Mësime të Presidentëve
Kapitulli 13: Bekimet e Paçmueshme të Shtëpisë së Zotit


Kapitulli 13

Bekimet e Paçmueshme të Shtëpisë së Zotit

“Vendi ku ne marrim bekimet më të mëdha të Perëndisë që i përkasin jetës së përjetshme është në tempuj. Tempujt janë vërtet portat drejt qiellit.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

“I jam mirënjohës Zotit që kujtimet e mia për tempullin kthehen prapa – madje deri në fëmijërinë e hershme”, tha Presidenti Ezra Taft Benson. “Më kujtohet kaq mirë se, kur isha i vogël, vija nga ara dhe i afrohesha shtëpisë së vjetër në fermë në Uitni të Ajdahos. Mund ta dëgjoja nënën time të këndonte ‘A Kam Bërë Ndonjë të Mirë në Botë Sot?’ (Hymns, nr. 58.)

Mundem ende ta shoh me sytë e mendjes duke u përkulur mbi tavolinën e hekurosjes me gazeta mbi dysheme, duke hekurosur breza të gjatë cohe të bardhë, me bulëza djerse në ballë. Kur e pyeta se çfarë po bënte, ajo tha: ‘Këto janë veshje tempulli, biri im. Babai yt dhe unë do të shkojmë në tempull. …’

Pastaj e vuri hekurin e vjetër të hekurosjes mbi sobë, solli një karrige afër simes dhe më tregoi rreth punës në tempull – sa e rëndësishme është të jesh në gjendje të shkosh në tempull dhe të marrësh pjesë në ordinancat e shenjta të kryera atje. Ajo shprehu edhe shpresën e saj të zjarrtë se një ditë fëmijët dhe nipërit e mbesat dhe stërnipërit e stërmbesat e saj do të kishin mundësi t’i gëzonin këto bekime të paçmueshme.

Këto kujtime të ëmbla rreth shpirtit të punës së tempullit ishin një bekim në shtëpinë tonë në fermë. … Këto kujtime janë kthyer teksa kam kryer martesën për secilin prej fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona, nipërve e mbesave dhe stërnipërve e stërmbesave të nënës sime, nën ndikimin e Shpirtit në shtëpinë e Zotit.

Këto janë kujtime të çmuara për mua.”1

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Tempujt janë simbole të gjithçkaje që është e dashur për ne.

Tempulli është vendi më i afërt me qiellin në tokën e vdekshme.2

Tempull[i] do të jetë një dritë për të gjithë njerëzit e zonës – një simbol i gjithçkaje që është e dashur për ne.3

Tempulli është një kujtues i përhershëm i faktit se Perëndia ka për qëllim që familja të jetë e përjetshme.4

[Tempulli] është një simbol i vazhdueshëm, i dukshëm i faktit se Perëndia nuk e ka lënë njeriun të endet kuturu në errësirë. Ai është një vend zbulese. Edhe pse jetojmë në një botë të rënë – një botë të ligë – vende të shenjta janë veçuar dhe shenjtëruar që burra dhe gra të denja të mund të mësojnë rregullin e qiellit dhe t’i binden vullnetit të Perëndisë.5

[Tempulli është] një dëshmitar i ngritur se fuqia e Perëndisë mund t’i ndalë fuqitë e së keqes në mesin tonë. Shumë prindër, brenda dhe jashtë Kishës, janë të shqetësuar për mbrojtjen kundër ortekut rrokullisës të ligësisë që kërcënon t’i përpijë parimet e krishtera. E gjej veten në pajtim të plotë me një pohim të bërë nga Presidenti Harold B. Li gjatë Luftës II Botërore. Ai tha: “Ne flasim për siguri në këtë kohë dhe prapëseprapë nuk ia dalim ta kuptojmë se … ne e kemi të ngritur tempullin e shenjtë ku mund t’i gjejmë simbolet përmes së cilave mund të prodhohet fuqia që do ta shpëtojë këtë komb nga shkatërrimi.”6

Në një festë në hotelin Hilton në Beverli Hills në Los-Anxhelos [të Kalifornisë], më ishte kërkuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara [meqë isha ministri i tij i bujqësisë] që të përshëndetja presidentin e njërës prej republikave tona më të reja, presidentin e tetëdhjetë e tetë milionë njerëzve të shpërndarë në afro 3.000 ishuj një mijë e gjashtëqind km larg, një komb që ekzistonte vetëm prej pak vitesh. Teksa u ulëm atje në këtë darkë, që ishte financuar në një masë të madhe nga industria filmike dhe në të cilën ishin të pranishëm shumë yje filmash, unë mund të shihja jashtë një dritareje të gjerë e të bukur. Teposhtë shëtitores, në një kodër të vogël, mund të shihja ndriçimin e ëmbël rreth tempullit tonë të lavdishëm të Los-Anxhelosit dhe pata gëzimin që t’ia vija atë në dukje të ftuarve dhe miqve të mi në tryezën tonë dhe në tryezat e tjera. Mendova, teksa isha ulur atje: “Shumë prej asaj që po ndodh sonte, është thjesht një kotësi e jetës. Gjërat që zgjatin, gjërat që janë të vërteta, gjërat që janë të rëndësishme, janë ato gjëra që paraqiten në tempullin e Perëndisë.”7

Pamja
Daytime shot from across the front lawn of the Los Angeles California Temple.

Tempulli i Los Anxhelosit, Kaliforni

Qoftë [tempulli] një kujtues i përhershëm se jeta është e përjetshme dhe se besëlidhjet e bëra nga ne në vdekshmëri, mund të jenë të përjetshme.8

2

Ne kemi nevojë për ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit në mënyrë që të hyjmë në plotësinë e priftërisë dhe të përgatitemi që të rikthehemi në praninë e Perëndisë.

Kur Ati ynë Qiellor i vuri Adamin dhe Evën në këtë tokë, Ai e bëri këtë me qëllimin për t’u mësuar atyre se si të riktheheshin në praninë e Tij. Ati ynë na premtoi një Shpëtimtar për t’i shëlbuar ata nga gjendja e tyre e rënë. Ai u dha atyre planin e shpëtimit dhe u tha t’u mësonin fëmijëve të tyre besim në Jezu Krisht dhe pendim. Më tej, Adami dhe pasardhësit e tij u urdhëruan nga Perëndia që të pagëzoheshin, të merrnin Frymën e Shenjtë dhe të hynin në rendin e Birit të Perëndisë.

Të hyrit në rendin e Birit të Perëndisë është e barasvlershme sot me hyrjen në plotësinë e Priftërisë Melkizedeke, e cila merret vetëm në shtëpinë e Zotit.

Për shkak se Adami dhe Eva ishin pajtuar me këto kërkesa, Perëndia u tha atyre: “Dhe ti je sipas urdhërit të atij që ishte pa fillim të ditëve ose fund të viteve; nga gjithë përjetësia në gjithë përjetësi”. (Moisiu 6:67.)

Tri vite para vdekjes së Adamit, ndodhi një ngjarje e madhe. Ai e çoi të birin, Sethin, nipin e tij, Enosin, dhe priftërinj të tjerë të lartë që ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të tij, me të tjerë nga pasardhësit e tij të drejtë, në një luginë të quajtur Adam-ondi-Ahman. Atje Adami u dha këtyre pasardhësve të drejtë bekimin e tij të fundit.

Zoti, më pas, iu shfaq atyre [shih DeB 107:53–56]. …

Si i solli Adami pasardhësit e tij në praninë e Zotit?

Përgjigjja: Adami dhe pasardhësit e tij hynë në rendin e priftërisë së Perëndisë. Sot ne do të thoshim se ata hynë në Shtëpinë e Zotit dhe morën bekimet e tyre.

Rendi i priftërisë për të cilin flitet në shkrimet e shenjta, ndonjëherë quhet rendi patriarkal sepse kalon nga ati te biri. Por ky rend përshkruhet edhe në zbulesën moderne si një rend i një qeverisjeje familjare ku një burrë dhe një grua hyjnë në një besëlidhje me Perëndinë – njësoj sikurse bëri Adami dhe Eva – për t’u vulosur për përjetësinë, për të pasur pasardhës dhe për të bërë vullnetin dhe punën e Perëndisë gjatë gjithë vdekshmërisë së tyre.

Nëse një çift është i vërtetë ndaj besëlidhjeve të tij, ai ka të drejtën për bekimin e shkallës më të lartë të mbretërisë çelestiale. Në këto besëlidhje sot mund të hyhet vetëm duke shkuar në Shtëpinë e Zotit.

Adami e ndoqi këtë rregull dhe i solli pasardhësit e tij në praninë e Perëndisë. …

… Në këtë rend të priftërisë mund të hyhet vetëm kur pajtohemi me të gjitha urdhërimet e Perëndisë dhe kërkojmë bekimet e etërve sikurse bëri Abrahami [shih Abraham 1:1–3] duke shkuar në shtëpinë e Atit tonë. Ato nuk merren në asnjë vend tjetër mbi këtë tokë!

… Shkoni në tempull – në shtëpinë e Atit tonë – për të marrë bekimet e etërve tuaj që të mund të keni të drejtën për bekimet më të larta të priftërisë. “Sepse pa këtë, askush nuk mund të shohë fytyrën e Perëndisë, madje Atit, dhe të jetojë.” (DeB 84:22.)

Shtëpia e Atit tonë është një shtëpi rregulli. Ne shkojmë në shtëpinë e Tij për të hyrë në atë rend priftërie që do të na japë të drejtën për gjithçka që Ati ka, nëse jemi besnikë.9

3

Përmes ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit, ne mund të marrim mbrojtje dhe bekimet më të mëdha të Perëndisë që i përkasin jetës së përjetshme.

Bekimet e shtëpisë së Zotit janë të përjetshme. Ato kanë rëndësinë më të madhe për ne sepse është në tempuj vendi ku ne marrim bekimet më të mëdha të Perëndisë që i përkasin jetës së përjetshme. Tempujt janë vërtet portat drejt qiellit.10

Dëshira e Zotit është që çdo burrë dhe grua në moshë madhore në Kishë t’i marrë ordinancat e tempullit. Kjo do të thotë se ata duhet të marrin indaumentin dhe se të gjitha çiftet e martuara duhet të vulosen për përjetësinë. Këto ordinanca sigurojnë mbrojtje dhe bekim për martesën e tyre. Edhe fëmijët e tyre kanë bekimin që të linden brenda besëlidhjes. Lindja brenda besëlidhjes u jep atyre fëmijëve një bekim parëbirnie që u garanton atyre prindërim të përjetshëm pavarësisht nga ajo që u ndodh prindërve, për aq kohë sa fëmijët mbeten të denjë për bekimet.11

A nuk është kuptimplote për ju se sot shenjtorët janë të shpërndarë mbi faqen e tokës dhe, në situatën e tyre të shpërndarë, atyre po iu sigurohen tempuj? Me anë të ordinancave që marrin në vende të shenjta, ata do të armatosen me drejtësi dhe do të marrin si dhuratë fuqinë e Perëndisë në një masë të madhe.12

Ka një fuqi të lidhur me ordinancat e qiellit – madje fuqia e perëndishmërisë – që mund dhe do t’i mposhtë forcat e së keqes nëse do të jemi të denjë për ato bekime të shenjta. Komuniteti [ynë] do të jetë i mbrojtur, familjet tona do të jenë të mbrojtura, fëmijët tanë do të jenë të sigurt ndërsa ne e jetojmë ungjillin, e vizitojmë tempullin dhe jetojmë pranë Zotit. … Perëndia na bekon si shenjtorë që të jetojmë të denjë për besëlidhjet dhe ordinancat e bëra në këtë vend të shenjtë.13

Ceremonia e tempullit u dha nga një Atë Qiellor i mençur që të na ndihmojë të bëhemi më shumë si Krishti.14

Ne nuk do të jemi në gjendje të banojmë në shoqërinë e qenieve çelestiale nëse nuk jemi të pastër e të shenjtë. Ligjet dhe ordinancat që i bëjnë burrat dhe gratë të dalin jashtë botës dhe të bëhen të shenjtëruar, administrohen vetëm në këto vende të shenjta. Ato u dhanë me anë të zbulesës dhe kuptohen me anë të zbulesës. Është për këtë arsye që një nga Vëllezërit e ka quajtur tempullin “universiteti i Zotit”15.

Asnjë anëtar i Kishës nuk mund të përsoset pa ordinancat e tempullit. Ne kemi një mision për t’u ardhur në ndihmë atyre që nuk i kanë këto bekime, që t’i marrin ato.16

4

Ne kemi privilegjin e hapjes së dyerve të shpëtimit për paraardhësit tonë.

Tempujt janë ndërtuar dhe përkushtuar në mënyrë që, përmes priftërisë, prindërit mund të vulosen me fëmijët e tyre dhe fëmijët mund të vulosen me prindërit e tyre. Këto ordinanca vulosjeje gjejnë zbatim si për të gjallët, edhe për të vdekurit. Nëse nuk ia dalim të vulosemi me të parët tanë dhe pasardhësit tanë, qëllimi i kësaj toke, ekzaltimi i njeriut, do të shkatërrohet tërësisht për aq sa na përket neve.17

Nuk është e mjaftueshme që një bashkëshort dhe një bashkëshorte të vulosen në tempull që të garantohet ekzaltimi i tyre – nëse janë besnikë – ata duhet të lidhen gjithashtu përjetësisht me të parët e tyre dhe të kujdesen që puna për ata paraardhës të jetë bërë. “Ata pa ne” tha Apostulli Pal, “nuk mund të bëhen të përsosur – as ne nuk mundemi, pa të vdekurit tanë, të bëhemi të përsosur” (DeB 128:15). Anëtarët tanë, si rrjedhim, duhet ta kuptojnë se ata kanë një përgjegjësi individuale për t’u siguruar se janë lidhur me të parët e tyre – ose, ashtu siç përcakton shkrimi i shenjtë, “etërit” tanë. Kjo është domethënia e vargut 2 te seksioni 2, te Doktrina e Besëlidhje kur Moroni shpalli se Elija “do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre”.18

Kur mendoj për gjenealogjinë, shoh njerëz – njerëz që i dua, që po presin që familja jonë, pasardhësit e tyre, t’i ndihmojnë ata të marrin ekzaltim në mbretërinë çelestiale.19

I yni është privilegji i hapjes së dyerve të shpëtimit për ata shpirtra që mund të jenë burgosur në errësirë në botën e shpirtrave, që ata të mund të marrin dritën e ungjillit dhe të gjykohen njësoj si ne. Po, “veprat që bëj unë” – duke iu ofruar ordinancat shpëtuese të ungjillit të tjerëve – “do të bë[ni] edhe [ju]” [shih Gjoni 14:12]. Sa mijëra vetë nga farefisi ynë i presin ende këto ordinanca vulosjeje?

Është mirë të pyetësh: “A kam bërë gjithçka që mundem, si individ në këtë anë të velit? A do të jem një shpëtimtar për ata – vetë paraardhësit e mi?”

Pa ata, ne nuk mund të përsosemi! Ekzaltimi është një çështje familjare.20

Veli është shumë i hollë. Ne po jetojmë në përjetësi. E gjitha është si një ditë për Perëndinë. Unë përfytyroj se për Zotin nuk ka vel. Ky është i gjithi një program i madh. Jam i sigurt se ka gëzim në qiell teksa ne takohemi [në tempull]. Të parët tanë po gëzojnë dhe shpresa e lutja ime është që ne të mund të përfitojmë nga mundësitë që na janë siguruar tani, për të shkuar rregullisht në tempull.21

Ata prej jush që kanë punuar me gjenealogjitë e veta, që e kuptojnë rëndësinë e punës dhe e kanë ndier emocionin që vjen nga lidhja e familjeve së bashku dhe të mësuarit për trashëgiminë tuaj fisnike, duhet ta ndajnë këtë emocion me të tjerët. Ndihmojini ata të shohin gëzimin dhe plotësimin që ju shihni në këtë punë. Ne duhet të kthejmë më tepër prej anëtarëve tanë që ta bëjnë këtë punë. Ka shumë për të bërë, siç e dini të gjithë, dhe ka shumë e shumë anëtarë që mund ta bënin punën e që do të gëzoheshin duke e bërë punën nëse disa prej nesh – të gjithë ju – thjesht do ta ndiznit atë shkëndijë në ta përmes entuziazmit, shembullit dhe përkushtimit tuaj.22

5

Fëmijët dhe të rinjtë duhet të mësojnë rreth bekimeve që i presin ata në tempull.

Tempulli është një vend i shenjtë dhe ordinancat në tempull janë të një natyre të shenjtë. Për shkak të shenjtërisë së tij, ne ndonjëherë jemi ngurrues për t’i thënë ndonjë gjë për tempullin fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona.

Për pasojë, shumë njerëz nuk zhvillojnë një dëshirë të vërtetë për të shkuar në tempull ose, kur shkojnë atje, ata e bëjnë këtë pa shumë formim që t’i përgatitë ata për detyrimet dhe besëlidhjet në të cilat hyjnë.

Besoj se një kuptueshmëri ose formim i duhur do ta ndihmojë pa masë rininë tonë për tempullin. Kjo kuptueshmëri, besoj, do të ushqejë brenda tyre një dëshirë për t’i kërkuar bekimet e tyre të priftërisë njësoj siç i kërkoi Abrahami të tijat [shih Abraham 1:1–4].23

Kur fëmijët tuaj të pyetin përse ne martohemi në tempull, ju duhet t’u mësoni atyre se tempujt janë të vetmet vende mbi tokë ku mund të kryhen [disa] ordinanca të caktuara. Ju duhet gjithashtu t’u tregoni fëmijëve tuaj ndjenjat tuaja vetjake teksa u gjunjëzuat së bashku përpara altarit të shenjtë dhe morët mbi vete besëlidhje që bënë të mundur për ata që të vulosen me ju përgjithmonë.24

Pamja
Young men and women walking away from the Oquirrh Mountain Utah Temple.

“Perëndia na bekoftë që t’u mësojmë fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona se çfarë bekimesh të mëdha i presin ata nga të shkuarit në tempull.”

Sa e përshtatshme është që nënat dhe etërit të tregojnë me gisht nga tempulli dhe t’u thonë fëmijëve të tyre: “Ky është vendi ku u martuam për përjetësinë”. Duke bërë kështu, ideali i martesës së tempullit mund të rrënjoset brenda mendjeve e zemrave të fëmijëve tuaj që kur janë shumë të vegjël.25

Ne duhet t’ua tregojmë familjeve dashurinë tonë për stërgjyshërit dhe mirënjohjen tonë që jemi në gjendje t’i ndihmojmë ata të marrin ordinancat shpëtuese sikurse bënë prindërit e mi me mua. Kur e bëjmë këtë, lidhje më të forta vlerësimi e ngrohtësie do të zhvillohen brenda familjeve tona.26

Unë besoj se të rinjtë, jo vetëm që janë të gatshëm dhe të aftë për të bërë kërkime gjenealogjike, por ata janë [edhe] një mjet i mirë për t’i dhënë jetë të gjithë programit.27

Perëndia na bekoftë që t’u mësojmë fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona se çfarë bekimesh të mëdha i presin ata nga të shkuarit në tempull.28

6

Pjesëmarrja më e madhe në tempull çon në zbulesë më të madhe vetjake.

E kam bërë zakon, kurdoherë që kryej një martesë, t’i sugjeroj çiftit të ri që ata të kthehen në tempull sa më shpejt të munden dhe të kalojnë nëpër [ordinancat] e tempullit sërish si bashkëshort e bashkëshorte. Nuk është e mundur që ata ta kuptojnë plotësisht domethënien e indaumentit të shenjtë apo vulosjeve me një udhëtim nëpër tempull, por teksa i përsëritin vizitat në tempull, bukuria, domethënia dhe rëndësia e gjithçkaje të tij do të theksohet brenda tyre. Kam marrë letra më vonë nga disa prej këtyre çifteve të rinj ku më kanë shprehur vlerësim ngaqë ajo pikë qe theksuar në mënyrë të veçantë. Teksa i përsëritin vizitat e tyre për në tempull, dashuria e tyre për njëri-tjetrin priret të rritet dhe martesa e tyre priret të forcohet.29

Gjatë vizitave tona në tempull, na jepen ndriçime të mendjes për domethënien e udhëtimit të përjetshëm të njeriut. Ne shohim simbolikë të bukur e mbresëlënëse të ngjarjeve më të rëndësishme – të së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes – që simbolizojnë misionin e njeriut në marrëdhënie me Perëndinë. Ne kujtohemi për detyrimet tona teksa bëjmë besëlidhje solemne që lidhen me bindjen, shenjtërimin, sakrificën dhe shërbimin e përkushtuar ndaj Atit tonë Qiellor.30

Ju premtoj se, me pjesëmarrje më të madhe në tempujt e Perëndisë sonë, ju do të merrni zbulesë më të madhe vetjake që t’ua bekojë jetën ndërsa ju i bekoni ata që kanë vdekur.31

Në paqen e këtyre tempujve të dashur, nganjëherë ne gjejmë zgjidhje për problemet e rënda të jetës. Nën ndikimin e Shpirtit, nganjëherë dituria e kulluar rrjedh drejt nesh atje. Tempujt janë vende për zbulesë vetjake. Kur kam qenë i rënduar nga një problem ose vështirësi, unë kam shkuar te Shtëpia e Zotit me një lutje në zemrën time për përgjigje. Këto përgjigje kanë ardhur në mënyra të qarta dhe të padyshimta.32

A kthehemi në tempull shpesh për të marrë bekimet vetjake që vijnë nga adhurimi i rregullt në tempull? Lutjet marrin përgjigje, zbulesat vijnë dhe udhëzimi nga Shpirti ndodh në tempujt e shenjtë të Zotit.33

Le ta bëjmë tempullin një shtëpi të shenjtë në largësi nga shtëpia jonë e përjetshme.34

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Benson tha se tempulli është “një simbol i gjithçkaje që është e dashur për ne” dhe përcaktoi disa të vërteta që simbolizojnë tempujt (shih pjesën 1). Çfarë përfaqësojnë tempujt për ju?

  • Në pjesën 2, si gjejnë zbatim mësimet e Presidentit Benson rreth bekimeve të priftërisë për të gjithë pjesëtarët e familjes? Teksa e shqyrtoni këtë pjesë, përsiatni privilegjin dhe përgjegjësinë tuaj për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes të përgatiten për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.

  • Ndërsa e lexoni pjesën 3, përsiatini mësimet e Presidentit Benson rreth bekimeve që marrim nëpërmjet ordinancave të tempullit. Në çfarë mënyrash jeni bekuar nëpërmjet ordinancave të tempullit? Nëse nuk i keni marrë ende ordinancat e tempullit, përsiatni për atë që mund të bëni që të përgatiteni t’i merrni ato.

  • Presidenti Benson tha: “Kur mendoj për gjenealogjinë, shoh njerëz – njerëz që i dua” (pjesa 4). Si mund të ndikojë kjo vërejtje te qasja juaj ndaj historisë familjare? Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar më shumë prej paraardhësve tanë që të marrin bekimet e ungjillit?

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për t’i ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë të përgatiten për ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit? Në çfarë mënyrash munden të rinjtë t’i japin “jetë të gjithë programit” të historisë familjare? (Shih pjesën 5.)

  • Presidenti Benson na nxiti që ta “bëjmë tempullin një shtëpi të shenjtë në largësi nga shtëpia jonë e përjetshme” (pjesa 6). Çfarë kuptimi ka për ju ky pohim? Reflektoni për bekimet që keni marrë kur jeni kthyer në tempull.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 2:1–3; DeB 97:15–16; 109:8–23; 124:39–41; 138:32–34

Ndihmë për Mësimdhënien

“Shpesh, një mësim do të përmbajë më tepër material sesa mund të jepni mësim në kohën që ju është dhënë. Në raste të tilla, ju duhet të përzgjidhni materialin që do të jetë më i dobishëm për ata të cilëve u jepni mësim” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 98–99).

Shënime

  1. “What I Hope You Will Teach Your Children about the Temple”, Ensign, gusht 1985, f. 8.

  2. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 260.

  3. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 256.

  4. “What I Hope You Will Teach Your Children about the Temple”, f. 6.

  5. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 252.

  6. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 256; thënia nga Harold B. Lee gjendet në Conference Report, prill 1942, f. 87.

  7. God, Family, Country: Our Three Great Loyalties (1974), f. 85.

  8. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 256.

  9. “What I Hope You Will Teach Your Children about the Temple”, f. 8–10.

  10. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 255.

  11. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 259.

  12. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 255–56.

  13. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 256.

  14. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 250.

  15. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 252; shih edhe ElRay L. Christiansen, në Conference Report, prill 1968, f. 134.

  16. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 252.

  17. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 248.

  18. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 248–49.

  19. The Teachings of Ezra Taft Benson, 164.

  20. Come unto Christ (1983), f. 126.

  21. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 253.

  22. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 162.

  23. “What I Hope You Will Teach Your Children about the Temple”, f. 8.

  24. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 258.

  25. “What I Hope You Will Teach Your Children about the Temple”, f. 6, 8.

  26. Come unto Christ through Temple Ordinances and Covenants (broshurë, 1987), f. 2.

  27. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 163.

  28. “What I Hope You Will Teach Your Children about the Temple”, f. 10.

  29. God, Family, Country, f. 183.

  30. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 251.

  31. “The Book of Mormon and the Doctrine and Covenants”, Ensign, maj 1987, f. 85.

  32. “What I Hope You Will Teach Your Children about the Temple”, f. 8.

  33. “Come unto Christ, and Be Perfected in Him”, Ensign, maj 1988, f. 85.

  34. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 256.