2010–2019
Mosmëharro
Tetor 2011


Mosmëharro

Është lutja dhe bekimi im që ju kurrë të mos harroni se jeni vërtet bija të çmuara në mbretërinë e Perëndisë.

Të dashura motrat e mia, çfarë gëzimi është të jem me ju sot. Gjithmonë mezi e pres këtë mbledhje të përgjithshme vjetore të Shoqatës së Ndihmës dhe mesazhet e shkëlqyera që jepen këtu. Faleminderit, motra. Është një nder i vyer për mua që u caktova nga Presidenti Tomas S. Monson për të folur sot dhe që të shtoj disa mendime duke iu drejtuar motrave të Kishës.

Disa kohë më parë, po ecja nëpër një kopsht të bukur bashkë me gruan dhe bijën time. Mahnitesha nga lavdia dhe bukuria e krijimit të Perëndisë. Dhe pastaj vura re, mes gjithë lulëzimeve të shkëlqyera, lulen më të imët. E dija emrin e kësaj luleje sepse, që kur isha fëmijë, kisha një lidhje të ëmbël me të. Lulja quhet mosmëharro.

Nuk jam krejt i sigurt se përse kjo lule e imët ka pasur kaq shumë kuptim për mua gjatë viteve. Ajo nuk e tërheq menjëherë vëmendjen; është e lehtë të mos ta vësh re mes luleve më të mëdha e gjithë ngjyra; por përsëri është po aq e bukur, me ngjyrën e saj të gjallë që pasqyron atë të qiellit më të kaltër – ndoshta një arsye tjetër se përse e pëlqej kaq shumë.

Dhe është kërkesa e vazhdueshme e emrit të saj. Ka një legjendë gjermane se, kur Perëndia sapo kishte mbaruar së vëni emrat gjithë bimëve, njëra kishte mbetur pa emër. Një zë i vocërr foli: “Mos më harro, o Zot!” Dhe Perëndia u përgjigj se ky do të ishte emri i saj.

Sonte do të dëshiroja ta përdorja këtë lule të vogël si një metaforë. Pesë petalet e lules së vogël mosmëharro më nxisin të marr parasysh pesë gjëra që do të ishte e urtë të mos i harronim kurrë.

Së pari, mos harroni të jeni të duruara me veten tuaj.

Dëshiroj t’ju them diçka që shpresoj se do ta kuptoni në mënyrën e saktë: Perëndia është plotësisht i vetëdijshëm se ju dhe unë nuk jemi të përkryer.

Më lejoni të shtoj: Perëndia është plotësisht i vetëdijshëm se njerëzit që ju mendoni se janë të përkryer, nuk janë.

Dhe përsëri ne shpenzojmë kaq shumë kohë dhe energji duke e krahasuar veten me të tjerët – zakonisht duke krahasuar dobësitë tona me pikat e tyre të forta. Kjo na çon të krijojmë pritshmëri për veten që janë të pamundura për t’u përmbushur. Si rezultat, ne kurrë nuk kremtojmë përpjekjet tona të mira, sepse duket sikur ato janë më pak se çfarë bën dikush tjetër.

Çdo njeri ka pika të forta dhe dobësi.

Është e mrekullueshme që ju keni pika të forta.

Është pjesë e përvojës tuaj në vdekshmëri që ju të keni dobësi.

Perëndia dëshiron të na ndihmojë që përfundimisht të shndërrojmë gjithë dobësitë tona në pika të forta1, por Ai e di se ky është një synim afatgjatë. Ai dëshiron që ne të bëhemi të përkryer ashtu si është Ai2 dhe nëse do të qëndrojmë në shtegun e dishepullimit, një ditë do të bëhemi. Është OK që nuk jeni të përkryera ende. Vazhdoni të punoni, por pushoni së ndëshkuari veten.

Motra të dashura, shumë prej jush janë pafundësisht zemërdhembshura dhe të duruara me dobësitë e të tjerëve. Ju lutem, kujtohuni gjithashtu që të jeni zemërdhembshura dhe të duruara me veten tuaj.

Ndërkohë, jini mirënjohëse për gjithë sukseset e vogla në shtëpinë tuaj, marrëdhëniet tuaja familjare, arsimimin dhe jetesën tuaj, pjesëmarrjen tuaj në Kishë dhe përmirësimin vetjak. Ashtu si lulet mosmëharro, këto suksese mund t’ju duken të vogla juve dhe mund të mos vihen re nga të tjerët, por Perëndia i vë re ato dhe ato nuk janë të vogla për Të. Nëse e mendoni suksesin sikur të jetë vetëm trëndafili më i përkryer apo orkidea më verbuese, mund të humbisni disa nga përvojat më të ëmbla të jetës.

Për shembull, këmbëngulja që të keni një mbrëmje familjare “të përkryer si një pikturë” çdo javë – edhe pse bërja e kësaj ju bën të mjerë ju dhe gjithkënd rreth jush – mund të mos jetë zgjedhja më e mirë. Përkundrazi, pyeteni veten: “Çfarë mund të bëjmë ne si familje që do të jetë e gëzueshme e shpirtërore dhe do të na afrojë së bashku?” Ajo lloj mbrëmjeje familjare – edhe pse mund të jetë e thjeshtë në qëllim e zbatim – mund të ketë rezultate afatgjata shumë më pozitive.

Udhëtimi ynë drejt përkryerjes është i gjatë, por mund të gjejmë mrekulli dhe kënaqësi madje edhe në hapat më të veckël në atë udhëtim.

Së dyti, mos harroni dallimin midis një sakrifice të mirë dhe një sakrifice të pamend.

Një sakrificë e pranueshme është kur heqim dorë nga diçka e mirë për diçka që ka vlerë shumë më të madhe.

Të heqësh dorë nga pak gjumë për të ndihmuar një fëmijë që ka një makth, është një sakrificë e mirë. Të gjithë e dimë këtë. Të rrish zgjuar gjithë natën, duke vënë në rrezik vetë shëndetin tënd, për të përgatitur ornamentin e përkryer për veshjen e së dielës së një bije, mund të mos jetë një sakrificë kaq e mirë.

Përkushtimi i një pjese nga koha jonë studimit të shkrimeve të shenjta ose përgatitjes për të dhënë një mësim, është një sakrificë e mirë. Shpenzimi i shumë orëve për të thurur titullin e mësimit në mbajtëse vazosh të bëra me dorë për secilën anëtare të klasës tuaj, ndoshta mund të mos jetë.

Çdo njeri dhe situatë është e ndryshme dhe, një sakrificë e mirë në një rast mund të jetë një sakrificë e pamend në një tjetër.

Si mund ta dallojmë ndryshimin për vetë situatën tonë? Ne mund të pyesim veten: “A po ua kushtoj kohën dhe energjitë e mia gjërave që kanë më tepër rëndësi?” Ka kaq shumë gjëra të mira për të bërë, por ne nuk mund t’i bëjmë të gjitha ato. Ati ynë Qiellor është më i kënaqur kur sakrifikojmë diçka të mirë për diçka shumë më të mirë nga këndvështrimi i përjetësisë. Nganjëherë, kjo madje mund të ketë kuptimin që të ushqejmë lule mosmëharro, të vogla por të bukura, në vend të një kopshti të madh me lule ekzotike.

Së treti, mos harroni të jeni të lumtura tani.

Në novelën e dashur për fëmijët, Çarli dhe Fabrika e Çokollatave, prodhuesi misterioz i çokollatave Uilli Uonka fsheh nga një biletë të artë në pesë prej pafkave prej çokollate të tij dhe shpall se kushdo që gjen një nga biletat, fiton një tur tek fabrika e tij dhe një furnizim me çokollata për të gjithë jetën.

Shkruar në secilën biletë të artë është ky mesazh: “Përshëndetje, gjetës fatlum i kësaj Bilete të Artë … ! Gjëra të mrekullueshme janë gati për ty! Shumë befasi të çuditshme të presin! … Befasi të mistershme dhe të mrekullueshme … do të të … magjepsin, … habisin dhe hutojnë.”3

Në këtë novelë klasike për fëmijë, njerëzit në mbarë botën kërkojnë me dëshpërim që të gjejnë një biletë të artë. Disa e ndiejnë sikur e gjithë lumturia e tyre e ardhme varet nga fakti nëse një biletë e artë do të bjerë në duart e tyre ose jo. Në merakun e tyre, njerëzit fillojnë të harrojnë gëzimin e thjeshtë që gjenin tek një çokollatë. Vetë çokollata bëhet një zhgënjim i plotë nëse nuk përmban një biletë të artë.

Kaq shumë njerëz sot po presin për biletën e tyre të artë – biletën që ata besojnë se mban çelësin për lumturinë për të cilën kanë ëndërruar gjithmonë. Për disa, bileta e artë mund të jetë një martesë e përkryer; për të tjerë, një shtëpi e denjë për një kopertinë reviste ose ndoshta, çlirimi nga stresi apo shqetësimi.

Nuk ka asgjë të gabuar lidhur me dëshirat e zjarrta të drejta – ne shpresojmë dhe kërkojmë gjëra që janë “të virtytshme, të dashur[a] ose me famë të mirë apo të denj[a] për t’u lavdëruar”4. Problemi vjen kur ne e shtyjmë lumturinë tonë ndërsa presim që të shfaqet ndonjë ngjarje e ardhshme – bileta jonë e artë.

Një grua dëshironte më shumë se gjithçka tjetër që të martohej në tempull me një mbajtës priftërie të drejtë dhe që të ishte nënë dhe bashkëshorte. Ajo kishte ëndërruar për këtë të gjithë jetën e saj dhe, oh, çfarë nëne e mrekullueshme dhe bashkëshorte e dashur që do të ishte. Shtëpia e saj do të ishte e mbushur me dashuri e shpirtmirësi. Nuk do të flitej kurrë një fjalë e hidhur. Gjella nuk do të digjej kurrë. Dhe fëmijët e saj, në vend që ta kalonin kohën me shoqërinë, do të parapëlqenin t’i kalonin mbrëmjet dhe fundjavët me Mamin dhe Babin.

Kjo ishte bileta e saj e artë. Ishte e vetmja gjë për të cilën ajo ndiente se aty varej gjithë të qenit e saj. Ishte e vetmja gjë në të gjithë botën që ajo dëshironte më me zjarr dhe dëshpërim.

Por nuk ndodhi kurrë. Dhe, ndërsa vitet kalonin, ajo u bë gjithmonë e më e mbyllur, e hidhëruar dhe madje e inatosur. Ajo nuk mund ta kuptonte se përse Perëndia nuk do t’ia plotësonte asaj këtë dëshirë të drejtë.

Ajo punonte si mësuese në shkollë fillore dhe, të qenit me fëmijë gjatë gjithë ditës thjesht i kujtonte se bileta e saj e artë nuk ishte shfaqur kurrë. Ndërsa vitet kalonin, ajo u bë më e zhgënjyer dhe më e mbyllur. Njerëzve nuk u pëlqente të rrinin me të dhe e shmangnin kurdoherë që mundeshin. Ajo madje e shfryu pakënaqësinë e saj tek nxënësit në shkollë. Ajo filloi ta humbiste vetëkontrollin dhe të kalonte nga shpërthime të inatit tek vetmia e dëshpëruar dhe anasjelltas.

Tragjedia e kësaj ndodhie është se kjo grua e dashur, në gjithë zhgënjimin për biletën e saj të artë, nuk arriti të vinte re bekimet që ajo vërtet i kishte. Ajo nuk kishte fëmijë në shtëpi, por ishte e rrethuar nga ata në klasën e saj. Ajo nuk qe e bekuar me një familje, por Zoti i kishte dhënë asaj një mundësi që pak njerëz e kanë – shansin për të ndikuar për mirë si mësuese jetën e qindra fëmijëve dhe familjeve.

Mësimi këtu është që, nëse i kalojmë ditët tona duke pritur për trëndafila përrallorë, mund të humbasim bukurinë dhe mrekullinë e luleve të imta mosmëharro që janë kudo rreth nesh.

Kjo nuk do të thotë se duhet të braktisim shpresën apo të kufizojmë synimet tona. Kurrë mos u ndalni së përpjekuri fort për më të mirën që keni brenda vetes. Kurrë mos u ndalni së shpresuari për të gjitha dëshirat e drejta të zemrës suaj. Por mos i mbyllni sytë e zemrat para bukurive të thjeshta dhe elegante të çasteve të zakonshme të çdo dite që krijojnë një jetë të pasur e të jetuar mirë.

Njerëzit më të lumtur që njoh, nuk janë ata që gjejnë biletën e tyre të artë; janë ata që, ndërsa ndjekin synime të denja, zbulojnë dhe grumbullojnë si thesar bukurinë dhe ëmbëlsinë e çasteve të përditshme. Janë ata që, duke marrë nga një fije çdo ditë, endin një pëlhurë mirënjohjeje dhe mrekullie gjatë gjithë jetës së tyre. Këta janë ata që janë vërtet të lumtur.

Së katërti, mos harroni “përse-në” e ungjillit.

Nganjëherë, në rutinën e jetës sonë, pa dashje ne nuk vëmë re një aspekt jetësor të ungjillit të Jezu Krishtit, po ashtu si dikush mund të mos vërë re një lule mosmëharro të bukur e delikate. Në përpjekjet tona të zellshme për të përmbushur gjithë detyrat e detyrimet që kemi si anëtarë të Kishës, nganjëherë e mendojmë ungjillin si një listë të gjatë detyrash që duhet t’ia shtojmë listës tonë “për të bërë” që është tashmë e gjatë pamundësisht, si një bllok kohe që ne duhet ta fusim në ndonjëfarë mënyre në programet tona ditore të ngjeshura. Ne përqendrohemi tek ajo çfarë Zoti dëshiron që të bëjme ne dhe se si mund ta bëjmë, por nganjëherë harrojmë përse [e bëjmë].

Motrat e mia të dashura, ungjilli i Jezu Krishtit nuk është një detyrim; ai është një shteg, i shenjuar nga Ati ynë i dashur në Qiell, që çon tek lumturia dhe paqja në këtë jetë dhe tek lavdia e përmbushja e pashprehshme në jetën që do të vijë. Ungjilli është një dritë që përshkon vdekshmërinë dhe ndriçon udhën përpara nesh.

Ndërsa kuptojmë se pjesët “çfarë” dhe “si” të ungjillit janë të domosdoshme, zjarri i përjetshëm dhe madhështia e ungjillit buron nga “përse-ja”. Kur e kuptojmë se përse Ati ynë Qiellor na ka dhënë këtë model për të jetuar, kur kujtojmë se përse u zotuam ta bëjmë atë një pjesë themelore të jetës sonë, ungjilli nuk bëhet më një barrë dhe, përkundrazi, bëhet një gëzim dhe një kënaqësi. Ai bëhet i çmuar dhe i ëmbël.

Le të mos ecim në shtegun e dishepullimit me sytë poshtë, duke menduar vetëm detyrat dhe detyrimet që janë para nesh. Le të mos ecim të pavetëdijshëm për bukurinë e peizazheve të lavdishme tokësore e shpirtërore që na rrethojnë.

Motra të dashura, kërkoni madhështinë, bukurinë dhe gëzimin emocionues të “përse-së” së ungjillit të Jezu Krishtit.

Pjesët “çfarë” dhe “si” të bindjes shenjojnë udhën dhe na mbajnë në shtegun e saktë. “Përse-ja” e bindjes shenjtëron veprimet tona, duke shndërruar të rëndomtën në madhështore. Ajo i lartëson veprimet tona të vogla të bindjes në veprime të shenjta përkushtimi.

Së pesti, mos harroni se Zoti ju do.

Kur isha fëmijë dhe shihja lulet e vogla mosmëharro, nganjëherë u ndjeva pak si ato lule – i vogël dhe i parëndësishëm. Vrisja mendjen nëse do të harrohesha nga familja ime ose nga Ati im Qiellor.

Vite më vonë, mund të shoh pas tek ai djalë i vogël me butësi dhe dhembshuri. Dhe unë e di tani – mua nuk më harruan kurrë.

Dhe unë di diçka tjetër: si një Apostull i Mësuesit tonë, Jezu Krishtit, unë shpall me sigurinë dhe bindjen e zemrës sime – as ju!

Ju nuk ju kanë harruar.

Motra, kudo që të jeni, çfarëdo qofshin rrethanat tuaja, ju nuk ju kanë harruar. Pavarësisht sa të errëta të mund t’ju duken ditët tuaja, pavarësisht se sa të parëndësishme mund të ndiheni, pavarësisht se sa në hije mund të mendoni se jeni, Ati juaj Qiellor nuk ju ka harruar. Në të vërtetë, Ai ju do me një dashuri të pafundme.

Thjesht mendoni për këtë: Juve ju njeh dhe ju kujton qenia më madhështore, më e fuqishme dhe më e lavdishme në univers! Juve ju do Mbreti i hapësirës së pafund dhe i kohës së përhershme!

Ai që krijoi dhe i njeh yjet, ju njeh ju dhe emrin tuaj – ju jeni bijat e mbretërisë së Tij. Psalmisti shkroi:

“Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,

çfarë është njeriu, që ta mbash mend? …

Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.”5

Perëndia ju do sepse ju jeni fëmijët e Tij. Ai ju do edhe pse nganjëherë mund të ndiheni të vetmuara apo bëni gabime.

Dashuria e Perëndisë dhe fuqia e ungjillit të rivendosur janë shëlbuese dhe shpëtuese. Nëse ju vetëm e lejoni dashurinë e Tij hyjnore në jetën tuaj, ajo mund të trajtojë çfarëdo plage, të shërojë çfarëdo lëndimi dhe të zbutë çfarëdo hidhërimi.

Motra të mia të dashura të Shoqatës së Ndihmës, ju jeni më afër qiellit se sa mund ta mendoni. Ju jeni destinuar për shumë më tepër se sa mund ta përfytyroni. Vazhdoni të rriteni në besim dhe drejtësi personale. Pranojeni ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit si mënyrën tuaj të jetesës. Kijeni për zemër dhuratën e aktivitetit në këtë Kishë të shkëlqyer e të vërtetë. Mbajeni si thesar dhuratën e shërbimit në organizatën e bekuar të Shoqatës së Ndihmës. Vazhdoni të forconi shtëpitë dhe familjet. Vazhdoni të kërkoni e të ndihmoni të tjerët që kanë nevojë për ndihmën tuaj dhe të Zotit.

Motra, ka diçka frymëzuese dhe madhështore në lidhje me lulen e vogël mosmëharro. Shpresoj se do të jetë një simbol i gjërave të vogla që e bëjnë jetën tuaj të gëzueshme dhe të ëmbël. Ju lutem, mos harroni kurrë se duhet të jeni të duruara e të dhembshura me veten tuaj, se disa sakrifica janë më të mira se disa të tjera, se nuk ju duhet të prisni për një biletë të artë që të jeni të lumtura. Ju lutem mos harroni kurrë se “përse-ja” e ungjillit të Jezu Krishtit do t’ju frymëzojë e ngrejë moralisht. Dhe mos harroni kurrë se Ati juaj Qiellor ju njeh, ju do dhe ju ka për zemër.

Faleminderit për atë që jeni. Faleminderit për veprimet e panumërta të dashurisë dhe shërbimit që ju u jepni kaq shumë njerëzve. Faleminderit për të gjithë atë që ende bëni për t’u sjellë gëzimin e ungjillit të Jezu Krishtit familjeve, Kishës, komuniteteve tuaja si dhe kombeve të botës.

Motra, ne ju duam. Është lutja dhe bekimi im që ju kurrë të mos harroni se jeni vërtet bija të çmuara në mbretërinë e Perëndisë, në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë të dashur, Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih Ethëri 12:27.

  2. Shih 3 Nefi 12:48.

  3. Roald Dahl, Charlie and the Chocolate Factory (1964), f. 55–56.

  4. Nenet e Besimit 1:13.

  5. Psalmeve 8:3–5.