2010–2019
Zgjidheni Dritën
Tetor 2015


Zgjidheni Dritën

Ne duhet të zgjedhim t’ia vëmë veshin këshillës profetike, t’i dallojmë e të veprojmë sipas nxitjeve shpirtërore, të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe të kërkojmë zbulesë shpirtërore.

Jo shumë kohë më parë, gruaja ime dhe unë vendosëm se duhej ta përjetonim më tërësisht bukurinë e një zone pranë shtëpisë sonë në Montanën veriperëndimore. Vendosëm të shkonim me biçikleta në Shtegun Haiuatha, një linjë hekurudhore e shndërruar në një shteg, që kalon përmes Maleve Shkëmbore midis Montanës dhe Ajdahos. Ne prisnim një ditë të këndshme me miqtë tanë, duke u kënaqur me bukurinë natyrore të zonës.

E dinim se udhëtimi ynë përgjatë shtegut të madhërishëm prej 24 kilometrash do të përfshinte ura mbështetëse që shtriheshin mbi kanionet e thella dhe tunele të gjatë që depërtonin male të thepisura. Kështu që u përgatitëm me drita të lidhura te helmetat dhe biçikletat tona.

Pamja
Jashtë tunelit Taft

Ata që kishin shkuar përpara nesh, na paralajmëruan se tunelet ishin të errëta dhe se kishim nevojë për drita vërtet të forta. Teksa u mblodhëm përpara hyrjes së stërmadhe shkëmbore të tunelit Taft, një mirëmbajtës shpjegoi disa nga rreziqet e shtegut, duke përfshirë hendeqet e thella përgjatë skajeve, muret e ashpra dhe errësirën e plotë. Me padurim, ne u nisëm drejt tunelit. Pasi i kishim ngarë biçikletat vetëm për pak minuta, na rrethoi errësira e paralajmërur. Dritat që solla, u provuan të ishin të papërshtatshme dhe errësira shpejt i mbyti ato. Papritur, fillova të ndihesha i merakosur, i pështjelluar dhe i çorientuar.

Pamja
Biçikleta në tunel
Pamja
Biçikletë në tunel me dritë pasqyruese

Më vinte turp t’ua tregoja ankthin tim miqve dhe familjes sime. Edhe pse isha një çiklist me përvojë, tani u ndjeva sikur nuk e kisha ngarë kurrë një biçikletë. E kisha të vështirë të qëndroja drejt ndërkohë që pështjellimi im rritej. Më së fundi, pasi ua shpreha shqetësimin tim njerëzve përreth meje, isha në gjendje të afrohesha më pranë dritës më të fuqishme të një shoku. Në fakt, çdonjëri në grup filloi të formonte një rreth të ngushtë përreth tij. Duke qëndruar pranë tij dhe duke u mbështetur për njëfarë kohe te drita e tij dhe drita e grumbulluar e grupit, ne u futëm edhe më thellë në errësirën e tunelit.

Pamja
Drita në fund të tunelit

Pas një kohe që m’u duk si shumë orë, unë pashë një pikëz drite. Pothuajse menjëherë, fillova të ndihem i sigurt sërish që gjithçka do të shkonte mirë. Vazhdova të shkoja përpara, duke u mbështetur si te drita e miqve të mi, ashtu edhe te pikëza në rritje e dritës. Vetëbesimi im dalëngadalë u kthye teksa drita u rrit në përmasë dhe fuqi. Shumë kohë përpara se ta arrinim fundin e tunelit, unë nuk kisha më nevojë për ndihmën e miqve të mi. Gjithë ankthi u zhduk ndërsa pedalonim me të shpejtë drejt dritës. U ndjeva i qetë dhe i sigurt sërish, madje përpara se të hynim në dritën e mëngjesit plot ngrohtësi dhe shkëlqim.

Ne jetojmë në një botë në të cilën do të përjetojmë sfida të besimit tonë. Mund të ndihemi vetëbesues se jemi gati që të përballemi me këto sfida – vetëm që të kuptojmë se përgatitjet tona kanë qenë të pamjaftueshme. Dhe ashtu sikurse më kishte paralajmëruar miku im rreth errësirës, ne paralajmërohemi sot. Zërat apostullorë na nxitin të përgatitemi me dritën e fuqishme të forcës shpirtërore.

Sikurse unë, ne mund të ndihemi të turpëruar, të parehatshëm ose të pështjelluar shpirtërisht kur hasim një sfidë të besimit tonë. Në përgjithësi, fuqia dhe kohëzgjatja e këtyre ndjenjave do të varen nga reagimi ynë ndaj tyre. Nëse nuk bëjmë asgjë, dyshimi, krenaria dhe më së fundi braktisja mund të na largojnë nga drita.

Unë mësova disa mësime të rëndësishme nga përvoja ime në tunel. Do të tregoj vetëm disa prej tyre.

Së pari, pavarësisht se sa e fuqishme është errësira e dyshimit, ne zgjedhim për sa kohë dhe në çfarë shkalle e lejojmë atë të ndikojë tek ne. Ne duhet të mbajmë mend se sa shumë na duan Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij. Ata as nuk do të na braktisin, as nuk do të na lejojnë të mposhtemi, nëse e kërkojmë ndihmën e Tyre. Silleni ndërmend përvojën e Pjetrit në valët e rrezikshme të detit të Galilesë. Teksa Pjetri e ndjeu errësirën e ftohtë të shpalosej përreth tij, ai e kuptoi mëdyshjen e tij menjëherë dhe zgjodhi pikërisht në atë çast të thërriste për ndihmë. Ai nuk e vuri në dyshim fuqinë e Shpëtimtarit për ta shpëtuar; ai thjesht thirri: “O Zot, shpëtomë”1.

Në jetën tonë, dora e shtrirë e Shpëtimtarit mund të marrë formën e ndihmës nga një mik dhe një udhëheqës i mirëbesuar, ose një prind i dashur. Teksa ndeshim vështirësi në errësirë, s’ka asgjë të gabuar në mbështetjen e përkohshme te drita e atyre që na duan dhe kanë për zemër interesat tona më të mira.

Nëse e marrim parasysh plot mendim, përse do t’i dëgjonim zërat anonimë, cinikë, të njerëzve në ndërtesat e gjera dhe të mëdha të kohës sonë dhe përse do t’i shpërfillnim përgjërimet e atyre që na duan me çiltërsi? Këta kundërshtues të përhershëm parapëlqejnë të shkatërrojnë në vend që të lartësojnë dhe të përqeshin në vend që të ngrenë shpirtërisht. Fjalët e tyre tallëse mund të depërtojnë në jetën tonë, shpesh nëpërmjet shtrembërimeve të shkurtra dhe të përkohshme elektronike, të ndërtuara në mënyrë të kujdesshme dhe të qëllimshme për ta shkatërruar besimin tonë. A është e urtë ta vendosim mirëqenien tonë të përjetshme në duart e të panjohurve? A është e urtë të shpallim se kemi marrë ndriçim të mendjes nga ata që nuk kanë dritë për ta dhënë ose të cilët mund të kenë qëllime të fshehta, të fshehura prej nesh? Këtyre individëve të panjohur, nëse na paraqiteshin në mënyrë të ndershme, kurrë nuk do t’iu kushtohej ndonjë çast nga koha jonë, por, ngaqë shfrytëzojnë mediat shoqërore, të fshehur prej këqyrjes, ata marrin besueshmëri të pamerituar.

Zgjedhja jonë për t’ua vënë veshin atyre që i përqeshin gjërat e shenjta, do të na largojë nga drita shpëtuese dhe jetëdhënëse e Shpëtimtarit. Gjoni shënoi: “Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: ‘Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës’”2. Mbajeni mend, ata që na duan me të vërtetë, mund të na ndihmojnë ta ndërtojmë besimin tonë.

Sikurse unë u ndjeva i turpëruar në tunel, ne gjithashtu mund të ndihemi të turpëruar që të kërkojmë ndihmë kur kemi dyshim. Ndoshta ne jemi njeriu tek i cili të tjerët kanë kërkuar forcë, dhe tani ne kemi nevojë për ndihmë. Kur e kuptojmë se drita dhe ngushëllimi që mund të na i shtrijë Shpëtimtari, janë tepër të çmuara për t’u humbur për shkak të krenarisë, atëherë udhëheqësit e frymëzuar të Kishës, prindërit dhe miqtë e mirëbesuar mund të ndihmojnë. Ata qëndrojnë të gatshëm për të na ndihmuar që t’i fitojmë siguritë shpirtërore, të cilat do të na forcojnë kundër sfidave të besimit.

Së dyti, ne duhet të mirëbesojmë te Zoti me qëllim që të zhvillojmë fuqi shpirtërore brenda vetes sonë. Ne nuk mund të mbështetemi te drita e të tjerëve përgjithmonë. E dija se errësira në tunel nuk do të zgjaste, në qoftë se vazhdoja të pedaloja përkrah miqve të mi dhe brenda sigurisë së grupit. Por prisja që të isha në gjendje të vazhdoja vetë sapo të mund ta shihja dritën. Zoti na mëson: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet”3. Ne duhet të veprojmë, duke pritur që Zoti do ta përmbushë premtimin e Tij për të na nxjerrë nga errësira, në qoftë se afrohemi pranë Tij. Megjithatë, kundërshtari do të përpiqet të na bindë që nuk e kemi ndier kurrë ndikimin e Shpirtit dhe që do të jetë më e lehtë thjesht të mos vazhdojmë të përpiqemi.

Presidenti Diter F. Uhtdorf këshillon të “keni dyshim te dyshimet tuaja përpara se të keni dyshim te besimi juaj”4. Në lagjen time [të Kishës], një i ri kohët e fundit tha: “Ka gjëra që i kam ndier, të cilat nuk mund të shpjegohen në ndonjë mënyrë tjetër përveç që janë nga Perëndia”. Ky është integriteti shpirtëror.

Kur përballemi me pyetje ose tundohemi që të dyshojmë, ne duhet të kujtojmë bekimet shpirtërore dhe ndjenjat që kanë depërtuar në zemrën dhe jetën tonë në të shkuarën, dhe ta vendosim besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Më vjen ndërmend këshilla e dhënë në një himn të njohur: “N’mir’sinë e Zotit s’dyshojmë [sepse] provuar e kemi sa her’”5. Shpërfillja dhe zhvleftësimi i përvojave shpirtërore të së shkuarës do të na largojnë nga Perëndia.

Kërkimi ynë për dritë do të përforcohet nga gatishmëria jonë për ta dalluar kur ajo shkëlqen në jetën tonë. Shkrimi i shenjtë modern e përcakton dritën dhe u jep një premtim atyre që e pranojnë atë: “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”6. Njësoj si rasti kur vazhduam të pedalonim drejt dritës, sa më shumë që këmbëngulim, aq më i ndritshëm bëhet ndikimi i Tij në jetën tonë. Sikurse drita në fund të tunelit, ndikimi i Tij do të na sjellë vetëbesim, vendosmëri, ngushëllim dhe – më e rëndësishmja – fuqinë për të ditur se Ai jeton.

Së treti, nuk ka errësirë kaq të dendur, kaq kërcënuese ose kaq të vështirë sa të mos mund të mposhtet nga drita. Plaku Nil L. Andersen kohët e fundit na dha mësim: “Ndërkohë që ligësia shtohet në botë, ka një fuqi shpirtërore, shpërblyese për të drejtët. Ndërkohë që bota rrëshqet prej pallamarëve të saj shpirtërorë, Zoti përgatit udhën për ata që e kërkojnë Atë, duke iu ofruar atyre siguri më të madhe, miratim më të madh dhe vetëbesim më të madh në drejtimin shpirtëror ku po udhëtojnë. Dhurata e Frymës së Shenjtë bëhet më e shkëlqyer në muzgun që po shfaqet.”7

Vëllezër e motra, ne nuk jemi lënë të vetëm që të ndikohemi nga çdo tekë dhe ndryshim në sjelljen e botës, por ne kemi fuqinë të zgjedhim besimin kundrejt dyshimit. Me qëllim që ta përdorim fuqinë shpirtërore, shpërblyese, të premtuar, ne duhet të zgjedhim t’ia vëmë veshin këshillës profetike, t’i dallojmë e të veprojmë sipas nxitjeve shpirtërore, të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe të kërkojmë zbulesë shpirtërore. Ne duhet të zgjedhim. Zgjedhshim dritën e Shpëtimtarit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.