2010–2019
Koha Do Të Vijë
Tetor 2011


Koha Do Të Vijë

Me ju qëndroj me drojë e nderim ndërsa kjo punë përparon mahnitshëm, mrekullisht dhe e pandalshme.

Unë shërbeva si misionar i ri për disa muaj në zonat qendrore të Limas në Peru. Si rrjedhim, unë e përshkova shumë herë sheshin Placa de Armas. Pallati qeveritar, rezidenca zyrtare dhe zyra e presidentit të Perusë, është përballë sheshit. Shokët e mi dhe unë i ftonim njerëzit në shesh që të dëgjonin ungjillin e rivendosur. Unë shpesh pyesja veten si do të ishte të hyje në pallat, por mendimi që ta bëja ndonjëherë këtë dukej shumë pa gjasa.

Vitin e kaluar Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, disa të tjerë dhe unë u takuam me Alan Garsian, atëherë president i Perusë, në Pallatin Qeveritar. Neve na treguan dhomat e tij të mrekullueshme dhe u pritëm shumë përzemërsisht nga Presidenti Garsía. Kureshtja ime për pallatin kur isha misionar i ri qe plotësuar në një mënyrë që unë nuk do ta kisha ëndërruar kurrë të mundshme në 1970-n.

Gjërat kanë ndryshuar në Peru nga koha kur unë isha misionar, sidomos për Kishën. Në atë kohë, atje kishte rreth 11.000 anëtarë të Kishës dhe vetëm një kunj. Sot, ka më shumë se 500.000 anëtarë dhe thuajse 100 kunje. Në qytete ku kishte vetëm grupe të vogla anëtarësh, tani hijeshojnë vendin kunje me gjallëri dhe shtëpi mbledhjesh tërheqëse. E njëjta gjë ka ndodhur në shumë vende të tjera përreth botës.

Kjo rritje e jashtëzakonshme e Kishës meriton shpjegim. Unë po e filloj me një profeci nga Dhiata e Vjetër.

Danieli ishte një skllav hebre në Babiloni. Atij iu dha mundësia të interpretonte një ëndërr të Mbretit Nebukadnetsar. Danieli i kërkoi Perëndisë që t’i zbulonte ëndrrën dhe interpretimin e saj dhe lutjes së tij iu dha përgjigje. Ai i tha Nebukadnetsarit: “Ka një Perëndi në qiell që zbulon sekretet, dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nebukadnetsarit atë që do të ndodhë ditët e fundit. [Këto kanë] … qenë vegimet e mendjes sate në shtratin tënd.” Ai tha se mbreti kishte parë një imazh frikësues me kokë, bust, krahë, kofshë dhe këmbë. Një gur ishte shkëputur nga një mal jo nga duar dhe u rrokullis përpara gradualisht duke u zmadhuar. Guri goditi figurën, duke e thyer në copa “dhe guri që kishte goditur figurën u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën”.

Danieli shpjegoi se figura përfaqësonte mbretëritë politike të së ardhmes dhe se “në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; … por do [t’i] copëtojë” këto mbretëri dhe do t’i asgjësojë ato. “Dhe do të ekzistojë përjetë.”1

Tani unë do t’i referohem një shkrimi të shenjtë të kohëve më të fundit. Engjëlli Moroni për herë të parë iu shfaq Jozef Smithit në 1823-shin dhe i tha atij se “Perëndia kishte një punë për [atë] për ta bërë; dhe se emri [i tij] do të mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve, fiseve dhe gjuhëve”2. Mesazhi i Moronit sigurisht duhet ta ketë habitur Jozefin që ishte vetëm 17 vjeç.

Në 1831-shin Zoti i tha Jozef Smithit se çelësat e mbretërisë së Perëndisë përsëri i qenë “[dhënë] njeriut në tokë”. Ai tha se, “do të përhapet ungjilli deri në fundet e dheut, ashtu si guri që shkëputet pa duar nga mali …, derisa të ketë mbushur tërë tokën”3, pikërisht ashtu siç Danieli i pati thënë Nebukadnetsarit.

Në 1898-n, Presidenti Uilford Udraf, tregoi një përvojë që kishte pasur si anëtar i ri në vitin 1834 në një mbledhje të priftërisë pranë Kirtlandit. Ai tregonte: “Profeti i ftoi të gjithë ata që mbanin priftërinë, të mblidheshin në ndërtesën e vogël të një shkolle prej trarësh që kishin atje. Ajo ishte një shtëpi e vogël, rreth 4.3 metra katrore. … Kur ne u mblodhëm, Profeti i ftoi pleqtë e Izraelit …që të jepnin dëshmi për këtë punë. … Kur ata mbaruan, Profeti tha: ‘Vëllezër unë jam lartësuar dhe udhëzuar shumë nga dëshmitë tuaja sonte, por dua t’ju them përpara Zotit, se ju nuk dini më shumë lidhur me të ardhmen e kësaj Kishe dhe të mbretërisë sesa një bebe në prehërin e nënës për të ardhmen e vet. Ju nuk e kuptoni atë. … Ajo është vetëm një grusht priftërie që ju e shihni këtu sonte, por Kisha do të mbushë Amerikën e Veriut dhe të Jugut—ajo do të mbushë botën.’”4

Këto profeci që:

  • mbretëria e Perëndisë si një gur i prerë nga mali do të mbushë tokën;

  • emri i Jozef Smithit do të bëhet i njohur kudo në botë; dhe

  • Kisha do të mbushë Amerikën dhe do të mbushë botën

mund të jenë dukur qesharake 170 vite përpara. Grupi i vogël i besimtarëve, që mezi e nxirrnin jetesën e tyre në pjesën e papushtuar të Amerikës dhe lëviznin për t’i shpëtuar përndjekjes, nuk dukeshin si themeli i një besimi që do të kapërcente kufijtë ndërkombëtarë njëri pas tjetrit dhe do të depërtonte nëpër zemra kudo.

Por është pikërisht kjo ajo që ka ndodhur. Më lejoni të jap një shembull.

Ditën e Krishtlindjes, në 1925-n, në Buenos-Ajres, Plaku Melvin J. Ballard përkushtoi të gjithë kontinentin e Amerikës Jugore për predikimin e ungjillit. Në gusht të 1926-s një grusht të kthyerish u pagëzuan. Ata ishin anëtarët e parë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme të pagëzuar në gjithë Amerikën Jugore. Kjo ishte 85 vite përpara, brenda periudhës së jetës së shumë personave që po dëgjojnë konferencën sot.

Ka 23 kunje të Sionit atje, me duzina kunjesh dhe dhjetra mijë anëtarë të Kishës në qytete të mëdha dhe të vogla nëpër gjithë Argjentinën. Tani atje janë mbi 600 kunje dhe disa milionë anëtarë të Kishës nëpër të gjithë Amerikën e Jugut. Ndërsa ne vrojtojmë, mbretëria e Perëndisë po mbush kontinentin dhe emri i Jozef Smithit po botohet edhe nga ne edhe nga mosbesuesit e tij në vendet për të cilat ai mund edhe të mos kishte dëgjuar kurrë gjatë jetës së tij.

Ka afro 3.000 kunje të Kishës në mbarë botën sot, nga Bostoni në Bangkok dhe nga Meksiko-Siti në Moskë. Ne po i afrohemi 29.000 lagjeve dhe degëve. Në shumë vende ka kunje të rritura me anëtarë, paraardhësit e të cilëve ishin të kthyer. Në të tjera, grupe të vegjël me pak anëtarë mblidhen si degë të vogla të Kishës në shtëpi me qira. Çdo vit Kisha përhapet gjithnjë e më tej nëpër rruzull.

Këto profeci rreth mbushjes së botës dhe të njohjes kudo në botë: Qesharake? Ndoshta. Pa gjasa? Sigurisht. Të pamundura? Sigurisht që jo. Kjo po ndodh përpara syve tanë.

Presidenti Gordon B. Hinkli vërejti:

“Thuhej se dikur dielli nuk perëndonte kurrë në Perandorinë Britanike. Ajo perandori tani është zvogëluar. Por është e vërtetë se dielli nuk perëndon kurrë mbi këtë punë të Zotit ndërsa ajo po prek jetën e njerëzve kudo në tokë.

Ky është vetëm fillimi. Ne sapo kemi gërvishtur sipërfaqen. … Puna jonë nuk njeh kufij. … Ato kombe dikur të mbyllura për ne, një ditë do të hapen.”5

Sot ne mund të shohim se plotësimi i një profecie të Librit të Mormonit po afron:

“Dhe … do të ndodhë që mbretërit do të mbyllin gojën; pasi ata do të shohin atë që nuk iu tregua; dhe do të kuptojnë atë që nuk kishin dëgjuar.

Pasi në atë ditë, për hirin tim, Ati do të përmbushë një vepër, që do të jetë një vepër madhështore dhe e mrekullueshme mes tyre.”6

Kjo punë e Zotit është vërtet e madhe dhe e mrekullueshme, por ajo përparon thelbësisht pa rënë në sy për shumë udhëheqës politikë, kulturorë dhe akademikë të njerëzimit. Ajo përparon me radhë një nga një në çdo zemër dhe çdo familje, qetësisht, thjeshtësisht, me mesazhin dhe qëllimin e saj të shenjtë që bekon njerëzit kudo.

Një varg në Librin e Mormonit jep çelësin mbi rritjen e mrekullueshme të Kishës sot. “Dhe për më tepër, unë ju them juve se koha do të vijë kur njohuria e një Shpëtimtari do të përhapet mes çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.”7

Mesazhi ynë më i rëndësishëm, ai të cilin ne jemi hyjnisht edhe të porositur edhe të urdhëruar që ta çojmë kudo në botë, është se ka një Shpëtimtar. Ai jetoi në meridianin e kohës. Ai shleu mëkatet tona, u kryqëzua dhe u ringjall. Ai mesazh i pashoq, që ne shpallim me autoritet nga Perëndia, është arsyeja e vërtetë që kjo Kishë po rritet kështu.

Unë dëshmoj se Ai iu shfaq me Atin e Tij Jozef Smithit. Nën drejtimin e Atit, Ai vendosi ungjillin e Tij përsëri në tokë. Ai dërgoi apostuj, profetë dhe çelësat e priftërisë përsëri në tokë. Ai drejton Kishën e Tij nëpërmjet një profeti të gjallë, Presidentit Tomas S. Monson. Kisha e Tij është ai gur i prerë nga mali pa duar që rrokulliset përpara nëpër rruzull.

Ne jemi mirënjohës për Jozef Smithin dhe vështrojmë me habi ndërsa emri i tij është i njohur, i nderuar dhe, po, madje i fyer gjithnjë dhe më gjerësisht kudo në botë. Por ne e pranojmë se kjo punë e fuqishme e ditëve të mëvonshme nuk është rreth tij. Ajo është puna e Perëndisë së plotfuqishëm dhe e Birit të Tij, Princit të Paqes. Unë dëshmoj se Jezusi është Shpëtimtari, dhe me ju, qëndroj me drojë e nderim ndërsa kjo punë përparon mahnitshëm, mrekullisht dhe e pandalshme. Vërtet, “koha [ka] ardhur kur njohuria për një Shpëtimtar … përhapet kudo nëpër çdo komb, dhe fis, dhe gjuhë dhe popull”. Unë dëshmoj për Të, Shpëtimtarin e të gjithë njerëzimit dhe për këtë punë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Danieli 2:28, 35, 44; shih edhe vargjet 1–45.

  2. Joseph Smith—Historia 1:33.

  3. Doktrina e Besëlidhje 65:2.

  4. Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), f. 25–26.

  5. Gordon B. Hinkli, “Gjendja e Kishës”,Liahona, nëntor 2003, f. 7.

  6. 3 Nefi 21:8–9.

  7. Mosia 3:20.