Seminari
Romakëve 6


Romakëve 6

“Të Ecim në Risinë e Jetës”

Pamja
Një i ri duke u pagëzuar në një vaskë pagëzimi në një ndërtesë kishtare në Madagaskar.

T’ia dorëzojmë veten Perëndisë nuk është e lehtë. Por Jezu Krishti premton se, ndërsa e lëmë të vdesë veten tonë të vjetër, mëkatare Ai do të na japë jetë të re, duke e ndryshuar natyrën tonë për t’u bërë më të ngjashëm me Të. Pali dha mësim që nëpërmjet ordinancës së pagëzimit, ne mund të marrim fuqinë shndërruese të Shpëtimtarit për të na ndihmuar të “ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Ky mësim mund të të ndihmojë të kërkosh ndryshim nëpërmjet Jezu Krishtit dhe t’i dallosh më mirë se kur po ndodhin ato ndryshime.

  • Çfarë kujton rreth pagëzimit tënd?

  • Si ke ndryshuar shpirtërisht që kur u pagëzove?

Gjej një çast për të përsiatur për përparimin tënd shpirtëror. Ti mund t’i bësh vetes pyetje si: “A po përmirësohet besimi dhe marrëdhënia ime me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?” apo “Si ndikon ajo që kam mësuar rreth Shpëtimtarit tim, te qëndrimi dhe veprimet e mia?” Ndërsa studion kapitullin te Romakëve 6, përsiat nëse po bëhesh më i ngjashëm me Shpëtimtarin dhe se si Ai mund të të ndihmojë të vazhdosh të rritesh dhe të bëhesh më i ngjashëm me Të.

Pagëzimi me anë të zhytjes simbolizon vdekjen dhe ringjalljen

Të mësosh se si t’i dallosh dhe t’i kuptosh simbolet në shkrimet e shenjta është një aftësi me vlerë. Pali e përdori simbolizmin e pagëzimit me anë të zhytjes për t’i ndihmuar shenjtorët në Romë të kuptonin që ne duhet të heqim dorë nga jeta jonë e vjetër, mëkatare në mënyrë që Jezu Krishti të mund të na ndryshojë dhe të na japë jetë të re nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Lexo te Romakëve 6:3–8, duke kërkuar simbole që mund të të mësojnë më shumë rreth Shpëtimtarit. Mund të jetë e dobishme të dish se Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut 7 [anglisht] thotë: “Pasi ai që ka vdekur nga mëkati, është shfajësuar nga mëkati”.

  • Sipas Romakëve 6:3–8, çfarë përfaqëson për ne në pagëzim zbritja në ujë, varrosja nën ujë dhe dalja nga uji?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit Rasëll M. Nelson, i bërë në janar 2018

“Ordinancat thelbësore të ungjillit simbolizojnë Shlyerjen. Pagëzimi me anë të zhytjes, simbolizon vdekjen, varrosjen dhe Ringjalljen e Shëlbuesit.”

(Russell M. Nelson, “The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35)

  • Si do ta përmblidhje vargun te Romakëve 6:4 si deklaratë e së vërtetës?

Më poshtë është një mënyrë për të përmbledhur vargun te Romakëve 6:4: Ne mund të ndryshohemi nëpërmjet Jezu Krishtit dhe “të ecim në risinë e jetës”.

  • Si mendon, çfarë do të thotë të “ecë[sh] në risinë e jetës”? (Romakëve 6:4.)

  • Kur e ke ndier që nëpërmjet Shpëtimtarit ti ke pasur mundësi të ecësh në risinë e jetës?

  • Si mendon, përse Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duan që ne të ecim në risinë e jetës?

Siç është shënuar në vargjet 5–6, Pali dha mësim që nëpërmjet besëlidhjes dhe ordinancës së pagëzimit, “njeriu ynë i vjetër” ose “trupi i mëkatit” “u kryqëzua me [Jezu Krishtin]” dhe “anul[ohet] … që ne të mos i shërbejmë më mëkatit”.

Gjej një çast për të përsiatur për mëkatet ose dobësitë që të mundojnë, të cilat do të doje t’i hiqje nga jeta jote. Ti do t’u rikthehesh këtyre mendimeve më vonë në këtë mësim.

Çfarë ndryshimesh mund të bëj?

  • Çfarë lloj ndryshimesh mendon se janë të lehta për t’u bërë? Cilat janë të vështira?

Pali përdori shembullin e Shpëtimtarit që mposhti vdekjen dhe mëkatin për të na mësuar që edhe ne mund t’i mposhtim mëkatet tona nëpërmjet Tij. Lexo te Romakëve 6:9–14, duke kërkuar mënyrën se si Pali e lidhi vdekjen dhe Ringjalljen e Krishtit me mënyrën se si ne mund ta mposhtim mëkatin.

1. Pyetjet vijuese mund të të ndihmojnë t’i kuptosh këto vargje. Përgjigju për dy ose më shumë prej tyre në ditarin tënd të studimit:

  • Ashtu si Jezu Krishti “vdiq për mëkatin një herë” (vargu 10), ne pagëzohemi vetëm një herë për heqjen e mëkateve tona. Megjithatë, ne mund ta ripërtërijmë çdo javë zotimin tonë për të “e[cur] në risinë e jetës” (vargu 4) duke marrë sakramentin. Si të ndihmon kjo ordinancë javore ta tregosh dashurinë tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

  • Çfarë mendon se donte të thoshte Pali me anë të fjalëve “konsidero[j]eni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin”? (Vargu 11.)

  • Përse një i ri mund të zgjedhë ta ndjekë këshillën e Palit të shënuar te vargu 12? Çfarë bekimesh vijnë nga të jetuarit në këtë mënyrë?

  • Fjala gjymtyrët te vargu 13 u referohet pjesëve të trupit tonë. Si mund t’i përdorësh duart, këmbët, kokën dhe zemrën tënde “si mjete drejtësie për Perëndinë”? (Vargu 13.)

  • Përkthimi prej Joseph Smith-it i pjesës së parë te vargu 14 [anglisht] thotë: “Sepse duke e bërë këtë, mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju”. Si e bën të arritshëm ndjekja e mësimeve të shënuara te vargjet 11–13 premtimin që jepet te vargu 14?

Ju mund të çliroheni nga mëkati

Lexo te Romakëve 6:16–18, 22–23, duke kërkuar bekimet e ecjes në risinë e jetës.

2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si i përshkroi Pali bekimet e ecjes në risinë e jetës?

  • Ndërsa përpiqesh ta mposhtësh mëkatin nëpërmjet Krishtit, si mendon se do të duket dhe ndihet risia e jetës në Jezu Krishtin?

  • Çfarë mund të bësh për të ecur në risinë e jetës duke filluar që sot?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Cilat janë disa mënyra se si mund të ndryshoj?

Motra Beki Krejvën, ish-Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, dha mësim:

Pamja
Motra Rebeka L. Krejvën, këshilltare e dytë, presidenca e përgjithshme e Të Rejave. Portreti zyrtar që nga tetori i vitit 2018.

“Në këmbim për pagesën e Tij të paçmueshme për secilin prej nesh, Zoti na kërkon një ndryshim të zemrës. Ndryshimi që Ai kërkon prej nesh, nuk është për dobinë e Tij, por për dobinë tonë. …

Pasi i dëgjuan fjalët e thëna nga mbreti Beniamin, njerëzit e tij thirrën, shpallën se zemrat e tyre kishin ndryshuar, duke thënë: ‘Për shkak të Shpirtit të Zotit të Plotfuqishëm, i cili ka bërë një ndryshim të madh te ne, … ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht’ [Mosia 5:2]. Shkrimet e shenjta nuk thonë se ata menjëherë u bënë të përsosur, përkundrazi, dëshira e tyre për të ndryshuar i detyroi ata të vepronin. Ndryshimi i zemrës së tyre nënkuptonte zhveshjen e burrit ose gruas të natyrshme dhe hapjen udhë ndaj Shpirtit teksa u përpoqën fort për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti.”

(Beki Krejvën, “Mbajeni Ndryshimin” (Liahona, nëntor 2020, f. 58)