Mësime të Presidentëve
Kapitulli 3: Kthimi Gjatë Gjithë Jetës në Besim: Vazhdimi i Përparimit në Parimet e së Vërtetës


Kapitulli 3

Kthimi Gjatë Gjithë Jetës në Besim: Vazhdimi i Përparimit në Parimet e së Vërtetës

“Besimi ynë duhet të jetë i shkrirë brenda nesh, një pjesë e qenies sonë që nuk mund të braktiset.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Lorenco Snou u pagëzua dhe u konfirmua në qershor të 1836-ës. Duke kujtuar dëshminë e tij në rritje, ai më vonë tha: “Unë besoja se ata, [shenjtorët e ditëve të mëvonshme], kishin besimin e vërtetë dhe unë u bashkova me Kishën. Deri në kthimin tim në besim ishte thjesht një çështje arsyeje.”1 Ai kujtonte: “Unë isha plotësisht i kënaqur që pata bërë atë çka ishte urtësi për mua që ta bëja në ato rrethana”2. Megjithëse ishte i kënaqur për një kohë me këtë kuptim, ai shpejt ishte i etur për një shfaqje të veçantë të Frymës së Shenjtë. Ai tha: “Unë nuk pata ndonjë shfaqje, por unë e prisja”3.

“Kjo shfaqje nuk e pasoi menjëherë pagëzimin tim, siç e prisja”, kujtonte ai. “Por, edhe pse vonoi, kur unë e mora, kuptimi i saj qe më i përsosur, i prekshëm dhe i mrekullueshëm edhe nga sa shpresat e mia më të forta më patën nxitur të prisja. Një ditë ndërsa studioja, rreth dy-tre javë pasi isha pagëzuar, unë fillova të mendoja për faktin se nuk kisha arritur një njohuri të së vërtetës për veprën – që unë nuk kisha kuptuar përmbushjen e premtimit: ‘Ai që bën vullnetin tim do ta njohë doktrinën’; [shih Gjoni 7:17] dhe fillova të ndihesha shumë i shqetësuar.

Unë i lashë mënjanë librat e mi, u largova nga shtëpia dhe u enda përreth nëpër fushat dhe nën ndikimin shtypës të një ndjesie të trishtuar, të pashpresë, ndërsa një ndjesi e keqe dukej se më rrethonte. Unë isha mësuar që, në mbarim të ditës, të tërhiqesha për një lutje vetjake te një korie, në një largësi të vogël nga shtëpia ime, por këtë herë nuk ndjeva dëshirë për ta bërë atë.

Shpirti i lutjes qe larguar dhe qiejt dukeshin si tunxh mbi kokën time. Më në fund, duke kuptuar se koha e zakonshme kishte ardhur për lutjen vetjake, vendosa që të mos hiqja dorë nga lutja ime e mbrëmjes dhe, si formalitet, u gjunjëzova siç e kisha zakon të bëja dhe në vendin tim të zakonshëm për t’u lutur, por pa u ndier siç ndihesha zakonisht.

Nuk pata hapur ende gojën në përpjekje për t’u lutur, kur ndieva një tingull, tamam mbi kokën time, si fëshfëritja e një rrobe mëndafshi dhe menjëherë Shpirti i Perëndisë zbriti tek unë, duke rrethuar gjithë qenien time, duke më mbushur fund e krye dhe oh, gëzimi dhe lumturia që ndieva! Nuk ka gjuhë që mund të përshkruajë kalimin e menjëhershëm nga një ndjesi e fortë errësire mendore dhe shpirtërore në një shkëlqim drite e njohurie, siç u dha për kuptimin tim në atë kohë. Unë pastaj mora një njohuri të përsosur që Perëndia jeton, që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe për rivendosjen e Priftërisë së Shenjtë dhe plotësinë e ungjillit.

Ishte një pagëzim i plotë – një zhytje fizike në parimin apo elementin qiellor, që është Fryma e Shenjtë; dhe madje më reale dhe fizike në ndikimet e saj mbi çdo pjesë të trupit tim sesa zhytja në ujë; duke larguar përgjithmonë, për sa kohë ka arsye dhe kujtesë, çdo mundësi dyshimi apo frike lidhur me faktin që na është dhënë historikisht se ‘Fëmija i Bethlehemit’ është vërtet Biri i Perëndisë; gjithashtu faktin se Ai është duke iu zbuluar tani fëmijëve të njerëzve dhe është duke transmetuar njohuri, njësoj si në kohët apostolike. Unë isha plotësisht i kënaqur, siç duhej të isha, sepse pritshmëritë e mia qenë më shumë se të realizuara, mendoj se mund të them me siguri, në një shkallë të pakufishme.

Unë nuk mund të them sa gjatë qëndrova nën ndikimin e këtij gëzimi të hareshëm dhe ndriçimi hyjnor, por kaluan disa minuta përpara se ndjenja çelestiale, që më mbushi dhe më rrethoi, filloi gradualisht të tërhiqet. Duke u ngritur nga pozicioni gjunjëzuar, me zemrën të mbushur me mirënjohje ndaj Perëndisë, përtej fuqisë për ta përshkruar, unë ndieva – se e dija që ai më kishte dhënë mua atë që vetëm një Qenie e Plotfuqishme mund të japë – që është e një vlere më të madhe se të gjitha vlerat dhe nderet që botët mund të dhurojnë.”4

Lorenco Snou mbeti besnik ndaj dëshmisë që mori atë ditë, dhe ai punoi me zell për ta rritur njohurinë e tij shpirtërore dhe për të ndihmuar të tjerët që të vepronin po ashtu. “Nga ajo kohë dhe në vazhdim”, tha ai, “unë jam përpjekur të jetoj në një mënyrë të tillë që të mos e humbas Shpirtin e Tij të Shenjtë, por të drejtohem vazhdimisht prej tij, duke u përpjekur të zhvishem nga egoizmi im dhe nga çfarëdo ambicie e gabuar dhe duke u përpjekur të punoj për qëllimet e Tij.”5 Ai deklaroi: “Për sa kohë që kujtesa vazhdon dhe arsyeja ka kontrollin, unë nuk do të mundem kurrë të lejoj që dëshmia dhe njohuria e fuqishme që m’u transmetuan të mbeten të heshtura”6. [Shih sugjerimin 1 në faqen 69–70.]

Mësime të Lorenco Snout

Marrja e një dëshmie është një pikënisje e mirë për shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

Themeli mbi të cilin ne kemi vendosur besimin tonë, është i madh dhe i lavdishëm. Unë e di vetë këtë. Unë kisha qenë në këtë Kishë për një kohë të shkurtër kur arrita të siguroj njohurinë më të përsosur që kishte një Perëndi, që kishte një Bir, Jezu Krishti, dhe se Jozef Smithi ishte pranuar nga Perëndia si profeti i Tij. Ajo ishte një njohuri që asnjë njeri nuk mund ta përcjellë. Ajo erdhi nëpërmjet një zbulese nga i Plotfuqishmi. Ajo është një pikënisje shumë e mirë për një shenjtor të ditëve të mëvonshme dhe ajo është diçka që çdo njeriu, që ka një synim për të përparuar në këtë shteg, do t’i nevojitet dikur. Çdo njeri do të gjendet në rrethana të një natyre të tillë që do të ketë nevojë për forcë; dhe ajo forcë do të vijë nga njohuria mbi faktin se shtegu në të cilin ai po udhëton do ta çojë tek arritja e dëshirave të tij më të larta dhe më të mira.7

Vëllezër dhe motra, ka disa gjëra rreth të cilave ju dhe unë duhet të mendojmë. Koha ka ardhur kur është e nevojshme që çdo burrë dhe çdo grua të dijë vetë lidhur me themelin në të cilin ata qëndrojnë. Ne të gjithë duhet të përpiqemi të shkojmë pak më afër Zotit. Është e nevojshme për ne të përparojmë pak dhe të arrijmë një njohuri të plotë të atyre gjërave që duhet t’i kuptojmë plotësisht. Ky është privilegji i çdo shenjtori të ditëve të mëvonshme.8 [Shih sugjerimin 2 në faqen 70.]

Ne mund të rritemi në besimin dhe në njohurinë tonë shpirtërore.

Burrat dhe gratë mund të rriten në njohurinë e tyre shpirtërore; ata mund të bëhen më të mirë ndërsa vitet u shtohen mbi supe.9

Unë ndiej se shenjtorët e ditëve të mëvonshme po përparojnë; që ata po marrin një arsimim. Ne po ngrihemi lart e më lart. Ne po përparojmë në një gjendje dhe botë më të epërme dhe te një rrafsh më i lartë; dhe ne po marrim një arsimim të tillë, që urtësia e botës, me të gjitha arritjet, doktrinat dhe parimet e saj të rreme, nuk do të ndikojë te shenjtorët e ditëve të mëvonshme, sepse ata po ngrihen mbi teoritë dhe hipotezat e shpikjeve njerëzore dhe po lartësohen në gjëra të së vërtetës që ngrenë mendjen, ekzaltojnë kuptimin dhe po e vendosin veten gjithnjë e më plotësisht mbi parimet e vërteta të jetës e të lavdisë. Ne e kemi zemrën të mbushur me këto të vërteta dhe nuk mund ta dimë ditën apo orën në të cilën besimi ynë është rritur, por ne ndiejmë, kur ne shohim prapa javën, muajin apo vitin e fundit, që ne jemi rritur në besim dhe në njohurinë e besimit dhe të fuqisë së Perëndisë; ne e dimë se ne jemi afruar më shumë te Perëndia ynë dhe ne ndiejmë se ne kemi një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, Atin tonë.10 [Shih sugjerimin 3 në faqen 70.]

Nëse dëshirojmë të rritemi në besim dhe njohuri shpirtërore, ne duhet të përpiqemi vetë.

Çdo njeri duhet të mësojë që të mbështetet në vetë njohurinë e tij; ai nuk mund të varet nga fqinji i tij; çdo njeri duhet të jetë i pavarur; ai duhet të varet nga Perëndia i tij tërësisht për veten e vet. Varet nga ai vetë që të shohë nëse do ta kapërcejë valën e shqetësimit dhe do t’i kapërcejë pengesat që janë vendosur në shtegun e jetës për ta penguar përparimin e tij. Një njeri mund të marrë kumtim nga ndikimet e Shpirtit të Shenjtë dhe ai i afrohet Perëndisë e rritet në besimin e tij sipas masës së zellit të tij.11

Është e pamundur të përparosh në parimet e së vërtetës, të rritesh në njohurinë qiellore, [përveç nëse] ushtrojmë aftësitë tona të arsyes dhe përpiqemi vetë në një mënyrë të përshtatshme. Ne kemi një rast të shënuar te Doktrina e Besëlidhje të një keqkuptimi nga ana e Oliver Kaudrit, që prek këtë parim. Zoti i premtoi atij dhuratën për të përkthyer analet e lashta. Sikurse shumë prej nesh sot, ai pati idenë e gabuar në lidhje me ushtrimin e dhuratës. Ai mendoi se gjithçka që ai duhej të bënte, duke qenë se kjo dhuratë i qe premtuar atij nga Perëndia, ishte që ta lejonte mendjen e tij të priste në plogështi pa përpjekje, gjersa ajo të vepronte vetvetiu. Por kur ato anale u vendosën përpara tij, asnjë njohuri nuk u transmetua, ato mbetën ende të vulosura, siç mund të thuhet, sepse asnjë fuqi për të përkthyer nuk erdhi tek ai.

Megjithëse dhurata për të përkthyer qe dhënë, ai nuk mund ta kryente punën, thjesht sepse ai nuk bëri përpjekje përpara Perëndisë me qëllimin e zhvillimit të dhuratës brenda tij; dhe ai u zhgënjye së tepërmi, dhe Zoti, në mirësinë dhe mëshirën e tij, e vuri në dijeni atë për gabimin e vet, duke përdorur gjuhën që vijon –

“Vër re, ti nuk ke kuptuar; ke menduar se do të ta jap atë, kur ti nuk e more mundimin as për të më pyetur. Por, vër re, unë të them se ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda” etj. [Shih DeB 9.]

Kështu edhe lidhur me ne, për sa i përket gjërave që marrim përsipër. Nëse presim të përmirësohemi, të përparojmë në punën që kemi përpara dhe së fundi të arrijmë të zotërojmë ato dhurata dhe lavdi, duke ardhur në gjendjen e ekzaltimit që parashikojmë, duhet të arsyetojmë dhe mendojmë thellë, duhet të përpiqemi dhe kjo gjithashtu në maksimumin e aftësisë sonë.12

Ne duhet ta … kuptojmë vetë Shpirtin dhe jo të kënaqemi duke ecur në dritën e të tjerëve; ne duhet ta kemi Shpirtin të bashkuar me vetë shpirtin tonë. …

Një individ që merr përsipër të mësojë të luajë në flaut, fillimisht e gjen të vështirë të bëjë notat dhe që të luajë saktësisht një melodi kërkohet shumë zell dhe durim. Ai duhet të vazhdojë, të pushojë, të rikthehet dhe të fillojë nga e para, por pas një kohe ai aftësohet, përmes një përpjekjeje të madhe, për t’u bërë i aftë për atë melodi. Kur thirret për ta luajtur atë melodi më pas, nuk ka nevojë për të rikujtuar ku t’i vendosë gishtat, por luan natyrshëm. Nuk ishte e natyrshme në fillim; duhej shumë durim dhe punë përpara se të bëhej i natyrshëm të luajturit e melodisë.

Është po kështu për çështjet që kanë lidhje me gjërat e Perëndisë. Neve na duhet të përpiqemi vetë dhe të vazhdojmë nga hiri në hir, ta kemi bërë ligjin e veprimit aq shumë pjesë të vetes, saqë të mund të jetë e natyrshme bërja e atyre gjërave që na kërkohen.13 [Shih sugjerimin 4 në faqen 70.]

Ndërsa thellohemi në gjërat e Perëndisë dhe qëndrojmë besnikë, besimi ynë bëhet pjesë e qenies sonë.

Ka një rrezik po të kënaqemi me një përparim sipërfaqësor, me përparimin thjesht në sipërfaqe. Ne flasim për të ecur në dritën e Shpirtit dhe të ndierit të tij mbi ne, por a i bëjmë ne këto gjëra? Ne duhet të thellohemi në gjërat e Perëndisë, ta vendosim themelin tonë mbi shkëmb, derisa të vijmë tek ai ujë që do të jetë në ne burim i përhershëm i jetës së përjetshme.14

Ka njerëz midis nesh te të cilët Shpirti i të Plotfuqishmit dikur qëndroi fuqishëm, synimet e të cilëve ishin dikur po aq të mira dhe të pastra sa ato të engjëjve dhe që bënë besëlidhje me Perëndinë që do t’i shërbenin Atij dhe do të mbanin urdhërimet e Tij në çdo rrethanë dhe në të gjitha rrethanat. … Por si është puna tani me disa nga ata Pleq? Ata nuk kanë të njëjtën dëshmi sot. Dashuritë e tyre janë vendosur mbi gjërat e kësaj bote, të cilat Zoti i ka aftësuar ata për t’i pasur, saqë ata tani presin deri sa të thirren dhe, në shumë raste kur thirren, ata binden më shumë nga dëshira për ta mbajtur vendin dhe pozitën e tyre, sesa nga një dashuri e vërtetë zemre për punën për të cilën mund të jenë thirrur.

Kjo është gjendja e të gjithë njerëzve, pavarësisht se sa mirë fillojnë, të cilët i lejojnë mendimet dhe dashuritë e tyre të shkojnë pas botës dhe mënyrave të saj; dhe ka një provë të qartë dhe të padiskutueshme se kur ndodh kështu me njerëzit, ata duan më shumë botën sesa duan Zotin dhe veprën e Tij mbi tokë. Duke pasur marrë dritën e Ungjillit të përjetshëm dhe duke marrë pjesë në gjërat e mira të mbretërisë, duke qenë fara e Izraelit dhe trashëgues të premtimeve të mëdha e të lavdishme, ne duhet të punojmë me besnikëri dhe zell për të përmbushur atë që Perëndia ka përcaktuar të bëhet nëpërmjet nesh; ne duhet të jemi burra dhe gra të besimit dhe të fuqisë si dhe të punëve të mira dhe, kur ne e shfaqim veten sadopak të pakujdesshëm dhe shpërfillës, do të jetë e mjaftueshme për ne ta kuptojmë këtë me qëllim që të korrigjojmë veten dhe të rikthehemi në shtegun e detyrës.15

Asgjë nuk mund të jetë më e marrë sesa ideja e një njeriu për ta lënë mënjanë besimin e tij si një copë veshjeje. Nuk mund të ketë një gjë të tillë që njeriu të lërë besimin e tij pa lënë veten e tij. Besimi ynë duhet të jetë i shkrirë brenda nesh, një pjesë e qenies sonë që nuk mund të braktiset. Nëse mund të ketë një gjë të tillë si një njeri që lë besimin e tij, në çastin që ai vepron kështu ai shkon në një terren mbi të cilin nuk di asgjë, ai e dorëzon veten te forcat e errësirës, ai nuk është në terrenin e vet, ai nuk ka punë atje. Ideja e pleqve të Izraelit që betoheshin, gënjenin dhe deheshin është shumë poshtë tyre; ata duhet të jenë përmbi gjëra të tilla. Le të largojmë prej nesh çdo ligësi dhe të jetojmë sipas çdo fjale që del nga goja e Perëndisë [shih DeB 98:11]. Le të mbajmë çdo detyrë që na caktohet me ambicie dhe energji që të mund të kemi shpirtin e Perëndisë tonë, dritën e së vërtetës dhe zbulesat e Jezu Krishtit brenda nesh vazhdimisht.16

Qëndroni me anijen e Sionit. Nëse barkat vijnë tek ana, duke treguar ngjyra të bukura dhe duke bërë premtime të mrekullueshme, mos zbrisni nga anija për të shkuar në breg me ndonjë barkë tjetër, por vazhdoni në anije. Nëse jeni keqpërdorur nga ndonjë prej atyre që janë në anije, që nuk kanë shpirtin e duhur, kujtoni se anija vetë është në rregull. Ne nuk duhet ta lejojmë mendjen tonë të preket për shkak të ndonjë gjëje që njerëzit në anije mund të na bëjnë; anija është në rregull dhe shërbestarët janë në rregull, dhe ne do të jemi në rregull nëse qëndrojmë në anije. Unë mund t’ju siguroj se anija e Sionit do t’ju çojë ju drejt e në vendin e lavdisë.17

Unë do të [paraqes një] shembull lidhur me sjelljen dhe marrjen e këtij shpirti në ne dhe zotimin e madh që, në kohë tundimesh, ne të mos mund të nxirremi nga drejtimi. Vendosni një trangull në një fuçi uthulle dhe do të ketë vetëm pak efekt mbi të në orën e parë, edhe në 12 orët e para. Shikojeni me kujdes dhe do të zbuloni se efekti i krijuar është thjesht mbi lëkurë, sepse kërkohet një kohë më e gjatë që ta regjë. Pagëzimi i një personi në këtë Kishë ka një ndikim mbi të, por jo efektin për ta regjur atë menjëherë. Kjo gjë nuk e vendos ligjin e drejtësisë dhe të detyrës tek ai gjatë 12 ose 24 orëve të para; ai duhet të qëndrojë në kishë, si trangulli në uthull, derisa të mbushet plotësisht me shpirtin e drejtë, deri sa të jetë i regjur në ‘mormonizëm’, në ligjin e Perëndisë; ne duhet t’i kemi ato gjëra të shkrira në qenien tonë.

… Vëllezër dhe motra, unë … e lë këtë temë në vëmendjen, gjykimin dhe përsiatjen tuaj të kujdesshme, duke iu lutur Zotit Perëndi për etërit tanë që të derdhin Shpirtin e Tij mbi njerëzit e Tij. Ju jeni ata të cilët Zoti i ka zgjedhur për ta përlëvduar atë në Praninë e Tij, dhe Zoti ju bekoftë dhe ju mbushtë me Shpirtin e Tij, dhe qofshin sytë tuaj të qartë për të dalluar gjërat që lidhen me shpëtimin tuaj. Dhe nëse ka ndonjë burrë apo grua që nuk është zgjuar plotësisht, ardhtë shpejt koha që Shpirti dhe fuqia e Frymës së Shenjtë të mund të jetë mbi ta, që të mund t’u mësojë atyre gjëra të së kaluarës, të së tashmes dhe që do të vijnë, dhe me ndihmën e Zotit, të vendosë drejtësi dhe parimin e së vërtetës në ta, që ata të mund të jenë të përgatitur për vështirësitë që do të vijnë.18 [Shih sugjerimin 5 në faqen 70.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Shihni përsëri përvojën e Lorenco Snout të shënuar në faqet 61–63. Si u bë dëshmia juaj e vërtetë për ju? Merrni parasysh të ndani përvojën tuaj me një anëtar të familjes ose me një mik, si p.sh. me dikë që i shërbeni si mësues shtëpie apo si mësuese vizitore.

  2. Presidenti Snou tha se të fituarit e një dëshmie është “një pikënisje shumë e mirë për një shenjtor të ditëve të mëvonshme” (faqe 64). Përse dëshmia është vetëm një pikënisje – jo vendmbërritja e fundit?

  3. Në pjesën që fillon te fundi i faqes 64, Presidenti Snou vë përballë arsimimin e botës me arsimimin “më [të] lartë” që Zoti ofron. Si mundemi ta ndjekim këtë “arsimim më të lartë”? Çfarë bekimesh ju kanë ardhur ju ndërsa keni vepruar në këtë mënyrë?

  4. Lexoni pjesën që fillon në faqen 65. Kur keni pasur nevojë të “mbështete[ni] në vetë njohurinë [tuaj]”? Çfarë munden të bëjnë prindërit dhe mësuesit për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë që të mbështeten mbi vetë njohurinë e tyre?

  5. Rishikoni këshillën e Presidentit Snou në pjesën e fundit të kapitullit (faqet 67–69). Çfarë mendoni se do të thotë të “thellohe[sh] në gjërat e Perëndisë”? Çfarë mendoni se do të thotë ta kemi besimin tonë të “shkrirë brenda nesh”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 2 Nefi 31:20; Mosia 5:1–4, 15; Alma 12:9–10; 3 Nefi 9:20; Moroni 10:5; DeB 50:24

Ndihmë për Mësimdhënien: “Shumë mësimdhënie që zhvillohet në Kishë bëhet shumë ngurtë, është leksion. Ne nuk reagojmë fort mirë ndaj leksioneve në klasa. Ne reagojmë mirë në mbledhjen e sakramentit dhe në konferenca, por mësimdhënia mund të jetë dykahëshe në mënyrë që të mund të bëni pyetje. Mund të nxisni lehtë pyetje në klasë” (Boyd K. Packer, “Principles of Teaching and Learning”, Ensign, qershor 2007, f. 87).

Shënime

  1. Në Frank G. Carpenter, “A Chat with President Snow”, cituar në Deseret Semi-Weekly News, 5 janar 1900, f. 12.

  2. “The Grand Destiny of Man”, Deseret Evening News, 20 korrik 1901, f. 22.

  3. Në “A Chat with President Snow”, f. 12.

  4. Juvenile Instructor, 15 janar 1887, f. 22–23.

  5. “The Object of This Probation”, Deseret Semi-Weekly News, 4 maj 1894, f. 7.

  6. Millennial Star, 18 prill 1887, f. 242.

  7. “Glory Awaiting the Saints”, Deseret Semi-Weekly News, 30 tetor 1894, f. 1.

  8. Millennial Star, 18 prill 1887, f. 244.

  9. Deseret News: Semi-Weekly, 31 mars 1868, f. 2.

  10. Salt Lake Daily Herald, 11 tetor 1887, f. 2.

  11. Deseret News, 11 prill 1888, f. 200; nga një parafrazim i hollësishëm i një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e përgjithshme të prillit të 1888-ës.

  12. Deseret News, 13 qershor 1877, f. 290.

  13. Deseret News, 28 janar 1857, f. 371.

  14. Deseret News, 28 janar 1857, f. 371.

  15. Deseret News: Semi-Weekly, 15 gusht 1882, f. 1.

  16. Deseret News: Semi-Weekly, 31 mars 1868, f. 2.

  17. Deseret Semi-Weekly News, 30 mars 1897, f. 1.

  18. Deseret News, 28 janar 1857, f. 371.

“Ne duhet të thellohemi në gjërat e Perëndisë, ta vendosim themelin tonë mbi shkëmb, derisa të vijmë tek ai ujë që do të jetë në ne burim i përhershëm i jetës së përjetshme.”

Pak kohë pasi u pagëzua dhe u konfirmua, Lorenco Snou mori një shfaqje të qetë të Frymës së Shenjtë, që i ndryshoi jetën.

“Burrat dhe gratë mund të rriten në njohurinë e tyre shpirtërore; ata mund të bëhen më të mirë ndërsa vitet u shtohen mbi supe.”