Mësime të Presidentëve
Kapitulli 10: Duke e Përmbytur Tokën dhe Jetën Tonë me Librin e Mormonit


Kapitulli 10

Duke e Përmbytur Tokën dhe Jetën Tonë me Librin e Mormonit

“Brenda [Librit të Mormonit] gjendet një fuqi që do të fillojë të rrjedhë në jetën tuaj në çastin kur filloni një studim serioz të librit.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Në konferencën e përgjithshme të prillit 1989, Presidenti Tomas S. Monson lexoi një mesazh nga Presidenti Ezra Taft Benson drejtuar fëmijëve të Kishës. Në këtë mesazh, Presidenti Benson tha:

“E di se po e lexoni Librin e Mormonit, sepse kam marrë qindra letra personale nga ju që më tregojnë se po e lexoni këtë libër të shenjtë. Më dalin lot gëzimi kur e dëgjoj këtë. …

Sa i lumtur jam të dëgjoj për dashurinë tuaj për Librin e Mormonit. Edhe unë e dua atë [libër] dhe Ati Qiellor dëshiron që ju të vazhdoni të mësoni nga Libri i Mormonit çdo ditë. Ai është dhurata e veçantë e Atit Qiellor për ju. Duke i ndjekur mësimet e tij, ju do të mësoni të bëni vullnetin e Atit tonë në Qiell.”1

Në mbarë Kishën, shenjtorët e ditëve të mëvonshme ia vunë veshin kësaj këshille nga profeti i tyre. Tregimet që vijojnë japin shembuj të bekimeve që u erdhën atyre që iu përgjigjën thirrjes së Presidentit Benson për ta “përmbytur tokën dhe jetën [e tyre] me Librin e Mormonit”.2

“‘S’besoj se e ka me tërë mend!’ mendoi Margo Merrill … kur ajo fillimisht dëgjoi kërkesën e Presidentit Ezra Taft Benson që prindërit ta lexonin Librin e Mormonit me fëmijët e tyre. ‘Fëmijët e mi janë vetëm gjashtë, pesë dhe dy vjeç. Thjesht do të harxhoj më kot kohën dhe durimin tim.’

Megjithatë Vëllai dhe Motra Merrill vendosën që të përpiqeshin ta lexonin Librin e Mormonit me fëmijët e tyre. Kur arritën te historia e Nefit dhe e harkut të tij të thyer, Melisa gjashtëvjeçare u sëmur me të ftohtë.

‘Melisa m’u lut që ta lejoja të shkonte në shkollë edhe pse ishte e sëmurë’, [tha] Margo. ‘Ajo tha se, në qoftë se nuk do të shkonte, shoqja e saj, Pamela – që është anëtare e një kishe tjetër – nuk do të dinte se çfarë i ndodhi Nefit. Pastaj Melisa qau dhe m’u hodh në krahë. Ia fshiva lotët dhe i sugjerova që ta merrte Pamelën në telefon dhe t’i tregonte se çfarë i kishte ndodhur Nefit.

‘Ndërsa e dëgjoja Melisën duke e treguar me hollësi ngjarjen e harkut të thyer të Nefit, m’u kujtuan mendimet e mia të mëparshme rreth harxhimit më kot të kohës sime dhe durimit tim duke u lexuar Librin e Mormonit fëmijëve të mi të vegjël. O, sa e kisha nënvleftësuar aftësinë e tyre për t’i mësuar mësimet e Librit të Mormonit!’”3

Hauard J. Mek-Omber II përsiati nxitjen e Presidentit Benson për ta përmbytur tokën me Librin e Mormonit. Ai vriste mendjen: “Si një individ, si mund të jem unë pjesë domethënëse e një përmbytjeje të tillë?

“Mandej një natë”, tha Vëllai Mek-Omber, “ndërsa po e përsiatja këtë problem, e kuptova se mund t’i jepja çdo njeriu në rrugën ku banoja mundësinë për të marrë një kopje të Librit të Mormonit.

Por kishte një problem – ata më njihnin mua. E dinin që qeni im lehte shumë shpesh – dhe shumë herët në mëngjes. E dinin se oborri im nuk ishte kopshti i mirëmbajtur i lagjes. I njihnin gabimet e mia si fqinj; ndoshta ata nuk do ta pranonin ftesën time.

Vendosa të kisha besim dhe t’ua çoja librin gjithsesi. Do t’ua ofroja librin – edhe sikur ta hidhnin tutje ose ta linin në rafte për t’u mbuluar nga pluhuri për vite. Prapëseprapë e gjeta vetveten duke menduar në mënyrë negative; pothuajse e kisha bindur veten se asgjë nuk do të rridhte nga përpjekjet e mia.

Atëherë m’u kujtua se i njihja fqinjët e mi po aq mirë sa më njihnin edhe ata. Pak veta kishin bërë shakara të papërshtatshme në mbledhjen e fundit për zhvillimin e komunitetit dhe disa kishin pirë shumë në drekën e fundit të organizuar nga lagjja. Disa veta dukej se kishin pak qëllim në jetën e tyre. Vrisja mendjen se si do të kisha qenë unë, nëse nuk do të isha anëtar i Kishës ose nëse nuk do të kisha dëgjuar kurrë për Librin e Mormonit. Në mënyrë të qartë, ky libër mund t’i ndihmonte ata që do t’i jepnin atij një mundësi.

Prandaj unë u takova me secilin banor në rrugën time dhe u ofrova atyre një kopje të Librit të Mormonit – dhe të gjithë ata më falënderuan! Kjo shkoi aq mirë sa unë shkova në rrugën pranë, e përfundova shpërndarjen në zonën time dhe më pas shkova në zonën ngjitur. Kur mbarova, kisha vizituar 104 shtëpi dhe kisha dhënë dyzet libra.

Filloi të bëhej më e lehtë që t’u ofroja kopje të Librit të Mormonit të njohurve.

Me kalimin e kohës, unë u kisha dhënë një kopje të Librit të Mormonit që të gjithë shtatëdhjetë e pesë punonjësve në punën time. Njëzet e tre prej tyre i morën diskutimet misionare. Shtatë veta më pas u pagëzuan dhe gjithashtu katër fëmijë të bashkëpunonjësve të mi u bashkuan me Kishën. Një burrë mori dy mësime, por më pas e humbi interesin për të mësuar për Kishën. Shtatë muaj më vonë, pasi kishte shkuar të punonte për një kompani tjetër, ai më mori në telefon për të më thënë se ishte duke e lexuar Librin e Mormonit dhe e kishte kuptuar se po ndiente prekjen e qetë, paqësore të Shpirtit, po ashtu siç ia kisha përshkruar. Edhe ai shpejt i përfundoi mësimet dhe u pagëzua.

Unë e dua Librin e Mormonit. Mendoj për të si karta telefonike e Zotit dhe jam i mrekulluar me mënyrën se sa e lehtë është të fillosh një përmbytje shpirtërore me të në një nivel vetjak. Kur e bëjmë punën e Zotit, ne kemi ndihmën e Tij.”4

Një anëtar tjetër tregoi për ndryshimin që ndodhi në dëshminë e tij, ndërkohë që ndiqte këshillën e Presidentit Benson për ta lexuar Librin e Mormonit: “Kur Presidenti Benson na dha sfidën për ta lexuar Librin e Mormonit, unë isha 15 vjeç. Unë tashmë isha një lexues besnik i shkrimeve të shenjta, duke u përqendruar kryesisht te Dhiata e Re. Por për shkak të nxitjes së Presidentit Benson, fillova ta studioj Librin e Mormonit çdo ditë. Ajo ishte një pikë e madhe kthese për mua. Dhiata e Re më kishte mësuar rreth shërbesës së hershme të Jezu Krishtit dhe gjithmonë do të jem vërtet mirënjohës për të. Por kisha nevojë për thellësinë që erdhi nga një studim i Librit të Mormonit. Teksa Bibla më ndihmoi të di rreth asaj që Jezusi bëri për njerëzit në Tokën e Shenjtë, Libri i Mormonit më dha një kuptueshmëri më të thellë të asaj që Ai ka bërë për mua. Nëpërmjet një studimi të Librit të Mormonit, unë fitova dëshmi për Shlyerjen e pafundme të Shpëtimtarit tim. Dhe më vonë, kur u përballa me kriza që e vunë në provë besimin tim, unë iu ktheva Librit të Mormonit për ngushëllim dhe forcë. Tani kurrë nuk e lë një ditë të më kalojë pa e lexuar Librin e Mormonit.”5

Pamja
Depicts the angel Moroni at left appearing to a kneeling Joseph Smith who has the newly unearthed gold plates lying at his right side. [Supplied title]

Miliona njerëz kanë ardhur te Krishti për shkak të së vërtetave në librin që Moroni ia dorëzoi Jozef Smithit.

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Libri i Mormonit u shkrua për ne.

Libri i Mormonit … u shkrua për kohën tonë. Nefitët nuk e patën kurrë librin; as lamanitët e kohëve të lashta. Ai ishte paracaktuar për ne. Mormoni shkroi afër fundit të qytetërimit nefit. Nën frymëzimin e Perëndisë, i cili i sheh të gjitha gjërat që nga fillimi, ai përmblodhi anale qindravjeçare, duke zgjedhur histori, fjalime dhe ngjarje që do të ishin më të dobishmet për ne.

Secili prej shkruesve kryesorë të Librit të Mormonit dëshmoi se ai shkroi për brezat e ardhshëm. … Nëse ata e panë kohën tonë dhe zgjodhën ato gjëra që do të ishin me vlerën më të madhe për ne, a nuk është ajo mënyra se si duhet ta studiojmë ne Librin e Mormonit? Ne duhet ta pyetim veten tonë vazhdimisht: “Përse Zoti e frymëzoi Mormonin (ose Moronin apo Almën) që ta përfshijë atë në analin e tij? Çfarë mësimi mund të mësoj nga kjo që të më ndihmojë të jetoj në këtë kohë dhe në këtë epokë?”

Dhe ka shembull pas shembulli për mënyrën se si do të marrë përgjigje ajo pyetje. Për shembull, në Librin e Mormonit ne gjejmë një model për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë. Një pjesë e madhe e librit përqendrohet në pak dhjetëvjeçarë pikërisht përpara ardhjes së Krishtit në kontinentin amerikan. Me anë të studimit të kujdesshëm të asaj periudhe kohore, ne mund të përcaktojmë përse disa njerëz u shkatërruan në gjykimet e tmerrshme që e paraprinë ardhjen e Tij dhe çfarë i bëri të tjerët të qëndronin tek tempulli në tokën e Begatisë dhe t’i preknin me duart e tyre plagët në duart dhe këmbët e Tij.

Nga Libri i Mormonit ne mësojmë se si dishepujt e Krishtit jetojnë në kohëra lufte. Nga Libri i Mormonit ne shohim ligësitë e lidhjeve të fshehta, të portretizuara në realitetin e dukshëm dhe drithërues. Në Librin e Mormonit ne gjejmë mësime se si të veprojmë lidhur me përndjekjen dhe braktisjen. Mësojmë shumë rreth mënyrës se si të bëjmë punë misionare. Dhe më shumë se në ndonjë vend tjetër, në Librin e Mormonit ne i shohim rreziqet e dhënies pas gjërave materiale dhe të vendosjes së zemrave tona mbi gjërat e botës. A mund të dyshojë dikush se ky libër u paracaktua për ne dhe se në të gjejmë fuqi të madhe, ngushëllim të madh dhe mbrojtje të madhe?6

2

Ndërkohë që e studiojmë Librin e Mormonit çdo ditë, fuqia e librit do të rrjedhë në jetën tonë.

Nuk është thjesht ngaqë Libri i Mormonit na mëson të vërtetën, edhe pse ai vërtet e bën këtë. Nuk është thjesht ngaqë Libri i Mormonit na jep dëshmi për Krishtin, edhe pse vërtet ai e bën edhe këtë. Por ka diçka më tepër. Ka një fuqi brenda librit që do të fillojë të rrjedhë në jetën tuaj që në çastin kur filloni një studim serioz të librit. Ju do të gjeni fuqi më të madhe për t’i bërë ballë tundimit. Do të gjeni fuqinë për ta shmangur mashtrimin. Do të gjeni fuqinë për të qëndruar në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar. Shkrimet e shenjta quhen “fjalët e jetës” (DeB 84:85) dhe askund tjetër nuk është ajo më e vërtetë sesa është për Librin e Mormonit. Kur filloni të keni uri dhe etje për ato fjalë, ju do ta gjeni jetë me begati gjithnjë e më të madhe.7

Njerëzit mund ta mashtrojnë njëri-tjetrin, por Perëndia nuk i mashtron njerëzit. Si rrjedhim, Libri i Mormonit nxjerr në pah provën më të mirë për ta përcaktuar vërtetësinë e tij – domethënë, lexojeni atë dhe kërkojini më pas Perëndisë nëse është i vërtetë [shih Moroni 10:4]. …

Kjo, më pas, është siguria më e lartë për njeriun e ndershëm në zemër – të dijë nëpërmjet zbulesës vetjake nga Perëndia se Libri i Mormonit është i vërtetë. Miliona njerëz e kanë vënë atë në provë dhe e dinë, dhe miliona të tjerë ende do të dinë.

Tani shpirti, ashtu si dhe trupi, ka nevojë për ushqim të vazhdueshëm. Ushqimi i djeshëm nuk është i mjaftueshëm për të mbështetur nevojat e kohës së sotme. Kështu edhe një lexim i parregullt i “më [të] sakti[t] nga ndonjë libër mbi tokë”, siç e quajti atë Jozef Smithi, nuk është i mjaftueshëm. (History of the Church, [Historia e Kishës], 4:461.)

Jo të gjitha të vërtetat janë të një vlere të barabartë, as nuk janë të gjitha shkrimet e shenjta të së njëjtës vlerë. Çfarë mënyre më të mirë për ta ushqyer shpirtin sesa të ushqyerit e vazhdueshëm me bollëk nga libri, me anë të të cilit Profeti Jozef Smith tha se një njeri do t’i afrohej “më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”? (History of the Church, [Historia e Kishës], 4:461.)8

A varen pasoja të përjetshme nga përgjigjja jonë ndaj këtij libri? Po, qoftë për bekimin tonë ose për dënimin tonë.

Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme duhet ta bëjë studimin e këtij libri një përkushtim që zgjat gjithë jetën. Përndryshe, ai po e vendos shpirtin e tij në rrezik dhe po e lë pas dore atë që mund t’i japë tërë jetës së tij njëzëshmëri shpirtërore dhe intelektuale. Ka një ndryshim midis një të kthyeri në besim që ndërtohet mbi shkëmbin e Krishtit nëpërmjet Librit të Mormonit e mbahet fort te shufra e hekurt dhe atij që nuk [është] i tillë.9

Ne kemi një numër gjithnjë në rritje njerëzish të cilët janë bindur, nëpërmjet Librit të Mormonit, se Jezusi është Krishti. Tani ne kemi nevojë për një numër gjithnjë në rritje që do ta përdorin Librin e Mormonit për t’u bërë më të zotuar ndaj Krishtit. Ne kemi nevojë të bindemi dhe të zotohemi.

… Të dashur vëllezër dhe motra të mia, le ta lexojmë Librin e Mormonit dhe të bindemi se Jezusi është Krishti. Le ta rilexojmë vazhdimisht Librin e Mormonit, me qëllim që ne të mund të vijmë në mënyrë më të plotë te Krishti, të zotohemi tek Ai, të përqendrohemi tek Ai dhe të përpihemi brenda Tij.

Ne po takohemi me kundërshtarin çdo ditë. Sfidat e kësaj epoke do t’ua kalojnë atyre të së shkuarës dhe këto sfida do të shtohen si shpirtërisht, ashtu edhe materialisht. Ne duhet të jemi pranë Krishtit, duhet të marrim mbi vete çdo ditë emrin e Tij, gjithmonë ta kujtojmë Atë dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.10

3

Ne duhet ta përmbytim tokën dhe jetën tonë me Librin e Mormonit

Secili prej nesh ka nevojë ta marrë vetë dëshminë e tij për Librin e Mormonit nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Më pas dëshmia jonë, e bashkuar me Librin e Mormonit, duhet të ndahet me të tjerët që edhe ata të mund të dinë nëpërmjet Frymës së Shenjtë për vërtetësinë e tij.11

A mund të përfytyroni se çfarë do të ndodhte me një numër gjithnjë e më të madh të kopjeve të Librit të Mormonit në duart e një numri gjithnjë në rritje të misionarëve që dinë se si ta përdorin atë dhe të cilët janë lindur nga Perëndia? Kur kjo ndodh, ne vërtet do ta marrim korrjen e begatë të shpirtrave që premtoi Zoti.12

Pamja
Elder missionaries giving an elderly man a Book of Mormon.

“Kam një vegim të përmbytjes së tokës me Librin e Mormonit.”

Unë kam një bindje: Sa më shumë që japim mësim dhe predikojmë prej Librit të Mormonit, aq më shumë do ta kënaqim Zotin dhe aq më e madhe do të jetë fuqia jonë për të folur. Duke e bërë këtë, ne do t’i shtojmë shumë të kthyerit tanë në besim, si brenda Kishës dhe mes atyre të cilëve u predikojmë. … Atëherë udhëzimi ynë hyjnor është që t’u mësojmë parimet e ungjillit, të cilat janë në Bibël dhe në Librin e Mormonit. “Këto do të jenë mësimet e tyre, kur të drejtohen me anë të Shpirtit” (DeB 42:13).13

Libri i Mormonit është vegla që Perëndia e krijoi për të “derdh[ur] mbi tokë si në një përmbytje, për të mbledhur të zgjedhurit e [Tij]”. (Moisiu 7:62.) Ky vëllim i shenjtë i shkrimit të shenjtë ka nevojë të bëhet më qendror në predikimin tonë, në mësimdhënien tonë dhe në punën tonë misionare.

… Në këtë epokë të medias elektronike dhe të shpërndarjes në masë të fjalës së shtypur, Perëndia do të na quajë përgjegjës nëse nuk e lëvizim tani Librin e Mormonit në një mënyrë madhështore.

Ne e kemi Librin e Mormonit, ne i kemi anëtarët, ne i kemi misionarët, ne i kemi burimet dhe bota ka nevojën. Koha është tani!

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne vështirë se kuptojmë fuqinë e Librit të Mormonit, as rolin hyjnor që duhet të luajë ai, as edhe shtrirjen me të cilët duhet të lëvizet ai. …

Ua jap ne të gjithëve sfidën që me lutje të marrim parasysh hapat që mund të ndërmarrim në mënyrë vetjake për ta sjellë këtë dëshmi të re për Krishtin në mënyrë më të plotë në vetë jetën tonë dhe në një botë që ka nevojë kaq të ngutshme për të.

Unë kam një vegim të shtëpive të paralajmëruara, të klasave të gjallëruara dhe të nxënësve të mbushur me shpirtin e mesazheve të Librit të Mormonit.

Kam një vegim të mësuesve të shtëpisë dhe mësueseve vizitore, të nëpunësve të lagjeve e të degëve dhe të udhëheqësve të kunjeve e të misioneve, duke i këshilluar njerëzit tanë nga libri më i saktë se ndonjë libër mbi tokë – Libri i Mormonit.

Kam një vegim të artistëve duke i vendosur në film, dramë, letërsi, muzikë dhe piktura temat e mëdha dhe personazhet e mëdhenj nga Libri i Mormonit.

Kam një vegim të mijëra misionarëve duke shkuar në fushën e misionit me qindra prej pjesëve të mësuara përmendsh nga Libri i Mormonit, që ata të mund t’i ushqejnë nevojat e një bote të uritur shpirtërisht.

Kam një vegim të gjithë Kishës duke u afruar më shumë me Perëndinë nëpërmjet bindjes ndaj porosive të Librit të Mormonit.

Me të vërtetë, kam një vegim të përmbytjes së tokës me Librin e Mormonit.14

Më lejoni t’ju përgëzoj ju shenjtorë besnikë që po përpiqeni ta përmbytni tokën dhe jetën tuaj me Librin e Mormonit. Jo vetëm që duhet të lëvizim përpara më shumë kopje të Librit të Mormonit në një mënyrë madhështore, por ne duhet të lëvizim përpara më me guxim më shumë prej mesazheve të tij të mrekullueshme brenda vetë jetës sonë dhe nëpër të gjithë tokën.15

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në pjesën 1, rishikoni këshillën e Presidentit Benson rreth mënyrës se si ta studiojmë Librin e Mormonit. Si mund të na ndihmojë kjo këshillë për t’iu bërë ballë sfidave? Cilat janë disa pjesë në Librin e Mormonit që lidhen me sfidat që hasim?

  • Në çfarë mënyrash e keni parë plotësimin e premtimeve të renditura në pjesën 2? Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për ta ndarë Librin e Mormonit me njerëz që kanë nevojë për këto premtime në jetën e tyre?

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta “përmbytim tokën dhe jetën [tonë] me Librin e Mormonit”? (Për disa shembuj, shih pjesën 3.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

2 Nefi 27:22; Mormoni 8:26–41; Moroni 1:4; 10:3–5; shih edhe parathënien e Librit të Mormonit

Ndihmë për Studimin

Ndërsa lexoni, “nënvizoni dhe shenjoni fjalë ose fraza me qëllim që të dalloni midis ideve në një [pjesë] të vetme. … Në anë të fletës shkruani referencat e shkrimeve të shenjta që qartësojnë paragrafët që po studioni” (Predikoni Ungjillin Tim [2004], f. 23).

Shënime

  1. “To the Children of the Church”, Ensign, maj 1989, f. 81–82.

  2. “Beware of Pride”, Ensign, maj 1989, f. 4.

  3. LaRene Gaunt, “Does the Book of Mormon Count?” Ensign, qershor 1991, f. 20.

  4. Howard J. McOmber II, në “Finding Truth in the Book of Mormon”, Ensign, janar 1996, f. 10–11.

  5. Emër i pashpallur, dorëshkrim i pabotuar.

  6. “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 6–7.

  7. “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, f. 7.

  8. “A New Witness for Christ”, Ensign, nëntor 1984, f. 6–7.

  9. “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, janar 1988, f. 5.

  10. “Come unto Christ”, Ensign, nëntor 1987, f. 84, 85.

  11. “The Book of Mormon and the Doctrine and Covenants”, Ensign, maj 1987, f. 84.

  12. “Born of God”, Ensign, korrik 1989, f. 4.

  13. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 58.

  14. “Flooding the Earth with the Book of Mormon”, Ensign, nëntor 1988, f. 4, 5–6.

  15. “Beware of Pride”, f. 4.