2010–2019
Është më Mirë të Shohim Lart
Tetor 2011


Është më Mirë të Shohim Lart

Në qoftë se ne, si Presidenti Monson, e ushtrojmë besimin tonë dhe kërkojmë te Perëndia për ndihmë, nuk do të pushtohemi nga barrat e jetës.

Në fund të një dite veçanërisht të lodhshme drejt përfundimit të javës time të parë si një Autoritet i Përgjithshëm, çanta ime ishte e mbingarkuar dhe mendja ime shqetësohej nga pyetja: “Vallë, si mund ta bëj unë këtë?” U largova nga zyra e Të Shtatëdhjetëve dhe hyra në ashensorin e Ndërtesës së Administratës së Kishës. Ndërsa ashensori zbriti, e kisha kokën të ulur dhe shihja ngultas, me vështrim të zbrazët, në dysheme.

Dera u hap dhe dikush hyri, por unë nuk i ngrita sytë. Pasi dera u mbyll, dëgjova dikë të mё pyeste: “Çfarë je duke parë atje poshtë?” E njoha atë zë–ishte Presidenti Tomas S. Monson.

Shpejt ngrita sytë dhe iu përgjigja: “Oh, asgjë”. (Unë jam i sigurt se ai reagim i zgjuar frymëzoi mirëbesim në aftësitë e mia!)

Por ai kishte parë fytyrën time të ndrydhur dhe çantën time të rëndë. Ndërsa ishte duke treguar me gisht drejt qiellit, ai buzëqeshi dhe me përzemërsi sugjeroi: “Është më mirë të shohësh lart!” Ndërsa zbritëm një kat më poshtë, ai më shpjegoi me gëzim se ishte rrugës për në tempull. Kur më uroi rrugë të mbarë, shikimi i tij i fundit i foli përsëri zemrës sime: “Tani, kujto, është më mirë të shohësh lart”.

Kur u ndamë, më erdhën në mendje fjalët e një shkrimi të shenjtë: “Besoni në Perëndinë; besoni se ai është … ; besoni se ai ka të gjithë diturinë dhe të gjithë fuqinë, si në qiell ashtu edhe në tokë”1. Ndërsa mendova për fuqinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit, zemra ime gjeti ngushëllimin që unë kërkova më kot nga dyshemeja e atij ashensori në zbritje.

Qysh atëherë unë e kam menduar këtë përvojë dhe rolin e profetëve. Unë isha i ngarkuar dhe koka ime ishte e ulur. Kur profeti foli, unë pashë nga ai. Ai ridrejtoi përqendrimin tim për t’i ngritur sytë lart te Perëndia, ku unë mund të shërohesha dhe forcohesha nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit. Kjo është ajo çfarë profetët bëjnë për ne. Ata na drejtojnë te Perëndia.2

Unë dëshmoj se Presidenti Monson nuk është vetëm njё profet, shikues dhe zbulues; ai është gjithashtu një shembull i mrekullueshëm i të jetuarit të parimit të të parit lart. Sikurse të gjithë njerëzit, ai mund të ndihej i rënduar nga përgjegjësitë e tij. Në vend të kësaj, ai ushtron besim të madh dhe është i mbushur me optimizëm, mençuri dhe dashuri për të tjerët. Sjellja e tij është ajo që “mund të bëjmë” dhe “do të bëjmë”. Ai i beson Zotit e mbështetet tek Ai për forcë dhe Zoti e bekon atë.

Përvoja më ka mësuar se, në qoftë se ne, si Presidenti Monson, e ushtrojmë besimin tonë dhe kërkojmë te Perëndia për ndihmë, ne nuk do të pushtohemi nga barrat e jetës. Ne nuk do ndihemi të paaftë në bërjen e asaj që jemi thirrur për të bërë ose duhet të bëjmë. Ne do të forcohemi dhe jetët tona do të jenë të mbushura me paqe dhe gëzim.3 Ne do të arrijmë të kuptojmë se shumica e asaj për të cilën shqetësohemi nuk është me rëndësi të përjetshme – dhe, nëse është, Zoti do të na ndihmojë. Por ne duhet të kemi besimin pёr të parё lart dhe guximin për të ndjekur drejtimin e Tij.

Pse të shohësh lart vazhdimisht është një sfidë në jetën tonë? Ndoshta ne nuk kemi besimin se një veprim kaq i thjeshtë mund të zgjidhë problemet tona. Për shembull, kur bijtë e Izraelit u kafshuan nga gjarpërinj helmues, Moisiu u urdhërua të ngrinte një gjarpër prej bronzi në një shtizë. Gjarpri prej bronzi përfaqësonte Krishtin. Ata që panë te gjarpri, siç u paralajmëruan nga profeti, u shëruan.4 Por shumë të tjerë nuk panë dhe mbaruan.5

Alma ishte dakord se arsyeja pse izraelitët nuk panë te gjarpri ishte se ata nuk besonin se nëse do të vepronin ashtu do të shëroheshin. Fjalët e Almës janë të përshtatshme për ne sot:

“O vëllezër të mi, në qoftë se ju mund të shëroheshit vetëm duke i hedhur sytë diçkaje që të shëroheshit, a nuk do t’i hidhnit sytë me të shpejtë, apo do të ngurtësonit zemrat tuaja në mosbesim dhe do të ishit përtacë … ?

Në qoftë se është kështu; mjerimi do të vijë mbi ju; por në qoftë se jo, atëherë hidhni sytë dhe filloni të besoni në Birin e Perëndisë, se ai do të vijë të shëlbejë popullin e tij dhe se ai do të vuajë dhe do të vdesë që të shlyejë mëkatet [tona]; dhe se ai do të ngrihet përsëri nga të vdekurit.”6

Inkurajimi i Presidentit Monson për të parë lart është një metaforë për të kujtuar Krishtin. Kur kujtojmë Atë dhe besojmë në fuqinë e Tij, ne marrim forcë nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Kjo është mënyra përmes së cilës ne mund të lirohemi nga shqetësimet, barrat dhe vuajtjet tona. Kjo është mënyra përmes së cilës ne mund të falemi dhe të shërohemi nga dhimbja e mëkateve tona. Kjo është mënyra përmes së cilës ne mund të marrim besim dhe forcë për të duruar të gjitha gjërat.7

Kohët e fundit, unë dhe Motra Kuk morëm pjesë në konferencën e grave në Afrikën e Jugut. Pasi dëgjuam disa mesazhe frymëzuese mbi zbatimin e Shlyerjes në jetën tonë, presidentja e Shoqatës së Ndihmës e kunjit ftoi çdonjërin të dilte jashtë. Secilit prej nesh iu dha një tullumbace me helium. Ajo shpjegoi se tullumbacja jonë përfaqësonte çfarëdo barre, sprove ose vështirësie që ishte duke na frenuar në jetën tonë. Pas numërimit deri në tre, ne i lëshuam tullumbacet tona, ose “barrat” tona. Ndërsa hodhëm sytë lart dhe pamë barrat tona të “fluturonin”, atje u dëgjua një “ahhhh”. Ai veprim i thjeshtë i lëshimit të tullumbaceve tona dha një kujtesë të mahnitshme të gëzimit të papërshkrueshëm që vjen nga të parit lart dhe të menduarit për Krishtin.

Ndryshe nga lëshimi i një tullumbaceje me helium, të parit lart shpirtërisht nuk është një përvojë një herëshe. Ne mësojmë nga lutja e sakramentit se ne gjithmonë do ta kujtojmë Atë dhe do të zbatojmë urdhërimet e Tij, që të mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne çdo ditë për të na drejtuar.8

Kur bijtё e Izraelit ishin duke u endur në shkretëtirë, Zoti e drejtoi udhëtimin e tyre çdo ditë ndërsa ata panë tek Ai për drejtim. Te Eksodi lexojmë: “Dhe Zoti shkonte para tyre, ditën në një kolonë resh për t’i udhëhequr në rrugë, dhe natën në një kolonë zjarri për t’u bërë atyre dritë”9. Drejtimi i Tij ishte i vazhdueshëm dhe unë ju jap juve dëshminë time të përulur se Zoti mund të bëjë të njëjtën gjë për ne.

Pra, si do të na drejtojë Ai ne sot? Me anë të profetëve, apostujve dhe udhëheqësve të priftërisë dhe përmes ndjenjave që vijnë tek ne pasi kemi derdhur në lutje zemrat dhe shpirtrat tanë për te Ati Qiellor. Ai na drejton ne kur braktisim gjërat e botës, pendohemi dhe ndryshojmë. Ai na drejton ne kur zbatojmë urdhërimet e Tij dhe përpiqemi të jemi më shumë si Ai. Dhe Ai na drejton ne nëpërmjet Frymës së Shenjtë.10

Në mënyrë që të drejtohemi në udhëtimin e jetës dhe të kemi shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, ne duhet te kemi “veshin që dëgjon” dhe “syrin që sheh”, të dy të drejtuar lart.11 Ne duhet të veprojmë nën drejtimin që marrim. Ne duhet të shohim lart dhe të veprojmë. Ndërsa veprojmë kështu, unë e di se do të mbushemi me gëzim, sepse Perëndia do që ne të jemi të lumtur.

Ne jemi fëmijët e Atit Qiellor. Ai dëshiron që të jetë pjesë e jetës sonë, për të na bekuar dhe për të na ndihmuar. Ai do të shërojë plagët tona, do të thajë lotët tanë dhe do të na ndihmojë përgjatë shtegut tonë për t’u kthyer në praninë e Tij. Ndërsa shohim tek Ai, Ai do të na drejtojë ne.

Zoti është drita ime; ndaj pse duhet të kem frikë?

Ditë e natë prania e tij është pranë. …

Ai është gëzimi im dhe kënga ime.

Ditë e natë ai më drejton … mua përpara.12

Unë jap dëshminë se mëkatet tona falen dhe barrat tona lehtësohen ndërsa ne shohim te Krishti. “Le ta kujtojmë atë, … dhe të mos ulim kokat tona”13, pasi, sikurse Presidenti Monson tha: “Është më mirë të shohim lart”.

Unë dëshmoj se Jezusi është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Mosia 4:9.

  2. Shih 2 Nefi 25:23, 26.

  3. Shih Mosia 24:15.

  4. Shih Numrat 21:8–9.

  5. Shih 1 Nefi 17:41.

  6. Alma 33:21–22; shih gjithashtu vargjet 19–20.

  7. Shih Alma 36:3, 17–21; 3 Nefi 9:13.

  8. Shih Doktrina e Besëlidhje 20:77.

  9. Eksodi 13:21.

  10. Shih 2 Nefi 9:52; 31:13; Doktrina e Besëlidhje 121:46.

  11. Fjalët e Urta 20:12.

  12. “The Lord Is My Light”, Hymns, nr. 89.

  13. 2 Nefi 10:20.