Seminari
Romakëve 1


Romakëve 1

“Unë Nuk Kam Turp për Ungjillin e Krishtit”

Pamja
I ri me syze optike, duke qëndruar ulur jashtë e duke lexuar shkrimet e shenjta. (horiz)

Në një kohë ose në një tjetër, të gjithë ne do të duhet ta mbrojmë atë që besojmë. Duke iu drejtuar shenjtorëve që jetonin në Romë, Pali shpalli se ai “nuk k[ishte] turp për ungjillin e Krishtit” (Romakëve 1:16). Padurimi i tij për ta shpërndarë mesazhin e ungjillit ishte vetë prova. Ky mësim mund të të ndihmojë të mos kesh turp të njihesh si një dishepull i Jezu Krishtit.

Çfarë di ti tashmë?

Përfytyro sikur i thua një prej shoqeve të tua, që është e një besimi tjetër të krishterë, që ti po studion Dhiatën e Re në seminar. Ajo të thotë se i pëlqen Dhiata e Re, por ndonjëherë e ka të vështirë t’i kuptojë Letrat. Ajo të pyet se çfarë di ti rreth tyre. Bëje detyrën vijuese të kontrollit për të parë se sa mirë mund të jesh në gjendje t’i përgjigjesh asaj.

Bëje detyrën e kontrollit në ditarin tënd të studimit. Përgjigjet e sakta ndodhen në fund të këtij mësimi.

  1. Çfarë janë Letrat?

    1. Lajmërime zyrtare të Kishës të bëra nga profeti

    2. Biseda të dhëna nga udhëheqësit e Kishës, të cilat janë mbledhur gjatë viteve

    3. Letra të ndryshme të shkruara nga udhëheqësit e Kishës për shenjtorët

  2. Meritë e kujt është shkrimi i 14 prej 21 letrave që përfshihen në Dhiatën e Re?

    1. Pjetrit

    2. Palit

    3. Llukës

  3. Si ishin të organizuara 13 Letrat e para?

    1. Në mënyrë kronologjike (sipas kohës kur u shkruan)

    2. Sipas rëndësisë

    3. Sipas gjatësisë

  4. Kush ishin disa nga autorët e tjerë të Letrave?

    1. Jakobi, Pjetri, Gjoni dhe Juda

    2. Jakobi, Pjetri, Gjoni dhe Stefani

    3. Jakobi, Pjetri, Gjoni dhe Timoteu

Letra drejtuar Romakëve

Libri i Romakëve është një letër që Pali ua shkroi shenjtorëve në Romë pranë fundit të udhëtimeve të tij misionare. Roma – kryeqyteti i Perandorisë Romake – qe e tejmbushur me filozofitë e botës dhe ishte një vend i vështirë për ta predikuar dhe jetuar ungjillin e Jezu Krishtit. Pali u shkroi shenjtorëve romakë që ta forconte besimin e tyre, t’i përgatiste ata për mbërritjen e tij, t’i qartësonte dhe mbronte mësimet e tij dhe të nxiste unitet midis anëtarëve judeas dhe johebrenj të Kishës.

Ndërsa studion vargjet te Romakëve 1, kërko të vërteta që mund të të nxitin teksa përpiqesh të jesh një dishepull i Jezu Krishtit.

Unë nuk kam turp

Shiko “Preparation of Joseph F. Smith: True Blue, Through and Through” [“Përgatitja e Jozef F. Smithit: Besnikëri e Patundur, Nga Fillimi Deri në Fund”] (1:31) në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org Ky rrëfim mund të gjendet në Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 104.

Lexo vargjet te Romakëve 1:15–17, duke kërkuar se çfarë kishin të përbashkët Presidenti Jozef F. Smith dhe Pali. Merre parasysh t’i shenjosh fjalët ose frazat në këto vargje që të duken domethënëse.

Ti mund t’i kesh shenjuar fjalët “Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit” te Romakëve 1:16.

  • Nga ajo që mësove rreth Palit në librin Veprat e Apostujve, si e kishte treguar ai se nuk kishte turp të njihej si një i krishterë?

  • Me çfarë situatash mund të përballen të rinjtë sot ku duhet ta mbrojnë dhe të mos kenë turp për ungjillin e Krishtit?

Pali e dinte se Roma ishte një vend i vështirë për ta jetuar dhe predikuar ungjillin. Ai u përball edhe me kundërshtim nga ata që i keqkuptuan ose refuzuan mësimet e tij. Sidoqoftë, Pali mezi priste të shkonte në Romë dhe të predikonte atje për t’i sjellë të tjerët te Krishti (shih te Romakëve 1:15).

Mendo për përvojat ku, ashtu si Pali, ti ke pasur mundësinë për ta mbrojtur ose për ta treguar besimin tënd te Jezu Krishti. Bëj një listë të shkurtër në ditarin tënd. Përfshi mendimet dhe ndjenjat e tua mbi atë se sa shumë dëshirove ta tregoje besimin tënd në ato situata.

  • Përse një i ri ose e re mund të ndihet i/e turpëruar të njihet si i/e krishterë? Çfarë mund të bëjë nëse i ka ato mendime ose ndjenja?

Shembuj nga shkrimet e shenjta dhe kohët e sotme

Shqyrto shembujt vijues të njerëzve që nuk patën turp ta bënin të njohur besimin e tyre në Zot. Mendo për situatat në të cilat ndodheshin ata dhe kërko ngjashmëri ndërmjet jetës së tyre dhe jetës sate.

  • Kur të tjerët të gjykojnë: Gruaja që i lau këmbët e Jezusit me lotët e saj (Lluka 7:36–50)

  • Kur duhet të mbash qëndrim përpara bashkëmoshatarëve të tu: Abinadi dhe Alma (Mosia 13:1–9; 17:1–4; 18:1–3)

  • Kur shpërndan ungjillin: Teren Bingami dhe Brendon Mek-Jueni (“Same Jersey” [“I Njëjti Xhersi”] [5:01], ChurchofJesusChrist.org)

  • Çfarë të bëri përshtypje nga këta shembuj?

  • Si e demonstruan këta individë se nuk kishin turp për ungjillin e Krishtit?

  • Kush ka qenë një shembull në jetën tënde që nuk ka pasur turp nga ungjilli i Jezu Krishtit? Si e ka treguar ai ose ajo besimin e vet?

Romakëve 1:15–17 na tregon se entuziazmi i Palit për ungjillin e Krishtit vinte pjesërisht ngaqë ai e kuptonte se “[ungjilli] është fuqia e Perëndisë për shpëtimin” për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Me fjalë të tjera, për shkak se Pali e dinte se askush nuk mund të shpëtohej pa ungjillin e Jezu Krishtit, ai donte që t’ua shpërndante atë të gjithëve.

1. Përgjigju për të paktën dy prej pikave vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si mund të të ndihmojë të kujtuarit e asaj që Shpëtimtari ka bërë për ty, që të mos kesh turp për Të dhe ungjillin e Tij?

  • Ndërkohë që mund të ketë raste kur ne thirremi për ta mbrojtur besimin tonë në shkallë të gjerë ose dramatike, në shumicën e rasteve, besimi ynë tregohet më mirë me mënyra të vogla dhe të thjeshta (shih tek Alma 37:6–7). Si mund të duket, tingëllojë ose ndihet “[të mos paturit] turp për ungjillin e Krishtit” në jetën tënde të përditshme?

  • Përfundoje fjalinë vijuese: Unë nuk kam turp për ungjillin e Jezu Krishtit, sepse …

Përgjigjet për detyrën e kontrollit: 1) c; 2) b; 3) c; 4) a

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si mund ta jap dëshminë time në mënyra normale dhe të natyrshme?

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2006. U thirr si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë më 3 shkurt 2008. Bëri portretin zyrtar në vitin 2008 duke e zëvendësuar portretin e bërë në vitin 2004.

“E di se disa prej nesh janë më të shoqërueshëm sesa të tjerë. Është normale. Zoti e bën të mundur për secilin prej nesh, sipas mënyrës sonë, t’i ftojmë të tjerët të vijnë e të shohin dhe të vijnë e të ndihmojnë. Më pas Perëndia do të bëjë punën e Tij të shpëtimit dhe ata do të vijnë e të qëndrojnë.

A mund t’ju sugjeroj pesë gjëra që kushdo mund t’i bëjë për të marrë pjesë në urdhërimin e madh të Shpëtimtarit për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit.

  1. Afrohuni më pranë Perëndisë. …

  2. Mbusheni zemrën tuaj me dashuri për të tjerët. …

  3. Përpiquni fort të ecni në shtegun e dishepullimit. …

  4. Shpreheni atë që keni në zemër. …

  5. Mirëbesoni se Zoti do të bëjë mrekullitë e Tij.”

(Dieter F. Uchtdorf, “Sharing the Gospel in Normal and Natural Ways”, ChurchofJesusChrist.org)

Për të mësuar më shumë rreth këtyre sugjerimeve, lexoni artikullin e shkurtër të Plakut Uhtdorf “Sharing the Gospel in Normal and Natural Ways” në ChurchofJesusChrist.org.