Mësime të Presidentëve
Kapitulli 2: Pagëzimi dhe Dhurata e Frymës së Shenjtë


Kapitulli 2

Pagëzimi dhe Dhurata e Frymës së Shenjtë

“Ky … ishte sistemi i Ungjillit në ditët e apostujve, besim në Jezu Krisht, pendim, pagëzim nëpërmjet zhytjes për faljen e mëkateve dhe vendosja e duarve për marrjen e Frymës së Shenjtë. Kur ky sistem u kuptua dhe u zbatua siç duhej, fuqia, dhuratat, bekimet dhe privilegjet e lavdishme pasuan menjëherë.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Edhe pas marrjes së dëshmisë që Jozef Smithi ishte profet, Lorenco Snoun e mundonte vendimi për t’iu bashkuar Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai e dinte se nëse do të bëhej anëtar i Kishës, do t’i duhej të braktiste disa nga aspiratat e tij tokësore. Por pas një përvoje që ai e quajti si “luftën e tij më të vështirë të zemrës dhe të shpirtit”, ai pranoi të pagëzohej. Ai rrëfeu: “Nëpërmjet ndihmës së Zotit – sepse unë ndihem i sigurt se Ai duhet të më ketë ndihmuar – unë i lashë në altar krenarinë, ambicien dhe aspiratat e mia tokësore dhe, i përulur si një fëmijë, shkova tek ujërat e pagëzimit dhe mora ordinancat e ungjillit. … Unë mora pagëzimin dhe ordinancën e vendosjes së duarve nga një njeri që deklaroi se kishte autoritet hyjnor.”1

Pasi e mori vetë këtë bekim, ai ishte dëshirues t’ua tregonte të tjerëve. Në një letër që e shkroi kur ishte misionar në Itali, ai thoshte: “Në shumë vende hapja e derës së mbretërisë së Perëndisë vjen me shumë shqetësim dhe ankth. Ne përjetuam vetë një masë të madhe nga kjo. Prandaj, ajo ishte me plot kënaqësi, unë u futa në ujë me kandidatin e parë për jetë të përjetshme. Kurrë nuk tingëlloi kaq ëmbël gjuha italiane sa në këtë kohë interesante, kur unë kreva këtë ordinancë të shenjtë dhe hapa një derë që askush nuk mund ta mbyllë.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 58.]

Mësime të Lorenco Snout

Ne marrim bekime nga Perëndia kur ndjekim parimet që Ai ka vendosur.

Ka disa parime të vendosura nga Perëndia që, kur kuptohen dhe zbatohen, do t’u sigurojnë njerëzve zotërim të njohurive, dhuratave dhe bekimeve shpirtërore. Në kohët e hershme të botës, gjithashtu në ditët e apostujve, njerëzit erdhën në zotërimin e fuqive shpirtërore dhe privilegjeve të ndryshme duke siguruar një kuptim dhe një bindje besnike ndaj disa rregullave që vendosi Zoti. Si për shembull, Abeli, një nga bijtë e Adamit, duke marrë informacion se ofrimi i flijimeve ishte një sistem i krijuar nga Perëndia, nëpërmjet të cilit njerëzit mund të merrnin bekime, ai iu vu punës, ndoqi sistemin, bëri flijimin, nëpërmjet të cilit ai fitoi shfaqje të lavdishme të Shumë të Lartit [shih Zanafilla 4:4; Hebrenjve 11:4].

Përsëri, kur paradiluvianët [njerëzit përpara përmbytjes së madhe] qenë korruptuar dhe erdhi koha kur shkatërrimi po vinte mbi ta, Zoti zbuloi një rrugë me të cilën të drejtët të mund të shpëtonin; prandaj, të gjithë ata që e kuptuan dhe e ndoqën atë rrugë, qenë të sigurt se do ta arrinin bekimin e premtuar [shih Zanafilla 6–8].

Jozueu, përpara se të arrinte zotërimin e Jerikos, duhej të përmbushte disa hapa të caktuara nga Perëndia. Duke qenë se hapat u kryen siç duhej, sipas urdhërimit, qyteti i Jerikos ra menjëherë në zotërim të tij. [Shih Jozueut 6.]

Një shembull tjetër: rasti i Naamanit, komandantit të ushtrisë siriane; – tregohet që, i sëmurë nga lebra dhe duke dëgjuar për Eliseun, profetin, ai i bëri kërkesë atij për ta shëruar nga ajo sëmundje. Profeti, duke pasur Frymën e Shenjtë mbi vete, e cila [përcjell] Mendjen e Perëndisë, e njoftoi se, duke u larë në ujërat e Jordanit shtatë herë, ai mund të shërohej. Fillimisht, Naamani e mendoi këtë veprim si tepër të thjeshtë dhe qe i pakënaqur, dhe donte të mos pranonte – të mos përdorte një mënyrë kaq të thjeshtë. Gjithsesi, pas më shumë arsyetimesh të nevojshme, duke përulur veten, ai shkoi përpara duke iu bindur rregullave; dhe vini re! Bekimi erdhi menjëherë. [Shih 2 Mbretërve 5:1–14.] …

Kur erdhi periudha ungjillore, dhurata dhe bekime u morën nga parime të ngjashme; që do të thotë, nga bindja ndaj disa rregullave të vendosura. Zoti përsëri përcaktoi disa veprime, duke u premtuar të gjithëve që do t’i kryenin ato, disa privilegje të veçanta; dhe kur ato veprime kryheshin – duke respektuar çdo hollësi – atëherë ato bekime të premtuara ishte e sigurt që do të realizoheshin.3

Ordinancat e jashtme të pagëzimit dhe të konfirmimit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me punën e brendshme të besimit dhe të pendimit.

Disa përfytyrojnë më kot se gjatë periudhës ungjillore, dhuratat dhe bekimet fitoheshin jo nëpërmjet zbatimeve të jashtme, apo punëve të jashtme, por thjesht nëpërmjet besimit dhe pendimit, nëpërmjet veprimeve mendore, të pavarura nga ato fizike. Por, duke lënë mënjanë traditat, paragjykimet dhe kredot e njerëzve, ne do të shohim te fjala e Perëndisë, ku do të zbulojmë se punët e jashtme apo ordinancat e jashtme, në periudhën ungjillore, qenë të lidhura pazgjidhshmërisht me punët e brendshme, me besimin dhe pendimin. Në vërtetim të kësaj, unë po ju paraqes vrojtimin që vijon:

Shpëtimtari tha: “Përse më thirrni, ‘Zot, Zot’ dhe nuk bëni atë që ju them?” [Lluka 6:46.] Përsëri; ai thotë: “Ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb”. [Shih Mateu 7:24.] Dhe, “Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar”. [Marku 16:16.] Po kështu, ai thotë: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”. [Gjoni 3:5.] Këto thënie të Shpëtimtarit tonë kërkojnë që njerëzit të kryejnë punë të jashtme me qëllim që të marrin shpëtimin e tyre.

Në ditën e Rrëshajëve, Pjetri i thotë turmës përreth: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë”. [Shih Veprat e Apostujve 2:38.] Në këtë thënie profetike, ne mësojmë se njerëzit duhej të kryenin një punë të jashtme, pagëzimin në ujë, me qëllim që të mund të merrnin faljen e mëkateve dhe pastaj dhuratën e Frymës së Shenjtë. Por, përpara kryerjes së punës së jashtme, duhet të kryhet puna e brendshme – besimi dhe pendimi. Besimi dhe pendimi vijnë përpara pagëzimit; dhe pagëzimi përpara faljes së mëkateve dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. …

Disa e mendojnë si gabim përfshirjen e pagëzimit midis parimeve thelbësore të shuguruara nga Perëndia, për t’u zbatuar për arritjen e faljes së mëkateve. Në përgjigje, ne themi se Shpëtimtari dhe apostujt kanë vepruar kështu përpara nesh; prandaj, ne ndihemi të detyruar të ndjekim shembullin e tyre. … Pagëzimi … largon shpirtrat tanë nga mëkatet dhe ndotjet, nëpërmjet besimit në shlyerjen e madhe. …

Është qartësisht e dukshme se duhet treguar kujdes për punët e jashtme dhe po ashtu për besimin dhe pendimin, me qëllim që të merren privilegjet e ungjillit.4 [Shih sugjerimin 2 në faqen 58.]

Pagëzimi administrohet nëpërmjet zhytjes dhe dhurata e Frymës së Shenjtë jepet nëpërmjet vendosjes së duarve.

Pagëzimi në ujë, ngaqë është pjesë e Ungjillit të Krishtit, ne shohim si rrjedhim se shërbëtorët e Perëndisë në kohët e hershme ishin shumë të vëmendshëm në kryerjen e tij. …

Tani do t’i kushtojmë një çast përpjekjes për të arritur një përfytyrim të drejtë të mënyrës me të cilën kryhej pagëzimi. Është krejt e qartë se ishte vetëm një mënyrë ose metodë me të cilën kjo ordinancë duhej të kryhej dhe ajo mënyrë u ishte shpjeguar apostujve dhe ndiqej rreptësisht prej tyre në çdo rast kryerjeje. Me qëllim që ne të mund të arrijmë një nocion të drejtë të kësaj çështjeje, do të jetë e nevojshme t’u referohemi rrethanave në të cilat kryhej pagëzimi.

Thuhet për Gjon [Pagëzorin] se ai pagëzonte në Enon, sepse atje kishte shumë ujë [shih Gjoni 3:23]; atëherë, nëse spërkatja do të kishte qenë mënyra, zor se mund të supozojmë që ai do të shkonte në Enon sepse atje kishte shumë ujë, pasi fare pak ujë vërtet do të spërkaste gjithë Judenë, që ai mund ta arrinte pa udhëtuar për në Enon. Neve na është treguar gjithashtu se ai pagëzoi në Jordan dhe se pasi kreu ordinancën për Shpëtimtarin tonë, ai doli nga uji, duke treguar qartë se ai ishte zhytur në ujë me qëllim që ordinanca të mund të kryhej në një mënyrë të përshtatshme [shih Mateu 3:16]. Përsëri; flitet për eunukun, që ai u zhyt në ujë me Filipin dhe pastaj doli nga uji [shih Veprat e Apostujve 8:26–38]; tani duhet të pranohet nga cilido që pretendon arsyetim dhe lidhje logjike se po t’i përgjigjej qëllimit spërkatja me pak ujë në ballë, atëherë personat nuk do të ishin zhytur në ujë për të marrë ordinancën. Pali, në një shkrim për shenjtorët, na jep një dëshmi të qartë në favor të zhytjes. … Ai apostull deklaron atje se shenjtorët qenë varrosur me Krishtin me anë të pagëzimit [shih Romakëve 6:4; Kolosianëve 2:12].

Është thjeshtësisht e qartë se ata nuk do të qenë varrosur me anë të pagëzimit pa qenë tërësisht të zhytur dhe mbuluar në ujë. Një objekt nuk mund të thuhet të jetë varrosur kur një pjesë e tij mbetet e pambuluar; kështu, gjithashtu, një njeri nuk është varrosur në ujë nëpërmjet pagëzimit pa u zhytur tërësia e personit në mjedisin ujor. Ky shpjegim i apostullit mbi mënyrën e pagëzimit përputhet shumë bukur me atë që jepet nga Shpëtimtari ynë: “Nëse nuk lindni nga uji” etj. Të lindësh nga një gjë do të thotë të jesh vendosur brenda asaj gjëje; dhe duke u zhytur, ose dalë prej saj, të lindësh nga uji, duhet gjithashtu të shënojë vendosje në brendësi të ujërave dhe nxjerrje jashtë përsëri.

Unë besoj se tashmë është thënë mjaft për të bindur çdo mendje të arsyeshme dhe pa paragjykime se zhytja ishte mënyra me të cilën ordinanca e pagëzimit kryhej në kohët e hershme të krishtërimit, kur Ungjilli qe shpallur në pastërtinë dhe plotësinë e tij, prandaj, unë po i mbyll vëzhgimet e mia mbi këtë çështje.

Ne mësojmë nga kapitulli i 6-të i Hebrenjve se vendosja e duarve u rendit midis parimeve të Ungjillit. Dihet nga të gjithë se kjo ordinancë, si dhe pagëzimi me anë të zhytjes për faljen e mëkateve, është shumë e shpërfillur në ditët tona në kishat e krishtera; prandaj, disa vërejtje mbi këtë temë, shpresoj, do të jenë të dobishme. Ne kemi disa raste ku Krishti vendosi duart e tij mbi të sëmurët dhe i shëroi ata; dhe në thirrjen e tij drejtuar apostujve, në kapitullin e fundit të Markut, ai thotë se, këto shenja do t’i përcjellin ata që do të besojnë; ata do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen etj. Anania vendosi duart mbi Saulin, i cili menjëherë fitoi shikimin pas kryerjes së kësaj ordinance [shih Veprat e Apostujve 9:17–18]. Pali, kur iu mbyt anija në ishullin e Maltës, vendosi duart mbi babanë e Publit, qeveritar i ishullit, dhe e shëroi atë nga ethet [shih Veprat e Apostujve 28:8]. Këto pak shënime tregojnë qartë se vendosja e duarve ka qenë caktuar nga Perëndia që të jetë [një mënyrë] nëpërmjet së cilës mund të arrihen bekime qiellore.

Edhe pse shërimi i të sëmurëve ka qenë lidhur me kryerjen e kësaj ordinance, përsëri, kur e studiojmë çështjen më tej, ne do të zbulojmë se një bekim edhe më i madh lidhej me këtë ordinancë. Neve na është treguar se, në qytetin e Samarisë, nga Filipi qenë pagëzuar burra dhe gra, gjë që u dha atyre që u pagëzuan një gëzim të madh. Ata ndoshta po u gëzoheshin rrjedhimeve nga marrja e faljes së mëkateve, nëpërmjet besimit, pendimit e pagëzimit dhe nga marrja e një pjese prej Frymës së Shenjtë të Perëndisë, që natyrisht i ndoqi ata, pasi patën marrë përgjigjen për një vetëdije të mirë nëpërmjet faljes së mëkateve të tyre. Nëpërmjet kësaj pjese të Shpirtit të Shenjtë, që arritën ta kishin, ata filluan të shohin mbretërinë e Perëndisë. Sepse do të kujtohet që Shpëtimtari ynë ka shpallur: ‘Se asnjë njeri nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë, nëse nuk ka rilindur’; dhe në vargun më pas, ai thotë: ‘Ai nuk mund të hyjë në të, nëse nuk ka lindur dy herë, së pari nga uji, pastaj nga Fryma’ [shih Gjoni 3:3–5].

Tani ata njerëz në Samari patën lindur nga uji – ata patën marrë lindjen e parë, prandaj, ata qenë në gjendje të shihnin mbretërinë e Perëndisë, duke parashikuar me sytë e besimit bekimet, privilegjet dhe lavditë e saj të ndryshme; por përderisa ata nuk patën lindur për herë të dytë, që është, nga Fryma, ata nuk patën hyrë në mbretërinë e Perëndisë – ata nuk i patën marrë privilegjet e ungjillit në plotësinë e tyre. Kur apostujt në Jerusalem dëgjuan për suksesin e Filipit, ata dërguan Pjetrin dhe Gjonin në Samari, me qëllim që të kryenin vendosjen e duarve. Prandaj, kur arritën në Samari, ata vendosën duart mbi ata që patën qenë pagëzuar, dhe ata morën Frymën e Shenjtë. [Shih Veprat e Apostujve 8:5–8, 12, 14–17.]5 [Shih sugjerimin 3 në faqen 58.]

Bekimet e pagëzimit dhe të konfirmimit vijnë vetëm kur ato ordinanca administrohen nga autoriteti i duhur.

Nëse [ordinancat] nuk janë administruar nga një person që është dërguar vërtet nga Perëndia, ato bekime nuk do të vijnë. Apostujt dhe të shtatëdhjetët qenë shuguruar nga Jezu Krishti për të administruar ordinancat e Ungjillit, nëpërmjet të cilave duhet të merreshin dhuratat dhe bekimet e botëve të përjetshme. Prandaj, Krishti u thotë apostujve: “Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur” [shih Gjoni 20:23], që do të thotë, çdo njeri që do të vinte në përulësi, duke u penduar sinqerisht për mëkatet e tij dhe do të pagëzohej nga apostujt, do t’i faleshin mëkatet e tij nëpërmjet gjakut shlyes të Jezu Krishtit dhe, nëpërmjet vendosjes së duarve, do të merrte Frymën e Shenjtë; por atyre, që do të kundërshtonin të merrnin nga apostujt këtë rend të gjërave, mëkatet do t’u mbeteshin. … Kjo fuqi dhe ky autoritet i administrimit të Ungjillit iu ishte dhënë të tjerëve nga apostujt; kështu që apostujt nuk ishin të vetmit që mbanin këtë detyrë me përgjegjësi. … Tani, deri sa dikush të mund të gjendet që mban një detyrë si kjo, dikush që ka autoritetin të pagëzojë dhe të vendosë duart, askush nuk është nën ndonjë detyrim që t’i marrë këto ordinanca, as nuk ka pse t’i presë bekimet, përveç nëse ato janë administruar ligjërisht.

… Autoriteti i administrimit të ordinancave të Ungjillit [kishte] humbur për shumë shekuj. … Kisha e krijuar nga apostujt gradualisht ra, u end nëpër shkretëtirë dhe humbi autoritetin e saj, priftërinë e saj dhe, duke ndryshuar sistemin e Perëndisë, ajo humbi gjithashtu dhuratat dhe hiret e saj; ajo i shkeli ligjet dhe ndryshoi ordinancat e ungjillit; e zëvendësoi zhytjen me spërkatje dhe e hoqi tërësisht vendosjen e duarve; përbuzi profecinë dhe nuk besonte te shenjat. …

Gjoni, në Zbulesat e tij, duke parë dhe folur për endjen e kishës në errësirë, … flet, te [kapitulli 14, vargu 6], për rivendosjen e Ungjillit. “Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut”; kështu është e qartë se ajo profeci duhej të përmbushej dikur përpara ardhjes së dytë të Shpëtimtarit tonë.

… Unë tani sjell dëshmi, duke pasur sigurinë më të lartë nga zbulesa prej Perëndisë, se kjo profeci tashmë është përmbushur, që një engjëll nga Perëndia ka takuar një njeri në këto ditë të mëvonshme dhe rivendosi atë që qe humbur, madje priftërinë, – çelësat e mbretërisë, – plotësinë e Ungjillit të përjetshëm.6 [Shih sugjerimin 4 në faqen 58.]

Kur ne e mbajmë besëlidhjen e pagëzimit dhe përpiqemi të kërkojmë udhëheqje nga Fryma e Shenjtë, bekimet e premtuara është e sigurt se do të vijnë.

Ky ishte atëherë sistemi i Ungjillit në ditët e apostujve, besim në Jezu Krisht, pendim, pagëzim nëpërmjet zhytjes për faljen e mëkateve dhe vendosja e duarve për marrjen e Frymës së Shenjtë. Kur ky sistem u kuptua dhe u zbatua siç duhej, fuqia, dhuratat, bekimet dhe privilegjet e lavdishme pasuan menjëherë; dhe në çdo epokë dhe periudhë, kur këto hapa pranohen dhe zbatohen siç duhet në vendin e rendin e tyre të përshtatshëm, të njëjtat bekime është e sigurt se do të vijnë; por kur shpërfillen, qoftë tërësisht apo pjesërisht, ose do të ketë një mungesë të plotë të atyre bekimeve, ose një pakësim të madh të tyre.

Krishti, në porosinë e tij drejtuar apostujve, flet për disa dhurata mbinatyrore që merreshin nga ata që i bindeshin këtij sistemi gjërash [shih Marku 16:15–18]. Pali … jep një rrëfim më të plotë të dhuratave të ndryshme që shoqërojnë plotësinë e ungjillit; ai përmend nëntë prej tyre dhe na informon se ato janë ndikime ose fryte të Frymës së Shenjtë [shih 1 Korintasve 12:8–10]. Tani Fryma e Shenjtë u qe premtuar të gjithëve, madje për të gjithë ata që Zoti do të thërriste [shih Veprat e Apostujve 2:37–39]. Duke qenë kjo dhuratë e pandryshueshme në natyrën e në veprimet e saj dhe duke qenë e lidhur në mënyrë të pandashme nga premtimi me këtë model apo sistem të gjërave, bëhet logjik, i pajtueshëm dhe në përputhje me shkrimet e shenjta parashikimi i të njëjtave dhurata dhe bekime; dhe nëse Noeu, pasi pati ndërtuar Arkën, mundi të pretendonte dhe të arrinte shpëtimin e tij fizik sipas premtimit [shih Moisiu 7:42–43]; ose Jozueu, pasi kishte ardhur rreth Jerikos aq herë sa është përmendur, mundi të ngjitej te muret e saj të shkatërruara dhe të zinte robër banorët e saj [shih Jozueut 6:12–20]; apo izraelitët, pasi i kishin ofruar flijimet e urdhëruara, më pas, siç ishte premtuar, mund t’u faleshin mëkatet e tyre [shih Levitiku 4:22–35]; ose Naamani, pasi iu bind urdhrit të Eliseut, për t’u larë shtatë herë në ujërat e Jordanit, mundi të kërkonte dhe të arrinte shërimin e tij [shih 2 Mbretërve 5:1–14]; apo së fundi, njeriu i verbër, pasi qe larë në pellgun e Siloamit, nëse më pas mundi të pretendonte dhe të realizonte shpërblimin e premtuar [shih Gjoni 9:1–7], atëherë, unë them, me drejtësi dhe me qëndrueshmëri, që kurdoherë që një njeri do të lërë mënjanë paragjykimet dhe mendësitë e tij sektare e traditat e rreme dhe do të pajtohet me gjithë sistemin e ungjillit të Jezu Krishtit, atëherë nuk ka asgjë nën botën çelestiale që do të veprojë kundër kërkimit e marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe të të gjitha bekimeve lidhur me Ungjillin në këtë epokë apostolike.

Për të arritur besimin që do të na shpëtojë në praninë e Perëndisë, ne duhet të marrim Frymën e Shenjtë dhe për të marrë Frymën e Shenjtë, ne duhet të besojmë në Zotin Jezu Krisht, pastaj të pendohemi për mëkatet tona, që do të thotë, t’i braktisim ato, pastaj të shkojmë më tej dhe të zhytemi në ujë për faljen e mëkateve, pastaj të marrim vendosjen e duarve.7

Kur ne e kemi marrë këtë Ungjill, ne kemi bërë besëlidhje përpara Perëndisë që do të udhëhiqemi, që do të drejtohemi dhe do të ndjekim sugjerimet e Shpirtit të Shenjtë, që ne do të ndjekim sugjerimet e parimit që jep jetë, që jep njohuri, që jep kuptim për gjërat e Perëndisë, që komunikon mendjen e Perëndisë; dhe që ne do të punojmë për përmbushjen e qëllimit të Perëndisë për shpëtimin e familjes njerëzore, duke zgjedhur si moto të jetës: “Mbretërinë e Perëndisë, ose asgjë”. Se sa mirë i kemi mbajtur këto besëlidhje … dhe i kemi ndjekur diktimet e Shpirtit të Shenjtë, ne vetë duhet të jemi gjykatësit. Për aq sa e kemi bërë këtë, ne kemi pasur bekimet nga i Plotfuqishmi të zbresin mbi ne dhe mendja jonë është ndriçuar, kuptimi ynë është rritur dhe ne kemi ecur përpara në rrugën e shenjtërisë, në rrugën e përsosjes. … Në atë masë që kemi dështuar në besnikërinë tonë … në atë masë ne kemi qenë humbës në këtë përpjekje ku jemi angazhuar për të arritur jetë të përjetshme, për të arritur urtësi dhe njohuri, dhe mençuri hyjnore mjaftueshëm për të mposhtur ligësitë dhe tundimet që na rrethojnë. Dhe për aq sa kemi ndjekur sugjerimet e këtij Shpirti hyjnor, ne kemi përjetuar paqe dhe gëzim në shpirtrat tanë, kemi mundur armikun, kemi mbledhur për vete thesare që tenja dhe ndryshku nuk mund t’i prishin, aq e kemi çuar veten përpara në shtegun e mbretërisë çelestiale.8 [Shih sugjerimin 5 më poshtë.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Ndërsa lexoni tregimet në faqet 49–50, mendoni për pagëzimin dhe konfirmimin tuaj apo për rastin kur ju patë dikë tjetër të merrte këto ordinanca. Çfarë besëlidhjesh bëtë kur morët këto ordinanca? Si kanë ndikuar në jetën tuaj këto besëlidhje?

  2. Përse besimi dhe pendimi nuk mjaftojnë pa ordinanca? Përse ordinancat dështojnë pa besim dhe pendim? Ndërsa meditoni ose diskutoni këto pyetje, shihni sërish mësimet nga Presidenti Snou mbi punët e brendshme dhe ordinancat e jashtme (faqet 50–51).

  3. Studioni mësimet nga Presidenti Snou në faqet 51–54, duke shënuar shkrimet e shenjta të cilave iu referua ai. Në çfarë mënyrash këto shkrime të shenjta e lartësojnë kuptimin tuaj mbi nevojën për zhytje? Përse mendoni se vendosja e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë është “bekim … më i madh” se vendosja e duarve për bekimin e të sëmurit?

  4. Lexoni pjesën që fillon në faqen 55. Cilat janë “dhuratat dhe hiret” që keni në jetën tuaj për shkak të priftërisë që është rivendosur?

  5. Studioni dy paragrafët e fundit të kapitullit. Çfarë do të thotë për ju të udhëhiqeni dhe të drejtoheni nga “sugjerimet e Shpirtit të Shenjtë”?

  6. Si lidhet Doktrina e Besëlidhje 68:25–28 me mësimet në këtë kapitull? Çfarë mund të bëjnë prindërit për të ndihmuar fëmijët e tyre që të kuptojnë besimin, pendimin, pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 2 Nefi 31:12, 17–20; Mosia 18:8–10; Alma 5:14; DeB 20:37; 36:2; 39:6; 130:20–21

Ndihmë për Mësimdhënien: “[Shmangni] tundimin për të përfshirë tepër përmbajtje mësimore. … Po mësojmë njerëzit, jo lëndën e temës në vetvete; dhe … çdo skemë mësimore që kam parë ndonjëherë, në mënyrë të pashmangshme do të ketë brenda më shumë sesa ndoshta ne mund të përfshijmë në kohën që është caktuar” (Jeffrey R. Holland, “Teaching and Learning in the Church”, Ensign, qershor 2007, f. 91).

Shënime

  1. “How He Became a ‘Mormon’”, Juvenile Instructor, 15 janar 1887, f. 22.

  2. “Organization of the Church in Italy”, Millennial Star, 15 dhjetor 1850, f. 373.

  3. The Only Way to Be Saved (pamflet, 1841), f. 2–3; kursivet e origjinalit janë hequr; pikëzimi është standardizuar. Lorenzo Snow e shkroi këtë pamflet tetë vite përpara thirrjes së tij për të shërbyer si një Apostull. Ai u përkthye më vonë në gjuhë të tjera, përfshirë në italisht, frëngjisht, holandisht, danisht, gjermanisht, suedisht, bengalisht, armenishten e Turqisë dhe greqishten e Turqisë. Ai u ribotua herë pas here gjatë pjesës tjetër të viteve 1800, gjatë shërbesës së tij si Apostull.

  4. The Only Way to Be Saved, f. 3–4, 6; kursivet në origjinal janë hequr.

  5. The Only Way to Be Saved, f. 6–9.

  6. The Only Way to Be Saved, f. 10–12; kursivet në origjinal janë hequr.

  7. The Only Way to Be Saved, f. 9–10.

  8. Në Conference Report, prill 1880, f. 79–80.

Jezu Krishti vendosi një shembull për ne kur Ai u pagëzua me anë të zhytjes.

Në ditën e Rrëshajëve, rreth 3.000 njerëz u pagëzuan.

Ne marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë nëpërmjet vendosjes së duarve.