2010–2019
Zgjidhni Jetën e Përjetshme
Tetor 2011


Zgjidhni Jetën e Përjetshme

Destinacioni juaj i përjetshëm nuk do të jetë rezultat i rastit por i zgjedhjes. Nuk është kurrë tepër vonë të filloni të zgjidhni jetën e përjetshme!

Vite përpara, kur isha në plazh me familjen, vura re shenja dhe flamurë që na paralajmëronin për një rrymë të fortë që shkonte nga bregu në ujëra të thella, të trazuara. E padukshme për sytë e mi të pastërvitur, por që pikasej lehtësisht nga rojat e shpëtimit në një kullë vrojtimi pranë, rryma e fuqishme përbënte rrezik për të gjithë ata që linin sigurinë e bregut dhe futeshin në ujë. Unë kujtoj që arsyetoja: “Unë jam notar i zoti. Notimi do të jetë një stërvitje e shkëlqyer. Unë do të jem i sigurt në ujërat e cekta.”

Duke shpërfillur paralajmërimet dhe duke u ndier i sigurt në gjykimin tim, unë u futa në ujë për të shijuar një not “freskues”. Pas pak minutash, unë ngrita shikimin për të gjetur familjen time në plazhin pranë, por plazhi nuk ishte më pranë! Rryma mashtruese, për të cilën isha paralajmëruar, më pati kapur dhe po më tërhiqte me shpejtësi larg familjes sime.

I sigurt në fillim dhe pastaj me dëshpërim, unë u përpoqa të notoj drejt bregut, por rryma e pamëshirshme më tërhiqte më tej në ujëra më të thella dhe më të trazuara. Unë u rraskapita dhe fillova të mbytem në ujin që thithja. Fundosja u bë një mundësi reale. Më në fund, kur energjitë më patën shteruar, unë me furi thirra për ndihmë.

Mrekullisht, dukej, një rojë shpëtimi u gjend menjëherë pranë meje. Unë nuk e dija se ai më pati vënë re të futesha në ujë. Ai e dinte se rryma do të më mbërthente dhe ai e dinte ku do të më çonte. Duke iu shmangur rrymës, ai notoi përreth dhe pikërisht përtej vendit ku unë po luftoja, pastaj me durim priti që unë të thërrisja për ndihmë. Tepër i dobët për të notuar vetëm drejt bregut, unë isha dhe ende jam mirënjohës për shpëtimin nga ai. Pa ndihmën e tij unë kurrë nuk do mund të kthehesha përsëri te familja ime.

Atë ditë unë bëra një zgjedhje të dobët që krijoi pasoja serioze të mundshme për mua dhe për familjen time. Ndërsa ne shqyrtojmë tani së bashku dhuratën e zgjedhjes, unë lutem që Fryma e Shenjtë të ndihmojë secilin prej nesh individualisht që të vlerësojmë zgjedhjet që po bëjmë.

Profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson, na ka mësuar: “Sado fort nuk është tepri të theksoj se vendimet përcaktojnë destinacionin. Ju nuk mund të merrni vendime të përjetshme pa rrjedhime të përjetshme.”1

Secili – siç na është mësuar në këtë konferencë – është një bir apo bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë. Ju keni një natyrë dhe destinacion hyjnor2. Gjatë jetës suaj para lindjes, ju mësuat të doni të vërtetën. Ju bëtë zgjedhje të drejta të përjetshme. Ju e dinit se këtu në vdekshmëri, do të ketë fatkeqësi dhe vështirësi, dëshpërim dhe vuajtje, prova dhe sprova për t’ju ndihmuar të rriteni dhe të përparoni. Ju gjithashtu e dinit se mund të vazhdonit të bënit zgjedhje të drejta, të pendoheshit për zgjedhjet e gabuara dhe nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të trashëgoni jetë të përjetshme.

Çfarë na mësoi profeti Lehi rreth zgjedhjes? Ai këshilloi se ne jemi “të lirë të zgjedhi[m] lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhi[m] robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit”. Ai udhëzoi më pas: “Ju të shikoni te Ndërmjetësi i madh dhe t’i dëgjoni urdhërimet e tij të mëdha; dhe të jeni besnik[ë] ndaj fjalëve të tij dhe të zgjidhni jetën e përjetshme3.

Vëllezër dhe motra, në atë rreth së cilës zgjedhim të mendojmë, ndiejmë dhe bëjmë, a po zgjedhim ju dhe unë jetën e përjetshme?

Nipërit dhe mbesat tonë po mësojnë se, kur ata bëjnë një zgjedhje, ata gjithashtu zgjedhin pasojat e saj. Kohët e fundit, një nga mbesat tona trevjeçare kundërshtoi ta hante darkën e saj. Mamaja e saj shpjegoi: “Është thuajse koha për gjumë. Nëse zgjedh të hash darkë, ti po zgjedh një akullore si ëmbëlsirë. Nëse zgjedh të mos hash darkë, ti po zgjedh të shkosh tani në krevat, pa akullore.” Mbesa jonë mendoi rreth dy zgjedhjeve të saj dhe më pas tha me forcë: “Unë dua këtë zgjedhje – të luaj dhe të ha vetëm akullore dhe të mos shkoj në krevat”.

Vëllezër dhe motra, a urojmë ne që të mund të luajmë, të hamë vetëm akullore, kurrë të mos shkojmë në krevat dhe në një mënyrë të shmangim pasojat si kequshqyerja dhe rraskapitja?

Në të vërtetë ne kemi vetëm dy zgjedhje të përjetshme, secila me pasoja të përjetshme: të zgjedhim të ndjekim Shpëtimtarin e botës dhe kështu zgjedhim jetën e përjetshme me Atin tonë Qiellor ose të zgjedhim të ndjekim botën dhe kështu zgjedhim ta ndajmë veten nga Ati Qiellor përjetësisht.

Ne nuk mund t’i zgjedhim me sukses edhe sigurinë e drejtësisë edhe rreziqet e botësisë. Të çash ose të merresh nga pak në botësi mund të duket e padëmshme, por kështu bëri noti im “freskues”!

Si rryma që mund të kishte ndryshuar drejtimin e jetës së familjes sime, rrymat e sotme të botësisë, filozofitë mashtruese, mësimet e gënjeshtërta dhe imoraliteti i shfrenuar kërkojnë të na tërheqin larg dhe të na ndajnë përjetësisht nga familjet tona dhe nga Ati ynë Qiellor.

Profetët, shikuesit dhe zbuluesit tanë të gjallë shohin dhe përpiqen të na paralajmërojnë ne mbi rrymat shpesh të lehta por të rrezikshme të botës që na kërcënojnë. Ata na ftojnë, na nxisin, na mësojnë, na kujtojnë dhe na paralajmërojnë me dashuri. Ata e dinë se siguria jonë varet nga zgjedhja për të ndjekur 1) tejshikimin që fitojmë gjatë studimit të shkrimeve të shenjta, medimit dhe lutjes së përditshme; 2) drejtimin e Frymës së Shenjtë; dhe 3) këshillën e tyre profetike. Ata e dinë se ka siguri dhe gëzim përfundimtar vetëm në dhe nëpërmjet Shpëtimtarit, Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të gjallë. Siç sapo na mësoi Plaku Dallin H. Ouks, Shpëtimtari deklaroi: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”4.

Gjatë vështirësive dhe vuajtjeve në Rusinë pas sovjetike, Anatoli dhe Svjetllana Reshetnikov zgjodhën drejtësinë në vend të botësisë. Pas bashkimit me Kishën, ata u përndoqën. Ai u ul në pozitën e tij në punë. Besnikërisht ata menduan: “Tani kemi më shumë kohë për t’i shërbyer Perëndisë!” Ata vazhdimisht morën kërcënime, por prapë ata zgjodhën ta jetojnë jetën të përqendruar në ungjill. Plaku Anatoli Reshetnikov u thirr si i pari rus I Shtatëdhjetë Zonal. Nëpërmjet zgjedhjeve të tyre, Reshetnikovët vazhdojnë të zgjedhin jetën e përjetshme.

Ne të gjithë ndeshim vështirësi. Ne të gjithë kemi tundime. Ne të gjithë kemi bërë gabime. Nuk është kurrë tepër e vështirë apo tepër vonë të bëjmë zgjedhje korrekte. Pendesa është një nga ato zgjedhje korrekte të rëndësishme.

Presidenti Diter F. Uhtdorf na ka mësuar:

“Gabime dhe shmangie të vogla nga doktrina e ungjillit të Jezu Krishtit mund të sjellin pasoja të dhembshme në jetën tonë. Prandaj është me rëndësi vendimtare që të bëhemi aq të vetëdisiplinuar sa të bëjmë në kohë korrigjime vendimtare për t’u kthyer në rrugë të drejtë dhe jo të presim apo të shpresojmë që gabimet në një farë mënyre do të rregullohen vetë.

Sa më shumë të vonojmë veprimin korrigjues, aq më të mëdha bëhen ndryshimet e nevojshme dhe aq më shumë kohë duhet për t’u kthyer në rrugën e drejtë – qoftë edhe në pikën ku shkatërrimi mund të jetë te pragu.”5

Krahët e mëshirës së Shpëtimtarit janë gjithmonë shtrirë drejt secilit prej nesh6. Kur pendohemi sinqerisht dhe plotësisht, ne mund të jemi tërësisht të falur për mëkatet tona dhe Shpëtimtari nuk do t’i kujtojë më ato7.

Në vlerësimin e zgjedhjeve tuaja dhe të pasojave të tyre, ju mund të pyesni veten:

  • A po kërkoj drejtim hyjnor nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta, meditimit dhe lutjes së përditshme, apo kam zgjedhur të jem aq i zënë apo shpërfillës saqë nuk gjej kohë për t’i studiuar fjalët e Krishtit, për t’i medituar ato dhe për të biseduar me Atin tim Qiellor?

  • A po zgjedh të ndjek këshillën e profetëve të gjallë të Perëndisë apo po ndjek mënyrat e botës dhe po kundërshtoj opinionet e të tjerëve?

  • A po kërkoj drejtim nga Fryma e Shenjtë çdo ditë për atë rreth së cilës zgjedh të mendoj, ndiej dhe bëj?

  • A po përpiqem vazhdimisht që të marrë pjesë, t’u shërbej ose të ndihmoj për t’i shpëtuar të tjerët?

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, destinacioni juaj i përjetshëm nuk do të jetë rezultat i rastit por i zgjedhjes. Nuk është kurrë tepër vonë të filloni të zgjedhni jetën e përjetshme!

Unë sjell dëshminë time se në saje të planit të madh të lumturisë të Atit Qiellor, secili prej nesh mund të përsoset nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Me familjet tona, ne mund të jetojmë me Atin tonë Qiellor përjetësisht dhe të marrim një plotësi të gëzimit. Për këto gjëra, unë dëshmoj në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

  1. Thomas S. Monson, “Decisions Determine Destiny” (Church Educational System fireside for young adults, 6 nëntor 2005), institute.lds.org.

  2. Shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  3. 2 Nefi 2:27, 28; theksimi i shtuar.

  4. Gjoni 14:6.

  5. Diter F. Uhtdorf, “Një Çështje Pak Gradësh”, Liahona, maj 2008, f. 59.

  6. Shih Alma 5:33.

  7. Shih Doktrina e Besëlidhje 58:42.