Mësime të Presidentëve
Kapitulli 2: Lutuni Kurdoherë


Kapitulli 2

Lutuni Kurdoherë

“Unë do t’i nxitja me përulësi të gjithë … të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me Atin tonë në qiell nëpërmjet lutjes.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

“Gjatë gjithë jetës sime këshilla për t’u mbështetur te lutja është çmuar pothuajse mbi çdo këshillë tjetër që kam marrë”, tha Presidenti Ezra Taft Benson. “Ajo është bërë pjesë thelbësore e vetes sime, një spirancë, një burim i vazhdueshëm force dhe baza e njohurisë sime për gjëra hyjnore.

‘Kujto se çfarëdo që bën apo kudo që je, ti nuk je kurrë vetëm’ ishte këshilla e zakonshme e babait tim për mua kur isha i vogël. ‘Ati ynë Qiellor është gjithmonë pranë. Ju mund t’i drejtoheni dhe të merrni ndihmën e Tij nëpërmjet lutjes.’ Mua më ka dalë e vërtetë kjo këshillë. Falë Perëndisë ne mund t’i drejtohemi dhe ta prekim atë fuqi të padukshme, pa të cilën askush nuk mund ta arrijë më të mirën e vet.”1

Presidenti Benson e ndoqi këtë këshillë në çdo aspekt të jetës së tij. Kur ishte caktuar të shërbente si sekretar për bujqësinë i Shteteve të Bashkuara, ai “plot lutje dhe kujdes” zgjodhi një grup burrash për të punuar me të, “duke i kërkuar Perëndisë t’i jepte [atij] shpirtin e dallimit.”2 Në mbledhjen e tyre të parë, ai pyeti “nëse ndonjëri ishte kundër që t’i hapnin mbledhjet me një lutje. Asnjë nuk ishte kundër. Dhe kështu filloi një praktikë që [ai] e vazhdoi për tetë vite. Ai e ftonte secilin anëtar të stafit që ta bënte me radhë lutjen e hapjes”3 Shokët e tij arritën ta çmonin këtë praktikë, edhe pse mund të mos qenë ndier mirë me të në fillim. Një anëtar i stafit pranoi më vonë se, disa nga burrat nuk ishin lutur me zë qysh kur qenë fëmijë. “Ne ngecnim dhe na ngatërroheshin fjalët”, tha ai. “Por Shefi [Presidenti Benson] nuk na ra kurrë në sy se e kish vënë re. Dhe pas disa provash secili e kishte të lehtë. A ndihmoi kjo? Po, do të thoja se kur e filloni ashtu një mbledhje, njerëzit nuk bëhen kryelartë për opinionet e tyre. Ju shumë shpejt arrini në një marrëveshje lidhur me atë që duhet të bëhet në çfarëdo situate.”4

Vëllezërit e Presidentit Benson në Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve gjithashtu përfitonin nga natyra e tij plot lutje. Presidenti Gordon B. Hinkli, që shërbeu si Këshilltar i Parë i Presidentit Benson në Presidencën e Parë, tha:

“Kam rënë në gjunjë me të dhe e kam dëgjuar të lutet.

Lutjet e tij ishin gjithmonë interesante. Gati pa përjashtim, ato përbëheshin në shumicën e tyre nga shprehje falënderimi. Ai kërkonte shumë pak. Ai shprehte shumë mirënjohje.

Ai e falënderonte Zotin për jetën, për familjen, për ungjillin, për besimin, për dritën e diellit dhe shiun, për dhuratat e natyrës dhe për instinktet liridashëse të njeriut. Ai e falënderonte Zotin për miqtë dhe kolegët. Ai shprehte dashuri për Shpëtimtarin dhe mirënjohje për sakrificën e Tij shlyese. Ai e falënderonte Zotin për mundësinë që t’u shërbente njerëzve.”5

Presidenti Benson dhe bashkëshortja e tij, Flora, krijuan një shtëpi ku secili lutej, më vete dhe së bashku. Biri i tyre, Marku, vërejti: “Kur babai ulej poshtë në gjunjë për t’u lutur, ai nuk ngutej. Kishte një domethënie pas fjalëve të tij. Ishte shumë e zëshme dhe e qartë se ai po komunikonte me Atin tonë në qiell.”6 Presidenti dhe Motra Benson i mësuan fëmijët e tyre të luteshin për drejtim vetjak e forcë dhe gjithashtu të luteshin për njëri-tjetrin. Një mikeshë e familjes e vërejti një herë ndikimin e atyre mësimeve kur mori pjesë në një sesion të konferencës së përgjithshme me familjen Benson. Ajo shkruajti:

“Në një ditë prilli … , unë zbulova një burim force të një Autoriteti të Përgjithshëm.

Isha ulur me gjashtë fëmijët e Plakut Ezra Taft Benson, një nga të cilët ishte shoqja ime e dhomës në kolegj. Interesi im u shtua kur Presidenti [Dajvid O.] Mek-Kei u ngrit dhe njoftoi folësin tjetër. Vështrova plot respekt kur Plaku Benson, të cilin nuk e kisha takuar ende, shkoi drejt mikrofonit. Ai ishte një burrë i madh, mbi 1.83 i gjatë. Ai ishte … një burrë i njohur ndërkombëtarisht si Sekretari për Bujqësinë i Shteteve të Bashkuara dhe një dëshmitar i veçantë i Zotit, një burrë që dukej i qartë dhe i sigurt, një njeri që u ishte drejtuar dëgjuesve kudo në botë. Befas një dorë preku krahun tim. Një vajzë e vogël u zgjat drejt meje dhe pëshpëriti ngutshëm: ‘Lutu për Babin’.

Disi me ankth, mendova, ‘Ky mesazh po përcillet nëpër rresht dhe unë duhet ta përcjell më tej. A duhet të them: ‘Lutuni për Plakun Benson’? A duhet të them: ‘Ju duhet të thoni një lutje për babanë tuaj?’ Duke ndier nevojë të menjëhershme për të vepruar, u zgjata dhe pëshpërita thjesht: ‘Lutu për Babin’.

E vura re atë pëshpëritje të lëvizte përgjatë rreshtit atje ku ishte ulur Motra Benson, koka e saj tashmë e përkulur. …

Ndërsa vitet kanë kaluar, konferencat e përgjithshme kanë ardhur e shkuar, dhe çdo herë që Presidenti Benson është ngritur për të folur, unë kam menduar ‘fëmijët e tij, që janë shpërndarë nëpër kontinent, janë të bashkuar tani në lutje për babanë e tyre’.”7

Pamja
A woman from Nepal kneeling by her bed. Scriptures are lying on the bed in front of her as she prays.

“Nëse do të përparonim në shenjtëri – të rriteshim në hir përpara Perëndisë – asgjë nuk mund ta zëvendësojë lutjen.”

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Jezu Krishti dha mësim se duhet të lutemi kurdoherë.

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi na dha një shembull për lutjen:

“Ju, pra, lutuni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqi dhe lavdia përjetë. Amen.’” (Mateu 6:9–13.)

Ai më tej udhëzoi: “Duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur”. (Lluka 18:1.)

“Rrini zgjuar dhe lutuni”, tha Ai, “që të mos bini në tundim”. (Mateu 26:41.)

Në këtë periudhë ungjillore Ai këshilloi: “Lutuni gjithmonë, që ai i keqi të mos ketë fuqi brenda jush dhe largohuni nga vendi juaj”. (DeB 93:49.)

Shpëtimtari i deklaroi Jozef Smithit: “Në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë apo kundër askujt nuk ndizet zemërimi i tij, përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka dhe nuk u binden urdhërimeve të tij”. (DeB 59:21.)

Ne e kemi këtë udhëzim nga Zoti ynë i ngritur kur Ai shërbeu midis popullit nefit në Hemisferën Perëndimore: “Ju duhet të mbani sytë hapur dhe të luteni gjithnjë, që të mos tundoheni nga djalli dhe të mos çoheni në robëri nga ai. …

Ju duhet të mbani sytë hapur dhe të luteni gjithnjë, që të mos bini në tundim; pasi Satani dëshiron t’ju ketë ju, që t’ju kalojë në shoshë, sikurse grurin.

Prandaj, ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim.

Dhe në çdo gjë që ju do t’i kërkoni Atit në emrin tim, që është e drejtë, duke besuar se do ta merrni, vini re, ajo do t’ju jepet”. (3 Nefi 18:15, 18–20.)8

Nëse do të përparonim në shenjtëri – të rriteshim në hir përpara Perëndisë – asgjë nuk mund ta zëvendësojë lutjen. Dhe kështu unë ju nxit ju që t’i jepni lutjes – lutjes së përditshme – lutjes në fshehtësi – një vend kryesor në jetën tuaj. Të mos kalojë asnjë ditë pa të. Lidhja shpirtërore me të Plotfuqishmin ka qenë një burim force, frymëzimi dhe ndriçimi për burrat dhe gratë përgjatë historisë së botës, të cilët kanë përcaktuar fatin e individëve dhe të kombeve për mirë.9

2

Familjet që luten së bashku janë të bekuara me lidhje më të forta dashurie dhe me paqe të qiellit.

Zoti tregon se është përgjegjësia e prindërve që t’u mësojnë fëmijëve të tyre të luten [shih DeB 68:28]. Kjo nuk nënkupton vetëm lutje në fshehtësi. Unë jam i sigurt se nënkupton të japësh mësim duke qenë shembull nëpërmjet lutjeve familjare. Ne kemi nevojë për ndikimin shenjtërues që vjen nga përkushtimi ndaj lutjes – në shtëpi si një familje.10

Ne duhet të biem në gjunjë si familje në lutje familjare, në mbrëmje dhe në mëngjes. Vetëm disa fjalë shtuar bekimit të ushqimit, që është bërë zakon në disa zona, nuk janë të mjaftueshme. Ne duhet të përkulemi në gjunjët tanë në lutje dhe mirënjohje.11

Lutja ka qenë dhe është spiranca përherë e pranishme për forcë dhe pikë orientimi në veprimtaritë tona familjare. Unë mbaj mend përkuljen në gjunjë anës shtratit të fëmijëve tanë të vegjël, duke i ndihmuar me lutjet në vitet e tyre të rinisë dhe më vonë duke parë vëllezërit e motrat më të mëdha duke ndihmuar më të vegjlit. Ne bënim lutje familjare në mbrëmje dhe mëngjes, duke u dhënë mundësi fëmijëve të drejtonin dhe bënim lutje të posaçme lidhur me probleme të veçanta. Në një lutje familjare përmendeshin, për shembull, fëmijë me detyra [në Kishë]. … Në kërkonim ndihmë kur një nga fëmijët përballej me një provim të vështirë në shkollën e mesme. Përmendje e veçantë bëhej për anëtarë të familjes [që ishin] larg. … Kjo përmendje shqetësimesh të veçanta në lutjet tona familjare jepte vetëbesim, siguri dhe forcë për anëtarët e familjes që po përballeshin me probleme dhe detyra të vështira.12

Pamja
A Polynesian family kneeling in family prayer.

“Ne kemi nevojë për ndikimin shenjtërues që vjen nga … lutj[a] … si një familje.”

Dallimet dhe acarimet e ditës shkrijnë kur familjet i qasen fronit të qiellit së bashku. Uniteti rritet. Lidhjet e dashurisë dhe dhembshurisë përforcohen dhe paqja e qiellit hyn.

Në shtëpi të tilla lutjet në fshehtësi bëhen në mbrëmje dhe në mëngjes nga anëtarët e shtëpisë. Problemet vetjake dhe familjare trajtohen me vetëbesim pasi ftohet përkrahja e qiellit. Të rinjtë që bëjnë pjesë në një takim të tillë shpirtëror si familje, i kanë zemrat të çliruara nga synimi i lig kur nisen për në një mbrëmje argëtimi. Këta [të rinj] do të jenë ndikimi frenues në grup kur shfaqen tundime vezulluese. Prindërit që i rrethojnë fëmijët me ndikimin pastrues të përkushtimit të përditshëm po japin ndihmesën e tyre në ruajtjen e … shtëpisë.13

3

Ne mund ta përmirësojmë komunikimin vetjak me Atin tonë Qiellor.

Këtu janë pesë mënyra për ta përmirësuar komunikimin vetjak me Atin tonë Qiellor:

1. Ne duhet të lutemi shpesh. Ne duhet të jemi vetëm me Atin tonë Qiellor të paktën dy ose tri herë çdo ditë – “në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje”, siç tregon shkrimi i shenjtë. (Alma 34:21.) Përveç kësaj, neve na është thënë të lutemi gjithmonë. (Shih 2 Nefi 32:9; DeB 88:126.) Kjo do të thotë që zemrat tona duhet të jenë plot, të hapura në lutje tek Ati ynë Qiellor vazhdimisht. (Shih Alma 34:27.)

2. Ne duhet të gjejmë një vend të përshtatshëm ku të mund të përsiatim dhe të lutemi. Ne këshillohemi që kjo duhet të jetë “në dhomëzat [tona] dhe në vendet [tona] të fshehta dhe në vendin [tonë] të shkretë”. (Alma 34:26.) Pra, duhet të jetë e lirë nga ngacmimet e jashtme, në fshehtësi. (Shih 3 Nefi 13:5–6.)

3. Ne duhet ta përgatitim veten për lutje. Nëse ndiejmë se nuk na pëlqen të lutemi, atëherë duhet të lutemi derisa ta ndiejmë se na pëlqen të lutemi. Ne duhet të jemi të përulur. (Shih DeB 112:10.) Ne duhet të lutemi për falje dhe mëshirë. (Shih Alma 34:17–18.) Ne duhet të falim cilindo ndaj të cilit kemi ndjesi të këqija. (Shih Marku 11:25.) Përsëri shkrimet e shenjta paralajmërojnë se lutjet tona do të jenë të kota nëse “nuk ndihmo[jmë] nevojtarët dhe të zhveshurit dhe nuk vizito[jmë] të sëmurët dhe të mjeruarit dhe nuk u [japim] nga gjëja [jonë]”. (Alma 34:28.)

4. Lutjet tona duhet të jenë shprehëse dhe me vend. Ne duhet të shmangim përdorimin e të njëjtave fraza në çdo lutje. Cilido prej nesh do të fyhej nëse një mik do të na thoshte të njëjtat fjalë çdo ditë, do ta trajtonte bisedën si rutinë dhe mezi do priste të mbaronte për të ndezur televizorin dhe të na harronte. …

Përse duhet të lutemi? Ne duhet të lutemi për punën tonë, kundër fuqisë së armiqve tanë dhe djallit, për mirëqenien tonë dhe mirëqenien e atyre përreth nesh. Ne duhet të këshillohemi me Zotin në lidhje me të gjitha vendimet dhe veprimtaritë tona. (Shih Alma 37:36–37.) Ne duhet të jemi mjaft mirënjohës për të falënderuar për gjithçka kemi. (Shih DeB 59:21.) Ne duhet ta pranojmë dorën e Tij në të gjitha gjërat. Mosmirënjohja është një nga mëkatet tona të mëdha.

Zoti ka deklaruar në zbulesën moderne: “Dhe ai që i pranon të gjitha gjërat me falënderim, do të bëhet i lavdishëm; dhe gjërat e kësaj toke do t’i shtohen atij, madje njëqindfish, po, më shumë”. (DeB 78:19.)

Ne duhet të kërkojmë për çka kemi nevojë, duke u kujdesur të mos kërkojmë gjëra që do të ishin në dëmin tonë. (Shih Jakobi [Bibla] 4:3.) Ne duhet të kërkojmë fuqi që të kapërcejmë problemet tona. (Shih Alma 31:31–33.) Ne duhet të lutemi për frymëzimin dhe mirëqenien e Presidentit të Kishës, Autoriteteve të Përgjithshme, presidentit të kunjit tonë, peshkopit tonë, presidentit të kuorumit tonë, mësuesit të shtëpisë, anëtarëve të familjes dhe udhëheqësve tanë të shtetit. Sugjerime të tjera mund të bëhen, por me ndihmën e Frymës së Shenjtë do të dimë se për çfarë duhet të lutemi. (Shih Romakëve 8:26–27.)

5. Pasi bëjmë një kërkesë nëpërmjet lutjes, ne kemi përgjegjësi të ndihmojmë për plotësimin e saj. Ne duhet të dëgjojmë. Ndoshta Zoti do që të na këshillojë ndërsa jemi në gjunjë.14

4

Perëndia është i vëmendshëm dhe i gatshëm t’u përgjigjet lutjeve tona kur e vendosim besimin tonë tek Ai dhe bëjmë atë që është e drejtë.

Ka fuqi në lutje. Të gjitha gjërat janë të mundshme me anë të lutjes. Ishte nëpërmjet lutjes që qiejt u hapën në këtë periudhë ungjillore. Lutja e një djali katërmbëdhjetë vjeçar, në Korijen e Shenjtë, hapi një periudhë të re ungjillore, dhe solli një vegim të Atit dhe të Birit, ndërsa ata u shfaqën si qenie të përlëvduara qiellore përpara djalit, Jozef [shih Joseph Smth – Historia 1:11–17]. 15

Është dëshmia ime, vëllezër dhe motra dhe miq të mi, që Perëndia vërtet i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve. Unë kurrë nuk kam dyshuar për këtë fakt. Që nga fëmijëria, te gjunjtë e nënës sime kur mësova për herë të parë të lutem; si i ri në vitet e adoleshencës sime; si misionar në vende të huaja; si baba; si udhëheqës Kishe; si zyrtar qeveritar, unë e di pa asnjë dyshim se është e mundur që burrat dhe gratë të drejtohen në përulësi dhe lutje dhe ta vënë në përdorim atë Fuqi të Padukshme; të marrin përgjigje për lutjet. Njeriu nuk qëndron vetëm, ose të paktën, ai nuk ka nevojë të qëndrojë vetëm. Lutja do të hapë dyer; lutja do të heqë pengesa; lutja do të lehtësojë presione; lutja do të japë paqe e ngushëllim të brendshëm gjatë kohëve të sforcimit, stresit dhe vështirësisë. Falënderojeni Perëndinë për lutjen.16

Edhe gjatë orëve të sprovës dhe ankthit, mundemi t’i afrohemi Zotit, të ndiejmë ndikimin e Tij dhe të fuqisë së Tij mbështetëse – që njeriu kurrë nuk është vetëm, nëse ai thjesht do ta përulë veten përpara të Plotfuqishmit. Unë jam mirënjohës për atë dëshmi, për atë siguri.17

Nga përvoja vetjake, unë e njoh efektshmërinë dhe fuqinë e lutjes. …

Në 1946-ën isha caktuar nga Presidenti Xhorxh Albert Smith që të shkoja në Europën e shkatërruar nga lufta dhe të rithemeloja misionet tona nga Norvegjia në Afrikën e Jugut dhe të hartoja një program për shpërndarjen e furnizimeve të mirëqenies.

Ne krijuam selitë qendrore në Londër. Ne më pas bëmë rregullime paraprake me autoritetet ushtarake në kontinent. Një nga burrat e parë që doja të takoja ishte komandanti i forcave amerikane në Europë. Ai ishte vendosur në Frankfurt, Gjermani.

Kur arritëm në Frankfurt, shoku im i misionit dhe unë shkuam të kërkonim takim me gjeneralin. Oficeri i takimit tha: “Zotërinj, nuk do të keni mundësi ta takoni gjeneralin për të paktën tri ditë. Ai është shumë i zënë dhe kalendari i tij është i mbushur me takime.”

Unë i thashë: “Është me shumë rëndësi që ta takojmë dhe nuk mund të presim aq gjatë. Ne kemi një takim në Berlin nesër.”

Ai tha: “Më vjen keq”.

Ne u larguam nga ndërtesa, dolëm jashtë te makina jonë, hoqëm kapelat dhe u bashkuam në lutje. Më pas u kthyem te ndërtesa dhe gjetëm një oficer tjetër në vendin e takimit. Për më pak se pesëmbëdhjetë minuta ne ishim te gjenerali. Ne ishim lutur që të ishim në gjendje ta takonim atë dhe t’i preknim zemrën, duke ditur se të gjitha furnizimet e ndihmave të dhëna nga çfarëdo burimi kërkohej atëherë të viheshin në duart e ushtarakëve për shpërndarje. Objektivi ynë, siç ia shpjeguam gjeneralit, ishte të shpërndanim furnizimet tona te njerëzit tanë nëpërmjet kanaleve tona dhe gjithashtu të bënim dhurata për ushqyerjen e përgjithshme të fëmijëve.

Ne i shpjeguam programin e mirëqenies dhe mënyrën si funksiononte ai. Në fund, ai tha: “Mirë, Zotërinj, ju vazhdoni mblidhni furnizimet tuaja dhe në kohën që do t’i keni grumbulluar, politika mund të ndryshojë”. Ne i thamë: “Gjeneral, furnizimet tona janë tashmë të grumbulluara; ato janë përherë të grumbulluara. Brenda njëzetë e katër orëve nga koha që njoftojmë Presidencën e Parë të Kishës në Solt-Lejk-Siti, ngarkesat me furnizime do të jenë në udhëtim drejt Gjermanisë. Ne kemi shumë magazina të mbushura me mallrat bazë.”

Atëherë ai tha: “Unë nuk kam dëgjuar kurrë për njerëz me një largpamësi të tillë”. Zemra e tij ishte prekur ashtu siç ishim lutur të ndodhte. Përpara se të largoheshim nga zyra e tij, morëm një autorizim me shkrim për ta bërë shpërndarjen te njerëzit tanë nëpërmjet kanaleve tona.

Pamja
Chaplain Howard C. Badger, Ezra Taft Bensonand Max Zimmerin Freiberg, Germany. Caption: "'Man's mighty cities lie in ruins, yet the faith of the Saints is even stronger than before teh war... -Karlsruhe-"

Plaku Ezra Taft Benson dhe shokët e tij të misionit luteshin për drejtim ndërsa administronin ndihmat në Europë pas Luftës II Botërore.

Të mbushet shpirti plot kur e di se Perëndia kujdeset për ne dhe është i gatshëm të përgjigjet kur e vendosim besimin tek Ai dhe bëjmë atë që është e drejtë. Nuk ka vend për frikë midis burrave dhe grave që e vendosin besimin e tyre tek i Plotfuqishmi, që nuk ngurrojnë ta përulin veten në kërkim të udhërrëfimit hyjnor nëpërmjet lutjes. Edhe pse ndodhin përndjekje, edhe pse vijnë disfata, te lutja mund të gjejmë siguri, sepse Perëndia do t’i shprehë paqe shpirtit. Ajo paqe, ai shpirt qetësie, është bekimi më i madh i jetës.

Kur isha djalë që mbaja Priftërinë Aarone, unë mësova këtë poemë të shkurtër rreth lutjes. Ajo ka mbetur tek unë:

Nuk e di se si, në çfarë mënyre,

Por këtë e di: Perëndia lutjes i jep përgjigje.

E di se fjalën na e ka dhënë,

Që më thotë se lutja dëgjohet gjithmonë.

Dhe, shpejt ose vonë, përgjigjja do të vij’,

Dhe unë prandaj lutem dhe pres me qetësi.

Nuk e di nëse bekimet e kërkuara

Do të vijnë ashtu siç i mendova,

Por lutjet e mia i lë, vetëm me Atë,

Vullneti i të cilit, më i urtë se imi është,

I sigurt se kërkesën time do ta plotësojë

Ose një përgjigje më të bekuar do të dërgojë.

… Unë ju dëshmoj juve, vëllezër dhe motra të mia të dashura, se Perëndia jeton. Ai nuk është i vdekur. … Unë dëshmoj se ka një Perëndi në qiell që i dëgjon dhe i përgjigjet lutjes. E di se kjo është e vërtetë. Unë do t’i nxitja me përulësi të gjithë … të mbajnë lidhje të ngushtë me Atin tonë në qiell nëpërmjet lutjes. Kurrë më parë në këtë periudhë ungjillore nuk ka pasur nevojë më të madhe për lutje. Lutja ime e sinqertë është që ne të mbështetemi gjithnjë tek Ati ynë Qiellor dhe me vetëdije të përpiqemi të përmirësojmë komunikimin tonë me Të.18

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Benson tha se ne duhet “të mos kaloj[më] asnjë ditë” pa lutje vetjake (pjesa 1). Si jeni bekuar ju si rezultat i lutjes vetjake?

  • Në pjesën 2, Presidenti Benson përmend disa bekime që u vijnë familjeve që luten së bashku rregullisht. Kur keni parë që lutja familjare çon në këto bekime? Çfarë mund të bëjmë për ta bërë lutjen familjare një përparësi?

  • Shqyrtoni pesë sugjerimet e Presidentit Benson në pjesën 3. Si mundet secili nga këto sugjerime të na ndihmojë “ta përmirësojmë komunikimin vetjak me Atin tonë Qiellor”? Mendoni rreth asaj që do të bëni për ta ndjekur këtë këshillë.

  • Si mund ta ndihmojnë fjalët e Presidentit Benson në pjesën 4 dikë që dyshon te fuqia e lutjes? Çfarë fjalësh dëshmie mund të shtoni tek ato të Presidentit Benson?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Jakobi [Bibël] 1:5–6; Enosi 1:1–8; 3 Nefi 14:7–8; DeB 10:5; 19:38; 88:63

Ndihmë për Studimin

Parimi është e vërteta që udhëheq vendimet dhe veprimet. “Ndërsa lexoni, pyeteni veten, ‘Cili parim i ungjillit jepet mësim në këtë fragment? Si mund ta zbatoj këtë në jetën time?’” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe] [1999], f. 17).

Shënime

  1. “Prayer”, Ensign, maj 1977, f. 32.

  2. Cross Fire: The Eight Years with Eisenhower (1962), f. 31.

  3. Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 268.

  4. Cituar në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 268.

  5. Gordon B. Hinckley, “Farewell to a Prophet”, Ensign, korrik 1994, f. 40.

  6. Cituar në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 140.

  7. Elaine S. McKay, “Pray for Dad”, New Era, qershor 1975, f. 33.

  8. “Pray Always”, Ensign, shkurt 1990, f. 2.

  9. Në Conference Report, prill 1966, f. 131.

  10. Në Conference Report, tetor 1947, f. 24.

  11. Në Conference Report, tetor 1950, f. 147.

  12. “Family Joys”, New Era, janar 1973, f. 4.

  13. Në Conference Report, prill 1949, f. 197–198.

  14. “Pray Always”, f. 2, 4.

  15. Në Conference Report, tetor 1956, f. 108.

  16. Në Conference Report, tetor 1956, f. 104.

  17. Në Conference Report, prill 1953, f. 39.

  18. “Prayer”, f. 33–34; poemë titulluar “Prayer” nga Eliza M. Hickok, siç citohet nga Best Loved Religious Poems, red. James Gilchrist Lawson (1933), f. 160.