyra se si mund t’ia tregoj dashurinë time Shpëtimtarit?

Motra Beki Krejvën, e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave, tha:

Pamja
Motra Beki Krejvën

“Nëse e duam Atë ashtu si pretendojmë, a nuk mund ta tregojmë atë dashuri duke qenë disi më të kujdesshëm në të jetuarit e urdhërimeve të Tij?

Të jesh i kujdesshëm në të jetuarit e ungjillit nuk do të thotë të jesh medoemos formal ose mendjengushtë. Ajo që nënkuptohet, është që të jemi të përshtatshëm në mendimet dhe sjelljet tona si dishepuj të Jezu Krishtit. Ndërsa e përsiatim ndryshimin midis të qenit të kujdesshëm dhe rastësorë në të jetuarit tonë të ungjillit, ja tek janë disa mendime për t’u marrë parasysh:

A jemi të kujdesshëm në adhurimin tonë të ditës së Shabatit dhe në përgatitjen tonë për ta marrë sakramentin çdo javë?

A mund të jemi më të kujdesshëm në lutjet tona dhe në studimin e shkrimeve të shenjta apo të përfshihemi më aktivisht në [programin] Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet?

A jemi të kujdesshëm në adhurimin tonë në tempull dhe a i jetojmë me kujdes dhe qëllimisht besëlidhjet që kemi bërë si në pagëzim, ashtu edhe në tempull? A jemi të kujdesshëm në pamjen tonë dhe të thjeshtë në veshjen tonë, veçanërisht në vende dhe rrethana të shenjta? A jemi të kujdesshëm në mënyrën se si i veshim veshjet e brendshme të shenjta të tempullit? Apo moda e botës na dikton një qëndrim më rastësor?

A jemi të kujdesshëm në mënyrën se si u japim shërbesë të tjerëve dhe se si i përmbushim thirrjet tona në Kishë, apo jemi indiferentë ose rastësorë në thirrjen tonë për të shërbyer?

A jemi të kujdesshëm apo rastësorë në ato që lexojmë dhe që shohim në televizor dhe në pajisjet tona të lëvizshme? A jemi të kujdesshëm me fjalorin tonë? Apo përqafojmë në mënyrë rastësore fjalorin e vrazhdë dhe vulgar?

Broshura Për Forcën e Rinisë përmban standarde që nëse zbatohen me kujdes, do të sjellin bekime të çmuara dhe do të na ndihmojnë të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjes.”

(Beki Krejvën, “Të Qenit i Kujdesshëm Kundrejt të Qenit Rastësor”, Liahona, maj 2019, f. 10)