2010–2019
Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit
Tetor 2015


Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit

Për shkak të Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari ka fuqinë për të ndihmuar – për të dhënë ndihmesë – për çdo dhembje dhe hidhërim të vdekshëm.

Në vdekshmëri ne kemi sigurinë e vdekjes dhe barrën e mëkatit. Shlyerja e Jezu Krishtit i shfuqizon këto dy siguri të jetës së vdekshme. Por, përveç vdekjes dhe mëkatit, ne kemi shumë sfida të tjera ndërsa mundohemi gjatë vdekshmërisë. Për shkak të po asaj Shlyerjeje, Shpëtimtari ynë mund të na japë forcën që na nevojitet për t’i mposhtur këto sfida të vdekshme. Kjo është tema ime sot.

I.

Pjesa më e madhe e tregimeve nga shkrimet e shenjta për Shlyerjen diskutojnë për këputjen e lidhjeve të vdekjes nga Shpëtimtari dhe vuajtjen e Tij për mëkatet tona. Në predikimin e tij të shënuar në Librin e Mormonit, Alma dha këto mësime themelore. Por ai dha gjithashtu siguritë më të qarta nga shkrimet tona të shenjta, se edhe Shpëtimtari përjetoi dhembjet e sëmundjet dhe lëngatat e popullit të Tij.

Alma përshkroi këtë pjesë të Shlyerjes së Shpëtimtarit: “Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij” (Alma 7:11; shih edhe 2 Nefi 9:21).

Mendoni për këtë! Gjatë Shlyerjes së Shpëtimtarit, Ai vuajti “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”. Siç e shpjegoi Presidenti Bojd K. Paker: “Ai nuk kishte asnjë borxh për të shlyer. Ai nuk kishte bërë asnjë gabim. Megjithatë, një grumbullim i të gjithë fajit, brengës e hidhërimit, dhimbjes e poshtërimit, të të gjithë torturave mendore, emocionale dhe fizike që njeh njeriu – Ai i përjetoi ato të gjitha.”1

Përse i vuajti Ai këto sfida të vdekshme “të çdo lloji”? Alma shpjegoi: “Dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12).

Për shembull, Apostulli Pal shpalli se, për shkak se Shpëtimtari “vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen” (Hebrenjve 2:18). Në mënyrë të ngjashme, Presidenti Xhejms E. Faust dha mësim: “Duke qenë se Shpëtimtari vuajti gjithçka dhe çdo gjë që ne mund të ndiejmë ose përjetojmë ndonjëherë, Ai mund ta ndihmojë të dobëtin të bëhet më i fortë”2.

Shpëtimtari ynë përjetoi dhe vuajti plotësinë e të gjitha sfidave të vdekshme “sipas mishit”, kështu që Ai të mund të dinte “sipas mishit” se si “të ndihmojë [që do të thotë të ofrosh lehtësim] popullin e tij sipas dobësive të tyre”. Prandaj Ai i njeh mundimet tona, pikëllimet tona, tundimet tona dhe vuajtjen tonë, sepse Ai me gatishmëri i përjetoi ato të gjitha si një pjesë thelbësore e Shlyerjes së Vet. Dhe për shkak të kësaj, Shlyerja e Tij i jep Atij fuqinë për të na ndihmuar – për të na dhënë forcën për t’i duruar të gjitha.

II.

Ndërkohë që mësimi i Almës te kapitulli shtatë është mësimi i vetëm më i qartë nga të gjitha shkrimet e shenjta mbi këtë fuqi thelbësore të Shlyerjes, për të është dhënë gjithashtu mësim në të gjithë shkrimin e shenjtë.

Në fillim të shërbesës së Tij, Jezusi shpjegoi se Ai u dërgua “për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer” (Lluka 4:18). Bibla shpesh na tregon për shërimin prej Tij të njerëzve “nga sëmundjet e [tyre]” (Lluka 5:15; 7:21). Libri i Mormonit shënon shërimin prej Tij të atyre “që ishin të prekur në ndonjë mënyrë” (3 Nefi 17:9). Ungjilli i Mateut shpjegon se Jezusi i shëroi njerëzit “që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: ‘Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona’” (Mateu 8:17).

Isaia dha mësim se Mesia do t’i mbante “sëmundjet” tona dhe “dhembjet” tona (Isaia 53:4). Isaia dha mësim edhe për forcimin tonë prej Tij: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj” (Isaia 41:10).

Si rrjedhim, ne këndojmë:

Ti mos u frik’so, mos bjer në dëshpërim,

Se jam Zoti yt dhe të vij un’ në ndihm’.

T’forcoj, të ndihmoj që në këmb’ të qëndrosh, …

Mbështetur në krahun tim që të shpëtosh.3

Duke folur për disa nga vetë sfidat e tij në vdekshmëri, Apostulli Pal shkroi: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).

Dhe kështu ne shohim se, për shkak të Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari ka fuqinë për të ndihmuar – për të dhënë ndihmesë – për çdo dhembje dhe hidhërim të vdekshëm. Nganjëherë fuqia e Tij shëron një lëngatë, por shkrimet e shenjta dhe përvojat tona na mësojnë se ndonjëherë Ai ndihmon ose na jep ndihmesë duke na dhënë forcën ose këmbënguljen për t’i duruar lëngatat tona.4

III.

Cilat janë këto dhembje dhe hidhërime dhe lëngata të vdekshme që përjetoi dhe vuajti Shpëtimtari ynë?

Pamja
Grua duke vuajtur nga një hidhërim

Ne të gjithë kemi dhembje dhe hidhërime dhe lëngata në një kohë apo një tjetër. Pavarësisht nga ajo që ne përjetojmë për shkak të mëkateve tona, vdekshmëria është e mbushur me mundime, pikëllime dhe vuajtje të vazhdueshme.

Pamja
Vizitë në spital

Ne dhe ata që duam, vuajnë nga sëmundjet. Në një kohë secili prej nesh gjithashtu përjeton dhembje nga dëmtime tronditëse ose nga vështirësi të tjera fizike apo mendore. Të gjithë ne vuajmë dhe hidhërohemi në lidhje me vdekjen e një të dashuri. Ne të gjithë përjetojmë dështime në përgjegjësitë tona vetjake, marrëdhëniet tona familjare ose profesionet tona.

Pamja
Prindër të shqetësuar

Kur një bashkëshort/e ose një fëmijë e hedh poshtë atë që ne e dimë se është e vërtetë dhe largohet nga shtegu i drejtësisë, ne përjetojmë dhembje stresuese në mënyrë të veçantë, ashtu si babai i djalit plangprishës në shëmbëlltyrën e paharruar të Jezusit (shih Lluka 15:11–32).

Sikurse shpalli psalmisti: “Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha” (Psalmeve 34:19).

Si rrjedhojë, himnet tona e përmbajnë këtë siguri të vërtetë: “Toka nuk ka dhembje që qielli s’mund ta shërojë”5. Ajo që na shëron ne, është Shpëtimtari ynë dhe Shlyerja e Tij.

Pamja
Adoleshente duke u treguar të pasjellshme

Veçanërisht therëse për adoleshentët është ndjenja e refuzimit, kur bashkëmoshatarët duket se bashkohen në marrëdhënie dhe veprimtari të gëzuara dhe me paramendim i lënë ata jashtë. Paragjykimet racore dhe etnike prodhojnë refuzime të tjera të dhembshme, për rininë dhe të rriturit. Jeta ka shumë sfida të tjera, të tilla si papunësi ose kthesa të tjera në planet tona.

Pamja
Djalë me paaftësi me të atin

Po flas ende për lëngatat e vdekshme që nuk shkaktohen nga mëkatet tona. Disa njerëz lindin me paaftësi fizike ose mendore që shkaktojnë vuajtje vetjake tek ta dhe vështirësi tek ata që i duan dhe kujdesen për ta. Për shumë njerëz, lëngata e depresionit është e dhembshme ose që të lë përherë me paaftësi. Një tjetër hidhërim i dhembshëm është rrethana e beqarisë. Ata të cilët e vuajnë këtë rrethanë, duhet të kujtojnë se edhe Shpëtimtari ynë e përjetoi këtë lloj dhembje dhe se, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai na ofron forcën për ta duruar atë.

Pak paaftësi janë më gjymtuese për jetën tonë tokësore ose shpirtërore sesa varësitë. Disa prej këtyre, si varësitë ndaj pornografisë apo drogave, ka gjasa të jenë shkaktuar nga sjellje mëkatare. Madje edhe kur ka pasur pendim për atë sjellje, varësia mund të qëndrojë. Edhe ky mbërthim që shkakton paaftësi mund të lehtësohet nga forca vendimtare e mundësuar nga Shpëtimtari. Po ashtu mund të lehtësohet edhe sfida e ashpër e përjetuar nga ata që futen në burg për krime. Një letër e kohëve të fundit dëshmon për forcën që mund t’i vijë edhe dikujt në atë rrethanë: “Unë e di se Shpëtimtari ynë po ecën në këto korridore, dhe e kam ndier shpesh dashurinë e Krishtit brenda këtyre mureve të burgut”6.

Pamja
Burrë në burg

E pëlqej shumë dëshminë e poetes dhe mikes sonë Ema Lu Thejnit. Në fjalët që tani i këndojmë si himn, ajo shkroi:

Ku mund të gjej paqe?

Ku kam ngushëllim,

Kur t’tjera burime nuk më shërojn’?

Kur me zemrën plot plag’, lig’si o zem’rim,

Un’ tërhiqem mënjan’,

Shpirtin shqyrtoj?

Ku, kur dhembja m’shtohet,

Ku, kur brengosem,

Ku në nevoj’ mund t’rend, që un’ ta di?

Ku ësht’ dora e qet’ dhembjen të m’leht’soj’?

Kush mundet t’më kuptoj?

Ai, vetëm Ai.7

Pamja
Statuja e Krishtit

IV.

Kush mund të ndihmohet dhe forcohet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit? Alma dha mësim se Shpëtimtari do të “[merrte] përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij ” dhe do ta “ndihmojë popullin e tij” (Alma 7:11, 12; theksimi i shtuar). Cili është “populli [i] tij” në këtë premtim? A janë të gjithë të vdekshmit – të gjithë ata që gëzojnë realitetin e ringjalljes nëpërmjet Shlyerjes? Apo janë vetëm ata shërbëtorë të zgjedhur, të kualifikuar nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve?

Fjala popull ka shumë kuptime në shkrimet e shenjta. Kuptimi më i përshtatshëm për mësimin që Shpëtimtari do të ndihmojë “popullin e tij”, është kuptimi që përdori Amoni kur na mësoi se “Perëndia kujdeset për të gjithë njerëzit, në çdo vend që të ndodhen” (Alma 26:37). Kjo është gjithashtu ajo që donin të thonin engjëjt kur shpallën lindjen e foshnjës Krisht: “Gëzim të madh për të gjithë popullin” (Lluka 2:10).

Për shkak të sakrificës së Tij shlyese në vdekshmëri, Shpëtimtari ynë është në gjendje t’i ngushëllojë, shërojë dhe forcojë të gjithë burrat dhe gratë kudo, por unë besoj se Ai e bën këtë vetëm për ata që e kërkojnë Atë dhe që e kërkojnë ndihmën e Tij. Apostulli Jakob na mësoi: “Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë” (Jakob [Bibël] 4:10). Ne kualifikohemi për atë bekim kur besojmë tek Ai dhe lutemi për ndihmën e Tij.

Ka miliona njerëz që i druhen Perëndisë, që i luten Atij për t’ia larguar hidhërimet. Shpëtimtari ynë ka shpallur se Ai “zbriti nën gjithçka” (DeB 88:6). Siç dha mësim Plaku Nil A. Maksuell: “Duke ‘zbrit[ur] nën gjithçka’, Ai përfshiu, përsosurisht dhe personalisht, tërësinë e plotë të vuajtjes njerëzore”8. Ne madje mund të themi se duke zbritur nën gjithçka, Ai është përsosurisht në gjendje të na ngrejë dhe të na japë forcën që na duhet për t’i duruar hidhërimet tona. Neve thjesht na duhet të kërkojmë.

Pamja
Familje në tavolinë

Shumë herë në zbulesën bashkëkohore, Zoti shpall: “Prandaj, në se do të kërkoni nga unë, do të merrni; në se do të trokisni, do t’ju hapet” (për shembull, DeB 6:5; 11:5; shih edhe Mateu 7:7). Me të vërtetë, për shkak të dashurisë së Tyre të plotë, Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, i dëgjojnë dhe në mënyrë të përshtatshme u përgjigjen lutjeve të të gjithë atyre që i kërkojnë Ata me besim. Ashtu si Apostull Pal shkroi: “Kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve” (1 Timoteut 4:10).

E di se këto gjëra janë të vërteta. Shlyerja e Shpëtimtarit tonë bën më shumë sesa na siguron për pavdekësinë nëpërmjet ringjalljes së të gjithëve dhe na jep mundësinë që të pastrohemi nga mëkati nëpërmjet pendimit dhe pagëzimit. Shlyerja e Tij gjithashtu ofron mundësinë ta thërrasim Atë i cili i ka përjetuar të gjitha lëngatat tona të vdekshme, për të na dhënë forcën që t’i durojmë barrët e vdekshmërisë. Ai i njeh dhembjet tona dhe Ai është i gjindshëm për ne. Ashtu si Samaritani i mirë, kur Ai na gjen të plagosur buzë rruge, Ai do të na i lidhë plagët dhe do të kujdeset për ne (shih Lluka 10:34). Fuqia shëruese dhe forcuese e Jezu Krishtit dhe Shlyerja e Tij është për të gjithë ne që do t’i kërkojmë. Unë dëshmoj për këtë sikurse dëshmoj për Shpëtimtarin tonë, i cili e bën gjithçka të mundur.

Një ditë të gjitha këto barrë të vdekshme do të zhduken dhe nuk do të ketë më dhembje (shih Zbulesa 21:4). Unë lutem që ne të gjithë do ta kuptojmë shpresën dhe forcën e Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë: sigurinë e pavdekësisë, mundësinë për jetën e përjetshme dhe forcën mbështetëse që mund t’i marrim vetëm nëse do t’i kërkojmë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Bojd K. Paker, “Sakrifica Vetëmohuese dhe e Shenjtë e Shpëtimtarit”, Liahona, prill 2015, f. 38.

  2. James E. Faust, “The Atonement: Our Greatest Hope”, Liahona, janar 2002, f. 22.

  3. “Sa i Fortë një Themel”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 6.

  4. Shih, në përgjithësi, Jeffrey R. Holland, Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon (1997), f. 223–234; Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 12–19; Bruce C. Hafen dhe Marie K. Hafen, “‘Fear Not, I Am with Thee’: The Redeeming, Strengthening, and Perfecting Blessings of Christ’s Atonement”, Religious Educator, vëll. 16, nr. 1 (2015), f. 11–31, sidomos f. 18–25; Tad R. Callister, The Infinite Atonement (2000), f. 206–210.

  5. “Come, Ye Disconsolate”, Hymns, nr. 115.

  6. Nga një letër e vitit 2014 e marrë nga Peshkopi Bobi O. Hejls, i cili mbikëqyr Degën Henri të Godinës së Ndëshkimit në Jutën Qendrore.

  7. “Where Can I Turn for Peace?” Hymns, nr. 129.

  8. Neal A. Maxwell, “Apply the Atoning Blood of Christ”, Ensign, nëntor 1997, f. 23.