2010–2019
Jemi Këtu për t’i Shërbyer një Kauze të Drejtë
Tetor 2015


Jemi Këtu për t’i Shërbyer një Kauze të Drejtë

Zgjedhshim t’i shërbejmë një kauze të drejtë si të dërguara guximtare të Zotit tonë Jezu Krisht.

Jam mirënjohëse që ne mund të mblidhemi së bashku me gra besnike, të tilla si Liza – motra në video – që janë të kulluara në zemër, që e duan Zotin dhe i shërbejnë Atij, edhe gjatë vetë sprovave të tyre. Historia e Lizës më kujton se ne duhet ta duam njëra-tjetrën dhe të shohim te njëra-tjetra bukurinë e shpirtit. Shpëtimtari dha mësim: “Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë”1. Nëse jemi 8 apo 108 vjeçe, secila prej nesh është “[e] çmuar në sytë e [Tij]”2. Ai na do ne. Ne jemi bija të Perëndisë. Ne jemi motra në Sion. Ne kemi një natyrë hyjnore dhe secila prej nesh ka një punë të lavdishme për të bërë.

Gjatë verës unë u takova me një nënë të re të dashur që ka vajza. Ajo më tregoi ndjenjën e saj se të rejave tona u nevojitet një kauzë, diçka që t’i ndihmojë ato të ndihen të vlerësuara. Ajo e dinte se ne mund ta zbulojmë vlerën tonë individuale dhe të përjetshme duke vepruar në përputhje me qëllimin tonë hyjnor në vdekshmëri. Sonte, ky kor i bukur dhe i mrekullueshëm këndoi fjalë që na mësojnë qëllimin tonë. Nëpërmjet provave dhe sprovave, madje edhe përmes frikës dhe në mes të dëshpërimit, ne kemi zemra guximtare. Ne jemi të vendosura ta bëjmë pjesën tonë. Ne jemi këtu për t’i shërbyer një kauze të drejtë.3 Motra, në këtë kauzë ne jemi të gjitha të çmuara. Ne jemi të gjitha të dobishme.

Kauza e drejtë, së cilës ne i shërbejmë, është kauza e Krishtit. Është puna për shpëtim.4 Zoti dha mësim: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”5. Ne jemi kauza për të cilën Jezu Krishti vuajti, i doli gjak nga çdo por dhe me dashuri të përsosur dha jetën e Tij. Kauza e Tij është lajmi i mirë, “lajmet e mira, … se ai erdhi në botë, madje Jezusi, që të kryqëzohej për botën dhe të merrte mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia; se nëpërmjet tij të gjithë mund të shpëtohen”6. Shpëtimtari ynë “udhën neve na shënoi”7. Dëshmoj se, kur e ndjekim shembullin e Tij, e duam Perëndinë dhe i shërbejmë njëra-tjetrës me mirësi dhe dhembshuri, ne mund të qëndrojmë të pastra, “të pafaj[shme] përpara Perëndisë në ditën e fundit”8. Ne zgjedhim t’i shërbejmë Zotit në kauzën e Tij të drejtë që të mund të bëhemi një me Atin dhe me Birin.9

Profeti Mormoni shpalli hapur: “Pasi kemi një punë për të bërë, ndërsa jemi në këtë tabernakull prej argjile, që të mundim armikun e të gjithë drejtësisë dhe të pushojmë shpirtrat tanë në mbretërinë e Perëndisë”10. Udhëheqësit e hershëm të Kishës dhe pionierët e së kaluarës shkuan përpara me kurajë heroike dhe besnikëri të vendosur për të themeluar ungjillin e rivendosur dhe për të ndërtuar tempuj, ku mund të kryheshin ordinancat e ekzaltimit. Pionieret e së tashmes, domethënë unë dhe ju, gjithashtu shkojnë përpara me besim “për të punuar në vreshtin [e Zotit] për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve”11. Dhe, ashtu siç dha mësim Presidenti Gordon B. Hinkli: “Sa e madhërishme do të jetë e ardhmja ndërsa i Plotfuqishmi vazhdon veprën e Tij të lavdishme … nëpërmjet [shërbimit] vetëmohues të atyre njerëzve, zemrat e të cilëve janë të mbushura me dashuri për Shëlbuesin e botës”12. Ne bashkohemi me motrat besnike të së shkuarës, të së tashmes dhe të brezit të ardhshëm kur bashkohemi së bashku në punën për shpëtim!

Përpara se të lindnim, ne e pranuam planin e Atit tonë Qiellor “me anë të të cilit [ne] mund të merrni[m] një trup fizik, mund të fitoni[m] përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe së fundmi, mund të arrini[m] destinacionin [tonë] hyjnor si trashëgimtar[e] të jetës së përjetshme”13. Për këtë besëlidhje para lindjes, Plaku Xhon A. Uidtso shpjegoi: “Ne ramë dakord, menjëherë, që të mos ishim shpëtimtarë vetëm për veten tonë, por … shpëtimtarë për gjithë familjen njerëzore. Ne hymë në një ortakëri me Zotin. Funksionimi i planit u bë atëherë jo thjesht puna e Atit dhe puna e Shpëtimtarit, por edhe puna jonë. Më i vogli ndër ne, më i përuluri, është në ortakëri me të Plotfuqishmin, për arritjen e qëllimit të planit të përjetshëm të shpëtimit.”14

Këtu në vdekshmëri ne kemi besëlidhur sërish që t’i shërbejmë Shpëtimtarit në punën për shpëtim. Duke marrë pjesë në ordinancat e shenjta të priftërisë, ne zotohemi se do të hyjmë në shërbim të Perëndisë me zemër, fuqi, mendje dhe forcë.15 Ne marrim Frymën e Shenjtë dhe kërkojmë nxitjet e Tij për të na udhëhequr në përpjekjet tona. Drejtësia përhapet në botë kur ne e kuptojmë çfarë Perëndia do që ne të bëjmë dhe më pas e bëjmë atë.

Unë njoh një fëmijë në Fillore që i tha një shoku ndërsa po qëndronte te stacioni i autobusit: “Hej! Ti duhet të vish me mua në Kishë dhe të mësosh për Jezusin!”

Unë i pashë vajzat në një klasë të Të Rejave t’i lidhnin krahët së bashku dhe të bënin një zotim për t’i shërbyer njëra-tjetrës dhe pastaj të planifikonin një mënyrë të përshtatshme për të ndihmuar një të re që po haste vështirësi me një varësi.

Kam parë nëna të reja që japin çdo gjë nga koha e tyre, talentet e tyre dhe energjia e tyre për të dhënë mësim dhe për të qenë një shembull i parimeve të ungjillit, në mënyrë që fëmijët e tyre, ashtu si bijtë e Helamanit, të mund të qëndrojnë me guxim dhe besnikëri përmes sprovës, tundimit dhe fatkeqësisë.

Por ndoshta më përulëse për mua ishte të dëgjoja një motër beqare në moshë madhore të shpallte me zjarrin e një dëshmie të kulluar se puna më e rëndësishme që ne mund të bëjmë, është të përgatitemi për martesë dhe familje. Megjithëse kjo nuk është përvoja e saj, ajo e di se familja është pjesa më e rëndësishme e punës për shpëtim. “Plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit.”16 Ne e nderojmë planin e Atit dhe e lëvdojmë Perëndinë kur i forcojmë dhe i lartësojmë ato marrëdhënie në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës. Ne zgjedhim të jetojmë një jetë të kulluar dhe të virtytshme, në mënyrë që kur të vijë mundësia, ne të jemi të përgatitura që ta bëjmë atë besëlidhje të shenjtë në shtëpinë e Zotit dhe ta mbajmë atë përgjithmonë.

Ne të gjitha përjetojmë kohë dhe stinë në jetën tonë. Por nëse jemi në shkollë, në punë, në komunitet, ose veçanërisht në shtëpi, ne jemi përfaqësuese të Zotit dhe jemi në punën e Tij.

Në punën për shpëtim nuk ka vend për krahasim, kritikë apo dënim. Nuk ka të bëjë me moshën, përvojën ose famën. Kjo punë e shenjtë ka të bëjë me krijimin e një zemre të thyer, të një shpirti të penduar dhe të një gatishmërie për t’i përdorur dhuratat tona hyjnore dhe talentet tona të veçanta për ta bërë punën e Zotit sipas mënyrës së Tij. Është që të kemi përulësinë për të rënë në gjunjë dhe për të thënë: “Ati im, … jo si dua unë, por si do ti”17.

Me forcën e Zotit ne “mund [t’i] bëj[më] të gjitha gjërat”18. Ne vazhdimisht kërkojmë udhërrëfimin e Tij në lutje, në shkrimet e shenjta dhe në pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë. Një motër që u përball me një detyrë sforcuese, shkroi: “Ndonjëherë e pyes veten nëse motrat në historinë e hershme të Kishës, ashtu si edhe ne, e vendosnin kokën e tyre në jastëk gjatë natës dhe luteshin: ‘Çfarëdo që të sjellë e nesërmja, a do të më ndihmosh ta kaloj?’” Pastaj ajo shkroi: “Një nga bekimet është [që] ne kemi njëra-tjetrën dhe jemi në këtë [punë] së bashku”19. Cilatdo qofshin rrethanat tona, kudo që ne jemi përgjatë shtegut drejt shpëtimit, ne bashkohemi si një e vetme në zotimin tonë ndaj Shpëtimtarit. Ne e mbështetim njëra-tjetrën në shërbimin e Tij.

Pamja
Ela Hoskinsi përfundon Përparimin Personal

Kohët e fundit, ju mund të keni lexuar rreth motrës Ela Hoskins, e cila në moshën 100-vjeçare u thirr për t’i ndihmuar të rejat në lagjen e saj me programin Përparimi Personal.20 Rreth dy vjet më vonë, në moshën 102-vjeçare, motra Hoskins mori çmimin Njohja e së Resë. Të rejat, presidencat e Të Rejave dhe të Shoqatës së Ndihmës të lagjes dhe kunjit dhe pjesëtarët e familjes u mblodhën së bashku për të festuar arritjen e saj. Kufijtë e moshës, organizatës dhe gjendjes martesore u venitën nga shërbimi besnik. Të rejat shprehën mirënjohje për motrën Hoskins, për mësimdhënien e saj dhe për shembullin e saj të drejtë. Ato duan të jenë si ajo. Më pas, unë e pyeta motrën Hoskins: “Si e arrite këtë?”

Ajo u përgjigj menjëherë: “Unë pendohem çdo ditë”.

Nga një zonjë e dashur, e mbushur kaq shumë me Shpirtin e Zotit, që rrezatonte dritë të kulluar, m’u kujtua se, që të shkëlqejmë me bukurinë e shenjtërisë, të qëndrojmë me Shpëtimtarin dhe t’i bekojmë të tjerët, ne duhet të jemi të pastra. Pastërtia është e mundshme nëpërmjet hirit të Krishtit ndërsa ne e mohojmë ligësinë dhe zgjedhim ta duam Perëndinë me fuqi, mendje dhe forcë.21 Apostulli Pal dha mësim: “Largo[j]u … pasione[ve] rinore: … bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër”22. Asnjëra prej nesh nuk është e përsosur. Ne të gjitha kemi bërë gabime. Por ne pendohemi në mënyrë që të mund të jemi më të mira dhe “ta mba[jmë] emrin [e Krishtit] gjithmonë të shkruar në zemrat [tona]”23. Kur ne shërbejmë në emër të Zotit, me pastërtinë e zemrës, ne pasqyrojmë dashurinë e Shpëtimtarit dhe u japim të tjerëve një ide se si do të jetë qielli.

Zgjedhshim t’i shërbejmë një kauze të drejtë si të dërguara guximtare të Zotit tonë Jezu Krisht. Le të qëndrojmë së bashku dhe “me një këngë në zemrën [tonë] le të shkojmë përpara, duke e jetuar ungjillin, duke e dashur Zotin dhe duke e ndërtuar mbretërinë e [Tij]”24. Dëshmoj se në këtë punë të lavdishme, ne mund ta njohim dashurinë e kulluar të Perëndisë. Ne mund të marrim gëzim të vërtetë dhe të sigurojmë të gjitha lavditë e përjetësisë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.