2010–2019
Dhurata Hyjnore e Pendimit
Tetor 2011


Dhurata Hyjnore e Pendimit

Vetëm nëpërmjet pendimit ne fitojmë të drejtën për hirin shlyes të Jezu Krishtit.

Libri i Mormonit përmban rrëfim për një njeri të quajtur Nehor. Është e lehtë të kuptohet përse Mormoni, duke përmbledhur një mijë vite të dokumentimeve nefite, e mendoi si të rëndësishme të përfshinte diçka lidhur me këtë njeri dhe ndikimin e zgjatur të doktrinës së tij. Mormoni po kërkonte të na paralajmëronte, duke e ditur që kjo filozofi do të rishfaqej në kohën tonë.

Nehori u shfaq në skenë rreth 90 vjet para lindjes së Krishtit. Ai mësonte “se i gjithë njerëzimi duhet të shpëtohet ditën e fundit … ; pasi Zoti kishte krijuar të gjithë njerëzit dhe kishte shëlbuar gjithashtu të gjithë njerëzit dhe në fund të gjithë njerëzit do të kishin jetë të përjetshme” (Alma 1:4).

Rreth 15 vjet më vonë, Korihori erdhi mes nefitëve duke predikuar e përforcuar doktrinën e Nehorit. Libri i Mormonit shënon se “ai ishte Antikrisht, pasi filloi t’u predikonte njerëzve kundër profecive … në lidhje me ardhjen e Krishtit” (Alma 30:6). Predikimi i Korihorit e kishte thelbin “se nuk mund të bëhet asnjë shlyerje për mëkatet e njerëzve, por që çdo njeri e kalonte këtë jetë sipas mënyrës së tij të sjelljes; prandaj çdo njeri përparonte sipas gjenisë së tij dhe se çdo njeri fitonte sipas fuqisë së tij; dhe çdo gjë që një njeri bënte nuk ishte krim” (Alma 30:17). Këta profetë të rremë dhe pasuesit e tyre “nuk besonin në pendimin e mëkateve të tyre” (Alma 15:15).

Sikurse në ditët e Nehorit dhe të Korihorit, ne jetojmë në një kohë jo shumë përpara ardhjes së Jezu Krishtit – në rastin tonë, koha e përgatitjes për Ardhjen e Tij të Dytë. Dhe, në ngjashmëri, mesazhi i pendimit shpesh nuk mirëpritet. Disa pretendojnë që, nëse ka Perëndi, Ai nuk ka kërkesa të vërteta ndaj nesh (shih Alma 18:5). Të tjerë, sot pretendojnë se një Perëndi i përzemërt e fal të gjithë mëkatin në bazë të një rrëfimi të thjeshtë ose, në rast se ka me të vërtetë ndëshkim për mëkatin, “Perëndia do të na qëllojë pak me kamxhik dhe në fund ne do të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë” (2 Nefi 28:8). Të tjerë, njësoj me Korihorin, mohojnë madje ekzistencën e Krishtit dhe çfarëdo gjëje të tillë si mëkati. Doktrina e tyre është se vlerat, standardet dhe madje e vërteta janë të gjitha relative. Si rrjedhojë, çfarëdo që dikush mendon se është e drejtë për të, nuk mund të gjykohet prej të tjerëve e gabuar ose mëkatare.

Në sipërfaqe filozofi të tilla duken tërheqëse, ngaqë ato na japin lejë për të kënaqur çdo oreks ose dëshirë pavarësisht nga pasojat. Duke përdorur mësimet e Nehorit dhe Korihorit ne mund të përligjim e të justifikojmë çdo gjë. Kur profetët vijnë duke thirrur për pendim, kjo “ua ftoh mbrëmjen gazmore” mëkatarëve. Por, në të vërtetë, thirrja profetike duhet të pranohet me gëzim. Pa pendim nuk ka përparim ose përmirësim të vërtetë në jetë. Pretendimi se nuk ekziston mëkati, nuk e pakëson barrën dhe dhembjen e tij. Vuajtja për mëkatin, vetvetiu nuk ndryshon ndonjë gjë për më mirë. Vetëm pendimi të çon tek lartësitë plot diell të një jete më të mirë. Dhe, natyrisht, vetëm nëpërmjet pendimit ne fitojmë të drejtën për hirin shlyes të Jezu Krishtit dhe për shpëtim. Pendimi është një dhuratë hyjnore dhe duhet të na buzëqeshë fytyra kur ne flasim për të. Ai na drejton tek liria, vetëbesimi dhe paqja. Në vend të ndërprerjes së festës, dhurata e pendimit është shkaku për kremtim të vërtetë.

Pendimi ekziston si mundësi vetëm për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Është sakrifica e Tij e pafundme ajo që “u sjell njerëzve mjete që ata të mund të kenë besim deri në pendim” (Alma 34:15). Pendimi është kushti i domosdoshëm dhe hiri i Krishtit është fuqia nëpërmjet së cilës “mëshira mund të kënaqë kërkesat e drejtësisë” (Alma 34:16). Dëshmia jonë është kjo:

“Dhe ne e dimë se shfajësimi [ose falja e mëkateve] përmes hirit të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht është i drejtë dhe i vërtetë;

Dhe ne e dimë gjithashtu se shenjtërimi [ose pastrimi nga efektet e mëkatit] përmes hirit të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht është i drejtë dhe i vërtetë; për të gjithë ata që e duan dhe i shërbejnë Perëndisë me gjithë fuqitë, mendjet dhe forcën e tyre” (DeB 20:30–31).

Pendimi është një temë e gjerë, por sot do të dëshiroja të përmend vetëm pesë aspekte të këtij parimi themelor të ungjillit, që shpresoj se do të jenë të dobishme.

Së pari, ftesa për t’u penduar është shprehje e dashurisë. Kur Shpëtimtari “filloi të predikojë dhe të thotë: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!’” (Mateu 4:17), ky ishte një mesazh i dashurisë, që e ftonte gjithkënd që do të dëshironte të përmbushte cilësitë, të bashkohej me Të “dhe të [gëzonte] fjalët e jetës së përjetshme në këtë botë dhe [vetë] jetën e përjetshme në botën që vjen” (Moisiu 6:59). Nëse ne nuk i ftojmë të tjerët që të ndryshojnë ose, nëse nuk ia kërkojmë pendimin vetes, ne dështojmë në një detyrë themelore për të cilën i detyrohemi njëri-tjetrit dhe vetes. Një prind lejues, një mik tolerues, një udhëheqës Kishe i frikshëm, në të vërtetë, janë më të shqetësuar për veten sesa për mbarëvajtjen dhe lumturinë e atyre që ata mund t’i ndihmonin. Po, thirrja në pendim nganjëherë konsiderohet si jotolerante ose fyese dhe madje mund të urrehet, por, e udhëhequr nga Shpirti, ajo në të vërtetë është një akt i përkujdesjes së sinqertë (shih DeB 121:43–44).

Së dyti, pendim do të thotë të përpiqesh të ndryshosh. Do të ishte tallje me vuajtjen e Shpëtimtarit për ne në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq, nëse presim që Ai të na shndërrojë në qenie engjëllore, pa asnjë përpjekje të vërtetë nga ana jonë. Më saktë, ne e kërkojmë hirin e Tij për të plotësuar dhe shpërblyer përpjekjet tona më të zellshme (shih 2 Nefi 25:23). Ndoshta ne, po aq sa lutemi për mëshirë, duhet të lutemi për kohë e mundësi për të vepruar, për t’u përpjekur dhe për të kapërcyer. Sigurisht që Zoti i buzëqesh dikujt që dëshiron të vijë me denjësi te gjykimi, që punon me vendosmëri ditë për ditë për ta zëvendësuar dobësinë me fuqi. Pendimi i vërtetë, ndryshimi i vërtetë mund të kërkojë përpjekje të përsëritura, por në një përpjekje të tillë ka diçka përpunuese dhe të shenjtë. Falja dhe shërimi hyjnor rrjedhin mjaft natyrshëm te një shpirt i tillë, sepse, në të vërtetë, “virtyti e dashuron virtytin; drita kapet pas dritës [dhe] mëshira ka dhembshuri në mëshirën dhe i kërkon të vetët (DeB 88:40).

Me pendim ne mund të përmirësohemi rregullisht në aftësinë për të jetuar ligjin çelestial, sepse e kuptojmë që “ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie çelestiale, nuk mund të durojë një lavdi çelestiale” (DeB 88:22).

Së treti, pendim do të thotë jo vetëm të braktisësh mëkatin, por edhe të zotohesh për bindje. Bible Dictionary [Fjalori Biblik] bën të ditur: “Pendim do të thotë kthim i zemrës dhe i vullnetit në drejtim të Perëndisë [si edhe] heqje dorë prej mëkatit ndaj të cilit priremi natyrshëm”1. Njëri nga disa shembujt e këtij mësimi prej Librit të Mormonit, gjendet në fjalët e Almës për një nga bijtë e tij:

“Prandaj, të urdhëroj biri im, në frikën e Perëndisë, që të përmbahesh nga paudhësitë e tua;

Që ti të kthehesh drejt Zotit me tërë mendjen, fuqinë dhe forcën tënde” (Alma 39:12–13; shih edhe Mosia 7:33; 3 Nefi 20:26; Mormoni 9:6).

Që kthimi ynë drejt Zotit të jetë i plotë, duhet të përfshijë asgjë më pak se një besëlidhje për bindje ndaj Tij. Shpeshherë ne flasim për këtë besëlidhje si besëlidhja e pagëzimit, meqenëse ajo dëshmohet duke u pagëzuar në ujë (shih Mosia 18:10). Pagëzimi i vetë Shpëtimtarit, duke dhënë shembullin, ripohoi besëlidhjen e Tij të bindjes ndaj Atit. “Por megjithëse ishte i shenjtë, ai u tregon fëmijëve të njerëzve se, sipas mishit, ai përul veten para Atit dhe i dëshmon Atit se ai do të jetë i bindur ndaj tij, në zbatimin e urdhërimeve të tij” (2 Nefi 31:7). Pa këtë besëlidhje, pendimi mbetet i paplotë dhe heqja e mëkateve e parealizueshme.2 Sipas shprehjes së paharrueshme të Profesor Noel Rejnoldsit, “Zgjedhja për t’u penduar është një zgjedhje për të djegur urat në çdo drejtim, [duke vendosur] të ndjekim përgjithmonë vetëm një udhë, shtegun e vetëm që të çon drejt jetës së përjetshme”3.

Së katërti, pendimi kërkon seriozitet në qëllim dhe gatishmëri për të këmbëngulur, madje edhe përmes dhembjes. Përpjekjet për të krijuar një listë të hapave të veçantë për pendim, mund të jenë të dobishme për disa, por kjo gjithashtu mund të çojë në një trajtim mekanik e formal, pa ndjenjë ose ndryshim të vërtetë. Pendimi i vërtetë nuk është sipërfaqësor. Zoti jep dy kërkesa gjithëpërfshirëse: “Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij – vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato” (DeB 58:43).

Rrëfimi dhe braktisja janë koncepte të fuqishme. Janë shumë më tepër se të thuash me raste: “E pranoj; më vjen keq”. Rrëfimi është një njohje e thellë, nganjëherë pikëlluese, e gabimit dhe e fyerjes ndaj Perëndisë dhe njeriut. Trishtim e keqardhje dhe lotë të hidhur shoqërojnë shpesh rrëfimin e dikujt, veçanërisht kur veprimet e veta kanë qenë shkak për dhembjen e tjetërkujt apo, më keq, kanë çuar një tjetër në mëkat. Është ky ankth i thellë, kjo pamje e gjërave ashtu siç ato janë, që e çon dikë, sikurse Alma, të thërrasë: “O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua që jam në vrerin e hidhësirës dhe që jam rrethuar nga zinxhirët e përjetshëm të vdekjes” (Alma 36:18).

Me besim tek Shëlbuesi i mëshirshëm dhe fuqia e Tij, dëshpërimi kthehet në shpresë. Ndryshojnë pikërisht zemra dhe dëshirat e dikujt dhe, mëkati dikur tërheqës, bëhet gjithnjë e më i neveritshëm. Një vendosmëri e fortë për të hequr dorë e braktisur mëkatin dhe për të ndrequr sa më plotësisht që mundet dëmin që ka shkaktuar, zhvillohet tani në atë zemër të re. Kjo vendosmëri shpejt piqet për t’u bërë një besëlidhje e bindjes ndaj Perëndisë. Me vendosjen e asaj besëlidhjeje, Fryma e Shenjtë, lajmëtari i hirit hyjnor, do të sjellë lehtësim dhe falje. Personi frymëzohet për të shprehur sërish, tok me Almën: “Dhe oh, çfarë gëzimi dhe çfarë drite të mrekullueshme [shoh]; po, shpirti im më [është] mbushur me një gëzim po aq të madh, sa kishte qenë dhembja ime!” (Alma 36:20).

Çdo dhembje e kërkuar nga pendimi do të jetë shumë më pak, sesa vuajtja që kërkohet për të kënaqur drejtësinë për shkeljen e pazgjidhur. Shpëtimtari foli paksa për atë që Ai duroi që të kënaqte kërkesat e drejtësisë dhe të shlyente për mëkatet tona, por Ai bëri këtë deklaratë qartësuese:

“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo pór dhe të vuaj si në trup e në shpirt—dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur” (DeB 19:16–18).

Së pesti, cilido qoftë çmimi i pendimit, ai përpihet në gëzimin e faljes. Në një fjalim në konferencë të përgjithshme, të titulluar “The Brilliant Morning of Forgiveness” [“Mëngjesi i Shndritshëm i Faljes”], Presidenti Bojd K. Paker bëri këtë analogji:

“Në prill të 1847-ës, Brigam Jangu udhëhoqi kompaninë e parë të pionierëve e nisur nga Lagjet Dimërore. Në të njëjtën kohë, 2.575 kilometra në perëndim, të mbijetuarit prekës të Doner Partit endeshin në pjerrësitë e Maleve të Sierra-Nevadës në Luginën e Sakramentos.

Ata e kishin kaluar dimrin e egër të zënë në pirgjet e dëborës poshtë majave. Është pothuaj e pabesueshme që ndonjë i mbijetoi ditëve, javëve dhe muajve të mosushyerjes dhe vuajtjes së papërshkrueshme.

Ndër ta ishte pesëmbëdhjetëvjeçari Xhon Brin. Natën e 24 prillit ai po shkonte drejt Fermës së Xhonsonit. Vite më vonë Xhoni shkroi:

‘Vetëm kohë pasi kishte rënë muzgu, ne arritëm në Fermën e Xhonsonit, prandaj hera e parë që e pashë ishte mëngjesi herët. Moti ishte i shkëlqyer, toka mbulohej nga bari i gjelbër, zogjtë po këndonin nga majat e pemëve dhe udhëtimi kishte mbaruar. Mezi mund ta besoja që isha gjallë.

Skena që pashë atë mëngjes duket sikur të jetë e fotografuar në mendjen time. Shumica e ngjarjeve kanë ikur nga kujtesa, por përherë arrij të shoh kampin pranë Fermës së Xhonsonit.’”

Presidenti Paker tha: “Në fillim isha shumë në mëdyshje nga thënia e tij se ‘shumica e ngjarjeve kanë ikur nga kujtesa’. Si mundej vallë që muaj të gjatë vuajtjeje dhe pikëllimi të pabesueshëm t’i iknin atij nga mendja? Si mundej ai dimër i errët i vrazhdë të zëvendësohej me një mëngjes të shndritshëm?

Pasi u mendova më shumë, vendosa që kjo nuk ishte për t’u hutuar aspak. Unë kam parë t’u ndodhë diçka të ngjashme njerëzve që i kam njohur. Kam parë disa, që kanë kaluar një dimër të gjatë faji dhe mosushqyerjeje shpirtërore, të dalin tek mëngjesi i faljes. Kur erdhi mëngjesi, ata mësuan këtë:

‘Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato’ [DeB 58:42].”4

Unë njoh dhe dëshmoj me mirënjohje që vuajtja e pakapshme, vdekja dhe Ringjallja e Zotit tonë “përmbush kushtin e pendimit” (Helamani 14:18). Dhurata hyjnore e pendimit është çelësi i lumturisë këtu dhe paskëtaj. Me fjalët e Shpëtimtarit dhe me përulësi e dashuri të thellë, unë i ftoj të gjithë të “[pendohen], sepse mbretëria e qiejve është afër!” (Mateu 4:17). Unë e di që me pranimin e kësaj ftese, ju do të gjeni gëzim tani dhe përgjithmonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Bible Dictionary, “Repentance”.

  2. Libri i Mormonit flet në mënyrë të përsëritur për t’u “[pagëzuar] në pendim (shih Mosia 26:22; Alma 5:62; 6:2; 7:14; 8:10; 9:27; 48:19; 49:30; Helamani 3:24; 5:17, 19; 3 Nefi 1:23; 7:24–26; Moroni 8:11). Gjon Pagëzori përdori të njëjtat fjalë (shih Mateu 3:11) dhe Pali foli për “pagëzimin e pendimit” (Veprat e Apostujve 19:4). Kjo shprehje shihet edhe në Doktrina e Besëlidhje (shih DeB 35:5; 107:20). “Pagëzimi i pendimit ose në pendim” thjesht i referohet faktit që pagëzimi me besëlidhjen e tij të bindjes është pika kulmore e pendimit. Me pendimin e plotë, përfshirë pagëzimin, një njeri përmbush cilësitë për vënien e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe është pikërisht nëpërmjet Frymës së Shenjtë që dikush merr pagëzimin e Shpirtit (shih Gjoni 3:5) dhe faljen e mëkateve: “Pasi porta nëpër të cilën ju duhet të hyni është pendimi dhe pagëzimi me anë të ujit; dhe pastaj vjen një heqje e mëkateve tuaja me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë” (2 Nefi 31:17).

  3. Noel B. Reynolds, “The True Points of My Doctrine”, Journal of Book of Mormon Studies, vëll. 5, nr. 2 (1996): 35; kursivet janë theksime.

  4. Shih Boyd K. Packer, në Conference Report, tetor 1995, f. 21; shih edhe “The Brilliant Morning of Forgiveness”, Ensign, nëntor 1995, f. 18.